Gjithëfuqishmëria e Zeusit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Gjithëfuqishmëria e Zeusit

Ja pra, tek mori fund akti i parë. Zeusi është tashmë fitimtari. Ai ka marrë mbështetjen e Ciklopëve dhe të Njëqindkrahëshve, por edhe përkrahjen e disa prej titanëve, në veçanti, atë të perëndeshës Stiks, që përfaqëson gjithçka që bota e nëndheshme, bota e ferrit, si dhe bota e ujit mund të mbartin si fuqi të rrezikshme. Ajo rrjedh në theilësi të tokës, kalon nëpër Tartar, pastaj papritmas del në sipërfaqe. Uji i Stiksit është kaq i fuqishëm, saqë çdo vdekatar që dëshiron të pijë nga ky ujë, bie menjëherë pa jetë. Gjatë betejës, Stiksi vendos të lërë kampin e Titanëve, të cilit i përket nga prejardhja, e të kalojë në anën e Zeusit. Duke u radhitur pranë tij, ajo merr me vete dy femijët e saj, njëri quhet Krat, tjetra Bie. Krati përfaqëson aftësinë sunduese, aftësinë për të nënshtruar dhe për t’iu imponuar kundërshtarëve. Bieja mishëron dhunën e vrazhdë që është e kundërta e dredhisë. Pas fitores së tij ndaj Titanëve, Zeusi i mban ata vazhdimisht me vete: Kratin, fuqinë e dominimit universal dhe Bienë, mundësinë përtë lëshuar një forcë të papërballueshme. Sa herë që Zeusi zhvendoset e kudo që shkon, Krati dhe Bieja i rrinë pranë, të vendosur në të djathtë e në të majtë të tij.

Duke parë këtë gjë, perënditë e Olimpit, vëllezërit e motrat e tij, vendosin që skeptri t’i kthehet Zeusit. Titanët e kahë paguar çmimin e poshtërsisë së tyre dhe tashmë Zeusi merr përsipër të ushtrojë sovranitetin. Ai i ndan përsëri midis perëndive nderet dhe privilegjet. Themelon një gjithësi hyjnore e cila është hierarkike, me rend, e organizuar dhe që, për rrjedhojë, do të jetë e qëndrueshme. Teatri i botës është ngritur, dekori është vendosur. Në majë mbretëron Zeusi, rregulluesi i një bote të dalë në zanafillë nga Kaosi.

Të tjera pyetje shtrohen. Urani dhe Kroni ishin qenie të ngjashme në shumë drejtime. Që të dy karakterizohen nga fakti që nuk donin të shihnin që të bijtë t’u zinin vendin. Si njëri dhe tjetri i penguan pasardhësit e vet të dilnin në dritë. Këto perëndi të hershme përfaqësojnë një shtresë hyjnore, e cila nuk pranon që një tjetër shtresë hyjnore t’ia zërë vendin në pasimin e breznive. Por, përveç këtyre analogjive, personazhi i Uranit nuk ka të bëjë fare me personazhin e Kronit nga pikëpamja e fabulës dhe e tregimit. Urani, i lindur nga Gjea, më pas çiftëzohet me të pafundësisht. Qëllim i tij i vetëm është si e si të bashkohet seksualisht me atë që e ka lindur, në një çiftëzim të pandërprerë. Urani nuk ka dredhi, është i pambrojtur. Atij s’i shkon ndër mend për asnjë çast që Gjea mund të dojë të marrë hak ndaj tij.

Ndryshe nga Urani, Kroni nuk i ngec trashëgimtarët e tij në barkun e nënës, por në barkun e vet. Urani i bindet instinktit të tij primitiv të Erosit që e ka paralizuar, të ngulur sipër Gjeas. Ndërsa për Kronin, gjithçka që bën është përcaktuar nga vullneti i tij për të ruajtur pushtetin, për të mbetur sovrani. Kroni është politikani i parë. Ai është jo vetëm mbreti i parë i perëndive, mbreti i parë i gjithësisë, por dhe i pari që mendon në mënyrë dinake e politike, nga frika se mos i rrëmbejnë skeptrin.

Me Zeusin merr formë një gjithësi shumë e ndryshme. Janë të barabartët me të ata që vendosin ta bëjnë mbret. Ai i ndan me drejtësinë më të madhe nderet që meriton secili. Ua lë privilegjet edhe disa fuqive titanike që i zotëronin ato para se të vinte ai në pushtet e që nuk u rreshtuan qartas në njërën a në tjetrën anë të konfliktit të perëndive. Kështu, Oqeani, Okeanos, ky lum që qarkon botën, nuk u shpreh as për Titanët, as për Olimpiasit. Mirëpo, paçka se qëndroi asnjanës, ai do të vazhdojë të vigjilojë në kufijtë e jashtëm të botës, duke e shtrënguar në qerthullin e tij të lëngshëm.

