Largimi i ujërave tej mureve rrethues ishte i domos-doshëm, pasi në raste shirash të fortë muret ktheheshin në diga ujrambledhëse. Kjo do ti dëmtonte rëndë ata, pasi shumica e tyre vijonte me një superstrukturë qerpiçi mbi xokolin e gurtë. Për këtë, xokoli përshkohej nga kanale, të cilat jashtë përfundonin me lugje për derdhjen e ujit (fig. 5T).
Ky problem, në murin me tulla të Apollonisë u zgjidh më studiuar dhe me kërkesa estetike. Sistemi i largimit të ujërave në murin jugor të qytetit përbëhet prej kanaleve, pusetave dhe murit pendë, detyra e të cilit ishte që të mos lejonte ujërat e shiut të arrinin murin rrethues me tulla të lidhura me baltë.
Ujërat e mbledhura prej murit pendë, kalonin në pusetat e mbuluara me qemer, në fundin e të cilave niste kanali i tërthortë (1.50 x 0.45 m) me blloqe të latuar guri. Kanali i cili e përshkon mes për mes dhe me pjerrësi murin rrethues, në anën e jashtme trajtohet me përkujdesje dekorative, duke u mbuluar me hark të mprehtë, të njëjtë me harkun e hyrjes së shek. III p.e.s. në temenos.