Gjendja kishtare në trojet e Kastriotëve
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Gjendja kishtare në trojet e Kastriotëve

~Aleksandër Meksi

Shekulli XV ishte një shekull i trazuar për popujt e Gadishullit Ballkanik me luftëra dhe zhvillime të cilat tjetërsuan tablonë e  organizimeve shtetërore, feudale e pronësore. Vendosja e pushtetit osman, që zgjati thuajse pesë shekuj, pati riperkursione të thella në drejtim të organizimit të jetës shoqërore dhe besimit fetar. Edhe Shqipëria në të tilla rrethana nuk mbeti jashtë këtyre transformimeve rrënjësore megjithë rezistencën mbarëpopullore dhe luftën për pavarësi e mosnënshtrim që kulmoi për një çerekshekull nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit.

Kemi pasur rastin në një konferencë të mëparshme të qartësojmë tablonë e ndryshimeve të dukshme në strukturat e organizimit kishtar në Shqipëri gjatë shekullit XIV si rezultat i marrjes fund të sundimit
bizantin në trojet e shqiptarëve. Dukuria e rëndësishme është mospërmendja, pra suprimimi i Metropolisë ortodokse të Durrësit (Dyrrachion). Atë e takojmë për herë të fundit në aktet kishtare që
ruhen nga viti 1343. Madje edhe për këtë rast, siç vëren me të drejtë Allain Ducellier, nuk jemi të sigurtë në se titullari i metropolisë është në Durrës a qëndron gjetiu. Por, pavarësisht nga kjo, nuk mund të
themi se me zhdukjen e metropolisë ortodokse të Durrësit zhduket dhe kleri ortodoks në përgjithësi e për pasojë edhe besimi ortodoks, nga territoret deri atëherë në vartësi të saj. Le të kujtojmë këtu
dukurinë e njëjtë të shekujve të mëparshëm, gjatë sundimit bizantin, në Durrës krahas metropolitit ortodoks kishte edhe një arqidjak katolik, rezultat dhe dëshmi e lidhjeve të vjetra kishtare dhe historike
me latinitetin roman, por dhe i tolerancës ndërfetare e traditës të rrënjosur në këtë lëmë, sepse, siç vëren Shuflai, nuk takojmë në Shqipërinë mesjetare gjurmë të luftës fanatike ndërmjet dy besimeve.

Gjatë fundshekullit XIV dhe atij të Skënderbeut Papati, në rrethana tashmë të favorshme për të (kujtojmë këtu sundimin venedikas, që shtrihej nga Durrësi në Tivar e më në veri, e në
prapatokën e tyre - kadastra e Shkodrës është një dëshmi), fitoi terren për t'u shtrirë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, por të arrijë në brendësi të Kosovës e trevave pranë ( Prizren e Shkup).

E përsëritim edhe një herë se sot janë të gjitha mundësite për ta pasur të plotë dokumentacionin e botuar, madje dhe mundësi për kërkime më të thelluara në arkiva, prandaj besoj se mund të kemi në dorë të gjitha burimet dhe dokumentet e botuara si dhe ato që ruhen për ta njohur më mirë historinë e organizimit kishtar në veçanti dhe në kuadër të historisë mesjetare.

Në trojet ku shtriheshin në kohë zotërimet e Kastriotëve dhe ato pranë tyre kanë ekzistuar disa seli peshkopale për të cilat ka të dhëna të mjaftueshme për qenien e tyre në kohë d.m.th. emra të peshkopëve në raste emërimesh a përmendje të selive të tyre në vite të caktuara. Ato vareshin nga dy kryepeshkopata katolike ajo e Antivarit (Antibarense) dhe e Durrësit (Durrachiense). Nga kryepeshkopata e Tivarit pranë trojeve të Kastriotëve mundet dhe në një pjesë të tyre ka qenë Peshkopata e Arbrit (Arbanense) për selinë e së cilës ne jemi shprehur se ka qenë manastiri i famshëm dhe i vjetër i Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtë, në Orosh të Mirditës.

Nga kryepeshkopata e Durrësit vareshin peshkopatat e Lezhës (Alexiense), e Krujës (Croense), Kunavisë (Conaviense) si dhe e Stefaniakës e Bendës (Stephanense et Bendense), territoret e të cilave zotëroheshin nga Kastriotët apo ishin pranë tyre.

