Trebinja, Tivari, Gucia, Shkodra, Gjakova, Prokuplje, Nishi, Berkovica, Shar Planina, Janina, Thesalia, Lugina e Aiakomnit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Trebinja, Tivari, Gucia, Shkodra, Gjakova, Prokuplje, Nishi, Berkovica, Shar Planina, Janina, Thesalia, Lugina e Aiakomnit

~Guillaume Lejean

Në maj 1869, shkova në Shkodër, në Shqipëri, për të ndërmarrë një fushatë gjeografike që duhej të përsoste kërkimet e mia të ndërmarra në Turqinë europiane më 1857, 1858, 1867 dhe 1868. Nga Raguza, ku qëndrova disa ditë, bëra si sprovë, një ekskursion në Hercegovinë dhe ky udhëtim i vogël më lejoi të bëj me hollësi hartën e rajonit të ndërlikuar të Kolbukut, që shtrihet dy orë këtej Raguzës. Rreth Trebinjës njoha tre masivë malorë, atë të Vlasiticës, ngjitur me kufirin austriak, që bashkohet me malet e njohura më mirë të Malansticës dhe të Imejnicës, atë të Leotarit, në veri të Trebinjës pjesën e dalë të një rrafshnalte të madhe, të ndërprerë nga vargmale të ulëta paralele dhe të hullizuara nga dolina (ultësira të mbjella), në fund atë të Gola Glavicës (Kokë Zhveshur) që ndan luginën e Trebishnjicës nga dolina e madhe e Grabit, që ngjan me fundin e një liqeni të tharë.

Nga Raguza shkova në Lastua dhe u drejtova për nga Tivari nëpërmjet tokës përmes territorit të Spicës, të kërkuar nga malazezët prej shumë vitesh. Spica nuk është ende ashtu siç e tregojnë hartat, një shpat i përthyer drejt detit, por një varg luginash të larta midis vargmalit fqinj të Malit të Zi dhe një rreshti malesh të thepisura që ngrihen buzë detit. Një nga këto male shumë piktoreske dhe e ngjashme me një amba abisinase, mbart kështjellën e vjetër turke të Nehaes, që sundon portin e vogël dhe të bukur të Sutomores ose të Spicës në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nga Sutomore te marina e Tivarit, rruga ndjek pothuaj vazhdimisht bregun dhe lë në të djathtë gërmadhat e kishës Shën Mëria e Rotazit.

Nga Tivari, kreva ngjitjen e Rumisë, maja e vargmalit të lartë që formon një vargmal përgjatë liqenit të Shkodrës dhe fillova shqyrtimin e territorit që ndodhet midis Tivarit dhe Bunës. Ky territor është paraqitur në mënyrë të gabuar në të gjitha hartat. Midis vargmalit të Rumisë dhe masivit të rrumbullakosur që sundon Ulqinin shtrihen vargmale të vogla të shpëmdara; vetëm pranë Katerkolit ose Kodrakoli (Kodra e Nikollës në shqip) që arrin poshtë në rrafshinën e madhe lyshtërore të Bunës.

