Besimet e qytezës
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Besimet e qytezës

Kemi parë më lart se ceremonia kryesore e kultit shtëpiak ishte një vaktngrënieje, që quhej flijim. Të haje një ushqim të përgatitur mbi altar, kjo ka qenë me fort të ngjarë forma e parë që njeriu i ka dhënë aktit fetar. Nevoja për të hyrë në komunikim shpirtëror me hyjninë, plotësohej nga ky vakt, ku ajo ftohej, gjithnjë me sigurinë se do të pranonte dhe në të ajo kishte gjithnjë pjesën e vet.

Edhe ceremonia kryesore e kultit të qytetit përbëhej nga një vakt i kësaj natyre; ajo duhej të përmbushej bashkërisht nga të gjithë qytetarët, për nder të hyjnive mbrojtëse. Në Greqi, përmbushja e vakteve publike ishte e përgjithshme; njerëzit besonin se shpëtimi i qytetit varej nga plotësimi i tyre.

Odiseja na jep përshkrimin e një prej këtyre vakteve të shenjta; për popullin e Pylosit ngrihen nëntë tryeza të mëdha; përqark secilës prej tyre janë ulur pesëqind qytetarë dhe çdo grup, për nder të perëndive, ka flijuar nëntë dema. Ky vakt, i cili quhet vakt i perëndive, fillon dhe mbaron me libacione dhe lutje. Përdorimi i zakonit antik të vaktit publik shfaqet edhe në traditat më të lashta të Athinës; thuhet se Oresti, vrasës i së ëmës së tij, kishte mbërritur në Athinë, në çastin kur qyteza, e mbledhur rreth mbretit të vet, përmbushte aktin e shenjtë. Këto vakte vazhdojnë të gjenden ende në kohën e Ksenofonit; në ditë të caktuara të vitit, qyteti flijon viktima të shumta dhe populli ndan mishin e tyre. Të njëjtat praktika ekzistonin kudo.

Veç këtyre banketeve të pamasa, ku mblidheshin të gjithë qy tetarët dhe që zhvilloheshin vetëm gjatë festave solemne, besimi fetar urdhëronte që çdo ditë njëri prej vakteve të konsiderohej i shenjtë. Për këtë qëllim, disa njerëz të zgjedhur nga qyteza, duhej të hanin së bashku, në emër të saj brenda rrethimit të pritanesë, në prani të vatrës dhe të perëndive mbrojtëse. Grekët ishin të bindur se në rast se ky vakt nuk përmbushej qoftë edhe një ditë të vetme, shteti rrezikonte të humbiste mirësinë e perëndive të tij.

Në Athinë, njerëzit që mermin pjesë në vaktin e përbashkët caktoheshin me short dhe ligji ndëshkonte rreptësisht ata që nuk pranonin t'i nënshtroheshin përmbushjes së kësaj detyre. Qy tetarët që uleshin rreth tryezës së shenjtë, merrnin për një çast një karakter priftëror; në këtë pozicion ata quheshin parazitë; kjo fjalë, e cila më vonë do të kthehej në një term përçmimi, fillimisht ishte një titull i shenjtë. Në kohën e Demostenit, parazitët ishin zhdukur; por pritanët ishin ende të detyruar të hanin së bashku në Pritane. Në të gjitha qytetet, kishte salla të destinuara vetëm për vaktet e përbashkëta.

Për të parë se si zhvilloheshin gjërat gjatë vakteve të përbashkëta, mjafton të sjellim këtu një ceremoni fetare. Çdo gostiar vendoste mbi kokë një kurorë; faktikisht, ishte zakon që kurorat me gjethe ose lule të përdoreshin sa herë që përmbushej një akt fetar solemn. Thuhej se sa "më shumë të zbukuroheshe me lule, aq më e sigurt ishte se do t' u pëlqeje perëndive; por në rast se ti bën flijime pa kurorë, perënditë largohen nga ty." "Kurora, thuhej më tej, është lajmëse e fatit të lumtur, që lutja mbart përpara perëndive." Për të njëjtën arsye, gostiarët visheshin edhe me rroba të bardha; te njerëzit e lashtësisë, e bardha ishte ngjyra e shenjtë, ngjyra që u pëlqente perëndive.