Zeusi ia ruan, madje edhe ia zgjeron të gjitha privilegjet Hekatës, një hyjni femërore e cila nuk hyri as ajo në sherr.   Eshtë e vërtetë që, në ndarjen e pushteteve që urdhëron Zeusi, Hekata zë një vend të veçantë. Kjo hyjni nuk është veçanërisht qiellore a tokësore, por përfaqëson në një botë hyjnore mashkullore, të organizuar me shumë rreptësi, një trajtë loje, kënaqësie të këndshme, rastësie. Ajo mund ta favorizojë dikë ose, përkundrazi, ta dëmtojë, pa ndonjë arsye të qartë. Hekata fal sipas qejfit lumturinë a fatkeqësinë. Në ujë, është ajo që bën ose jo që të gëlojnë peshqit, në qiell zogjtë e në tokë bagëtia. Ajo mishëron një element tekanjoz në botën hyjnore dhe fut aty një grimë rastësie. Zeusi dhe Gjea e zotërojnë kohën, ata e dinë qysh më parë se si do të rrjedhin gjërat. Hekata i lyen ingranazhet me ca vaj, çka bën që bota të funksionojë në mënyrë më të lirë, duke lënë pak shteg për të papriturat. Privilegjet e saj janë mjaft të mëdha.

Mund të mendohej se tashmë gjithçka është në vendin e vet, por natyrisht s’është kështu. Brezi i ri hyjnor ka mbërritur. Në krye të tij gjendet Zeusi, mbreti i perëndive, që jo vetëm e ka zëvendësuar Kronin, por që është e kundërta e tij. Kroni ishte mosdrejtësia, ai i shpërfillte aleatët, ndërsa Zeusi e bazon sundimin e tij mbi njëfarë drejtësie, me një merak për barazinë në mënyrën se si sillet me hyjnitë e tjera. Ai i ndreq ato elementë të sundimit të Kronit që kishin qenë të njëanshëm, vetjak, të dëmshëm dhe vendos një formë sovraniteti më të matur, më të i ekuilibruar.

Koha rrjedh. Zeusi bëhet me femijë e, afermendsh, këta fëmijë shpejt rriten e bëhen shumë të fortë e të fuqishëm. Mirëpo, ka diçka në mënyrën sesi funksionon bota që përbën një kërcënim për gjithësinë hyjnore. Për t’u bërë madhore, qeniet duhet të rriten dhe koha kërkon haraçin e vet nga çdo gjë: dhe vetë Zeusi dikur qe një foshnjë e vogël e mbështjellë në pelena, që qante në shpellën ku qe fshehur, i mbrojtur me roje. Tani është në lulen e moshës, por a nuk do të vijë edhe për të e tatëpjeta? Mos nuk vjen vallë dhe për perënditë, ashtu si për njerëzit, një çast kur mbreti plak e ndien që nuk është më pikërisht ai që ka qenë, kur sheh përbri të birin riosh që dikur mbronte, të bëhet më i fortë se ai vetë e t’ia dalë mbanë atje ku ai tani dështon? A nuk do t’i ngjasë kjo edhe vetë Zeusit? Ashtu siç shfronësoi Kroni të atin, Uranin, e më pas Zeusi babanë e vet, Kronin, a do të shfronësohet edhe vetë Zeusi nga ndonjë bir? E pta po, kjo është e mundur, madje duhet të ngjasë. Është si e shkruar qysh më parë në radhën e kohës. Gjea e di. Edhe Rea e di. Dhe Zeusi, i paralajmëruar, duhet të marrë masa për t’i dalë përpara kësaj të papriture. Rregulli që ka vendosur ai, duhet të jetë i tillë që të mos vihet më në pikëpyetje nga ndonjë luftë për trashëgimin e fronit. Me t’u bërë mbret i perëndive,

zot i botës, Zeusi nuk mund të jetë një sundimtar dosido. Atij i lypset ta mishërojë vetë parimin e sovranitetit, fuqinë e një sundimi të përhershëm e përfundimtar. Një nga çelësat e këtij stabiliteti për një mbretërim të pandryshueshëm që zëvendëson një mori mbretërimesh të njëpasnjëshme qëndron te martesa e këtij hyji sovran.

info@balkancultureheritage.com