Unë e mora Shkodrën si qendër të ndërmarrjeve të mia topografike dhe fillova me një ekskursion parapërgatitor në veriperëndim. Në fillim u nisa përgjatë liqenit në drejtim të Kastratit, prej andej në drejtim të Hotit, ngjita luginën e thellë e të gërryer nga Cemi, deri në Graboin dhe ndoqa këtë luginë duke u ngjitur deri në ndarjen e ujërave të Perkelecit; prej andej zbrita në luginën e Gërnçarit, që më çoi në Guci. Pas ngjitjes së lodhshme të Viktorit (Visitor në hartën e von Hahnit), mora drejt jugut. Një orë e gjysmë nga Gucia, gjeta Vrelën (shqip Burimi), një pellg i bukur dhe i vogël, prej nga Limi shpërthen i plotë. Limi dhe Gërnçari bashkohen në një largësi sa një e shtënë pushke nga Gucija, në një nivel më të ulët nga ky qytet i vogël sllav. Një orë më larg, arrita majën e rrafshnaltës së shënuar nëpër harta si Prokleti (E nëmura), ku kapërceva shumë kodra, njëra prej të cilave quhej Rudina (minierë, në gjuhën sllave), që duhej të qe ndonjë minierë e vjetër, siç e tregonin dhe gjurmët e shumta të gërmimeve. Nga buza jugore e rrafshnaltës, që bie pothuaj pingul mbi luginën e Shalës, arrita nëpërmjet një shtegu të frikshëm deri në Okol, kryeqendra e luginës së lartë të Shalës. Të nesërmen, iu kacavora nëpër një shteg tërë zigzage Soresit, që ngrihet në perëndim të Okolit dhe, pas një zbritjeje prej dy orësh arrita te banorët e Bogës, një bajrak që është ndarë nga banorët e Kelmentit, fis shumë i fuqishëm në shekullin XVII, sot i mbledhur në tre fshatra. Kalova përmes malit një grykë të gjatë, e quajtur Përroi i Thatë. Ai më çoi në rrafshinën pranë Zagorës, nga u ktheva përmes Koplikut (Kopilik i hartave) në Shkodër.

Institucionet politike bashkojnë me Mirditën gjysmë myslimane e gjysmë të krishterë një luginë të zgjatur, tepër të pyllëzuar dhe me dendësi banimi, që e ka marrë emrin nga lumi Mat. Misionet e Matit në tërësinë e tyre janë të njohura në kancelaritë romake si Missio Macedoniae, përkthim klasik, por i pasaktë, i emrit vendas. Mati i fuqizuar nga dy lumenjtë Fani dhe nga më shumë se njëzet degë të bukura futet në veri- perëndim në një grykë shumë piktoreske, ku gjenden Burgajeti (Bulgeriti i hartave) dhe katër apo pesë fshatra, pastaj në rrafshinën e Lezhës, pranë Zejmenit, teatër i një prej fitoreve më të bukura të Skenderbegut.

Mirdita është pjellore, e bukur dhe e populluar mjaft dendur; popullsia është më pak anarkiste se në pjesën tjetër të Shqipërisë dhe i nënshtrohet autoritetit të familjes Doda. Mati, si bajraqet e tjera në veri të Drinit nuk njihte praktikisht asnjë autoritet, me përjashtim në kohë lufte. Gjakmarrja bën kërdinë në të gjitha fshatrat dhe kushton, thuhet, tre mijë jetë çdo vit. Islami i njërës palë, katolicizmi i palës tjetër është sipërfaqësor: ai është populli i fundit pagan i Europës, megjithatë një nga më të favorizuarit për forcën fizike dhe morale. Më vjen keq që nuk mund të shtrihem më gjatë mbi këtë temë.

Nga kthimi në Shkodër, u nisa për në Bullgari, në korrik, duke marrë rrugën që kalon nga Gjakova. Safushara e hartave nuk ekziston, por pranë Berdetit gjenden një rrafshinë e vogël dhe e bukur e quajtur Fushë Arrëz. Për gjithë këtë rrugë ashtu si për pjesët e tjera, harta e Hekarit ka një pasaktësi të pabesueshme. Unë shënova me një kujdes tepër të veçantë rajonin nga Puka në Dushmani, ku Drini përshkon një grykë të gjatë me shpate vertikale të një pamjeje me të vërtetë stizhane, për të dalë përsëri pranë Komanit. Vendi në veri të lumit përbën dioqezën e Pultit, emërtim as politik, as civil, por vetëm ekleziastik. Emri i Malësisë i treguar në harta të shumta, është i pasaktë, ai tregon në mbarë Shqipërinë malësorin. Gjithë ai vend është një Kabili e vërtetë, por kur kalon Drinin pranë Spasit, arrin përnjëherësh në një pllajë të madhe të rrethuar nga malet, prej nga zbritet në rrafshinën e ujitur mirë të Gjakovës.

