Pandora, shpikja e gruas
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Pandora, shpikja e gruas

Tani, mund të duket sikur historia ka mbaruar. Mirëpo nuk është aspak kështu. Fillon akti i tretë. Sigurisht, tani njerëzit kanë qytetërimin, Prometeu u ka dhënë atyre teknikat e duhura. Para ndërhyrjes së tij, ata jetonin si milingonat nëpër shpella, vështronin pa parë, mbanin vesh pa dëgjuar, nuk ishin kurrgjë e mandej, falë tij, ata u bënë qenie të qytetëruara, të ndryshme nga kafshët dhe të ndryshme nga perënditë.

Por lufta me dredhi midis Zeusit dhe Prometeut nuk ka marrë fund. Zeusi fshehu zjarrin, Prometeu ia vodhi; Zeusi fshehu grurin, njerëzit punojnë për të nxjerrë bukën. Por Zeusi ende nuk është i kënaqur. Atij i duket se humbja e kundërshtarit nuk është e plotë. Duke shpërthyer në të qeshura, siç i pëlqen të bëjë, Zeusi i bën gati një zhgënjim të ri. Aktin e tretë.

Zeusi thërret Hefestin, Athinanë, Afërditën dhe disa hyjni më të vogla, si Orët (Horaitë). Ai i jep urdhër Hefestit të njomë ca argjilë me ujë e të mbrujë një lloj manekini me pamje parthenos-i, me trajta gruaje, a më saktë vashe të re, gruaje gati për martesë, por ende e pamartuar, e sidomos ende pa fëmijë. Atëherë Hefesti nis të mbrujë një lloj manekini, statuje, me tipare të hijshme prej virgjëreshe të pashme. Pastaj i vjen radha Hermesit t’i japë jetë kësaj të fundit dhe t’i japë forcën e zërin e një qenieje njerëzore, si dhe veçori të tjera për të cilat do të bëhet fjalë më tej në rrëfim. Zeusi i kërkon më pas Athinasë dhe Afërditës që ta veshin, t’ia shtojnë hijeshinë me farfurinë e stolive që i bashkëngjiten shtatit të femrës, zbukurimet, bizhuteritë, gjimbajtëset, kurorat. Athinaja i dhuron një veshje magjiplotë, të shkëlqyeshme e të shndritshme porsi dhjami i bardhë që mbështillte kockat në pjesën e parë të këtij rrëfimi. Virgjëresha e re shkëlqente. Hefesti i vendos në kokë një kurorë nga ku derdhet një vello nuseje. Kjo kurorë është zbukuruar me një dekor ku paraqiten të gjitha kafshët që popullojnë botën, zogjtë, peshqit, tigrat, luanët. Balli i vajzës së re rrezaton nga gjallëria e të gjitha kafshëve, Ajo është magjepsëse në të parë, thauma idesthai, një mrekulli që të lë të shtangur nga mahnitja e të shtie paq në dashuri.

E ja tek qëndron aty, përpara perëndive dhe njerëzve ende të grumbulluar, gruaja e parë, Pandora. Kjo është një manekin i sajuar, por jo sipas pamjes së një gruaje, meqë nuk ka të këtillë. Ajo është gruaja e parë, arketipi i gruas. Qenia femërore ekzistonte tashmë, meqë ishin perëndeshat. Kjo qenie femërore është mbrujtur porsi parthenos, sipas pamjes së perëndeshave të pavdekshme. Perënditë krijojnë një qenie të përftuar me dhë e ujë, së cilës i janë dhënë fuqia e një burri, sthenos, zëri i një qenieje njerëzore, fone. Por, Hermesi vë në gojën e saj edhe fjalë gënjeshtare, e pajis me një mendësi bushtre e temperament vjedhësi. Ky manekin, që është gruaja e parë, nga ka rrjedhur gjithë “soji i grave”, si hiset e flijimit a maraqi, shfaqet me një pamje të jashtme mashtruese. Nuk mund ta kundrojë kush pa u mrekulluar, pa mbetur pa mend. Ajo ka bukurinë e perëndeshave të pavdekshme, pamja e saj e jashtme është hyjnore. Heziodi e thotë mirë këtë gjë, mbetesh i magjepsur. Bukuria e saj, e shtuar nga stolitë, kurora, fustani dhe velloja, është mahnitëse. Prej saj rrezaton haris/charis, një hijeshi e pafund, një farfuri që ia zë sytë dhe e bën zap atë që e sheh. Haris-i i saj është pa fund, është i shumëfishtë, polle haris. Njerëz e perëndi magjepsen prej saj. Por brenda fshihet tjetër gjë. Zëri që ka, do t’i lejojë të bëhet shoqe e burrit, të jetë kipci i tij njerëzor. Ata do të kuvendojnë së bashku. Mirëpo kësaj gruaje i është dhënë fjala jo për të thënë të vërtetën e për të shprehur ndjenjat e veta, por për të thënë të gënjeshtërtën dhe për të fshehur emocionet e saj.

