Populli ynë përkujton me këngë çdo ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Kështu ai ka përkujtuar dhe përpjekjet e Heroit Kombëtar që e udhëhoqi në luftërat për liri kundër dyndjes së osmanëve, siç dëshmojnë të dhënat historike. Ndër këto kemi së pari veprën e Marin Barletit, jetëshkruesit bashkëkohor të Skënderbeut. Në librin IX lexojmë: «Dhe mendjelartësia e burrit (Skënderbeut — R.S.) fitoi admirimin e përhershëm nga të gjithë. Këtë e vërteton në mënyrë të patundur edhe puna që ndërmjet trimërive tjera të ndritura të të vjetërve dhe lavdeve të të parëve të cilat këndohen zakonisht nga tanët nëpër gostira sipas një zakoni të lashtë dhe ndoshta jo të përbuzshëm, brezi i ri ka futur jo pa mirënjohje sidomos këtë ngjarje» Kjo dëshmie Barletit ka rëndësi të shumëfishtë për ne, meqë na tregon se në kohën e Skënderbeut kishim një epos heroik 'të lashtë, që vazhdoi të pasurohet me këngë rreth ngjarjeve historike të asaj kohe. Këtë na e përforcon historiani venecian i gjysmës së dytë të shek. XV A. Sabeliko, i cili na njofton se pas vdekjes së heroit tonë këndoheshin këngë mbi trimëritë e Skënderbeut: «Në mesin e zjarrit të luftës, ku çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve, e kishin zakon grupe vajzash të mblidheshin çdo tetë ditë në kryqëzimin e rrugëve ndër ato qytete ku ai sundoi dhe t’i këndonin lavdi udhëheqësit të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të vjetrit t’u këndonin lavdi në mbledhjet e veta heronjve të mëdhenj».
Më 1610 Marin Bici në një relacion, midis të tjerash, shkruante për Skënderbeun: «U nda në shejë me shumë luftime të vlerta kundër turqve, të cilat të qituna në vargje këndohen prej gjithë shqiptarëve edhe në praninë e turqve».
Krenar për kombësinë e vet, Frang Bardhi shkruante më 1635 në fletët e fundit të fjalorit latin-shqip se populli e kujton Skënderbeun gjithnjë plot nderim, madje nga vepra e tij me titull «Gjergj Kastrioti Epirotas i quajtur zakonisht Skënderbe», botuar në Venedik më 1636, mësojmë se edhe atëherë ekzistonte një folklor i pasur për Heroin tonë Kombëtar: «Që nga koha e Skënderbeut gjer tani nuk ka kaluar aq kohë sa të jetë shlyer e harruar çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombësit tanë. Më poshtë Frang Bardhi shton: «Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë». Këtë njoftim Frang Bardhi e përsërit më shkoqur në qershor 1637 në një relacion, ku, ndër të tjera, thotë për malësorët e Pukës: «Sipas zakonit të të moçëmve ndër gostitjet e veta në rrugë e në punë këndojnë me zë të naltë trimnitë e burrave të tyne të mëdhenj dhe sidomos të pathyeshmit zot Gjergj Kastriotit, të quajtun Skanderbeg».
Çuditej historiani Franc Babinger përse udhëtari turk Evlia Çelebia që kaloi nëpër vendin tonë gjatë shekullit XVII, nuk e përmend aspak Skënderbeun, kur flet për qytetin e Lezhës ku, siç dihet, vdiq dhe u varros heroi ynë. Heshtja e atij nëpunësi turk është më se e kuptueshme. Pushtuesit nuk donin t’i dëgjonin as emrin Skënderbeut, pa le ta përmendnin apo të shkruanin për të.
Vazhdimësinë e këngëve popullore shqiptare për Skënderbeun na e dëshmon F. Pukëvil (ish-konsull i Franeës pranë Ali Pashë Tepelenës) në një vepër rreth udhëtimit të tij (1798-1801) nëpër More, Shqipëri etj... Ai thotë se djemtë e maleve të Çikës «i përdorin këngët e tyre, që shtyhen në shekujt e Skënderbeut të lavdishëm, për të sharë dobësitë osmanëve».
Më 1807 udhëtari frëng Bartoldi shkruante midis të tjerave për këngët e shqiptarëve, duke vënë në pah si më të famshmet ato që përshkruajnë të bëmat e Skënderbeut: «Ato janë shumë të vjetra dhe nuk duhen ngatërruar me një tjetër që ka të njëjtin subjekt e që u botua në Venedik, më 1794».
Në një ditar të mbajtur nga oficeri I. Hatri (Hatry) gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri më 1 shkurt 1808 shënohet lezhjanët se «kurrë nuk flasin pa nderim për Skënderbeun. Këta këndojnë edhe sot për nder të tij një romancë të vjetër që ka bukuri në vetvete; edhe unë u përpoqa të siguroj përkthim të saj».
Njëmbëdhjetë vjet më vonë autori grek Athanas Stragjiriti, në një libër që botoi në Vjenë për Epirin me të dhëna rreth historisë së popullit tonë dhe Skënderbeut, shkruante gjithashtu se «Shqiptarët akoma edhe sot këndojnë trimëritë e tij».