Rrafshina e ndodhur midis Gjakovës dhe Prishtinës është e ndërprerë vetëm nga dy vargmale të ulëta, paralele me njëra-tjetrën, si dhe nga lumenjtë Drenica dhe Sitnica. Në shpatet e lumit të parë, ndodhen shumë fshatra të bajrakut të Ostrozubit (popullsi shqiptare, emër serb, krisobula e car Stefanit e 1350). Lumi i dytë ka për nyje kulmore Goleshin, që e meriton saktë emrin e tij (gol: i zhveshur në serbisht).

Nga Prishtina, shkova, nëpër Podujevo, në Kurshumli. Duke mbërritur në luginën e Labit, kudo gjeta rrafshina shumë të bukura, vetëm një orë para hanit të Loshanit, ku rruga kapërcen një grykë të ngushtë. Në Fushë Kosovë (Fusha e Mëllenjave), që e lashë në të djathtën time, qeveria turke, sipas zakonit, u ka rrëmbyer egërsisht të krishterëve tokat më të mira bujqësore dhe ka vendosur aty 40 000 sirkasienë. Nuk dihet ende nëse ky kolonizim do të dalë më mirë se në Bullgari. Një orë e gjysmë nga Podujeva, fillon një lëmsh malesh, që në veriperëndim mbështeten te Kapaoniku. Në Bania, pak para Kurshumlisë, vizitova një burim të ngrohtë.

Kur ndjek Toplicën nga Kurshumlia në Prokuplje, terreni ulet dhe, dy orë pas Kurshumlisë, e sheh veten në rrafshinë, që shtrihet përafërsisht butë deri rrëzë vargmalit të Jastrebacit, në kufirin serb. Ky vargmal ravijëzohet fuqishëm, në veri. Fundi i rrafshinës është i zhveshur, pa drurë dhe kontraston me shpatet shumë të pyllëzuara dhe të ujitura mirë të jugut të Toplicës. Nyja qendrore e maleve të Dardanisë midis Prokupljes dhe Novo Bërdos m'u duk rreth 7 orë në jug-jug perëndim të Kurshumlisë.

Përtej Prokupljes, ngrihet një rrafshnaltë, me një tokë pjellore, me fshatra të shumtë dhe me popullsi bullgare. Është e vështirë të përcaktosh kufirin midis Serbisë dhe Bullgarisë në drejtim të Moravës; vendasit, pa dallim, e mbajnë veten për serbë apo për bullgarë (srbski, bugarski, iedno iezik - serbët, bullgarët, një gjuhë), edhe shkencëtarët sllavistë nuk më janë dukur në thelb të kësaj gjëje. Turqit e quajnë shumë shpesh serbin "bosnianxha" dhe bullgarin "gavurxha" dhe duhet të qortoj ashpër bullgarët që flisnin turqisht me mua dhe përdornin fjalën e fundit.

Pranë Mramorit, një koloni çerkeze, rrafshnalta e përmendur ulet drejt Moravës dhe një luginë e shoqëron deri në Banja dhe Jeleshnica, ku Nishava, që vjen nga Piroti del nga një grykë e frikshme prej 10 kilometrash. Nishi, i vendosur në mes të rrafshinës, është një qytet i madh i paqytetëruar, me gjithë fqinjësinë e Serbisë, që është rritur nga një periferi çerkeze, si dhe nga një lagje e re e ndërtuar për turqit e emigruar nga Beogradi (sigurisht me shpenzimet e banorëve të krishterë të Nishit. Unë vërejta me kënaqësi se struktura shumë e shëmtuar në rrugën e Sofjes Kele-kulesi) nuk kishte më një kafkë të vetme dhe se vetëm muret i kishin mbetur.