Në fisin e Natës kishin lindur të gjitha të këqijat: vdekja, kërditë, Erinitë, me siguri, por edhe disa entitete që mund të përktheheshin si “fjalë mashtruese a joshëse”, “bashkim a dhembshuri dashurore”. Por Aferditën, qysh në lindje, e kanë shoqëruar fjalë mashtruese dhe ngasje dashurore. Më e errëta dhe më e shndritshmja, ajo çka rrezaton lumturi dhe lufta më e zymtë puqen në trajtën e këtyre mashtrimeve, e kësaj joshjeje dashurore. Ja pra Pandora, e ndritshme si Aferdita dhe e ngjashme me një bijë Nate, e mbrujtur me gënjeshtra dhe spitullim. Zeusi e krijon këtë parthenos, jo për perënditë, por vetëm për vdekatarët. Ashtu siç pat hequr qafe grindjen dhe dhunën, duke i dërguar te vdekatarët, Zeusi e ruan për ta këtë figurë femërore.

Prometeu e sheh përsëri veten të mundur. Ai e kupton menjëherë atë se ç’bela e ka gjetur gjininë e gjorë njerëzore që u përpoq të përkrahte. Siç e tregon vetë emri i tij, Pro-mete, është ai që kupton qysh më parë, ai që parasheh, ndërkohë që i vëllai, i cili e ka emrin Epimete, është ai që kupton me vonesë, epi, tepër vonë, ai që është gjithmonë i xhindosur e i zhgënjyer, që nuk ka parë të vijë gjë. Ne të tjerët, vdekatarë të gjorë fatkeq, gjithmonë jemi njëherësh prometejanë dhe epimetejanë, bëjmë parashikime, thurim plane dhe shumë shpesh, rrjedha e gjërave është e kundërt me atë çka presim, na befason e na lë të pambrojtur. Kështu, pra, Prometeu e kupton atë që do të ndodhë dhe e paralajmëron të vëllanë, duke i thënë: “Më dëgjo, Epimete, nëse perënditë të dërgojnë ndonjëherë dhuratë, se mos bën vaki dhe e pranon, ktheje andej nga ka ardhur”. Sigurisht, Epimeteu bën be se nuk kanë për t’ ia hedhur. Por, ja që perënditë, të mbledhura bashkë, i dërgojnë krijesën më magjiplotë që gjendet mbi dhë. Ja tek ia beh përballë tij Pandora, dhurata e perëndive për njerëzit. Ajo i troket në derë. I mrekuliuar, i mahnitur, Epimeteu i hap derën dhe e fut në banesën e vet. Të nesërmen ai martohet dhe Pandora zë vend si nuse tek njerëzit. Kështu fillojnë të gjitha fatkeqësitë e tyre.

Tani njerëzimi është i dyfishtë. Ai nuk përbëhet më vetëm nga gjinia mashkullore. Përbëhet nga dy gjini të ndryshme, që të dyja të dobishme për trashëgiminë njerëzore. Që nga çasti kur gruaja është mbrujtur nga perënditë, njerëzit nuk vijnë më vetiu, ata lindin nga gra. Për t’u riprodhuar, vdekatarët duhet të çiftëzohen. Kjo gjë shpërthen një lëvizje në kohë që është e ndryshme.

