Kjo fe e lashtë nuk duhet të konceptohet si ato që u krijuan më vonë. Pas shumë shekujsh, raca njerëzore do të pranonte një doktrinë të re fetare vetëm me dy kushte: së pari, të ishte e aftë të shpallte një zot të vetëm; së dyti, tu drejtohej gjithë njerëzve dhe të ishte e hapur për të gjithë, duke mos refuzuar sistematikisht asnjë klasë apo racë. Por feja e kohëve të para nuk përmbushte asnjë nga këto dy kushte. Ajo, jo vetëm nuk i ofronte adhurimit të njerëzve një zot të vetëm, por njëkohësisht, perënditë e saj nuk pranonin adhurimin e të gjithë njerëzve. Ato nuk paraqiteshin si perëndi për racën njerëzore. Madje, ato nuk ngjasonin as me Brahmën, i cili ishte, më së paku, zot i një kaste të madhe, as me Zeusin panhelen, i cili i përkiste një kombi të tërë. Në këtë fe primitive, çdo perëndi mund të adhurohej vetëm nga një familje. Feja ishte thjesht fe e shtëpisë.
Kjo pikë e rëndësishme duhet sqaruar; pa sqarimin e saj nuk mund të kuptohet marrëdhënia shumë e ngushtë që ekzistonte midis besimeve të vjetra dhe ndërtimit të familjes greke e romake.
Kulti i të vdekurve nuk ngjante kurrsesi me kultin që të krishterët kanë për shenjtërit. Një nga rregullat e parë të këtij kulti ishte se çdo familje mund ta ushtronte atë vetëm për të vdekurit, që lidheshin me të nëpërmjet gjakut. Ceremonia e varrimit mund të kryhej vetëm nga farefisi më i afërt. Për sa i përket ushqimit mortor, i cili ripërtërihej më pas në kohë të caktuara, të drejtën për përgatitjen dhe ofrimin e tij e kishte vetëm familja dhe çdo i huaj përjashtohej rreptësisht prej tij’.
Besohej se i vdekuri e pranonte dhurimin vetëm nga dora e njerëzve të tij të afërt; kultin, ai e pranonte vetëm nga njerëzit e tij. Prania e një njeriu të huaj, trazonte prehjen e manëve. Gjithashtu ligji ndalonte të huajt t'i afroheshin varrit. Të prekje me këmbë, qoftë edhe për pakujdesi, një varr, konsiderohej përdhosje, e për rrjedhojë, i vdekuri duhej të qetësohej, duke pastruar me këtë edhe veten. Fjala përmes së cilës njerëzit e lashtësisë emërtonin kultin e të vdekurve është kuptimplote; , latinët e quanin parentare. Kjo gjë do të thotë se lutja dhe dhurimi mund t'u drejtohej vetëm etërve të vet. Kulti i të vdekurve nuk ishte gjë tjetër veçse kulti i etërve. Luçiani, edhe pse vë në lojë mendimet e njerëzve të thjeshtë, shprehet qartë kur thotë: "I vdekuri që nuk ka lënë djem, nuk merr dhurime dhe ai ka uri të përjetshme."
Në Indi ashtu si edhe në Greqi, dhurimi mund t'i bëhej një të vdekuri vetëm nga ata njerëz që rridhnin prej tij. Ligji i hinduve, ashtu si edhe ligji athinas, ndalonte që një i huaj, qoftë edhe mik, të merrte pjesë në vaktin mortor. Aq e domosdoshme ishte që këto vakte të ofroheshin nga trashëgimtarët e të vdekurit dhe jo nga njerëz të tjerë, saqë hamendësohej se manët, në jetën e tyre, shpesh shqiptonin këtë dëshirë: "Lindshin, në sërën tonë, vazhdimisht djem, që na ofrojnë gjatë gjithë rrjedhës së kohës oriz të gatuar në qumësht, mjaltë dhe gjalpë të kthjellët".
Rrjedh prej këtu se në Greqi dhe në Romë, ashtu si edhe në Indi, djali kishte detyrën e përmbushjes së libacioneve dhe blatimeve për nder të manëve të të atit dhe të parëve të tij. Të mos kryeje këtë detyrë ishte njëlloj si të kryeje përdhosjen më të rëndë të mundshme, pasi ndërprerja e këtij kulti shkaktonte të vdekur të tjerë dhe shkatërronte lumturinë e tyre. Kjo lënie pas dore nuk ishte më pak sesa një atëvrasje e vërtetë, e shumëfishuar aq herë sa ç'kishte edhe stërgjyshër në familje.
