Godina ka qenë trajtuar sipas tipit të një templum in antis, me përmasa 14,40 x 19,20 m. Vëllimin e thjeshtë prej tullash sipas teknikës opus testaceum të trupit të monumentit e zbukuronte fasada e trajtuar me një kolonadë korintike, që hapej drejt sheshit.
Arkitrau, i profiluar në tri pjesë, mban një mbishkrim kushtimor greqisht për kujtim dhe nderim të Villius Valentinus Furius Proculus nga i vëllai, Quintus Villius Crispinus Furius Proculus. Meqë të dy vëllezërit kishin qenë agonotetë, pra nëpunës të ngarkuar në organizimin e festave dhe garave sportive, buleuterioni u quajt nga L. Rey “Monumenti i Agonotetëve".
Monumenti kurorëzohej me një fronton deri në lartësinë 11 m. Gjurmët e ruajtura mbi geizon tregojnë se në timpanin e fasadës kanë qenë vendosur skulptura.
Vestibuli i shkurtër pas kollonadës paraprinte hyijen 3 m të gjerë që të çonte drejt e në sallën e bulesë me përmasa 11,20 x 13,80 m. Pjesa e prapme e saj. e trajtuar në formë eksedre shërbente si sfond për shkallaren, ku uleshin dikur anëtarët e bulesë. Dy anekse të ngushta prapa saj shërbenin për të lehtësuar vëllimin e ndërtimit. Monumenti ka qenë ndërtuar në çerekun e fundit të shek.Il m.Kr