Cicero përballë Katilinës
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Cicero përballë Katilinës

Konflikti mes Ciceros dhe Katilinës ishte pjesërisht një përplasje ideologjie dhe ambiciesh politike, por ishte gjithashtu një përplasje mes dy njerëzve me rrënjë shumë të ndryshme. Që të dy gjendeshin në majë ose pranë majës së politikës së Romës; por këtu ngjashmëritë përfimdojnë. Në fakt, karrierat e tyre shumë të ndryshme ofrojnë ilustrime të gjalla mbi atë se sa e larmishme ishte jeta politike në Romën e shekullit të parë p.e.s.

Katilina, kandidati për revolucionar, kishte një fillim jete më konvencionale, më të privilegjuar dhe në dukje më të sigurt në politikë. Ai vinte nga një familje e spikatur dhe e vjetër që e gjurmonte prejardhjen e vet te baballarët themelues mitikë të Romës. Paraardhësi i tij, Sergestus, thuhej se ishte arratisur nga Lindja në Itali bashkë me Enean pas Luftës së Trojës, para se vetë qyteti i Romës të ekzistonte. Mes paraardhësve të tij me gjak blu, stërgjyshi i tij ishte hero i luftës kundër Hanibalit, me një pretendim ekstra për famë si personi i parë i njohur që pati hyrë në betejë me një dorë me protezë - ndoshta vetëm një gremç metali që pati zëvendësuar dorën e tij të djathtë, të cilën e pati humbur në një betejë më të hershme. Vetë Katilina pati një karrierë fillimisht të suksesshme dhe ishte zgjedhur në një seri postesh politike të ulëta, por në vitin 63 p.e.s. ai ishte pranë falimentit. Një seri krimesh i qenë mveshur emrit të tij, nga vrasja e bashkëshortes së tij të parë dhe fëmijës së vet te seksi me një priftëreshë të virgjër. Por cilado qofshin veset e tij të kushtueshme, problemet financiare vinin pjesërisht nga përpjekjet e tij të përsëritura për t’u zgjedhur si një nga dy konsujt, postet më të fuqishme politike në qytet.

Zgjedhjet në Romë qenë një punë e kushtueshme. Në shekullin e parë p.e.s. zgjedhjet kërkonin një lloj bujarie dorëgjerë e cila nuk ishte gjithmonë e lehtë të dallohej nga ryshfeti. Dora ishte e rëndë. Burrat e suksesshëm në zgjedhje kishin mundësi të rikuperonin shpenzimet, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, me disa nga të mirat e postit. Dështimet - dhe njësoj si disfatat ushtarake, qenë shumë më të numërta në Romë nga sa pranohet zakonisht -shkaktonin borxhe edhe më të mëdha.

Ky ishte pozicioni i Katilinës, pasi qe mposhtur në zgjedhjet e përvitshme për konsull si në vitin 64 ashtu edhe në vitin 63 p.e.s. Megjithëse historia e zakonshme është se ai kishte këtë prirje që më herët, tashmë kishte shumë pak zgjidhje, veçse t’i drejtohej revolucionit’ ose ‘veprimit direkt’ apo ‘terrorizmit’, mund ta quash si të duash. Duke bashkuar forcat me të dëshpëruar të tjerë të klasës së lartë në gjendje të ngjashme, ai bëri thirrje për mbështetje nga të varfrit e pakënaqur brenda qytetit, ndërsa ndërtoi një ushtri të sajuar jashtë tij. Premtimet e tij të nxituara për lehtësim borxhesh nuk kishin fund (një nga format më të përbuzura të radikalizmit në sytë e klasave të pronarëve të tokave në Romë) dhe nuk kishin fund as kërcënimet e tij të forta për të vrarë politikanët kryesorë e për të djegur të gjithë qytetin.