Nëse, përkundrazi, flijimet realizoheshin gjithnjë në përputhje me ritet, nëse ushqimet çoheshin mbi varr në ditë të caktuara, atëherë të parët ktheheshin në etër mbrojtës. Armiqësorë ndaj gjithkujt që nuk rridhte prej tyre, duke përzënë dhe goditur me sëmundje cilindo që mund ti afrohej varrit të tyre, me të afërmit e tyre ata ishin të mirë dhe të gjindshëm.
Midis të gjallëve dhe të vdekurve të çdo familjeje ekzistonte një shkëmbim i përhershëm marrëdhëniesh të mira. Të parët merrnin, në vijimësi, nga trashëgimtarët e tyre, ushqimet mortore, domethënë, të vetmet gëzime që ai mund të kishte gjatë ekzistencës së dytë. Trashëgimtari merrte nga i pari i tij ndihmën dhe forcën për të cilën ai kishte nevojë në ekzistencën e përditshme. I gjalli nuk mund të bënte pa të vdekurin dhe as i vdekuri pa të gjallin. Në këtë mënyrë, mes të gjithë brezave të së njëjtës familje, do të vendosej një lidhje e fuqishme, duke e kthyer atë në një trup përjetësisht të pandashëm.
Çdo familje kishte varrin e vet, ku të vdekurit e saj vinin të preheshin njëri pas tjetrit, gjithnjë së bashku. Aty varroseshin të gjithë ata që ishin të të njëjtit gjak dhe në të nuk mund të pranohej askush prej ndonjë familjeje tjetër. Atje kremtoheshin ceremonitë dhe përvjetorët. Çdo familje besonte se shihte të parët e saj të shenjtë. Në kohëra shumë të lashta, varri vendosej brenda vetë pronës së familjes, në mes të banesës, jo larg nga porta, "me qëllim, thotë një autor i lashtësisë, që bijtë e të vdekurit, sa herë që hynin dhe dilnin në banesë, të takonin etërit e tyre dhe t'u drejtonin atyre një lutje." Kësisoj, i vdekuri mbetej mes njerëzve të tij; i padukshëm, por gjithnjë i pranishëm, ai vazhdonte të bënte pjesë në familje dhe të ishte atë i saj. I pavdekshëm, i lumtur, hyjnor, ai interesohej për gjithçka që ai kishte lënë të vdekshme mbi dhë; ai njihte nevojat, ai ndihmonte dhe mbështeste në vështirësi. Dhe ai që ishte ende gjallë, që punonte, e që, sipas shprehjes së lashtë, nuk ishte ndarë ende nga kjo jetë, vijonte të përfitonte prej udhëheqjes dhe mbështetjes së tij; ishin etërit e tij. Në mes të vështirësive, ai kërkon urtësinë e tyre të lashtë; në hidhërim, ai u kërkon ngushëllim; në rrezik, një mbështetje dhe pas një gabimi, faljen e tij.
Sigurisht, sot e kemi shumë të vështirë të kuptojmë se si njeriu ka mundur të adhurojë kështu të parët e tij. Të kthesh një njeri në perëndi, na duket si diçka që shkon kundër fesë. Të kuptojmë besimet e lashta të këtyre njerëzve, për ne është po aq e vështirë sa ç'do të ishte për ta të përfytyronin tonat. Por le të mendojmë se të lashtët nuk e kishin idenë e krijimit; për rijedhojë, për ta, misteri i lindjes ishte çka mund të jetë për ne misteri i krijimit. Krijuesi i dukej një qenie hyjnore dhe ata adhuronin të parin e tyre. Duket se kjo ndjenjë ka qenë tepër e natyrshme dhe tepër e fuqishme, pasi ajo rezulton si parimi i një feje, në zanafillë të gjithë shoqërive njerëzore; kjo ndjenjë gjendet te kinezët, te getët dhe skithët e lashtë, te fiset e Afrikës, si edhe tek ato të Botës së Re.
Zjarri i shenjtë, aq ngushtësisht i lidhur me kultin e të vdekurve, kishte gjithashtu si tipar thelbësor faktin që ai i përkiste në mënyrë të veçantë çdo familjeje. Ai përfaqësonte të parët; ai ishte zoti i familjes dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me zjarrin e familjes fqinje, i cili mishëronte një perëndi tjetër. Çdo vatër mbronte të vetët.
E gjitha kjo fe ishte e mbyllur brenda mureve të një shtëpie. Kulti nuk ishte publik. Përkundrazi, të gjitha ceremonitë kryheshin vetëm në prani të familjes. Vatra nuk vendosej kurrë as jashtë shtëpisë dhe as afër portës së jashtme, ku i huaji mund ta shihte atë. Grekët e vendosnin gjithnjë brenda.një rrethine, e cila e mbronte atë nga kontakti e madje edhe nga shikimi i profanëve. Romakët e fshihnin në mes të shtëpisë së tyre. Të gjitha këto perëndi, vatër, larë, manë, quheshin perëndi të fshehura ose perëndi shtëpiake. Për të gjitha aktet e kësaj feje, duhej të ruhej fshehtësia, sacrificia occulta, thotë Ciceroni; në rast se një ceremoni do të shihej nga një i huaj, ajo konsiderohej e trazuar, e ndotur, e dëmtuar rëndë vetëm nga shikimi.
