Ekspansion, ushtarë dhe qytetarë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Ekspansion, ushtarë dhe qytetarë

Në mënyrën e tij të tërthortë, Livi - i cili në disa raste duket paksa i ngathët në analizën e tij - ofron një përgjigje të perceptuar për pyetjen se çfarë i bënte ushtritë romake të kësaj periudhe kaq të mira për të fituar dhe se si ndodhi që Roma e shtriu kontrollin kaq shpejt në pjesën më të madhe të Italisë. Kjo është një nga të paktat raste në të cilat ai sheh nën sipërfaqen e narrativës, duke theksuar faktorë shoqërorë dhe strukturorë, nga organizimi i komandës së Romës te burimet dhe fuqia njerëzore e saj. la vlen ta shtyjmë argumentin e Livit pak më tutje, për të menduar më shumë për atë që ndodhi, në retrospektivë, në fillesat e Perandorisë Romake.

Dy gjëra janë të qarta dhe minojnë disa mite keqinterpretuese moderne mbi fuqinë e Romës dhe ‘karakterin’ e saj. E para, romakët nuk qenë për nga natyra më luftarakë sesa fqinjët dhe bashkëkohësit e tyre, dhe nuk qenë më luftarakë nga sa qenë të aftë për ndërtimin e rrugëve dhe urave më të mira. Është e vërtetë se kultura romake i jepte një vlerë të lartë të jashtëzakonshme - dhe të pakëndshme për ne- suksesit në luftë. Aftësia, trimëria dhe dhuna vdekjeprurëse në betejë lavdëroheshin vazhdimisht, nga gjeneralët e suksesshëm që parakalonin nëpër rrugë te turmat që përshëndesnin me gëzim procesionin e tij triumfal, tek ushtarët e zakonshëm që tregonin gjurmët e plagëve të betejave në mes të debateve politike, me shpresë se këto plagë do t’u jepnin më shumë vlerë argumenteve të tyre. Në mesin e shekullit të katërt p.e.s. baza e platformës kryesore të folësve në Forum ishte dekoruar me sqepat e bronzit të anijeve armike të kapura nga qyteti i Antiumit gjatë Luftës Latine, a thua se ato simbolizonin themelimin ushtarak të Romës si fuqi politike. Fjala latine për ‘sqep’, rostra u bë emri i platformës dhe i dha anglishtes moderne fjalën e saj ‘rostrum’ (ekuivalenti në shqip ipodium).

Megjithatë duhet të jesh naiv të imagjinosh se popujt e tjerë në Itali qenë të ndryshëm. Këta qenë grupe shumë të ndryshme, me shumë më tepër larmishmëri, në gjuhë, kulturë dhe organizim pohtik, nga sa supozohet nga kategorizimi i tyre i përgjithshëm si ‘italianë’. Por që të gjykojmë nga ajo pak gjë që ne dimë prej shumicës së tyre, nga pajisjet ushtarake të gjendura në varre te referencat rastësore e kalimtare në literaturë mbi plaçkitjet e tyre, luftërat dhe krimet, mund të themi se ata qenë po aq shumë të angazhuar për militarizëm sesa romakët e ndoshta po aq të babëzitur për plaçkitje. Kjo ishte një botë ku dhuna ishte e gjithëpërhapur, përleshjet me fqinjët qenë të përditshme, plaçkitjet qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për këdo dhe shumica e mosmarrëveshjeve zgjidheshin me forcë. Dykuptimësia e fjalës latine hostis e shpreh shumë mirë mungesën e dallimit mes ‘të huajit’ dhe ‘armikut’. Po kështu shpjëgohet edhe fraza standarde latine ‘në shtëpi dhe jashtë’ - domi militiaeque. - në të cilën fjala ‘jashtë’ (militiae) është e padallueshme nga ‘në fushatë ushtarake’. Nuk ka dyshim që shumica e popujve të gadishullit ndanin të njëjtat pikëpamje. Të ishe jashtë vendbanimit ishte pothuajse dhe gjithmonë e barasvlefshme me të qenët në luftë.