Së paku kjo ishte mënyra se si Cicero, një nga ata që besonte se ishte shënjuar për t’u shkatërruar, i përmblodhi arsyet dhe qëllimet e kundërshtarit të tij. Cicero ishte me një prejardhje shumë të ndryshme nga Katilina. Ai vinte nga një familje e pasur pronare tokash, si të gjithë politikanët e nivelit të lartë në Romë. Por origjina e tij gjendej jashtë kryeqytetit, në qytezën e vogël të Arpinumit, rreth 120 kilometra larg Romës ose së paku një ditë udhëtim larg me shpejtësinë e udhëtimit në botën e lashtë. Megjithëse ata duhet të kenë qenë lojtarë të rëndësishëm në zonën e tyre, asnjë ngaiamilja e tij më herët nuk kishte pasur post të rëndësishëm në skenën politike të Romës. Me asnjë nga avantazhet e Katilinës, Cicero u mbështet mbi talentet e tij të lindura, mbi lidhjet e nivelit të lartë që ai i kultivoi në mënyrë të palodhur - dhe duke çarë me të folurën e tij deri në majë. Kjo do të thotë se pretendimi i tij kryesor për famë ishte të qenët si avokat i famshëm në gjykatat e Romës; dhe statusi si i famshëm dhe mbështetësit e fuqishëm që i dha avokatia bëri që ai të zgjidhej lehtësisht në secilin nga postet e nevojshme të ulëta njëri pas tjetrit, njësoj si Katilina. Por në vitin 64 p.e.s., aty ku Katilina dështoi, Cicero triumfoi duke fituar garën për postin e konsullit për vitin pasardhës.

Ky sukses kurorëzues nuk ishte tërësisht i lehtë. Me gjithë famën e tij, Cicero përballej me disavantazhin e të qenët njeri i ri’, siç i quanin romakët ata që nuk kishin traditë politike në familje dhe në një pikë të caktuar dukej se ai pati menduar edhe të bënte një pakt elektoral me Katilinën, duke mos e marrë parasysh reputacionin e tij. Por në fund, votuesit e tij influencialë i vunë vulën. Sistemi elektoral i Romës, haptazi dhe pa turp, u jepte peshë të shtuar votave të të pasurve; shumë prej tyre duhet të kenë dalë në konkluzionin se Cicero ishte një opsion më i mirë sesa Katilina, pavarësisht se çfarë përbuzjeje prej snobësh ata kishin për ‘provincializmin’ e tij. Disa nga rivalët e quanin atë vetëm qiraxhi në Romë, një ‘shtetas me kohë të pjesshme’; por ai mori maksimumin në zgjedhje. Katilina përfundoi në vend të tretë dhe humbi. Në vend të dytë, i zgjedhur si konsulli tjetër, ishte Gaius Antonius Hibrida, xhaxhai i të famshmit Antonius, (‘Mark Antoni’), reputacioni i të cilit rezultoi jo shumë më i mirë sesa ai i Katilinës.

Në verën e vitit 63 p.e.s., Cicero duket se ka nuhatur përfundimisht se kishte një rrezik nga Katilina, i cili po provonte fatin e tij edhe një herë si kandidat. Duke përdorur autoritetin e tij si konsull, Cicero shtyu raundin tjetër të zgjedhjeve dhe kur në fund u detyrua të lejojë zhvillimin e tyre, ai u shfaq në ditën e zgjedhjeve me roje të armatosura dhe duke veshur një parzmore ushtarake të dallueshme qartë nën togën e tij. Kjo ishte një shfaqje melodramatike dhe një kombinim i veshjeve civile me ato ushtarake ishte e papërshtatshme dhe alarmuese, njësoj sikur një politikan modern të hyjë në punimet e legjislativit me një kostum dhe një automatik të varur në krah. Dhe kjo shfaqje funksionoi. Këto taktika frikësuese, të kombinuara me programin e zhurmshëm populist, siguruan që Katilina të mposhtej edhe një herë. Ai vështirë se do të dashurohej nga votuesit elitarë duke pretenduar se ishte një varfanjak që po luftonte për varfanjakët e tjerë.