Për këtë fe shtëpiake, nuk kishte as rregulla të njëjtësuara dhe as ritual të përbashkët. Çdo familje ruante pavarësinë më të plotë. Asnjë forcë e jashtme nuk kishte të drejtë të ndërhynte në kultin apo në besimin e saj. Veç atit, nuk kishte prift tjetër; në cilësinë e priftit, ai nuk njihte kurrfarë hierarkie. Kryeprifti i Romës apo Arhondi i Athinës mjaftoheshin me atë që ati i familjes përmbushte të gjitha ritet fetare, por ata nuk kishin të drejtë ta urdhëronin atë të bënte qoftë edhe ndryshimin më të vogël. Suo quisque ritu sacrificia faciat, ky ishte rregulli absolut. Çdo familje kishte ceremonitë e saj, festat e saj të veçanta, formulat e saj të lutjes dhe himnet e saj. Ati, interpret i vetëm dhe i vetmi kryeprift i fesë së tij, ishte i vetmi që kishte të drejtën t'ua mësonte atë të tjerëve dhe atë mund t'ia mësonte vetëm të birit të tij. Ritet, fjalët e lutjes, këngët, të cilat ishin pjesë thelbësore e kësaj feje shtëpiake, përbënin një trashëgimi, një pronë të shenjtë, të cilën familja nuk e ndante me askënd, madje e kishte të ndaluar t’ua zbulonte të huajve. E njëjta gjë ndodhte edhe në Indi: "Jam i fortë kundër armiqve të mi, thotë Brahmani, prej këngëve që kam trashëguar nga familja dhe që im atë më ka lënë.
Kështu pra, feja nuk qëndronte në tempuj, por në shtëpi; çdo njeri kishte perënditë e veta; çdo perëndi mbronte vetëm një familje dhe ishte zot i vetëm një shtëpie. Nuk mund të konsiderohet hamendësim i arsyeshëm nëse thuhet se një fe e një karakteri të tillë u është dhënë njerëzve si rrjedhojë e imagjinatës së fuqishme të njërit prej tyre apo tu jetë mësuar atyre nga ndonjë kastë priftërinjsh. Në mendjen njerëzore, ajo lindi spontanisht; djep i saj ishte familja; çdo familje krijoi perënditë e saj.
Kjo fe mund të përhapej vetëm përmes brezave. Ati, duke sjellë në jetë të birin, i jepte njëkohësisht atij edhe besimin e tij, kultin e tij, të drejtën për t'u kujdesur për vatrën, për të ofruar ushqimin mortor, për të shqiptuar formulat e lutjes. Brezi vendoste një lidhje misterioze midis foshnjës që vinte në jetë dhe të gjitha perëndive të familjes. Këto perëndi ishin vetë familja e tij; ishte gjaku i. Pra, me lindjen, fëmija mbartte njëkohësisht edhe të drejtën për t'i adhuruar dhe për tu ofruar atyre flijime; dhe kur më vonë vdekja do e hyjnizonte edhe atë, edhe ai do të radhitej mes perëndive të familjes.
Por këtu duhet nënvizuar tipari se feja e shtëpisë përjetësohej vetëm nga mashkulli në mashkull. Natyrisht, kjo lidhej me idenë që njerëzit kishin rreth lindjes. Besimi i epokave primitive, të tillë siç e gjejmë te Vedat dhe në krejt mbetjet e së drejtës greke dhe romake, ishte se aftësia riprodhuese i përkiste krejtësisht vetëm babait. Vetëm ai zotëronte parimin misterioz të qenies dhe përçonte shkëndijën e jetës. Nga ky mendim i lashtë rrodhi rregulli, sipas të cilit, kulti shtëpiak kalonte gjithnjë nga mashkulli në mashkull, se në të, femra merrte pjesë vetëm nëpërmjet atit apo bashkëshortit të saj dhe se, së fundmi, ajo, pas vdekjes së të atit, nuk gëzonte të njëjtat të drejta si edhe mashkulli, lidhur me kultin dhe ceremonitë e vakteve mortore. Si pasojë e kësaj, në të drejtën private dhe në ndërtimin e familjes do të regjistroheshin edhe shumë pasoja të tjera, shumë të rënda, të cilat do fi shohim më tej.