Këtë vazhdimësi të këngëve popullore për Skënderbeun na e dëshmon, gjithashtu, dijetari francez Ami Bue, i cili më 1840 shkruante se shqiptarët këndonin ende asokohe këngë për Skënderbeun, për Arianit Topinë etj.
Ndërkohë, vazhdimësia e këtyre këngëve popullore dëshmohet nga vetë qëmtimet dhe botimet e folklorit tonë.
Pa u zgjatur me dëshmitë e mëvonshme, që arrijnë deri në kohën tonë, mendojmë se këto të dhëna historike mjaftojnë për të përgënjeshtruar shpifjet e serbomadhit Vlladan Gjergjoviq ose të jezuitit Fulv Kordinjano e të armiqve të tjerë popullit tonë, të cilët, për qëllime antishqiptare, kanë shkruar se figura e Heroit tonë Kombëtar nuk dilka gjëkundi në krijimtarinë tonë popullore.
Lidhur me këtë çështje ia vlen të përmendim ç’ka thënë në një syzim mbi këngët popullore shqiptare studiuesja me origjinë shqiptare Elena Gjika, e njohur me emrin Dora d’Istria, që u përpoq për Shqipërinë kundër synimeve shoviniste të qarqeve sunduese të fqinjëve: «Mund të duket se shqiptarët e vendosur prej një kohe kaq të gjatë në bregun tjetër te Adriatikut nuk do të kenë ruajtur veçse një kujtim të zbetë për trimëritë e heroit të Krujës, por s’është ashtu; edhe qortimi i rëndomtë ndaj mosmirënjohjes së popujve nuk mund t’u drejtohet aspak atyre. Nëse sundimi i huaj nuk i lejon që t’i ngrihet Kastriotit të madh një përmendore në vendlindjen e tij, prapëseprapë emri i Heroit Kombëtar do të jetë gjithmonë i uruar dhe kujtimi i tij do të nderohet derisa të rrahë një zemër shqiptari». Me figurën e heroit tonë, siç e thekson historiani sllav Milan Shuflaj, «fantazia e popujve ballkanas të robëruar nga Turqia kishte sajuar këngë dhe gojëdhana të mrekullueshme». Këto fjalë vërtetohen edhe nga vetë botimet e këngëve maqedonase si dhe nga disa dëshmi historike. Ja një shembull: «Disa udhëtarë të huaj që u rastisi të kalonin nëpër tokat bullgare në kohën e sundimit turk, megjithëse vetëm kalimthi, e që patën mundësi të njihen me jetën e popullit bullgar, vinin në dukje popullaritetin e emrit dhe të veprimtarisë së Skënderbeut në mes të popullit bullgar. Po sjellim dëshminë e Zhan Polen Foreziut, i cili kaloi nëpër Bullgari në vitin 1582, d.m.th. 115 vjet pas vdekjes së Kastriotit. Ai thotë, midis të tjerash, se banorët e rrethit të Plovdivit rrojnë me kujtimet e madhështisë së kaluar dhe gjejnë ngushëllim duke kënduar në kor, një këngë të gjatë të trishtuar, e cila i thur lavdi Skënderbeut, Mihail Komnenit etj. Ajo u këndon, vazhdon ai, heroizmave luftarake të tyre kundër sulltanit, pasi ata kanë bërë një luftë të gjatë kundër tij».
Nëse popujt e Ballkanit gjatë robërisë shekullore e kujtonin vazhdimisht Skënderbeun dhe merrnin zemër nëpërmjet eposit mbi heroizmat e tij, më mirë nga kushdo tjetër e ruajti kujtimin e heroit vetë ai popull që e nxori nga gjiri i tij. Figura madhështore e këtij prijësi aq popullor ngeli gjatë shekujve thellë në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. E si mund të shlyheshin mbresat e thella të atyre luftërave fitimtare, ne të cilat mori pjesë mbarë populli ynë me burra, gra e fëmijë? E si mos ta përkujtonte me këngë populli ynë prijësin e madh të atyre luftërave për liri, atë udhëheqës të ndritur, që me një grusht trimash të pathyeshëm frenoi kurdoherë dyndjen e ushtrisë më të fortë të asaj kohe? Pikëpamja e papranueshme e disa folkloristëve jugosllavë, të cilët kanë shprehur mendimin se këngët popullore epike me përmbajte historike nuk jetuan dot më shumë se 3-4 breza (d.m.th. 100-120 vjet), sepse hidhen në harresë nga ngjarjet e mëvonshme, rrëzohet plotësisht me një mori faktesh. Kanë kaluar më shumë se pesë shekuj nga ajo kohë e lavdishme, por në krijimtarinë tonë popullore nuk u shua oshtima e madhe e atyre heroizmave që habitën botën, as nuk e fashiti harresa kujtimin e heroit tonë kombëtar. Dëshmitë historike që u sollën më lart të bindin se këngët dhe gojëdhanat popullore që përçuan brez pas brezi jehonën e atyre ngjarjeve jo vetëm nuk u shuan, por vazhduan të përçonin afshin heroik, me atë frymë luftarake dhe liridashëse që i përshkon, duke i treguar popullit udhën e bashkimit dhe të qëndresës për çlirimin e atdheut. Gavril Dara i Riu e theksonte me të drejtë rëndësinë e këtyre këngëve popullore: «Ashtu siç qëndrojnë flamujt në luftë si simbol i atdheut me qëllim që të mblidhen rreth tyre ushtarët e shpëndarë, ashtu edhe këngët gjatë kohës janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol i popullit, flamur i nderit, dhjata e gjyshave».
