Në kryeqytetin e sotëm të Shqipërisë nuk gjendet asgjë arkeologjike mbi sipërfaqe, sepse ai është krejtësisht i ri. Tirana është në ndërtim e sipër, ngaqë kohët e fiindit kanë nisur punime të mëdha sistemuese dhe të hijshme të bërthamës zanafillore të qytetit. Me këto ndërtime dhe rrugë, për pak viteTirana do të jetë një qytet shumë i bukur, por dhe një kryeqytet i hijshëm.
Në Tiranë gjendet një Muze Kombëtar i cili mbledh gjithçka që ka lidhje me studimin e Shqipërisë. Krahas koleksioneve etnografike, të historisë natyrore, etj., ndodhet edhe koleksioni arkeologjik, i cili përbën bërthamën më të rëndësishme të muzeut. Ngaqë më kishin thënë se po bëhej përkujdesje për ilustrimin e materialit të mbledhur, do të kufizohem vetëm në përmendjen e ekzemplarëve që janë më të vlefshëm.
Në kopshtin që rrethon muzeun paraqiten një varg gurë varresh romake, prej mermeri, të stolisura me motive dekorative. Faqja parësore e tyre mban mbishkrimin latin që i kushtohet personazheve romake; në faqet anësore janë gdhendur në reliev vazo ose objekte të karakterit ritual.
Në sallën e parë të muzeut gjenden disa shtatore fragmentare, mes të cilave një romak i veshur me togë; disa pllaka që paraqesin figura të gdhendura dhe njëra me trofe armësh. Vlera më e madhe e tyre përbëhet nga fakti se këto vepra vlerësohen pothuajse të gjitha si punime vendore.
Ja vlen të kujtoj ndonjë hollësi teknike të disa ndërtimeve të Tiranës, pasi janë dëshmi e zakoneve mjaft të lashta ende sot e kësaj dite në fuqi. Muret e shtëpive ndërtohen me qerpiçë, pak të përpunuar dhe të përzier me kashtë të grirë. Një karakteristikë edhe më interesante për të mbajtur më këmbë muret dhe për të lidhur fort gjithë ndërtesën është ndërvënia e shtyllave të drurit horizontalisht dhe vertikalisht. Muri ngrihet mbi një xokolaturë të punuar me gurë, për të penguar rrjedhjen e ujit pranë tij dhe shpërbërjen e tullave të qerpiçit dhe, si rrjedhojë, rrënimin e ndërtesës. Eshtë e tepërt të sillen ndërmend, për analogji, ndërtimet e lashta që kanë një teknikë murature të njëllojtë, pasi ky është një argument tepër i njohur. Do të kujtoj vetëm muret e shtëpive të shtresës së dytë të Trojës.
Afërsitë e Tiranës, deri tani, nuk kanë dëshmuar se ruajnë lëndë të rëndësishme arkeologjike. Lokaliteti i vetëm që pashë është ai që gjendet mes vendeve të quajtura Laknas dhe Bruka. Në veriperëndim të qytetit të Tiranës, rreth dy orë rrugë prej saj, mbi bregun e majtë të lumit Lyn, ndeshet një pjesë ledhi me faqe të drejta, të cilin lumi me ujërat e tij të rrëmbyeshëm e gërryen pareshtur. Në një pjesë të faqes që gjendet në bërryl, vërehen shtresa të larmishme trualli që, duke nisur nga lart, vijnë njëra pas tjetrës sipas këtij rendi: mbi një shtresë shtufi hiri në ngjyrë të verdhë dhe të ngjeshur vjen një shtresë dheu që paraqet gjurmë djegiesh dhe oksidimi të fortë (vende-vende në ngjyrë të kuqe tulle për disa centimetra trashësi); mbi këtë shtrihet më pas një shtresë toke qymyrore e përzier me ndonjë eshtër kafshe; më në fund duket një shtresë me hedhurina tjegullash e tullash me mbrujtje të ashpër dhe me ngjyrë të kuqe të ndezur tulle. Mes këtyre kam vërejtur copëza tjegullash pak të harkuara dhe të gjera dhe një copë kapaku të gjerë qypi të madh të pajisur në qendër me një nyje kapëse më të trashë (me diametër 10 centimetra dhe lartësi 6 cm). Këto shtresa ishin nën nivelin e ujit, pasi kur i pashë lumi ishte tepër i mbushur, rreth 3.50 m i thellë nga sipërfaqja e tanishme e tokës. Mendimi që krijova për këtë shtresëzim reliktesh ishte prania e një banesë druri me mbulesë tjegullash, e epokës romake të vonë, e shkatërruar nga ndonjë zjarr.