Vakti niste kurdoherë me një lutje dhe me libadone me ujë e verë; këndoheshin himne. Natyra e ushqimeve dhe lloji i verës që duhej të shërbehej, rregullohej sipas riteve të çdo qyteze. Të largoheshe sadopak nga zakoni i të lashtëve, të shërbeje një gjellë të re apo të ndryshoje ritmin e himneve të shenjta, ishte përdhosje e rëndë, gjë për të cilën përgjegjëse përpara perëndive do të ishte krejt qy teza. Feja arrinte deri aty sa të përcaktonte edhe vetë llojin e enëve që duheshin përdorur, si për gatimin e ushqimeve, ashtu edhe gjatë shërbimit të ngrënies. Në aksh qytet, duhej që buka të vendosej në shporta bakri; në disa të tjerë duhej të përdoreshin vetëm enë balte. Madje e përcaktuar dhe e pandryshueshme ishte edhe forma e bukës. Këto rregulla të besimit të lashtë do të ruheshin përgjithmonë dhe vaktet e shenjta do të përçonin gjithnjë thjeshtësinë e tyre fillestare. Besimet, zakonet, gjendja shoqërore, gjithçka do të ndryshonte; vaktet do të mbeteshin të pandryshuara. Sepse grekët do të ishin gjithmonë vëzhgues skrupulozë të besimit të tyre kombëtar.

Do të ishte e drejtë të shtonim se pasi gostiarët i kishin plotësuar kërkesat e fesë, duke ngrënë ushqimet e rekomanduara, ata kishin të drejtë të hanin, menjëherë më pas, një tjetër vakt, më të shijshëm e më pranë me shijet e tyre. Ky zakon ishte mjaft i përhapur në Spartë.

Zakoni i vakteve të shenjta ishte i përhapur në Itali po aq sa edhe në Greqi. Aristoteli thotë se fillimisht, në Lashtësi, ai ekzistonte te popujt e quajtur Enotritë, Oskë, Ausonë. Virgjili e sjell këtë kujtim, në Eneidën e tij, dy herë radhazi: Latinusi i moçëm pret të dërguarit e Eneas, jo në banesën e tij, por në një tempull "të shenjtëruar nga feja e të parëve; aty zhvillohen të gjitha festat e shenjta pas flijimit të viktimave; atje, të gjithë prijësit e familjeve ulen rreth tryezave të gjata." Më pas, kur Enea arrin tek Evandri, ai e gjen atë duke kremtuar një flijim; mbreti është në mes të popullit të tij; të gjithë kanë vënë mbi kokë kurora lulesh; të gjifhë, rreth së njëjtës tryezë, këndojnë një himn për lavdinë e perëndisë së qytezës.

Ky zakon do të përjetësohej në Romë. Atje do të kishte gjithnjë një sallë, ku përfaqësuesit e Kurive duhej të hanin së bashku. Senati, në ditë të caktuara, organizonte një vakt të shenjtë në Kapitol. Gjatë festave solemne, në rrugë ngriheshin tryeza të gjata dhe rreth tyre zinte vend i gjithë populli. Fillimisht, këto vakte i kryesonin kryepriftërinjtë; më pas ky rol iu la disa priftërinjve të veçantë, të cilët u quajtën epulonë.

Këto zakone të lashta na japin një ide rreth lidhjes së ngushtë që bashkonte pjesëtarët e një qyteze. Shoqërimi i njerëzve mes tyre ishte një fe; simbol i saj ishte vakti i ngrënë bashkërisht.

Duhet të përfytyrojmë një prej këtyre shoqërive primitive të vogla, e mbledhur e gjitha së bashku, të paktën prijësit e familjeve, rreth së njëjtës tryezë, ku secili prej tyre ishte i veshur me të bardha dhe mbante rreth kokës një kurorë; të gjithë bëjnë spërkatjet e shenjta, recitojnë të njëjtën lutje, këndojnë të njëjtat himne, hanë të njëjtin ushqim, të përgatitur në të njëjtin altar; mes tyre janë të pranishëm të parët dhe perënditë mbrojtëse, të cilët ndajnë me ta të njëjtin ushqim. Shpërthen një luftë, njerëzit do të kujtohen, sipas shprehjes së lashtë, "se shoku që lufton përkrah tij, me të cilin ai ka bërë të njëjtin flijim dhe të njëjtat libacione dhe me të cilin ai ka ndarë të njëjtin vakt të shenjtë, nuk duhet braktisur kurrë." Në të vërtetë, këta njerëz janë të lidhur nga diçka më e fortë se interesi, konvencioni, zakoni; ata janë të lidhur nga bashkimi i shenjtë i shpirtrave të tyre, të përulur përballë perëndive të qytezës.

info@balkancultureheritage.com