Ndonëse periudha qytetare kap një hark të shkurtër kohor, nga shek. VI p.e.s. e deri në pushtimin fatal romak të vitit 168 p.e.s., banesa paraqitet me një larmi tipash e variantesh. Mbështetur në elementët e programit dhe strukturën arkitektonike, këto banesa i kemi ndarë në katër tipa bazë: Me Shtëpi Zjarri, Oborr të Jashtëm, Oborr-Korridor dhe Oborr Peristil. Prej tyre, dy të parat i përkasin repertorit autokton, banesa e tipit me Oborr- Korridor nuk ka ndonjë përkatësi kohore dhe etnike, ndërsa ajo me Oborr Peristil, i përket repertorit helenistik.
Banesa autoktone u zhvillua brendshëm, si rrjedhojë e shtimit gradual të mjediseve përreth bërthamave të prototipave prehistorike. Karakteristikë e tyrja është përshtatja ndaj terrenit dhe zbatimi krijues i programit. Banesat e repertorit helenistik u huazuan prej shtresave të kamura kozmopolite. Duke qenë banesa të njëjtit brez klimaterik dhe social, ato nuk u kthyen në trupa të huaj, por u aklimatizuan mirë duke fituar veçori qoftë dhe minimale.
Banesat autoktone me Shtëpi Zjarri dhe Oborr të Jashtëm, lidhen me strukturën e familjes së madhe. Këto janë të vetmet banesa qytetare të shek. V- gjysmës parë të shek IV p.e.s. Në çerekun e fundit të shek. IV- çerekun e parë të shek. II p.e.s., në qendrat e mëdha qytetare tipat tradicionalë i hapin rrugë tipave të rinj: banesës Oborr- Korridor dhe me Oborr Peristil.
Në pikëpamje sociale kjo shënjon dhe kalimin nga familja e madhe e barazisë venomiale në familjen kozmopolite helenistike.
Banesa me Oborr- Korridor, me sipërfaqe inferiore dhe dekor më modest se banesa mondane me peristil, bashkëjeton shpinë më shpinë me të. Kjo merr kuptimin se këto banesa i përkisnin caqeve të ndryshëm të së njëjtës shtresë shoqërore dhe parapëlqimi i njërit apo tjetrit tip lidhej thjesht me kapacitetin financiar, i cili me kohë u kthye në një “question d’honneurd”, çështje nderi a namuzi, kufi shumë i brishtë ky tek borgjezia e pakompleksuar artizano-tregtare.