Deri tani nuk kemi dhënë, dhe ende nuk mund të japim, kurrfarë datash. Në historinë e shoqërive të lashta të përmendura deri këtu, epokat përcaktohen më lehtë nëpërmjet vazhdimësisë së ideve dhe institucioneve, sesa prej viteve.
Studimi i rregullave të lashta të së drejtës private na ka dhënë mundësinë të shohim, përtej kohëve të quajtura historike, një periudhë shekujsh gjatë të cilëve familja ka qenë e vetmja formë e organizimit shoqëror. Gjatë kësaj periudhe, familja mund të përfshinte në kornizën e saj të gjerë disa mijëra qenie njerëzore. Por në këta kufij, shoqërimi njerëzor ishte ende tepër i ngushtë: tepër i ngushtë për nevojat materiale, pasi ishte e vështirë që kjo familje të vetëplotësonte gjithë nevojat e saj për të mbijetuar; gjithashtu, tepër i ngushtë, në pikëpamje të nevojave morale të natyrës sonë, pasi tashmë kemi parë, përkatësisht, se sa e pamjaftueshme ishte njohja e elementit hyjnor dhe sa i paplotë ishte morali.
Ngushtësia e kësaj shoqërie primitive i përgjigjej në mënyrë të mjaftueshme idesë së ngushtë që ekzistonte rreth hyjnisë. Çdo familje kishte perënditë e veta dhe njeriu perceptonte dhe adhuronte vetëm perënditë shtëpiake. Por ai nuk do të ndihej për shumë kohë i kënaqur me këto perëndi, të vendosura tepër ulët, në krahasim me atë që mund të rrokte inteligjenca e tij.
Në rast se njeriut do t'i duheshin ende shumë shekuj për të përfytyruar Zotin si një qenie të vetme, të pakrahasueshme dhe të pafundme, më së paku ai do t'i afrohej pandjeshmërisht këtij ideali, duke zmadhuar nga periudha në periudhë botëkuptimin e tij dhe duke larguar pak nga pak vijën e horizontit, që ndante për të Qenien hyjnore nga sendet e kësaj toke.
Pra, ideja fetare dhe shoqëria njerëzore do të rriteshin njëherazi dhe paralelisht me njëra-tjetrën.
Besimi shtëpiak ndalonte që dy familje të përziheshin dhe të shkriheshin së bashku. Por ndërkohë, mundej që një numër familjesh, pa sakrifikuar asgjë nga besimi i tyre i veçantë, të bashkoheshin, të paktën, për kremtimin e një kulti tjetër, të përbashkët për to. Kjo ndodhi. Një numër i caktuar familjesh, formuan një grup, të cilin gjuha greke e quante fratri, ndërsa gjuha latine kuri'. Vallë, a ekzistonte midis familjeve të të njëjtit grup një lidhje lindjeje? E pamundur ta pohojmë. Është e sigurt se, ky shoqërim i ri nuk u bë pa njëfarë zgjerimi të idesë fetare. Pikërisht, në çastin kur ato do nisnin të bashkoheshin, familjet do të konceptonin një hyjni më të lartë sesa perënditë e tyre shtëpiake dhe kjo hyjni, për ta, ishte e përbashkët dhe vigjilonte në mbrojtje të krejt grupit. Për të, ato ndërtuan një altar, ndezën një zjarr të shenjtë dhe ngritën një kult.
Nuk kishte kuri apo fratri që të mos kishte altarin dhe perëndinë e saj mbrojtëse. Akti fetar që kryhej për nder të saj ishte i njëllojtë me atë që kryhej në gjirin e familjes. Ai kishte të bënte kryesisht me një vakt të përgatitur në mënyrë të përbashkët; ushqimi përgatitej mbi altar dhe për rrjedhojë ishte i shenjtë; ceremonia e ngrënies së tij shoqërohej me recitimin e disa lutjeve; gjatë ceremonisë së ngrënies, hyjnia ishte e pranishme dhe merrte pjesën e saj në ushqime dhe në pije.
