Këta janë qenie as plotësisht njerëzore, as plotësisht hyjnore. Kanë një status të ndërmjetëm. Gjigantët janë luftëtarë të rinj. Ata simbolizojnë, në gjithësi, funksionin luftarak, urdhrin ushtarak karshi rendit mbretëror të Zeusit. Ngjajnë me Njëqindkrahëshit që kanë gjithashtu të njëjtat cilësi luftarake. Siç pamë, Njëqindkrahëshat kanë kaluar në anën e Zeusit, duke iu nënshtruar dhe pranuar autoritetin e tij. Mirëpo Gjigantët, që përfaqësojnë forcën e armëve, dhunën e pastër, fuqinë e trupit, rininë fizike, nisin të pyesin veten, përse të mos e kenë ata në dorë pushtetin suprem. Kjo është shtysa kryesore e luftës së Gjigantëve.
Kjo luftë është me rrezik të madh, sepse edhe ata kanë lindur nga Toka. Në shumë rrëfime, Gjigantët i sheh të lindin drejtpërsëdrejti nga Toka, si lufitëtarë tashmë të rritur. Nuk janë kurrë as vogëlushë e as djem të vegjël, e ca më pak plakaruqë: me të dalë nga Toka, ata paraqiten me pamjen e luftëtarëve të regjur në lulen e moshës. Ata dalin në botë me armët ngjeshur, me përkrenare, veshje hopliti, shtizën në njërën dorë, shpatën në tjetër. Me të lindur, zënë të përleshen me njëri-tjetrin, pastaj bashkohen e hyjnë në lufitë me perënditë. Në këtë luftë të përshkruar e të paraqitur shpesh, shihen olimpasit sesi përleshen kundër Gjigantëve. Athinaja, Apoloni, Dionisi, Hera, Artemisa, Zeusi, secili lufiton me armët e veta. Por Gjea i shpjegon Zeusit se perënditë nuk do t’ia dalin dot t’i mposhtin kundërshtarët. Dhe vërtet, megjithëse olimpasit u shkaktojnë dëme të mëdha kundërshtarëve, prapë nuk arrijnë dot t’i asgjësojnë. Me gjithë plagët dhe humbjet e pësuara, Gjigantët vazhdojnë mësymjen.
Fuqia e Gjigantëve është fuqia e një kohorte të një moshe, gjithmonë e përtërirë: të rinjtë që sapo e kanë nisur jetën ushtarake. Për të fituar, perënditë e Olimpit kanë nevojë për një aleat që të mos jetë hyjnor. Zeusi e sheh veten përsëri të detyruar të mbështetet te një vdekatar i thjeshtë për t’ i mposhtur Gjigantët. Ndoshta i lypset një vdekatar, pikërisht sepse këta Gjigantë djalosharë, që s’kanë qenë kurrë femijë e që s’do të jenë kurrë pleq, duken si qenie njerëzore. E megjithatë ata luftojnë me perënditë, e këto të fundit s’janë në gjendje t’i zhdukin fare. Janë diku mes vdekshmërisë dhe pavdekshmërisë. Statusi i tyre është po aq i papërcaktuar sa statusi i djaloshit të ri në lulen e rinisë: nuk është ende burrë i pjekur, por nuk është më as femijë. Të këtillë janë Gjigantët.