Sipas Maks Lambercit te shqiptarët e Italisë vendin kryesor në epokën heroike-historike e zë figura e Skënderbeut.
Edhe një tjetër studiues pohon: «Më interesante midis këngëve popullore të kolonive shqiptare të Italisë janë ato që përmendin trimëritë e Kastriotit, ato që lartësojnë shokët e tij heroikë, ato që u frymëzuan nga urrejtja për pushtuesin turk dhe nga brengat e mërgimit. Këto këngë janë shumë të çmueshme për lartësinë e tyre dhe për vlerën e tyre historike, sepse, përveç që janë prodhimi më i mirë i letërsisë popullore shqiptare, janë edhe dëshmi të vërteta të asaj periudhe epike, që filloi me luftën kundër dyndjeve të hordhive osmane në Gadishullin Ballkanik dhe mbaroi me mërgimin e dherhbshëm».
Rëndësia e shumanshme këtyre këngëve është vënë në dukje që në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga Dhimitër Kamarda, i cili shprehte keqardhjen që Hani dhe Rainoldi nuk mundën të qëmtonin asnjë nga ato këngët e lashta historike «të cilat thonë se këndohen edhe sot nga shqiptarët e Greqisë e të atdheut. Në këto do të kishim dëshmi të traditave të vendit dhe ndoshta kujtime të heronjve të tij si dhe të ngjarjeve të përmendura të historisë së tij. Këngët e kolonive italo-shqiptare janë pa dyshim të kohës së paramërgimit, pra, të mesit të shek. XV». Më tutje Dh. Kamarda vazhdon: «Shumë nga këto që madhërojnë kujtimin e Skënderbeut dhe të kohës së tij përsëriten edhe sot midis kolonive shqiptare të Kalabrisë»
Botimin e parë të një kënge popullore arbëreshe për Skënderbeun e kemi (të përkthyer në italisht) nga Vinçenc Dorsa në gjysmën e parë të shek. XX, por si qëmtues i parë i këngëve arbëreshe për Skënderbeun njihet poeti Jeronim de Rada, i cili në përmbledhjen e tij të famshme «Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napolitano» (Rapsodi të një poeme shqiptare të qëmtuar në koloninë e Napolit), botuar në Firence më 1886, përfshiu nja tetë këngë për jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut. Duke i parë këto këngë si pjesë të një poeme kombëtare të shpërndarë, De Rada u rrëmbye nga ky mendim dhe e titulloi përmbledhjen vet «Rapsodi të një poeme shqiptare» etj., mendim dhe titull që u kritikua nga disa autorë. Më vonë, në parathënien e ribotimit të kësaj vepre, De Rada nuk e përmend fjalën «poemë».
Këngët arbëreshe për Skënderbeun, që u botuan më vonë nga J. De Gracia (1889), A. Stratiko (1896), M. Markiam (1908), A. Skura (1912), Smilari etj., me disa përjashtime ose variante janë pak a shumë njësoj si ato që kishte botuar De Rada.
Kurse këngët popullore të qëmtuara këtu në Shqipëri filluan të botohen në pragun e shekullit tonë. Së pari, kemi një «Vajtim shqiptar që këndohet në Krujë», botuar në përkthimin frëngjisht («Complainte albanaise chantée a Croia») nga A. Degrandi, pa ndonjë shkoqitje rreth burimit. Së këndejmi ky «vajtim» u ripërkthye në shqip dhe u botua në disa revista. Titulli «Complainte» që i vuri Degrandi nuk i përshtatej kësaj kënge sepse nuk ka përmbajtjen, as tonin e vajtimeve. Dhjetë vjet më vonë u botua përmbledhja me «Këngt popullore gegërishte» (Sarajevë, 1911), ku përfshihet kënga me titull «Skënderbegu nuk ka vdekë» (f. 98), mjerisht pa asnjë shënim rreth burimit të kësaj kënge, përveç vendburimit të saj (Krujë). Edhe kjo këngë u ribotua më vonë disa herë nëpër vëllime të ndryshme.
