Është monumenti më i ruajtur i periudhës klasike në agora. I ndërtuar rreth mesit të shek.IV p.Kr., njëkohësisht me bastionin e anës lindore të murit rrethues, ai i qëndroi kohës dhe u përdor të paktën deri në shek.II m.Kr. Ka në plan formë katërkëndëshe 72,2 x 10,50 m dhe ndahet në dy rrugë nga një kolonadë e brendshme prej 36 kolonash dorike tetëkëndëshe. Ka qenë dy-katëshe me një diferencim të stileve të kolonadave, dorik për të poshtmin dhe jonik për të sipërmin, sipas një modeli korintas.
Muri i prapmë i monumentit, që i mbështetej faqes së kodrës, ka qenë trajtuar me shtatëmbëdhjetë nishe në formë gjysmëkubeje për rritjen e qëndresës.
Kolonada e katit të sipërm përbëhej me kapitele jonike të zbukuruar me kalisa. sipas një modeli të njohur në Epir dhe Maqedoni në shek. IV p.Kr.
Stoa B përfaqëson një monument mjaft interesant, veçanërisht për trajtimin me shtatëmbëdhjetë nishe të murit fundor, që rriste qëndrueshmërinë e monumentit, por edhe krijonte sfonde mjaft të përshtatshme për vendosjen e skulpturave. Disa prej këtyre të fundit, të datuara në shek.II m.Kr., u zbuluan edhe gjatë gërmimeve të bëra nga L. Rey.
Muri fundor, i cili u zbulua i rrënuar, u restaurua në vitet ’60 nga K. Zheku dhe i ka qëndruar mjaft mirë kohës.