E dyta, romakët nuk e kishin në plan të pushtonin dhe kontrollonin Italinë. Nuk pati ndonjë klikë sekrete romake në shekullin e katërt p.e.s. që të ulej me një hartë për të komplotuar për rrëmbim tokash në atë mënyrë territoriale që ne e lidhim me shtetet kombe imperialiste të shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Sa për fillim, aq thjesht sa tingëllon, ata nuk kishin harta. Kjo nënkupton se mënyra se si ata ose çdo popull tjetër ‘parakartografik’ e konceptonte botën përreth tyre ose botën përtej asaj që shihnin me sy, është një nga misteret më të mëdha të historisë. Unë jam përpjekur të shkruaj për përhapjen e fuqisë romake nëpër gadishullin e Italisë, por askush nuk e di se sa shumë prej atyre - ose, në mënyrë më realiste, sa pak prej romakëve të kësaj periudhe e mendonin atdheun si pjesë të një gadishulli në të njëjtën mënyrë se si e imagjinojmë ne. Një version rudimentar i kësaj ideje ndoshta nënkuptohet në disa referenca në literaturën e shekullit të dytë p.e.s., ku Adriatiku njihet si Deti i Sipërm, ndërsa Tirreni si Deti i Poshtëm, por ndoshta kjo mbështetet në një konvencion të ndryshëm orientimi nga ky i yni, lindje-perëndim më shumë sesa veri-jug.

Këta romakë e panë ekspansionin e tyre më shumë në termat e ndryshimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë sesa në termat e kontrollit të territorit. Natyrisht, rritja e fuqisë së Romës e transformoi në mënyrë dramatike panoramën e Italisë. Kishte pak gjëra dukshëm më transformuese sesa një rrugë krejt e re romake që godiste nëpër fushat bosh apo te tokat që aneksoheshin dhe ndaheshin mes banorëve të rinj. Ka deri në një farë mase kuptim të matësh fuqinë e Romës në Itali në termat e sipërfaqes gjeografike. Megjithatë dominimi i Romës ishte para së gjithash mbi njerëzit dhe jo mbi vendet. Siç e shihte Livi, ndryshimet kyçe të zgjerimit të hershëm të Romës qenë marrëdhëniet që Roma krijoi me këta popuj.

Kishte një detyrim që romakët ua imponuan të gjithë atyre që u vunë nën kontrollin e tyre: konkretisht, ata qenë të detyruar të siguronin trupa për ushtritë e Romës. Në fakt, për shumicën e atyre më vona. Është e paimagjinueshme që burrat e shekullit të katërt p.e.s. të uleshin dhe të debatonin implikimet ekzakte të civitas sine suffragio apo privilegjeve ekzakte që shoqëronin të qenët një koloni ‘latine’. Ka më tepër gjasa që ata po improvizonin në marrëdhëniet e tyre të reja me popuj të ndryshëm në botën jashtë, duke përdorur apo përshtatur kategorizimet e tyre ekzistuese dhe rudimentare të shtetësisë dhe etnicitetit.

Sërish pasojat qenë revolucionare. Duke u dhënë shtetësi njerëzve që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë territoriale me qytetin e Romës, ata thyen lidhjen, të cilën shumica e popujve në botën klasike e merrnin si të mirëqenë, mes shtetësisë dhe një qyteti të vetëm. Kjo bëri të mundur jo vetëm që të bëheshe Romak, por gjithashtu, për herë të parë në mënyrë sistematike, mund të ishe njëkohësisht shtetas i dy vendeve njëkohësisht: një qyteti i vendbanimit dhe dy i Romës. Përmes krijimit të kolonive të reja latine në të gjithë Italinë, ata ripërkufizuan fjalën ‘latin në mënyrë që ajo të mos ishte më një identitet etnik, por një status politik i palidhur me racën apo gjeografinë. Kjo vendosi bazat për një model të shtetësisë dhe ‘përkatësisë’ që pati rëndësi të stërmadhe për idetë romake të qeverisjes, të të drejtave politike, etnicitetit dhe ‘identitetit kombëtar’. Ky model shpejt u shtri edhe përtej deteve dhe eventualisht krijoi Perandorinë Romake.

info@balkancultureheritage.com