Një tjetër këngë popullore për Skënderbeun, u botua në revistën «Edukata e re» (Tiranë 1931, nr. 10, f. 302) me këtë shënim: «Kjo këngë popullore e kohës së Skënderbeut këndohet nëpër disa vise të Kosovës. Asht për t’u admirue se si ka mujtun mos m’u harrue...» Edhe në këtë rast nuk u dha vendburimi i këngës, madje as emri i mbledhësit. Më 1938 u botua në revistën «Shkolla shqiptare» (nr. 15-16) një kënge popullore për Gjorgj Golemin, e cila, pavarësisht se nuk i kushtohet Skënderbeut, hyn në qerthullin e tij. Kënga në fjalë u qëmtua në rrethin e Elbasanit dhe u ribotua më vonë disa herë nëpër vëllime të ndryshme. Në vitet 1948 u qëmtua një këngë popullore për rrethimin e parë të Krujës (1450), kënduar nga një rapsod plak i atij rrethi. Vjersha e kësaj kënge u botua për herë të parë nga prof. Dh.S. Shuteriqi në revistën «Literatura jonë» (1949, nr. 5, f. 17-22) me ndonjë shkoqitje rreth melodisë së saj; më vonë u ribotua te «Kënga e popullit», por me mjaft ndryshime. Një variant i kësaj kënge u këndua në Festivalin kombëtar të vitit 1953 nga një rapsod krutan. Melodia e kësaj kënge u notizua për të parën herë dhe u botua në revistën «Arsimi popullor» (Tiranë 1962, nr. 6, f. 26-37). Gjithashtu, në vitin 1953 një ekspeditë folkloristike e ish-Institutit të shkencave qëmtoi në Streblevë të Gollobordës vjershat e dy këngëve të kënduara nga gratë e asaj krahine. Më 1957, gjatë një ekspedite folkloristike, u incizua me shirit manjetofoni një tjetër këngë për Skënderbeun (ndodhet në fonotekën e Institutit të Folklorit me shifër 146/10) siç na e këndoi një rapsod nga fshati Kaçinar i Mirditës. Dy vjet më vonë, d.m.th. më 1959, u paraqit në Festivalin kombëtar një grup malësorësh nga Shelcani (rrethi i Elbasanit) me copën e kësaj kënge:
Do t’ia themi një kënge vet, hajmedet, o Skënderbej!
Kang’ e trimit, oh, të jetë, hajmedet, o Skënderbej!
Ti, o trim, ku ke qenë? hajmedet, o Skënderbej!
— Këtu në Dibër para punë, hajmedet, o Skënderbej!
na poq zoti m’dy spiunë. hajmedet, o Skënderbej!
Nuk na u dha rasti mjerisht ta notizonim muzikën e kësaj kënge ashtu siç e këndonin me iso (d.m.th. në polifoni) malësorët nga Shelcani. Ndonëse është e gjymtuar, prapëseprapë edhe kështu, pa muzikën përkatëse, kjo copë kënge na jep të dhëna të vlefshme për hulumtimin tonë. Kurse në festivalin krahinor të vitit 1961 u paraqit në rrethin e Kukësit një rapsod nga Fani i Mirditës me një variant kënge për rrethimin e parë të Krujës. Ky variant (vjersha bashkë me muzikën përkatëse) u botua në revistën «Arsimi popullor» (numri i lartpërmendur). Po atë vit dëgjuam dhe qëmtuam një tjetër këngë për Skënderbeun, të kënduar nga një mirditor (nga fshati Zhin)
Me ngritjen e Institutit të Folklorit u krijuan kushte të përshtatshme për gjurmimin e krijimtarisë sonë popullore në mënyrë të organizuar. Pak nga pak në fondin e fonetikës së Institutit erdhën duke u shtuar incizimet me këngë popullore për Skënderbeun, siç shihet nga regjistrimet e mëposhtme: «Kaponi kapat mbi vetull» (Gramsh 1963, bob. 228/13); «Vrana Konti i parë në, Kru» (Librazhd 1963, bob. 274/2); «Skanderbegu një me natë» (Kalabri 1963, bob. 447/6); «Skanderbegu i hipi çilit» (Vaqar 1964, bob. 229/9); «Ky Urani i parë në Krue» (Librazhd 1965, bob. 416/15); «1 këndojmë trimit Kastriotit» (Pukë 1966, bob. 515/11); «Ky Murani i parë në Krue» (Pukë 1967, bob. 526/6); «Erdhi Sulltani me ushtri» (Milot 1967, bob. 532/5); «Ky Kokë Malçi n’at Shkopet (Milot 1967, bob. 532/6); «Kënga e Skënderbeut» (Librazhd 1967, bob. 587/7).
Ndërkohë edhe fonoteka e Radio-Tiranës u pasurua me incizime të reja nga Rrësheni (bob. 18377), Lezha (bob. 18496), Laçi (bob. 18513), Kruja (bob. 18795), Gramshi (bob. 18830) etj.