Rruga nga Nishi në Pirot është shumë e njohur, kështu që nuk po e përshkruaj. Duke u nisur nga Ak Palanka, u shtova vëzhgimeve të mia, që i kisha kryer më 1867, duke ardhur nga Danubi dhe plotësova studimin e terrenit të malit Ballkan perëndimor. Në atë rajon ka fortesa të shumta romake, pa dyshim që janë castella-t e Justinianit (Prokope, De Aedificiis) dhe mendoj se kam identifikuar shumë. Unë shënova më shumë se 120 në Bullgari dhe bëra planin e rreth pesëdhjetë prej tyre.

Nga Piroti, u nisa drejt Berkovicës, duke prerë malin Ballkan përmes. Lashë luginën e Nishavës pranë Krepostit, ku gjenden gërmadhat e një qyteti antik të quajtur "latinsko grad" (Qyteti latin) nga banorët dhe udhëtova nga Kreposti deri në Doruk, vazhdimisht në pllajën e lartë që kurorëzon pjesën perëndimore të malit Ballkan. Kjo rrafshnaltë, e gjerë nga 6 në 8 lega, përshkohet, si Jura, nga vargmale paralele. Midis vargmaleve të zhveshura, rrjedhin lumenjtë pak a shumë të rëndësishëm: Ginska, Kalotinska, Iskrecka, Temska, dy Timokët, që bashkohen në territorin serb. Kjo rrafshnaltë ndërpritet nga gryka e rëndësishme e Ljutibordit, pjellore dhe e populluar, përmes së cilës rrjedh Iskeri dhe nëpërmjet të cilit, për këtë nuk duhet dyshuar aspak, në kohët gjeologjike, rrodhi liqeni i madh që mbulonte rrafshinën e Sofjes.

Unë e kisha studiuar në mënyrë të mjaftueshme rajonin e Sofjes më 1867 dhe 1868, kështu që vazhdova udhëtimin tim drejt Samokovit dhe Kjustendilit. Ky seksion i itinerarit tim ishte përshkuar tashmë nga udhëtarë të tjerë, por skicimet e terrenit nganjëherë sipërfaqësore, duhej të rimerreshin rrënjësisht. Nga ana tjetër nga Kjustendili në Shkup dhe nga Shkupi në Prizren, rrugët e mia qenë të reja. Grisebaku me siguri që ka kaluar aty, por nuk e hodhi në hartë. Duke filluar nga Samokovi, orografia e këtij rajoni është shumë e ndryshuar, rreth Dupnicës, Kjustendilit dhe Kriva Palankës, e rregullt dhe e thjeshtë në tiparet e saj kryesore, në ndryshim nga midis Kriva-Palankës dhe Kumanovës, ku është e copëzuar dhe e ngatërruar. Unë nuk e gjeta liqenin e treguar nga zoti Hahn në Urumbeg, ndoshta ai është mbështetur mbi informacione të tepruara për një pikë të rrafshinës, disi moçalishte në dimër. Unë bëra në hollësinë më të madhe shumë miriametra katrore të Sharit. Ky mal nuk formon një rrafshnaltë si Ballkani perëndimor, por një sierra si Karpatet, një mikrokozmos shumë të ndërlikuar, interesant, por shumë të vështirë për ta studiuar, plot lugina të mëdha, pllaja të larta, rrafshina të veçuara të mbuluara me fshatra, ku asnjëra prej tyre nuk gjendet nëpër harta. Midis tyre disa kanë kaluar në islam, si pasojë e një beteje të humbur nga konvertuesi i egër Sinan Pasha. Sipas traditës, 40 000 martirë vdiqën në një grykë që ma treguan dhe që dikur quhej Gryka e Bardhë (Beli Potok) dhe që në ditët tona shënohet si Gryka e Zezë ose e Kobshme (Çerni Potok).

