Banesa me oborr të jashtëm paraqet një ndërthurje të lirë, si në legot e fëmijëve, të mjediseve në shpinë të oborrit. Si e tillë, ajo përfaqësohet nga një infinitet variantesh dhe sprova për të gjetur origjinën e saj do t’i ngjiste sprovës për gjetjen e origjinës së rrethit.
Trajtat embrionale të kësaj banese hasen në një grup prej katër banesash të shek. V-IV p.e.s. në Çukën e Ajtoit, brenda mureve rrethuese, 20-70 m larg hyrjes Veri-Perëndimore. Ndonëse programi i këtyre banesave është i njëjtë, planimetritë janë mjaft të ndryshme: në formë Lindore, katrore dhe dy të çrregullta, prej të cilave njëra e diferencuar në dyplane lartësie. Banesat, janë pjesërisht të gdhendura në shkëmb dhe pjesërisht të ndërtuara me xokol gurësh të thyer dhe mbistrukturë qerpiçi a gurësh lidhur me baltë. Mungesa e tjegullave a rrasave të gurit, tregon se ato mbuloheshin me furde, tjegulla druri. Orientimi me ballin drejt veriperëndimit lë për të dëshiruar, pasi ato rriheshin nga dielli vetëm në orët e vona të pasdites. Sipërfaqja e barabartë (124 — 131 m2) dhe numri i njëjtë i kthinave, pesë të tillë, tregon se ato i përkisnin së njëjtës shtresë ekonomike.
Koncepti kompozicional, kthinë qendrore në amfiladë me kthinat anësore, është i afert me atë të banesave jugore me shtëpi zjarri. Por sipërfaqja mbi tri herë (65-75 m2 ndaj 225 m2) dhe vëllimi mbi 6 herë më i vogël, tregon se ato i përkisnin një shtrese ndjeshëm më të vobektë.
Ndërsa në këto banesa mungon shtëpia e zjarrit e pranishme në grupin jugor, në to shfaqet një element që i mungon banesave jugore: oborri i vogël si dëshmi e lidhjes me ekonominë agrare. Si i tillë grupi i këtyre banesave, duket se i përket fshataro- qytetarëve që punonin tokat në afersi të qytetit. Qenia në bllok tregon se ato i përkasin së njëjtës shtresë, çka dëshmon veçimin në lagje sipas shtresëzimit ekonomik.
Rolin organizativ në këto banesa e luan oborri, në funksionin e nyjës ndërlidhëse- shpërndarëse. Ndonëse mjaft i vogël (13-23 m2), ai mbartte mbi vete një ngarkesë multifunksionale: gatimin dhe qëndrimin në kohë vere dhe mbajtjen e veglave të punës, ndoshta edhe të ndonjë bagëtie.
Në banesën me planimetri në formë të shkronjës L, oborri nga balli komunikonte me kthinën qendrore, në amfiladë me dy kthinat e tjera, ndërsa anash me një mjedis ndihmës drejtkëndësh, gjasisht stallën e bagëtisë. Porta e ngushtë e oborrit (0.70 m) dhe shkallët në të, tregojnë se kjo bagëti mund të ishte vetëm e imët dhe jo gjedh.
Sipërfaqja më e madhe e njërit nga mjediset e këtyre banesave (25-32 m2), e tregon atë dhomën e ndenjjes ku mblidhej familja, të njësuar si në banesat e sotme të skamura me kuzhinën. Sipërfaqja standarde e mjediseve të tjerë (rreth 16 m2), e përafert me sipërfaqen e dhomave po të sotme të fjetjes, i tregon ata dhoma fjetje të çiftit dhe dy hallkave të tjera të familjes: brezit pararendës, prindërve, dhe brezit pasrendës, fëmijëve. Mungesa e kthinave për personelin e shërbimit si në banesat jugore me shtëpi zjarri, dëshmon mungesën e këtij personeli. Pozicionimi i banesave njëkatëshe në terrenet e rrahur keq nga dielli dhe i atyre trekatëshe në terrenet e rrahura mirë nga dielli, tregon për vlerën e ndryshme të truallit në funksion të insolacionit.