Deri në murtajën e madhe të vitit 1348 në popullsitë qytetare mbizotëronte elementi roman, sidomos në fisnikërinë, e cila e kishte prejardhjen e saj nga aristokracia qytetare e provincës romake në antikitetin e vonë. Në Dalmaci qytetaret quheshin përgjithësisht “latini” në ndryshim nga “sclavi”, banorët sllave të provincës. Popullsia romane, dalmate dhe arbëre pësoi në katastrofën e vitit 1348 një goditje të rëndë. Zbrazëtitë që kishte hapur epidemia në qytetarinë romane, i mbushën migrantë sllavë dhe arbër. Përbërja etnike e komunave filloi t’i nënshtrohej një shndërrimi përfundimtar, i cili nuk mund të rroket tërësisht për shkak të mungesës së njoftimeve.
Hap probleme metodike interpretimi i materialeve me emra personash, që qëndron në themel të hulumtimeve të rrethanave etnike. Në komunikimin me shkrim komunat përdornin gjithmonë latinishten ose volgaren që merrte ndikim gjithmonë e më të madh prej venetishtes, e cila zëvendësoi dalmatishten. Shkruesit jo rrallë ishin noterë italianë, të cilët ua përshtatnin :mrat e përveçëm mënyrës së shkrimit të gjuhës që ata përdornin, e nganjëherë përkthenin edhe prej sllavishtes ose arbërishtes. Në një trajtë italiane ose latine mund të fshihet edhe një emërmbajtës arbër ose sllav. Si reagim ndaj metodës së Jirecekut, i cili i mbështet studimet e tij mbi rrethanat etnike në Ballkanin perëndimor, kryesisht mbi interpretimin e emrave të personave, për një kohë është kundërshtuar pikëpamja se mund të nxirren të dhëna të sigurta duke u msur nga emrat e personave, pasi që në mënyrën e shkrimit roman mund të fshihen trajtat arbërishte dhe sllavishte.
Në vend që të lihet jashtë vëmendjeje ky burim e të hiqet dorë kështu nga elemente të tilla në hulumtimin e strukturës etnike të popullatës, duket më e arsyeshme që këto të përdoren por me rezervat e lartpërmendura. Kjo pasi edhe vetë nomenklatura latine ose italiane tregon për mbisundimin e elementit roman në kulturën e shkruar dhe atë juridike. Si gjuhë komunikimi dhe shkrimi në tregti e në drejtësi, latinishtja dhe volgare- e ruajtën statusin e tyre në mjedisin qytetar thuajse të parival deri në fund të shekullit 15; nën sundimin venedik ato u forcuan dhe zmbrapsën edhe sllavishten.
Çështja e gjuhës në qytetet e Arbërisë së veriut është shumështresore, e krahasueshme me gjendjen në Dalmaci. Ndarja në tresh e hapësirës arbëre në një trevë kulturore arbëre, në një romane-arbëre dhe në një romane-sllave-arbëre është vetëm një mjet ndihmës i skajshëm për të paraqitur përmasat e mëdha të tablosë. Në këto rajone qytetet mund të duken si trupa të huaj, si një mikrokozmos krejt tjetër, për shembull Durrësi disagjuhësh i rrethuar nga mjedisi arbër, serbët në Vlorë mes mjedisit grek, i cili nga ana e vet rrethohej nga arbër etnikë, Drishti roman-sllav-arbër mes malësisë së Arbërisë të veriut ku mbizotëronin arbërit etnikë. Në Arbërinë e mesjetës së vonë në krahina të vogla sundonte një larmi e thellë kulturore.
Duhet bërë dallimi midis gjuhëve të shkrimit, latinishtes, dalmatishtes, e prej gjysmës së dytë të shekullit 14 volgare-s që mbështetej mbi venetishten, serbishtes së mesme dhe greqishtes; gjuhëve të folura, gjuhë romane të qyteteve dhe gjuhën tjetër romane të gjysmë-nomadëve (vllehëve), serbishtes, arbërishtes, dhe greqishtes popullore.
Prej gjuhëve të folura gjuha romane, më pas venetishtja, mbisundonte në veri dhe në qendër të hapësirës arbëre si gjuhë komunikimi, ndërsa greqishtja popullore në jug. Nuk mund të heqësh vija të qarta kufitare, pasi që tregtarët venedikas vepro- nin edhe në Vlorën greke, ndërsa nga ana tjetër greqishtja flitej rreth vitit 1400 në oborrin princëror të Krujës në Arbërinë e mesme. Sistemet e gjuhëve të shkrimit, komunikimit, gjuhëve të folura lokale dhe gjuhëve shtëpijake ishin të ndërthurura fort me njëra-tjetrën. Nuk kanë ekzistuar në mesjetë vija të qarta ndarëse gjeogra- fike ose shoqërore. Përzierja e grupeve dhe popullatave në gjuhë të ndryshme në një hapësirë të ngushtë nxiste shumëgjuhësi, simbiozën kulturore. Këtu luante një rol të rëndësishëm statusi shoqëror i një gjuhe. Forca tërheqëse e gjuhës romane dhe gjuhës greke mbështetej në një pjesë të mirë në epërsinë e kulturave që përfaqësonin ato dhe nuk mund të shpjegohet vetëm me rëndësinë e këtyre gjuhëve në tregti dhe administratë. Një vështrim në rrethanat gjuhësore na mundëson gjendja e mirë burimore në Raguzë: krahas latinishtes si gjuhë zyrtare përdorej edhe raguzanishtja, dialekt i dalmatishtes; italishtja shërbente si gjuhë e tregtisë, literaturës, statuteve; së fundi, sllavishtja flitej si gjuhë shtëpie, kryesisht nga gratë e fisnikëve romanë, pra edhe në shtresat e epërme, e më pas në mesjetën e vonë u përhap edhe si gjuhë e folur e përgjithshme, më vonë si gjuhë letërsie.