Qëmtimet e incizimet e lartpërmendura nuk pasqyrojnë ende përhapjen e vërtetë të këngëve popullore për Skënderbeun (meqë ende nuk janë berë kërkime sistematike nëpër të gjitha krahinat); megjithatë, të bindin se ato nuk janë zhdukur. Ky fond i qëmtuar deri tani mund të pasurohet me zgjerimin dhe me thellimin e gjurmimeve të bëra sipas planeve të studiuara mirë, duke futur ekspeditat në dinamikën e hulumtimeve të përparuara. Metodologjia e kërkimeve në terren është një faktor i rëndësishëm për frytet e çdo ekspedite. Rezultatet nuk varen vetëm nga mjetet teknike, siç e ka treguar përvoja e gjertanishme, por varen kryesisht nga mënyra e punës. Gjurmimi ngulmues i këtyre këngëve është detyrë e ngutshme e folkloristikës shqiptare për vetë rëndësinë e shumëfishtë politike dhe shkencore që kanë ato. Pa u ngatërruar hëpërhë në çështjen e gjenezës së tyre, qofshin të lashta apo të reja, me ose pa ndikime libreske. nuk duhet lënë pas dore asnjë rast e asnjë njoftim. Krahas këngëve duhet organizuar zbulimi sistematik i të gjitha burimeve dokumentare.
Përveç këngëve të gjinisë epike, që u cekën deri këtu, emri i Skënderbeut përmendet edhe në disa këngë popullore të gjinisë lirike, që nga ninullat me të cilat nëna shqiptare ia ndjell gjumin foshnjes së vet duke e përkundur në djep dhe duke i uruar të rritet trim si Kastrioti, te këngët e dasmës dhe tek ndonjë këngë shtregullash që lidhet me kremtimet pranverore të shëngjergjit. Ja një shembull nga Shkodra:
Kenke nisun me punue,
tue qindis me teherie,
me tehri e fije arit
flamurin e shqiptarit;
flamurin si a kenë motit,
si ndër kohna t’Kastriotit.
Nga njoftimet e Pukëvilit, Bartoldit, Stagjiritit, etj. mund të hamendësojmë se këngët popullore për Skënderbeun ishin të përhapura nëpër të gjithë vendin tonë. Tani duket se ato janë ruajtur më mirë në trevën malore të së ashtuquajturës «krahinë e Skënderbeut» (midis Drinit dhe Fanit nga njëra anë, Adriatikut dhe Shkumbinit, nga ana tjetër). Mungojnë të dhëna nga treva e Matit e nuk dimë nëse shkaku i kësaj mungese qëndron te gjurmimet e pamjaftueshme apo te zhdukja e vetë këngëve. Përtej krahinës së mirëfilltë të Skënderbeut, këto këngë arrijnë deri në Lin, Gramsh etj. poshtë Shkumbinit, pra, në zonën polifonike; ndërsa, nga ana tjetër, është hetuar ndonjë rast (në këngët e ritualit të dasmës) deri në Okol të Dukagjinit.
Variante më të shumta kemi për këngën e rrethimit të Krujës (1450). Siç duket, ajo fitore e shquar me aq rëndësi për luftën e mëtejshme të popullit shqiptar, la jehonë më të madhe në krijimtarinë popullore...
Përhapja e kësaj kënge me gjithë këto variante, nga Kukësi, Puka, deri në Çermenikë, na bind për vitalitetin e saj. Siç dihet variantet e një kënge ndihmojnë për të hulumtuar shtrirjen e saj në kohë e në hapësirë. Po t’i krahasojmë të gjitha variantet e këngës në fjalë, menjëherë bien në sy ngjashmëria e pamohueshme e trajtës dhe e përmbajtjes, e mënyrës së shtjellimit, e strukturës, e profilit, e figurave etj. Duke gjykuar jo vetëm nga elementet onomastike ose toponomastike, por nga disa veçanti poetike-muzikore, duket se qendra e rrezatimeve të kësaj kënge është vetë krahina e Krujës. Krahas ngjashmërive, shquhen njëkohësisht ndryshimet...
Epika popullore e ka rrethuar Skënderbeun. me trima e heronj të ndryshëm si Nik Peta, Lek Dukagjini, Tanush Topia, Gjorgj Golemi. Ndonëse në disa këngë nuk flitet drejtpërsëdrejti për Skënderbeun, prapëseprapë figura e tij spikat madhështore, qoftë edhe vetëm nëpërmjet efektit që ushtron emri i tij... Mbi të gjitha figurat e trimave ngrihet ajo e prijësit Skënderbe me cilësitë e një udhëheqësi të madh e të rrallë...
Këto këngë të epikës sonë historike nuk parashtrojnë vetëm disa pamje nga lufta vigane e popullit tonë kundër dyndjes së osmanëve, por njëkohësisht pasqyrojnë pikëpamjet e popullit lidhur me të. Ideali heroik i këtyre këngëve nuk është mania për të lartësuar unin e ndonjë protagonisti, por është dashuria e sinqertë dhe plot vetmohim për lirinë e atdheut. Le të kujtojmë përgjigjen e Skënderbeut në vargjet e fundit të një rapsodie arbëreshe.
Se ti zot i madh,
sa më ke vrarith?
«Nëntëmij e gjashtëqind
ca m’i vrava e ca i ljavosa
e nën shpatën gjithë i shkova!
Fuqia ime nëng qe,
por me nëndë qind trima
gjithë të zgjedhur nd’Arbërit!»