Shpejt pas zgjedhjeve, diku rreth fillimit të vjeshtës, Cicero filloi të marrë informacion sekret akoma më të qartë mbi një plan për dhunë. Prej kohësh kishte qenë duke marrë shumë pak informacion përmes së dashurës së një prej ‘bashkëpunëtorëve’ të Katilinës, një gruaje të quajtur Fulvia, e cila pak a shumë ishte kthyer në një agjente të dyfishtë. Tashmë, falë një akti tjetër tradhtie nga pala tjetër dhe përmes Mark Krasit si ndërmjetës, ai pati një tufë me letra në duart e tij, të cilat inkriminonin drejtpërsëdrejti Katilinën dhe flisnin për gjakderdhjen e tmerrshme që po planifikonte ai - informacion që shpejt u plotësua me raporte të forta për forca të armatosura që po mblidheshin në veri të qytëtit në mbështetje të kryengritjes. Në fund, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë të planifikuar për më 7 nëntor, falë një paralajmërimi nga Fulvia, Cicero mblodhi senatin për t’u takuar ditën tjetër, në mënyrë që të denonconte formalisht Katilinën dhe ta përzinte atë nga Roma.

Senatorët sakaq kishin lëshuar një dekret duke i kërkuar (ose duke lejuar) Ciceron si konsull ‘të sigurohej që shteti nuk do të dëmtohej’, dekret që ishte lëshuar në tetor dhe që përafërsisht përbën ekuivalentin e lashtësisë për atë që në kohët moderne njihet si gjendje e jashtëzakonshme’ apo ligji për ‘parandalimin e terrorizmit; dhe që njëkohësisht ishte po kaq i debatueshëm sa këto të sotmit. Tani, më 8 nëntor, ata dëgjuan ndërsa Cicero parashtroi të gjithë çështjen kundër Katilinës, në një sulm të mprehtë dhe shumë të informuar. Fjalimi ishte një përzierje e jashtëzakonshme zemërimi, indinjate, autokritike dhe atyre që dukej se qenë fakte solide. Në një çast ai po i rikujtonte asamblesë të shkuarën famëkeqe të Katilinës; në çastin tjetër shprehte pendesë pa lavdi se ai vetë nuk kishte reaguar ndaj rrezikut në kohën e duhur; pastaj nxirrte detaje të sakta të komplotit - në shtëpinë e kujt qenë mbledhur komplotistët, në çfarë datash, cilët qenë përfshirë dhe çfarë planesh konkrete kishin ata.

Katilina pati vajtur për t’u përballur personalisht me denoncimin. Ai u kërkoi senatorëve të mos besonin asgjë që u thuhej dhe hodhi disa romuze mbi prejardhjen modeste të Ciceros, shoqëruar me mburrjen me prejardhjen e tij të dalluar dhe arritjet e shkëlqyera të paraardhësve të tij. Por ai duhet të ketë kuptuar se pozicioni i tij ishte i pashpresë. Gjatë natës ai iku.

Në senat

Përplasja para senatit mes Ciceros dhe Katilinës është pika kyçe e të gjithë historisë: të dy kundërshtarët u vunë ballë për ballë në një institucion që gjendej në qendër të politikës së Romës. Por si duhet ta imagjinojmë ne përballjen? Përpjekja më e famshme moderne për të na sjellë para syve atë që ndodhi më 8 nëntor është një pikturë e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga artisti italian Cesare Maccari (detaji poshtë dhe ilustrimi 1). Është një imazh që përputhet në mënyrë të rehatshme me paragjykimet tona mbi Romën e lashtë dhe jetën e saj publike, madhështore, me hapësira të bollshme, formale dhe elegante.