Zmbrapsja e elementit roman nuk ndodhi njëtrajtësisht në Arbërinë e veriut.Në Drisht qytetaria romane e ruajti ndikimm e vet deri në shkatërrimin e qytetit nga osmanët Edhe në Ulqin e Tivar popullata romane ishte ende mjaft e gjallë rreth vitit 1400. Ndërsa në Shkodër, ku një paragraf i statutit, pas gjasave shumë i vjetër, bënte vetëm dallimin midis “Latino” dhe “Sclavo” . e përmendur fare “Arbanese”, ishin ngulur në qytet zotërinj të shumtë arbër etnikë të provincës; Jonimat e Dukagjinët, farefisnia e të cilëve në krahina përdorte si gjuhë të zakonshme zyrtare sllavishten, janë ndeshur në mjedisin qytetar me romanishten, gjuhë me të cilën janë shkruar shtojcat e statuteve të Shkodrës në vitet 1391 deri 1393. Megjithatë romanishtja si gjuhë e përditshme e kishte humbur aq shumë rëndësinë, saqë në fillim të shekullit 15 funksionarë venedikë në Shkodër kishin nevojë për një përkthyes. Ndërsa autoritetet venedike në Ulqin dhe në Tivar nuk njoftonin për vështirësi të tilla në të kuptuar. Kjo nuk do të thotë se në këto qytete flitej vetëm romanisht, vetëm se dëftehet pozita e saj si gjuhë komumkimi. Ndërsa karakteristika sllave në Tivar mund të quhet e sigurtë, materiali në emra vetjakë nga Ulqini s’të lë të. nxjerrësh përfundime për përbërjen etnike të shtresës që përmendet më shpesh: fisnikërisë. Është supozuar se në Ulqin elementi roman u ndryshua dalëngadalë nga mbishtresime sllave dhe arbëre. E sigurtë është vetëm se në shekullin 16 në këtë qytet mbizotëronte gjuha arbërishte.
Një rast i dokumentuar mirë është Durrësi: një dokument nga viti 1282 dhe libri i llogarive të një tregtari venedik nga vitet ’60 të shekullit 14 lejojnë një vështrim në shtresëzimin e ndërlikuar etnik të popullatës qytetare. Ndër dëshmitarët e dokumen- tit - bëhet fjalë për blerjen e një shtëpie nga një venedikas - shfaqen arkigjakoni katolik Johannes Cartero, greku Costa Cinnamus dhe mjeku Matheus. Ndër pronarët e shtëpisë bënin pjesë një „churo Rladimero", me sa duket me prejardhje sllave dhe arbëri etnik „Ginij Gradicij" si dhe „manisis albanensibus". Rreth 80 vjet më vonë ndër debitorët e venedikasit Andrea Bolam bënin pjesë sidomos tregtarët e shumtë hebrenj.
Bie në sy pjesa e fortë greke ndër partnerët e biznesit të Bolanit: përbri emrash që duhen vendosur në shtresën e sipërme si „Sauastriochatora" (d.m.tli. titulli i oborrit të një sevastokratori), „Blaxio Lichuda", „Dimitri Mesopotamiti" gjen edhe burra si „Andrea mauromati" (Mavromati) dhe „Dionixe", shërbëtori i sevastokratorit. Lidhjet e ngushta të Bolanit me popullatën katolike të gjuhës romane nuk të habisin: ipeshkvi katolik, vikari i domenikanëve si dhe artizanë kishin blerë prej tij mallra.
Sidoqoftë rreth vitit 1400 tabloja kishte ndryshuar: nën sundimin venedik, elementi katolik e kish mënjanuar në një masë të madhe ortodoksinë e tok me të edhe bashkësinë greke. Romanët katolikë nga ana e tyre ndodheshin nën trusnmë e fortë të arbërve etnikë, të dlët përgjatë shekullit 15 do të mbisundonin përfundimisht mbi banorët grekë, romanë dhe ata pak sllavë të Durrësit Simbioza greko-romano-sllavo-arbëre e shekullit 13 u zhvendos në të mirë të një kulturë qytetare të re arbëre e katolike nën kontrollin politik dhe ekonomik të republikës së Shën Markut.
Bashkëjetesa paqësore e grupeve të ndryshme gjuhësore në qytetet e Arbërisë së vjetër tregon se nuk ishte përkatësia në një bashkësi gjuhësore apo në njëfarë kombi në kuptimin që mori në shekullin 19, i cili në atë kohë nuk ekzistonte fare, por e drejta qytetare, pozita juridike, shoqërore dhe ekonomike e individëve, ajo që përbënte pikën e referimit për identitetin.