Me t'u kthyer në Shkodër, i dhashë pesë ditë pushim kalit tim, para se të nisesha përsëri për në jug. Në radhë të parë doja të bëja një njohje të thellë të rrafshinës së madhe bregdetare shqiptare, midis Lezhës dhe Vlorës dhe të përcaktoja saktësisht kufijtë. Kësaj ia arrita në linja të mëdha dhe munda të ndreq shumë gabime për sa i përket rrjetit lumor shqiptar, në mënyrë të veçantë të rrjetit që përfshin rrjedhën e poshtme të Devollit dhe të Osumit, vardarit të tyre Uji i ri, kthesat e shtratit të tyre të përbashkët, Semanit, që u afrohet shumë lartësive të Apolonisë, pastaj kodrës së Ardenicës, të Karbunarës dhe të atyre të rrjedhës së poshtme të Shkumbinit, etj. Pranë Vlorës, arrita masat malore të dendura që nuk do t'i braktisja deri në Thesali; megjithatë munda të vizitoj rrjedhën e Vjosës dhe sqarova rrjetin e këtij lumi, si dhe të lumit të Kalamës, degët e sipërme të Artës, të Aspropotamosit dhe të Penesë.

Që nga Janina, ku qëndrova pak kohë, ekskursionet e mia u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Zbulimet e përsëritura shumë herë më detyruan të pranoj me keqardhje të madhe se punimet e oficerëve francezë që Pukëvili i përdori për të realizuar hartën e tij të bukur të pellgut të Janinës dhe vuri në shërbim hartografin e shkëlqyer Barbie dy Bokazh, ishin më pak korrekte se të bukura. Megjithatë vlerësova meritat e një pune të kryer, para gjashtëdhjetë vjetësh, në një vend aq të rrezikshëm siç ishte Epiri i kohës së Tepelenasit të madh. Në kalim e sipër vura re se ky pasha kishte lënë një kujtim të mirë në vend dhe kjo është krejt e natyrshme; ai qeveriste keq, nganjëherë mirë, por sidoqoftë qeveriste. Pas tij, në vend të qeverisnin, u mendua më shumë si të vidhej.

Koha më ngucte dhe kështu u hodha menjëherë në Thesali, ku doja të mbushja disa zbrazëti, në mënyrë të veçantë midis kufirit grek dhe Pelionit. Aty shkova posaçërisht për pellgun e Almirosë. Të gjitha ato male të çrregullta gëlqerore, që duken si të çarë, nyjëzohen midis Almirosë dhe Velestinos rreth një koni afër fshatit Musafakli, që mund ta vësh re nga të gjitha pikat e Pindit, nga Pelioni dhe, besoj, edhe nga Osa, pavarësisht lartësive të zhveshura të Karadagut (Sineqefalae) që ngrihet midis tyre. Koni quhet Curla, emër që nuk gjendet në asnjë hartë, por është e qartë se bëhet fjalë për majën anonime në perëndim- jug-lindje të Vollosit i treguar nga Carte hydrographique des cotes de Thessalie (Arkivi i marinës).

Nga Elisona, u drejtova për në Grevene për të studiuar gjithë terra incognita që Kiperi sinjalizoi kohët e fundit dhe isha i lumtur që do të mbushja këtë zbrazëti të madhe, që do të njihja gjithë vargmalin nga Oksia, midis Aliakmonit dhe Penesë, që nuk gjendet nëpër harta dhe të vendosja që Haliakoni në veri të Kozhanit është shumë më në jug se sa e tregojnë zakonisht. Nga ana tjetër vërejta se vargmalet më të ulëta veriorë të Pindit priren në mënyrë të pakapshme në drejtim të Aliakmonit: degëzimet e tyre formojnë rrafshnalta shumë të gjata argjilore, në brigjet e thepisura, të ngjashme me gishtërinj gjigantë; nga ana tjetër vargmali i Vurinos, në lakoren gjigante të Aliakmonit, dyfishohet në fakt, me një vargmal paralel, me formë mjaft të krahasueshme me Askion, pavarësisht shumë prerjeve të thikta. Qytetet e Verias, Çatistës dhe Vogacikos mbështeten në vargmalin e dytë.