  1. Në pikturën e Maccari-t të skenës në senat, Cicero është duke folur me zjarr, në dukje pa ndihmën e tekstit. Kjo pikturë kap këndshëm aspiratat tipike të elitës së Romës: të jesh një njeri i mirë dhe i aftë në të folur’ (vir bonus dicendiperitus).

Ky është gjithashtu një imazh që pa dyshim do t’i kishte pëlqyer Ciceros. Katilina qëndron i ulur i izoluar, me kokën poshtë, a thua se askush nuk dëshiron të rrezikojë duke qëndruar afër tij, e aq më pak, të flasë me të. Cicero, ndërkohë, është ylli i skenës, duke qëndruar afër asaj që duket se është një mangall me tym para një altari; duke folur para një audience që dëgjon me vëmendje përballë senatorëve të veshur me toga. Rrobat e jetës së përditshme në Romë - tunika, mantele dhe me raste edhe pantallona - qenë shumë më të larmishme dhe me ngjyra sesa kjo. Togat, gjithsesi, qenë veshja kombëtare formale: romakët e përkufizonin veten sigens togata raca që vesh toga’, ndërsa disa të huaj të asaj kohe me raste qeshnin me këtë veshje të çuditshme dhe të komplikuar. Togat qenë të bardha, me shtesën e një rripi vjollcë për këdo që mbante post publik. Në fakt, fjala moderne ‘kandidat’ vjen nga latinishtja candidatus, që do të thotë ‘me ngjyrë të bardhë’ dhe u referohet në veçanti togave të bardha që romakët vishnin gjatë fushatave elektorale për të bërë përshtypje te votuesit. Në një botë ku statusi duhej të tregohej, rafinimet e veshjeve shkonin edhe më tutje: kishte dhe një shirit të gjerë vjollcë mbi tunikat e senatorëve, që vishej poshtë togës dhe një shirit pak më i hollë nëse ti i përkisje një rangu më të ulët të shoqërisë së Romës, ‘ekuestrianëve’ ose ‘kalorësve’, si dhe këpucë të veçanta për çdo rang.

Maccari ka shpalosur togat e hijshme të senatorëve edhe pse ai duket se ka harruar rëndësinë e shiritave. Por në thuajse çdo mënyrë tjetër piktura është jo më pak joshëse për fantazinë sesa ngjarja dhe mjedisi i kësaj ngjarjeje. Sa për fillim, Cicero prezantohet si një shtetar i moshuar me flokë të bardha, Katilina si një i ri batakçi, kur në fakt që të dy qenë në të dyzetat, dhe Katilina ishte disa vite më i moshuar. Përveç kësaj, takimi shfaqet me shumë më pak pjesëmarrje; nëse ne nuk imagjinojmë se ka më shumë senatorë jashtë tablosë, aty numërojmë as pesëdhjetë vetë duke dëgjuar këtë fjalim historik.

Në mes të shekullit të parë p.e.s., senati ishte një organ me rreth 600 anëtarë; që të gjithë qenë burra, të cilët më herët ishin zgjedhur për një post politik (unë them të gjithë burra - sepse asnjë grua nuk ka mbajtur kurrë një post publik në Romën e lashtë). Çdokush që kapte postin e kuestorit në rini, njëzet të tillë zgjidheshin çdo vit, shkonte automatikisht në senat me një karrige për të gjithë jetën. Ata takoheshin rregullisht, debatonin, këshillonin konsujt dhe lëshonin dekrete, të cilat qenë, në praktikë, zakonisht të zbatueshme - megjithëse këto dekrete nuk e kishin forcën e ligjit dhe gjithmonë shtrohej pyetja e sikletshme se çfarë do të ndodhte nëse një dekret i senatit kundërshtohej apo injorohej. Pa dyshim pjesëmarrja ishte e luhatshme, por ky takim duhet të ketë qenë patjetër me pjesëmarrje të lartë.

