Fushata e vitit 230 p.Kr kundër Epirit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Fushata e vitit 230 p.Kr kundër Epirit

Shumë shpejt pas kësaj fushate duket se Agroni vdes dhe trashëgimi në fron i mbeti të birit, Pinit, që ai e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim, nuk e dimë, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t'i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk deshi t'ia kalojë këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë, ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të klasës sunduese ilire, "miqtë" e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta "ushtroi, siç thotë Polibi, drejtimin e punëve".

Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të Shtetit Ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Demetrin. Në vitin 230 p.Kr., një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, "jo më e vogël se ajo e Agronit", u vu përsëri në lëvizje drejt jugut Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht, flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte armike gjithë anëdetjen dhe t'i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Qëllimi duket i qartë: me aksionin e saj të shtrirë flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e Shtetit Ilir ndaj aleatëve të etolëve e aheasve, kurse forcat kryesore do të goditnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Dhe kështu ndodhi. Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t'u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët, të shqetësuar, dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin buzë lumit që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5.000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre, nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq, ilirët që kishin zënë Foiniken, ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundi të shpëtojë e të arrijë, siç na thuhet, tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.

Pas këtij dështimi epirotët humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t'u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikranon (një vend i paidentifikuar, diku në pellgun e Vurgut). Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes tok me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga Qafa e Skërficës për të arritur në Foinike. Të dy palët kundërshtare u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqen nga Epiri, për t'u dalë përpara dardanëve, që po sulmonin nga Lindja, dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.

Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan, nuk mund ta themi, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhshme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundonte. Përfaqësuesit epirotë ia mbërritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akamanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe Shtetit Ilir.

info@balkancultureheritage.com