Ndjenja e lartë e përgjegjësisë, së bashku me kujdesin e heroit për të ardhmen e atdheut, spikat fort e plot patos epik në rapsodinë arbëreshe me titull «Skënderbeu dhe vdekja». Në çastet e fundit të jetës ai e porosit të birin që t’ia lidhë kalin atje tek një pemë buzë detit dhe mbi kalë të shpalosë flamurin, në mes të vendosë shpatën e të atit; kur të vijnë turqit, do të hingëllijë kali, do të vringëllijë shpata dhe armiku do të tmerrohet duke kujtuar se është vetë Skënderbeu.
Dy lloj elementesh kryesore dallohen në këto këngë: elementi emotiv ose lirik dhe elementi objektiv ose epik. Shkrirja e këtyre dy elementeve bëhet në mënyrë të ndryshme, pak a shumë në përputhje me brendinë e këngës: herë mbizotëron njëri element e herë tjetri. P.sh., te rapsodia arbëreshe me titull «Vdekja e Skënderbeut» është pikërisht elementi emocional, d.m.th. lirizmi, ai që u jep atë drithërimë ndjenjave dhe mendimeve, por duke u tretur në paraqitjen e ngjarjes pa e mbuluar eposin....
Pa hyrë në shqyrtimin e tyre estetik, do të nënvizojmë vetëm disa cilësi të përgjithshme të mënyrës se si shtjellohen. Në shumicën e rasteve mbizotëron mënyra e shtjellimit narrativ duke u përqëndruar në parashtrimin e ngjarjes kryesore, pa u ndalë në përshkrimin e personazheve me hollësi të tepërta dhe pa e ndërprerë fillin e tregimit me degëzime episodesh të dyta; ende nuk njohim asnjë rast me zhvillimin dinamik të ngjarjes në mënyrë të dyanshme. Nganjëherë thyhet rrjedhimi i ngjarjes me ndryshimet e perspektivës, nëpërmjet kalimit të foljeve nga koha e tanishme në të kaluarën (të pakryerën) e anasjelltas. Te shembujt që disponojmë nuk vërehen grupime vargjesh në trajta strofike, as rima të gërshetuara, përveç disa shkallëzimeve që dalin nga përsëritja e pjesës së dytë të një vargu në gjysmën e parë të vargut vijues. Një vend të dukshëm midis mjeteve poetike zënë formulat dhe pjesët e gatshme që shfrytëzohen për disa motive. Krahas pjesëve të gatshme në disa këngë shfrytëzohen efektet e tezës dhe të antitezës, që e ndajnë vetë vjershën në dy pjesë. Ja një shembull nga Gjinari (Shpat i Elbasanit):
Ra një vesë e, moj, vesoi dhenë,
ti moj zoge, moj, ku ke qenë?
Mu në Krujë, moj, un’ kam qenë,
e kam parë, moj, Skënderbenë.
O Skënder, Skënderbej trimi, shpata jote turqit grini.
Ra një shi e, moj, nxiu dhenë,
thonë se ka vdekë Skënderbeu
— Hiç, o moj, mos e thuej at’fjalë,
Skënderbeu, moj, asht i gjallë,
shpat në shpat, moj, e mal në mal
Papullin prin, moj, kundra robnisë
për të mirën e, moj, Shqipërisë.
Përsa u përket veçantive krahinore të këtyre këngëve mund të bëjmë këtë dallim të përgjithshëm midis dy dialekteve tona gjuhësore dhe muzikore: vjershat e këngëve të zonës homofonike janë më të gjata se ato të zonës polifonike.
Një ndër çështjet më të koklavitura është ajo e gjenezës së këtyre këngëve. Me këtë çështje janë marrë disa studiues, cilët kanë shfaqur mendime dhe opinione të ndryshme.
Së pari u vu në dyshim origjina popullore e «Rapsodive arbëreshë» të botuara nga De Rada. Albanologu Gustav Majer shprehu në një artikull dyshimin e tij rreth gjenuitetit të këtyre këngëve, për të cilat mendonte se mund të kenë pasur shtojca ala Makferson. Më vonë në një artikull tjetër Gustav Majeri shkruante lidhur me këtë çështje: «Nuk dua të vendos këtë libër në të njëjtën gradë me «Osianin» e Makfersonit; por sidoqoftë, do të ishte interesante të njihen këto këngë, nëse ekzistojnë me të vërtetë si janë te shqiptarët e Kalabrisë...»
Dyshimi i Majerit lidhur me këngët që shqiptarët e Kalabrisë morën me vete nga atdheu i stërgjyshëve zu të luhate; nga fjalët që kishte shkruar historiani Nikolla Leoni rreth përpjekjes së arbëreshëve në ruajtjen e «këngëve të lashta ose himneve heroike për lavdinë e Skënderbeut»
August Dozoni, megjithëse nuk pranonte aftësitë poetike të popullit tonë, e vlerësoi hijeshinë, larminë dhe fantazinë e «Rapsodive arbëreshe» të botuara nga De Rada, por ndërkohë vrojtonte: «Veçse s’është e mundur t’i shpëtosh dyshimit rreth origjinës vërtet popullore të pjesëve të këtij qëmtimi meqë botuesi nuk njofton asnjë nga rrethanat në të cilat u mblodhën këto rapsodi që i janë nënshtruar një arranzhim: kryekëput arbitrar...»
