Dimal i gjendet 20 km në lindje të Apollonisë dhe po aq në perëndim të Antipatreas (Beratit), në një nga kodrat promontore të Shpiragut ku kontrollonte kalimet drejt luginës së lumit Aps (Osum) që lidhte Adriatikun me pellgun e Korçës dhe Maqedoninë. Brenda këtij trualli lartësohen 5 kupola, rreth të cilave izoipset rrjedhin si lumi mes shkëmbinjve. Si i tillë trualli është i valëzuar, i papërshtatur për urbanistikën ortogonale dhe rrugët dhe ndërtesat luhaten në ndjekje të vijave rrushkulluese. Dy kupolat lindore, ku dhe dëshmohen gjurmët e para të jetës, të bronzit të vonë, bashkohen mes tyre nëpërmjet murit të akropolit, të gjysmës së parë. të shek. IV p.e.s.
Qyteti me sipërfaqe 25 ha ka një planimetri të çuditshme, të krahasueshme vetëm me një postiqe dashi të shtrirë nga perëndim-veriperëndimi drejt lindje-juglindjes. Fillimisht akropoli 2.5 hektarësh ishte qyteza e mirëfilltë. Por në fillim të shek. III p.e.s., shëtitorja e ndërtuar poshtë mureve ia prishi aftësitë mbrojtëse dhe e nxori nga lista e fortifikimeve, çka tregon se në shek. IV p.e.s. mbrojtja i kishte kaluar rrethimit të tërë qytetit. Kjo ia humbi akropolit funksionin ushtarak, duke i lënë vetëm atë të agoras së njësuar me temenosin e perëndeshës Hera.
Në këtë agora/temenos përveç tempullit të perëndeshës, bënin pjesë një sallë publike, shëtitorja veriore dhe ndërtime të tjera të paidentifikuara. Njësia e mësipërme, teatri (shek. IV/III p.e.s.), shëtitorja jugore (shek. III p.e.s.) dhe shëtitorja perëndimore (gjysma së dytë. Shek. IV p.e.s.), krijonin 4 qendra graviteti 50-170 m larg njëra-tjetrës, çka tregon se Dimali i përmbahej modelit policentrik, qoftë
edhe haphazard, më afër kuturusë se planizimit të qartë. Mungesa e dorës së urbanistit vërehet edhe në vendosjen hapësinore të elementeve arkitektonike: Dy nga tre shëtitoret dhe teatri i kthejnë me indiferencë shpinën shesheve për ta drejtuar vështrimin thjesht nga natyra, veçori kjo e pa hasur kund tjetër.