Kompleksi rezidencial në Çukën e Ajtoit ndodhet në perëndim të fortifikimit, 75 m larg dhe rreth 50 m poshtë tij. Përmasat, numri i ndërtesave e mjediseve, si dhe pozita e shkëpusin atë cilësisht nga banesat e tjera të Çukës së Ajtoit, duke e përcaktuar si banesë të polidinastit, të parit të qytetit. Terreni ku shtrihet ansambli është mjaft më i qetë se ai i shpateve të fortifikimit ku ngrihen banesat e tjera, por sërish ai ruan një pjerrësi prej 20° të këmbyer me rënie shkëmbore. Terreni i rrethuar me mure me blloqe guri të latuar, ka një sipërfaqe prej 1150 m2 dhe një trajtë pak a shumë të rregullt, gjeometrike, atë të dy katrorëve të bashkëngjitur. Në këtë ansambël veçohen dy grupe banesash. Grupi i parë, prej dy ndërtesash paralele, ndodhet në gjysmën perëndimore. I dyti, që ndodhet në pjesën lindore përbëhet prej dy ndërtesash të bashkuara në formën e shkronjës L. Në brendinë e rrethimit të fut hyrja kryesore, e cila ndodhet në skajin jugperëndimor.
Pas saj vijon një oborr në formën e një korridori, i cili përfundon në sheshin ndërmjet dy ndërtesave. E para, në skajin veriperëndimor të rrethimit, ruhet në gjurmë të zbehta. Prej tyre kuptojmë se ndërtesa drejtkëndëshe ndahej në kthina prej muresh të tërthorta. Trajtimi i thjeshtë dhe pozicioni e tregojnë atë një ndërtim ndihmës, në funksion të ndërtesës së parë.
Ndërtesa tjetër, për shkak të rënies së terrenit, ka një zhvillim të ndryshëm vëllimor. Bllokut të saj qendror, drejtkëndësh në plan, i bashkëngjitet nga para një hajat, ndërsa nga pas një kthinë katrore që mbyll kalimin nga oborri. Kati i parë i pararendur nga hajati është i gdhendur në shkëmb.
Në këtë kat të ndarë logjikisht me mure të tërthorta në kthina, ndodhet dhe shkalla për në katin e dytë, i cili zhvillohej pjesërisht mbi taban dhe pjesëisht mbi katin e parë. Në këtë mënyrë e tërë ndërtesa arrinte një sipërfaqe prej 485 m2 (112 m2 kati 1., 373 m2 i 2.). Në pjesën e pasme të katit të 2., duket se vijonte një hajat tjetër qendror, pas të cilit, nga balli dhe në anët e ngushta zhvilloheshin kthinat. Në këtë mënyrë numri i kthinave arrinte në 10.
Grupi lindor i ndërtesave veçohej nga i tërë mjedisi prej një muri të brendshëm. Ai zhvillohet në dy rrafshe të diferencuara në lartësi, përkatësisht me dy oborre.
Në rrafshin verior ndodhet oborri i përparmë, ndërsa në rrafshin jugor oborri i pasmë. Në oborrin e pasmë ndodhet dhe stera cilindrike e ujit, e suvatuar me llaç me pluhur tulle.74 Blloku qendror ngrihet, ashtu si dhe ndërtesa e grupit jugor, mbi rënien shkëmbore.
Blloku kryesor ka planimetri drejtkëndëshe dhe zhvillim të diferencuar volumetrik. Përkundrejt rrafshit të poshtëm ai është dykatësh, ndërsa ndaj rrafshit të sipërm njëkatësh. Në ballin e përparmë të punuar me blloqe poligonale, në tërë lartësinë e katit, ndodhet një hyrje e mbuluar me hark të rremë trekëndësh. Kjo hyrje të çonte drejt korridorit të pasmë, të ngushtë dhe të gjatë, i cili komunikonte me shpinat e kthinave. Në fundin e tij niste shkalla për në katin e dytë, që ndodhej në një nivel me rrafshin e pasmë.
Ky kat nga pas vazhdonte në tabanin e këtij rrafshi, gjasisht të pararendur prej një hajati, ndërsa përpara shtrihej mbi mjediset e katit përdhe. Në këtë mënyrë sipërfaqja e tërë ndërtesës arrinte në rreth 300 m2 (110 m2 kati i 1, 190 m2 kati i 2). Së bashku me mjediset ndihmëse sipërfaqja e grupit lindor është rreth 500 m2, ndërsa së bashku me oborret ajo arrin në 1050 m2. I tërë ky ansambël datohet nga gërmimet në shek. III p.e.s.