Për të mos e shtrirë më shumë këtë raport, do të heq dorë nga udhëtimi im nga Greveneja në Shkodër, nëpërmjet Kosturit, Follorinës, Ohrit, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Ishmit dhe Lezhës dhe do të kënaqesha të tregoja se skicova me hollësi gjithë pellgun e sipërm të Shkumbinit dhe se shpleksa tufën e ngatërruar të maleve të vogla midis Tiranës dhe detit nëpërmjet rrugësh të shumta.

Nga shqetësimi për një studim shterues, po sinjalizoj përsëri dy ekskursione më pak të rëndësishme në Ulqin dhe në Drisht, qytet i rëndësishëm, i vjetër, dy orë nga Shkodra që, duke i besuar Hekarit dhe Karaczait, e shënojnë shumë larg nëpër harta; në fund ngjitja e Maranait në veri të Drishtit, që arrin lartësinë e Rumias, por që i lë vend Birkasit, në Velë dhe sidomos fqinjit gjigant Cukalit.

Për etnografinë, mblodha të gjitha përbërësit për një punë, më pak të mangët se ai i botuar para nëntë vjetësh. Përsa i përket arkeologjisë, shfrytëzova çdo rast për të bërë planet e gërmadhave antike; këto gërmadha janë të njohura në të gjitha vendet sllave si gradishta, në shqip si qytet dhe kjo fjalë që në fillim m'u duk e pakuptueshme, u sqarua lehtësisht: është fjala latine civitas, spanjolle ciudad, provansale citat, bretone guedet. Nga ana tjetër, kam në duar lëndë për një studim të topografisë mesjetare të Epirit nën bizantinët dhe të vendeve serbe, domethënë një shpjegim të hrisobulës së famshme të car Stefanit të 1350 për manastirin e Shenjtëve Kryeengjëj në Prizren. Ky dokument më duket si më i rëndësishmi, sidomos për gjeografinë historike të vendeve jugo-sllave. Në fillim bëra hartën e detajuar të provincës, ku nuk gjendeshin në hartat e mëparshme dhjetë fshatra, pastaj, me ndihmën e dijetarëve të rinj bullgarë, identifikova emrat e vjetër me emrat bashkëkohorë.

Duhet të them disa fjalë për një pikëpamje dytësore të studimeve të mia, që ngjall tani një interesim të veçantë, domethënë shqyrtimi i konfigurimit të terrenit porsa i përket vendosjes së udhëve të komunikimit, kryesisht të hekurudhës. Gjatë verës së vitit 1869 takova ekipe inxhinierësh gjermanë, që ishin shpërndarë midis Kostandinopojës dhe Novipazarit, të zënë me përgatitjen e trasesë së udhës së ardhshme të hekurt që duhet të presë skiç Turqinë. Traseja e përkohshme, që po shqyrtonin inxhinierët, m'u duk gati e parealizueshme, sepse kalonte nëpër lartësitë e masiveve malorë nga Porta Trajane për të zbritur në Samokov; ajo duhej të kapërcente katër vargmalet e tjera midis Samokovit dhe Shkupit, pa llogaritur rrafshnaltat e tjera të vogla. Megjithëse nuk isha i përfshirë posaçërisht në këtë çështje, punimet e mia tepër të detajuara, më bënë të njoh, pak më në lindje të linjës së treguar, një varg ultësirash që mundësojnë bashkimin e pellgut të Hebreut me atë të Iskerit, nëpërmjet qyteteve të Topolnicës dhe të Malinës, dy rrjedha uji që nuk i shënon asnjë hartë. Për mua vargmali Ballkan është një pengesë natyrore që do t'ia presë gjatë hovin hekurudhës, me përjashtim të shtegut të Iskerit të përmendur më parë. Kjo luginë e kalueshme, që i ngjan shumë asaj të Tempës në Thesali, ka kudo një gjerësi të mjaftueshme për të lejuar ngritjen e një hekurudhe, por meqenëse aty derdhen mjaft rrjedha uji, bëhet e nevojshme të ngrihen disa ura.