Sipas rrëfenjave greke, përse Pandora, gruaja e parë, ka zemër bushtre e temperament vjedhësi? Kjo gjë nuk është pa lidhje me dy pjesët e para të këtij rrëfimi. Njerëzit nuk i kanë më grurin e zjarrin siç i kishin më parë, krejt natyrshëm, pa përpjekje dhe përherë. Puna në arë bëhet tanimë pjesë e ekzistencës. Njerëzit bëjnë jetë të vështirë, me të keq, të pasigurt. Ata duhet të kursejnë pa reshtur. Fshatarit i bie bretku në arë e nuk korr kushedi se çfarë. Njerëzit nuk kanë kurrë ndonjë pasuri me bollëk. Pra, atyre u duhet të jenë kursimtarë, të kujdesshëm që të mos harxhojnë më shumë nga ç’është e domosdoshme. Mirëpo kjo Pandorë, si gjithë genos-i, e gjithë “raca”, e grave që rrodhën prej saj, kapikërisht si karakteristikë të qenurit gjithmonë e pakënaqur, kërkuese, e papërmbajtur. Ajo nuk kënaqet me aq pak sa ekziston. Ajo dëshiron të ngopet, të dendet. Pikërisht këtë gjë shpreh rrëfimi duke saktësuar që Hermesi ka futur tek ajo një mendësi bushtre. Qenëria e saj është e dy rrafsheve. Së pari, është qenëri ushqimore. Pandora ka një oreks të babëzitur, ajo nuk resht së ngrëni, ka dëshirë të jetë gjithmonë në tryezë. Ajo ndoshta ka ndonjë kujtim të vagullt a ëndrrën e asaj kohe të bekuar, të kohës së artë, në Mekone, kur, në të vërtetë, njerëzit ishin përherë në tryezë, pa pasur nevojë të bëjnë gjë prej gjëje. Në çdo vatër ku gjendet një grua, zë vend një uri e panginjur, uri gllabëruese. Në këtë kuptim, situata është e ngjashme me atë çka ngjet nëpër koshere. Nga njëra anë ka bletë punëtore të cilat, me t’u gdhirë, fluturojnë nëpër fusha, qëndrojnë lule më lule dhe mbledhin mjaltin, të cilin e sjellin në kosheren e tyre. Nga ana tjetër, ka grerëza që nuk dalin kurrë nga foleja e që, edhe ato, nuk kanë të ngopur asnjëherë. Ato e hanë të gjithë mjaltin që kanë mbledhur jashtë me durim bletët punëtore. Po kështu edhe për shtëpitë e njerëzve, nga njëra anë, janë burrat që derdhin djersë nëpër ara, u bie bretku për të hapur brazdat, për të ruajtur mandej për të mbledhur kokrrat, kurse nga ana tjetër, brenda shtëpive, janë gratë që, porsi grerëzat, i kullufitin të vjelat.

Ato jo vetëm që kullufitin dhe i përlajnë të gjitha prodhimet e vëna mënjanë, por kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën një grua kërkon ta joshë një burrë. Gruaja dëshiron pikërisht hambarin. Me zhdërvjelltësinë e fjalëve ngasëse, mendjes mashtruese, buzëqeshjeve dhe “vitheve të pispillosura”, siç ka shkruar Heziodi, ajo i luan beqarit të ri rrengun e joshjes, sepse, në të vërtetë, ajo lakmon tinëz sasinë e drithit të vënë mënjanë. Dhe çdo burrë, si Epimeteu më parë se ai, krejt i shastisur, i mrekulluar nga pamja e saj e jashtme, bie në grackë.

Gratë, jo vetëm që kanë këtë oreks ushqimor që ia rrënon shëndetin burrit të tyre, sepse ai nuk sjell kurrë ushqim të mjaftueshëm në shtëpi, por për më tepër, ato kanë edhe një babëzi seksuale veçanërisht të pangopur. Klitemnestra a të tjera bashkëshorte shumë të njohura nga fakti që ia dridhnin burrit, nuk harrojnë të thonë se kanë qenë bushtra që kujdesen për shtëpinë. Afermendsh, ky temperament bushtre duhet marrë në kuptimin e vet seksual.

Grekët tregojnë se gratë, edhe ato më të mirat, ato me karakter të matur, duke qenë të mbrujtura me deltinë dhe ujë, kanë këtë të veçantë: temperamenti i tyre i përket gjithësisë së njomë. Ndërsa burrat kanë një karakter që përafron më së shumti me të thatën, të nxehtën, zjarrin.

Në disa stinë, në veçanti gjatë asaj stine që quhet zhegu, stina e qenit, domethënë kur Siriusi, Qeni i Madh, duket në qiell, fare afer tokës, kur dielli e toka janë në lidhje, ndërsa bën tmerrësisht vapë, burrat, ashtu të thatë siç janë, rraskapiten të këputur. Gratë, në të kundërt, falë njomësisë së tyre, çelen. Ato kërkojnë prej burrave të tyre një zell të tillë bashkëshortor, që i bën ata për ujë të ftohtë.