Sa i përket sfondit, ai duket mjaftueshëm romak, por me atë kolonë të stërmadhe që ngrihet jashtë tablosë, si dhe muret e shkëlqyera të pikturuara prej mermeri, ka gjasa që nuk përfaqëson thuajse asgjë nga Roma e kësaj periudhe. Imazhi ynë modern mbi qytetin antik si i tillë, i mbushur me ekstravagancë dhe i shndritshëm nga mermeri në shkallë të gjerë, nuk është tërësisht i gabuar. Por ky është një zhvillim i mëvonë në historinë e Romës, që nisi me shfaqjen e sundimit me një njeri të perandorëve dhe me shftytëzimin e parë sistematik të karrierave të mermerit në Karrara, në Italinë e Veriut, rreth tridhjetë vjet pas krizës së Katilinës.

Roma në kohën e Ciceros, me rreth një milion banorë, ishte ende e ndërtuar më së shumti me tulla apo me gurin e zonës, një labirint rrugicash të shtrembëruara dhe rruginash të errëta. Një vizitor nga Athina apo nga Aleksandria në Egjipt, qytete që kishin shumë ndërtesa në stilin e asaj që gjendet në pikturën e Maccari-t, do ta kishe konsideruar Romën si aspak mbresëlënëse, për të mos thënë të pistë. Ai ishte një djep aq i mbarë për lulëzimin e sëmundjes sa një mjek i më vonë romak shkroi se ‘ti nuk ke nevojë për libra shkolle për të mësuar për malarien - ajo ishte gjithkund përreth teje në Romë’. Tregu i getove me qira ofronte një strehim të zymtë për të varfrit, por fitime të lakmueshme për pronarët e paskrupuj. Vetë Cicero kishte sasi të mëdha parash të investuara në prona të cilësisë së ulët dhe në një rast tregoi me shaka, më shumë me mburrje sesa me turp, se edhe minjtë kishin marrë plaçkat dhe ishin larguar prej një nga blloqet e qelive me qira që po rrëzohej.

Pakprej njerëzve më të pasur të Romës patën filluar të shkaktojnë çudi te vizitorët e huaj me luksin e shtëpive të tyre private, të mobiluara me piktura të stërholluara e me statuja elegante greke, mobilie luksi (tavolinat me një këmbë qenë një arsye e veçantë zilie dhe sikleti), madje edhe kolona të importuara mermeri. Kishte gjithashtu një numër ndërtesash publike të dizajnuara në shkallë madhështore, të ndërtuara (ose të veshura me mermer), të cilat ofronin një imazh luksi për qytetin që do të vinte më vonë. Por vendndodhja e takimit të 8 nëntorit nuk ishte aspak e tillë.

Cicero pati mbledhur senatorët për t’u takuar, siç ndodhte shpesh, në një tempull: në këtë rast ishte një tempull modest, një ndërtesë e vjetër dedikuar perëndisë Jupiter, pranë Forumit, në zemër të qytetit, ndërtuar me planimetri standarde drejtkëndore dhe jo në formën e strukturës gjysmërrethore të fantazisë së Maccari-t -ndoshta kjo ishte një ndërtesë e vogël dhe pak e ndriçuar, me llamba e pishtarë që kompensonin vetëm pjesërisht mungesën e dritareve. Ne na duhet të imagjinojmë disa qindra senatorë të ngjeshur në një hapësirë të vogël e pa ajër, disa të ulur në karrige të sajuara apo stola, të tjerë duke qëndruar në këmbë duke u shtyrë, padyshim, nën ndonjë statujë të përnderuar dhe të lashtë të Jupiterit. Ishte pa dyshim një çast i rëndësishëm në historinë e Romës, por po kaq pa dyshim, si me shumë gjëra të tjera në Romë, ishte një realitet shumë më pak elegant nga sa ne pëlqejmë të imagjinojmë.

info@balkancultureheritage.com