Krahas tyre në troje të Kastriotëve duhet të përmendim dhe peshkopatën ortodokse të Dibrës, e krijuar në fillim të shekullit XII në varësi të Patriarkatit të Ohrit, selia e të cilit ishte në Peshkopinë e sotme, ku në një kodër aty pranë ruhen dhe rrënojat e manastirit, si dhe lidhje të vjetra të rajonit me kishën e Ohrit sidomos gjatë shekujve XIII-XIV, rezultat i zbehjes së sundimit bizantin.

Për ne është jashtë çdo dyshimi se në peshkopatat më pranë Durrësit, që siç pamë deri në mesin e shekullit XIV vareshin nga Patriarkana e Kostandinopojës, ka pasur kisha e manastire si dhe shërbyes të fesë që praktikonin ortodoksinë dhe ruanin lidhjet me kishën ortodokse në territoret më në jug, të cilat në aspektin kishtar vazhdonin të ishin në vartësi të Ohrit, madje dhe me qendra të tjera të rëndësishme të ortodoksisë, si Kostandinopoja dhe Mali i Shenjtë. Një dukuri të ngjashme e dëshmonte për territoret pranë Durrësit në vitin 1322 (sigurisht larg në kohë) udhëtari Simeon Simeonis, i cili tregon se në brendësi të vendit kishte skizmatik. Kujtoj gjithashtu këtu vëllain e heroit Reposh Kastriotin që u mbyll murg në manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë pranë Selanikut ku ndodhet dhe sot varri i tij, apo
oshënarin Nifon, i cili qëndroi për disa kohë në Krujë. Dëshmi të tjera përbëjnë dhe përdorimi në kanceleritë e disa fedualëve vendës i dokumenteve në gjuhën greke dhe atë sllave.

Sido që të jetë e dhëna kryesore e këtij shqyrtimi mbetet nënrendimi i krypeshkopatave ndërmjet luginave të Matit e Shkumbinit, përfundimisht në juridiksionin e kishës katolike. Po kështu nuk duhet të harrojmë, siç thamë më lart, lidhjet me Ohrin, d.m.th. praninë dhe ndikimet e kishës ortodokse.

Edhe studimi i arkitekturës së monumenteve të kultit, që ndërtohen në këtë periudhë, edhe pse të paktë në numër, flasin për një arkitekturë me tipare romaniko - gotike e cila futet në vendin tonë nga Durrësi dhe bregdeti Dalmatin, ku mjeshtrat shqiptarë mbizotërojnë dhe shquhen, duke pasur dhe ndikime të traditës bizantine në tipologji dhe teknikën e ndërtimit. Ndërsa për numrin e kishave në trevat që na interesojnë, na flasin më së miri relacionet e të dërguarve të Romës në gjysmën e parë shekullit XVII kur vizitojmë Shqipërinë e Veriut dhe atë të Mesme. Ato, përkthyer e përgatitur për botim nga Injac Zamputi, janë një minierë e vërtetë të dhënash të shumëllojshme për vendbanimet, numrin e banorëve dhe shenjtorët të cilëve ju dedikohen ndërtesat e kultit, aspekte deri më sot pak të studiuara.

Kisha e kohës pati prelat e shërbyes të shumtë vendës, krahas të huajve, të cilët shquheshin ndërkohë dhe kontribuonin në rezistencën shumëpalësh ndaj pushtimit osman dhe jo vetëm në të, por edhe në fusha të tjera, për çka kemi ende dëshmi të pakta, do të mjaftohemi këtu të përmendim peshkopin e Durrësit Pal Engjëllin dhe Formulën e Pagëzimit.

Për të përfunduar, po përsëritim çka theksuam qysh në fillim se botimi shkencor i të gjithë dokumentacionit kishtar për këto shekuj është hapi i parë dhe i domosdoshëm që duhet të ndërmarrin studimet pësuese, duhet të jenë të bashkërenduara në qoftë se duam një këthesë të shpejtë e të suksesshme në kërkimet shqiptare dhe për këtë janë mundësitë.

info@balkancultureheritage.com