Një tjetër çështje, jo më pak interesante për të ardhmen e afërt, ka të bëjë me mundësinë e një lidhjeje midis Thesalisë dhe Maqedonisë, sapo të ndërtohet një hekurudhë midis Selanikut dhe Shkupit. Dihet që Pindi puqet me masën kompakte të Olimpit nëpërmjet vargmaleve të ulëta, të njohura keq, që ndajnë pellgun e Penesë nga ai i Aliakmonit. Miku im i ditur, vdekur pak kohë më parë, konsulli i Austrisë von Hahn, më kishte bërë të vëmendshëm në këtë pikë dhe për t'iu përgjigjur lutjes së tij, eksplorova rajonin midis Elasonës, Olooson i bardhë i Homerit, dhe Grevenenë, bizantine. Unë gjeta, jo pa mundim, se do të qe e mundur të lidhej rrafshina e bukur e Larisës me rrafshinën jo më pak të bukur që shtrihet në perëndim të Kosturit. Sigurisht, nëpërmjet një linje tërë dredha, sepse pengesat janë me shumicë: në radhë të parë brezi i maleve, nga mesi i të cilave vjen Titaresiusi antik, Kseropotamosi i tanishëm; pastaj vargmali i maleve Oksia, që nis nga Olimpi dhe shkon dhe lidhet me Pindin në nivelin e manastirit të Spileonit. Hartat quajnë Amarbes pjesën veri-jug të këtij vargmali, emër që nuk e dëgjova të flitej në vend; pjesa tjetër, e quajtur veçanërisht Oksia është deri tani pothuaj e pazbuluar. Këtë emër e dëgjova të shqiptohej edhe Oksha, që duhet të jetë një formë sllave. Është e njohur që dy apo tre fise sllave pushtuan këtë pjesë të Thesalisë në shekullin VII dhe më shumë se gjysma e emrave të fshatrave janë ende sllavë, si Velezhnik, Drenovo, Sadova, Dobra, Tirnovo e të tjera.

Unë nuk kam mundur ende, për mungesë kohe, të llogarit treqind nga katërqind masat e lartësisë barometrike që realizova gjatë punimeve të mia. Në të vërtetë zotëroj një varg të pandërprerë vëzhgimesh për malin Ballkan dhe Shqipërinë; megjithatë shifrat e mia të lartësive nuk kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme njohjen që kisha për raportet e lartësisë që kisha marrë nga udhëtarët e tjerë. Pellgun qendror të liqenit të Prespës e gjeta më të lartë se sa dyshoja, gjë që më bën të besoj se ai zë fundin e një kazani pa rrjedhje; në qoftë se do të kishte një rrjedhje ajo do të derdhej vetëm në Devoll, në bregun jugor, ku nuk shkova.

Për të qenë i plotë, duhet të them edhe disa fjalë për gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit që përshkova. Nëse nuk e bëra 

këtë gjë, kjo nuk ndodhi se nuk krahasova të dhënat statistike, për aq sa kjo është e mundur në Turqi, por parapëlqeva t'i mbaj për vete vëzhgimet e mia. Përfundimet ku arrita gjatë pesë udhëtimeve të mia studimore në Turqi, të realizuara në një hapësirë kohore prej trembëdhjetë vjetësh nuk përputhen aspak me konceptimet që disa udhëtarë të rastit kërkojnë t'ia paraqitin një publiku të besueshëm. Në qoftë se ka njerëz që mendojnë se Turqia po përparon, se burimet e saj po zhvillohen nën një administrim të reformuar, se nëntë milion të krishterë që po qytetërohen nuk janë më të skllavëruar nga tre milion myslimanë, në qoftë se, them unë, ka njerëz që kanë vullnetin e mirë ta besojnë këtë, po i lë në iluzionet e tyre dhe nuk ndjehem se jam thirrur për t'u predikuar atyre të vërteta që nuk do t'iu pëlqenin.

info@balkancultureheritage.com