Në të vërtetë Jeronim De Rada ka dhënë mjaft shkoqitje të hollësishme lidhur me rrethanat e qëmtimit të këngëve arbëreshe
Siç e ka pohuar vetë De Rada, në disa vende ai i ka prekur «rapsoditë», me qëllim që të tregonte se ato ishin copa të shpërndara të një poeme të vjetër. Kjo ishte e meta kryesore e botimit të Jeronim de Radës. Po, sa i ka prekur e çfarë ndryshimesh ka sjellë? Për të dalluar ndërhyrjet e redaktimit nga krijimet nevojiten krahasime të imta midis teksteve të botuara dhe dorëshkrimeve të De Radës.
Me gjithë dyshimet e drejta rreth besnikërisë së De Radës në paraqitjen e këtyre «rapsodive», disa studiues mbeten të bindur nga vetë përmbajtja tematike, nga trajta dhe stili i këtyre këngëve se kemi të bëjmë me krijimtari popullore, se, përndryshe, po të ishin vepra të poetit, nuk do të kishin hyrë në ritualin e kremtimeve popullore dhe të dasmave tek arbëreshët, që i kanë ruajtur me aq ngulm traditat e të parëve. Këtë pikëpamje shprehu në një kumtesë edhe balkanologu prof. Alois Shmaus, i cili, për më tepër, ka botuar një syzim të veçantë rreth epikës së Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve të Italisë. Në këtë syzim A. Shmausi thotë midis të tjerave: «Duke marrë parasysh origjinalitetin e një pjese të madhe të vjershave që disponojmë sot, mendoj se nuk është e tepërt që të thellohemi ende në prejardhjen e këngëve popullore që pasqyrohen në to, po kështu dua të them edhe lashtësinë edhe lidhjet e tyre tematike». Pikëpamjet e këtij dijetari na duket se qëndrojnë më afër së vërtetës, sidomos lidhur me çështjen nëse këngët dhe gojëdhanat arbëreshe për Skënderbeun mërguan së këndejmi dhe u ruajtën me ngulm përmes shekujve, apo u krijuan atje në dhe të huaj ku mungonte mjedisi, rrethanat dhe kushtet e përshtatshme për një epos të këtillë heroik. Por disa studiues, lidhur me vazhdimësinë e këngëve popullore për Skënderbeun këtu në Shqipëri, mendojnë se ato janë zhdukur rreth gjysmës së parë të shekullit XIX. Dhe si argument për këtë sjellin faktin që, kur ardhi Hani këtu (në vitin 60 të atij shekulli), nuk gjeti ndonjë këngë të këtillë, ndonëse kërkoi.
Pa mohuar meritat e Hanit si mbledhës dhe botues i folklorit tonë, nuk është e drejtë të mbështetesh në gjurmimet e tij të pamjaftueshme për të bërë një pohim të tillë... Vetë Hani theksonte se «kërkimet e mia të mëparshme nuk ishin dhe aq të qarta e të plota». Ai tregon për disa pleq matjanë që mbanin mend se në rininë e tyre këndoheshin këngë për Skënderbeun, porse në kohën e tij (1863) ia thanë në mënyrë lakonike e të ngatërruar, se nuk këndoheshin më...
Edhe rreth çështjes së koklavitur të moshës së këngëve popullore për Skënderbeun janë shprehur mendime të ndryshme. Sikur të kishin trashëguar bashkë me dëshmitë historike të Barletit, Bardhit, etj. edhe shembuj të shkruar për këto farë këngësh, pa dyshim do të zgjidhej kjo çështje shumë më lehtë sesa duke u nisur detyrimisht nga degëzimet e motiveve për të arritur te trungu dhe te rrënjët e tyre. Sidoqoftë i mbështetur në parimin se këngët popullore të epikës historike janë moshatare me vetë ngjarjet përkatëse, Gaetano Petrota mendonte se pa dyshim këngët tradicionale arbëreshe që përmendin periudhën e Skënderbeut duhet të jenë krijuar në kohën kur ndodhën ngjarjet e përmbajtjes së tyre. Më tutje, Petrota shtonte: «Por edhe vetë përhapja e këtyre këngëve nëpër kolonitë shqiptare të Italisë me variantet e shumta të përmbledhjeve të ndryshme, shtjellimi i tyre metrik. trajta e tyre gjuhësore, janë shenja të sakta për origjinën e tyre thjesht popullore dhe për autenticitetin e tyre të padiskutueshëm». Lidhur me këtë çështje, që në shekullin e kaluar Dhimitër Kamarda bënte këtë vrojtim të rëndësishëm: «Sado që këto këngë janë të lashta për nga brendia dhe nga lënda e stili, do të ishte gabim i rëndë të besojmë se të gjitha kanë po një gradë vjetërsie. Sepse kopjet e shkruara të këtyre këngëve nuk janë të moçme, por të reja, këto kanë jetuar deri më sot në gojën e popullit, i cili vetvetiu priret t’i ndryshojë herë pas here sipas të folmes së vet. Prandaj ndër kolonitë italo-shqiptare për këngët kombëtare kryesore... tregojnë shumë e shumë variante»
Disa studiues të folklorit kapen vetëm pas ndonjë fjale të vjershave për të përcaktuar moshën e tyre. Duke u mbështetur vetëm në fjalorin apo në trajtën e vjershave, nuk mund të përcaktohet drejt koha e sajimit të këngëve popullore, të cilat, porsi organizma të gjalla, lindin, zhvillohen me kalimin e kohës, shartohen ose cungohen, kurse disa prej tyre dhe mund të zhduken fare. Çdo brezni sjell diçka të re dhe lë diçka të vjetër. Ky proces vazhdon pareshtur. Sa më e moçme që të jetë një kënge popullore, aq më shumë ndryshime mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj. Ajo mund të ketë ruajtur thelbin e ngjarjes historike me disa cilësi të përgjithshme duke e tjetërsuar në shumë pika nga elementet e epokave të mëvonshme, që rëndom shkaktojnë anakronizma. Kaq i pareshtur është tjetërsimi i këngëve popullore, saqë mund të vërehen ndryshime jo vetëm midis breznive, por edhe midis këngëtarëve të së njëjtës brezni; madje i njëjti këngëtar nuk i këndon gjithmonë njësoj të njëjtat këngë...