Në Romë, vaktet fetare të kurisë mbijetuan për një kohë të gjatë; Ciceroni i përmend, Ovidi i përshkruan. Në kohën e Augustit, ato vazhdonin të ruanin ende formën e tyre të lashtë. "Në ato banesa të lashta, thotë një historian i kësaj epoke, kam parë se si ushqimi shtrohej para perëndisë; tryezat ishin prej druri, sipas zakonit të njerëzve të lashtësisë dhe enët ishin prej balte. Ushqimi përbëhej nga buka, ëmbëlsira me miell dhe disa fruta. Kam parë se si zhvilloheshin libacionet; ato nuk kryheshin, duke derdhur pijet nga kupa të arta apo të argjendta, por nga vazo prej argjile; kam admiruar njerëzit e ditëve tona, që iu qëndrojnë aq besnikë riteve dhe zakoneve të etërve të tyre." Në Athinë, në ditët e festave të tilla si Apaturiat dhe Targeliat, çdo fratri mblidhej rreth altarit të saj; në të flijohej një viktimë; mishi piqej në zjarrin e shenjtë dhe ndahej midis të gjithë pjesëtarëve të fratrisë, duke treguar njëkohësisht shumë kujdes, që asnjë i huaj të mos merrte pjesë prej tij.
Disa zakone kanë mundur të mbijetojnë deri në periudhat më të vonshme të historisë greke dhe hedhin njëfarë drite rreth natyrës së fratrisë antike. Kështu, shohim se, në kohën e Demostenit, për të bërë pjesë në një fratri, individit i duhej të kishte lindur në mënyrë legjitime në një prej familjeve që e përbënin atë. Si besimi i fratrisë ashtu edhe ai i familjes, përçohej vetëm nëpërmjet gjakut Athinasi i ri paraqitej përpara fratrisë nga i ati, i cili betohej se ai ishte biri i tij. Pranimi bëhej sipas një trajte fetare. Fratria flijonte një viktimë, mishin e së cilës e piqte mbi altar; gjatë ceremonisë, ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e saj. Në rast se ata nuk e pranonin të sapoardhurin e ri, gjë të cilën ata kishin të drejtë ta bënin nëse dyshonin rreth legjitimitetit të lindjes së tij, ata hiqnin mishin nga altari. Në rast se ata nuk e bënin këtë edhe pas pjekjes së mishit, por ndanin me të sapoardhurin mishin e viktimës, djaloshi i ri konsiderohej i pranuar dhe bëhej në mënyrë të pakthyeshme, anëtar i këtij grupi4. Ajo që i shpjegon këto praktika është se njerëzit e lashtësisë besonin se çdo lloj ushqimi i përgatitur mbi altar dhe i ndarë midis shumë personash, vendoste mes tyre një lidhje të pazgjidhshme dhe një bashkim të shenjtë, i cili pushonte vetëm me fundin e jetës.
Çdo fratri apo kuri kishte një prijës, kurion ose fratriark, funksioni kryesor i të cilit ishte të kryesonte ceremoninë e flijimeve. Ndoshta, fillimisht, atributet e tij kanë qenë më të mëdha. Fratria kishte kuvendin dhe gjykatën e vet dhe mund të merrte vendime. Në të, ashtu sikurse edhe në gjirin e familjes, kishte një perëndi, një kult, një ritual fetar, një drejtësi, një qeverisje. Ajo ishte një shoqëri e vogël e modeluar njëlloj si familja.
Natyrisht, ky grupim vazhdoi të zmadhohej, gjithnjë sipas së njëjtës mënyrë. Një numër kurish apo fratrish do të bashkoheshin dhe do të formonin një fis.
Ky rreth i ri, kishte edhe ai besimin e vet; në çdo fis kishte një altar dhe një hyjni mbrojtëse të veçantë.
Zakonisht, perëndia e fisit ishte e së njëjtës natyrë si edhe ajo e fratrisë apo familjes. Ajo mishërohej në një burrë të hyjnizuar, një hero. Emri i fisit rridhte prej tij; kështu grekët, atë e quanin hëros ëponyme. Ai kishte ditën e caktuar, për kremtimin e festës së tij çdo vit. Pjesa kryesore e ceremonisë fetare përbëhej nga një vakt, ku merrte pjesë krejt fisi6.
Fisi, ashtu si edhe fratria, mbante kuvendet e veta dhe merrte vendime, ndaj të cilave duhej të nënshtroheshin të gjithë pjesëtarët. Ai kishte gjykatën e vet dhe gëzonte të drejtën e gjykimit mbi anëtarët e tij. Ai kishte një prijës, tribunus. Nga ato të dhëna që disponojmë, shohim se, fillimisht, fisi ishte ndërtuar për të qenë një shoqëri e pavarur, njëlloj sikur mbi të të mos kishte asnjë pushtet shoqëror.