Nëse Prometeu kurdisi një dredhi që kishte për qëllim t’i vidhte zjarrin Zeusit, ai tërheq mbi vete një kundërpërgjigje të mishëruar nga gruaja, sinonim i zjarrit vjedhës, që Zeusi e krijoi për t’u nxjerrë telashe burrave. Në të vërtetë, gruaja, bashkëshortja, është një zjarr që e djeg vazhdimisht të shoqin, ditë për ditë, që e than dhe e plak para kohe. Pandora është një zjarr që Zeusi e futi nëpër shtëpi e që i djeg burrat pa qenë nevoja të ndizet ndonjë flakë. Zjarr vjedhës që i përgjigjet zjarrit të vjedhur. Si i bëhet në këto kushte? Nëse gruaja do të ishte përnjëmend vetëm kjo mendësi bushtre, kjo gënjeshtare me vështrim nga hambari, me “vithet e pispillosura”, e që po e vret të shoqin nga pleqëria dhe rraskapitja, pa dyshim që burrat do të ishin përpjekur të hiqnin dorë nga bashkëshortet. Por edhe këtu kundërvihen e brendshmja dhe e jashtmja. Gruaja, me babëzinë e saj kafshërore, ushqimore e seksuale, është një gaster, një plëndës i madh, një bark. Ajo përfaqëson në njëfarë mënyre kafshërinë e gjinisë njerëzore, pjesën e saj shtazore. Si gaster, ajo i përpin të gjitha pasuritë e të shoqit. Kur Prometeu e mbështolli pjesën e ushqimit që u caktoi njerëzve në gaster- in e kaut, ai nuk pandehu se po bënte kushedi se çfarë. Edhe aty, ai ra vetë në dredhitë e tij. Tanimë, dilema është si vijon: po u martua një burrë, me siguri jeta e tij do të jetë, pak a

shumë, një ferr i vërtetë, veç në rëntë në ndonjë bashkëshorte shumë të mirë, çka është tejet e rrallë. Pra, jeta bashkëshortore është një ferr, duhet t’i hapësh derën të keqes. Përkundrazi, nëse një burrë nuk martohet, ai mund të çojë një jetë të iumtur, të ketë gjithçka me bollëk, nuk do t’i mungojë kurrë gjë prej gjëje. Po kur t’i vijë çasti i vdekjes, kujt do t’i mbetet pasuria e grumbulluar prej tij? Ajo do të shpërndahet e do të bjerë në duart e të afermve, për të cilët ai nuk ka pasur ndonjë dashuri të veçantë. Po të martohet, katastrofe, por dhe po s’u martua, një formë tjetër katastrofe.

Gruaja është e dyfishtë. Ajo është ai plëndës, ai bark që përpin gjithçka që i shoqi mezi e ka mbledhur me mundin, me sfilitjen, me lodhjen e vet, por ky bark është gjithashtu i vetmi që mund të prodhojë atë çka e vijon jetën e një njeriu, femijën. Barku i gruas ngërthen në mënyrë kontradiktore pjesën e errët të jetës njerëzore, rraskapitjen, por edhe pjesën e Afërditës, atë që sjell lindje të reja. Bashkëshortja mishëron grykësinë që shkatërron dhe pjellorinë që prodhon. Ajo përmbledh të gjitha kundërshtitë e ekzistencës sonë. Ashtu si zjarri, ajo është njëherësh shenjë e njerëzores, sepse vetëm njerëzit martohen. Martesa i dallon njerëzit nga kafshët, që ndërzehen ashtu siç hanë, rastësisht tek takohen, sidokudo. Pra, gruaja është shenjë e një jete të kultivuar. Në të njëjtën kohë, ajo është krijuar sipas imazhit të perëndeshave të pavdekshme. Kur vështrojmë një grua, shohim Aferditën, Herën, Athinanë. Ajo është, në njëfarë mënyre, prania e hyjnores në këtë dhë me anë të hijeshisë, të joshjes, të haris-it të saj. Gruaja bashkon qenërinë e jetës njerëzore dhe pjesën e saj hyjnore. Ajo luhatet midis perëndive dhe kafshëve, çka është veti e njerëzimit.

info@balkancultureheritage.com