Kuptohet, pra, se nuk është e lehtë të gjesh zanafillën e këngëve popullore duke u nisur detyrimisht nga gjendja e tyre e fundit për t’u ngjitur deri te gurra e tyre. Po në ç’mënyrë mund të hetohet vjetërsia (dhe vërtetësia) e këngëve popullore me gjithë përpunimet, shtojcat dhe shartimet që mund të kenë pësuar gjatë kohës? Nuk mungojnë kriteret objektive për këtë qëllim. Duke u mbështetur në dëshmi diakronike dhe sinkronike, nëpërmjet shqyrtimit të gjithanshëm ta elementeve semantike dhe asemantike, duke shikuar gjithashtu lidhjet metroprozodike midis vjershave dhe joneve përkatëse etj., studimet etnomuzikologjike mund të arrijnë në shkoqitjen e thelbit të këngëve dhe në shoshitjen e elementeve të reja nga mbeturinat e vjetra. Bazën për një punë shkencore të thelluar e jep në radhë të parë gjurmimi sistematik i lëndës, kërkimi i varianteve nga trevat e ndryshme, përkufizimi i përhapjes dhe i shtresëzimit të tyre nëpërmjet sistemit hartografik, dhe, së fundi, shqyrtimi krahasimor i të gjitha motërzimeve, ndihmojnë për të gjetur arketipin dhe për të hetuar udhët e përhapjes së tyre...
Një ndër argumentet e rëndomta që përdoret për të shpjeguar numrin e kufizuar të këtyre këngëve, është koha e gjatë dhe qëndrimi i pushtuesit osman që nuk lejonte të këndoheshin haptazi këngë të këtilla. Pa dyshim kjo pikëpamje meriton të merret parasysh deri në një farë pike. Pesë shekuj janë shumë për kujtesën popullore, dhe s’është për t’u çuditur nëse ndërkohë këngët popullore për Skënderbeun erdhën duke u pakësuar e duke u rralluar për shkaqe të ndryshme. Por, nëse populli ynë ruajti këngët më të hershme rreth Luftës së Kosovës (1389), si mund të harronte plotësisht atë mori këngësh rreth lufterave 25-vjeçare që u bënë nën udheheqjen e kryetrimit Skënderbe?...
Ndonëse nuk matet dot me vite mosha e disa këngëve popullore që rrjedhin nga e kaluara, as nuk përcaktohet zanafilla ose parabola që kanë përshkruar gjatë rrjedhës së tyre prapëseprapë duket qartë se ndonjë motiv, si ai i Vrana Kontit (kënga e rrethimit të Krujës) që është aq i përhapur e me gjithë ato variante, nuk mund të jetë krijim i vonë... sepse ne të nuk shquhet asnjë element libresk, përveç frymës realiste dhe tipareve thjesht popullore. Nevojitej një kohë pak a shumë e gjatë për t’u krijuar variantet e ndryshme që dëshmojnë për vitalitetin e kësaj kënge të përhapur kryesisht nëpër të ashtuquajturën krahinë të Skënderbeut e që të kujtojnë ata filizat që dalin rreth trungut të ndonjë pemë shumëshekullore Duke krahasuar disa motërzime të kësaj kënge të qëmtuara në vise të ndryshme, vërejmë se kanë pak a shumë të njëjtën brendi që shtjellohet me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin stil me formula të gatshme, me disa fjalë, fraza e figura të ngjashme që na çojnë drejt një burimi popullor të përbashkët.
Rasti i ndonjë kënge popullore të vetmuar, për të cilën nuk janë gjetur variante, mund të kundrohet porsi fletë e shkëputur e ndonjë libri të humbur, meqë, mjerisht, kur zu të mblidhej folklori ynë, fletët e tjera i patën marrë pleqtë me vete. Folkloristët tanë gëzohen me të drejtë sa herë që zbulohet ndonjë motiv i rrallë e i panjohur...