Histori e këtij revolucioni në Spartë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Histori e këtij revolucioni në Spartë

Sparta ka pasur gjithnjë mbretër e megjithatë revolucioni për të cilin po flasim, u zhvillua edhe atje njëlloj si edhe në qyteza të tjera.

Duket se mbretërit e parë Dorë sunduan si zotë absolutë. Por duke filluar nga brezi i tretë, mes mbretërve dhe aristokracisë do të nisnin grindjet. Për dy shekuj radhazi do të shpërthenin një seri luftërash, të cilat do e bënin Spartën një prej qyteteve më të trazuara të Greqisë; është fakt i njohur, që një prej këtyre mbretërve, babai i Likurgut, u vra gjatë një lufte civile.

Asgjë nuk është më e errët se historia e Likurgut; biografi i tij i lashtë nis me këto fjalë: "Rreth tij nuk mund të thuhet asgjë që nuk lë vend për diskutim." Por më së paku, një gjë është e sigurt, Likurgu u shfaq në mesin e mosmarrëveshjeve, "në një periudhë kur qeverisja luhatej mes trazirash të përhershme". Ajo që shfaqet më qartë lidhur me të në të gjithë informacionet që kanë mbërritur deri te ne, është fakti se reforma e kryer prej tij i dha mbretërisë një goditje, prej së cilës ajo nuk do e merrte veten kurrë. "Nën mbretërimin e Karilaos, thotë Aristoteli, monarkia ia la vendin aristokracisë." Mirëpo Karilaos ishte mbret, kur Likurgu ndërmori reformën e tij. Gjithashtu, nga Plutarku dimë se Likurgu do të ngarkohej me detyrën e ligjvënësit vetëm gjatë shpërthimit të kryengritjes, gjatë së cilës, mbretit Karilaos iu desh të strehohej në një tempull. Për një çast, Likurgu kishte mimdësinë të eliminonte mbretërinë; por ai nuk e bëri këtë, pasi gjykoi se mbretëria ishte e domosdoshme dhe familja mbretërore e pacenueshme. Por nga ana tjetër, ai vendosi që këtej e tutje, për sa i përket qeverisjes, mbretërit do ti nënshtroheshin Senatit dhe ata do të vazhdonin të ishin vetëm kryesues të kuvendit dhe zbatues të vendimeve të tij. Një shekull më vonë, mbretëria do të dobësohej edhe më dhe asaj do t'i hiqej krejtësisht pushteti ekzekutiv; ai iu besua magjistratëve të përvitshëm, të cilët u quajtën eforë.

Nisur nga atributet që do të mermin eforët, mund të gjykohet lehtë rreth pushtetit të paktë që iu la mbretërve. Eforët jepnin drejtësinë në çështjet civile, ndërkohë që Senati gjykonte veprat penale. Eforët, pas dhënies së mendimit nga ana e Senatit, shpallnin luftën apo rregullonin klauzolat e traktateve të paqes. Në kohë lufte, dy eforë shoqëronin mbretin, me qëllim që ta kishin atë nën mbikëqyrje; ata vendosnin rreth planit të fushatës ushtarake dhe udhëhiqnin të gjifha operacionet luftarake. Çfarë u mbetej, atëherë, mbretërve, në rast se atyre u hiqej drejtësia, marrëdhëniet me jashtë, operacionet ushtarake? U mbetej vetëm funksioni priftëror. Herodoti përshkruan prerogativat e tyre: "Nëse qyteti ofron një flijim, ata kanë vendin e parë gjatë vaktit të shenjtë; ata shërbehen të parët dhe atyre u jepet një racion i dyfishtë. Gjithashtu ata bëjnë të parët spërkatjen e shenjtë dhe atyre u takon lëkura e viktimave. Secilit prej tyre i jepet, dy herë në muaj, një viktimë, të cilën ata e flijojnë për nder të Apollonit." "Mbretërit, thotë Ksenofoni, përmbushin flijimet publike dhe marrin pjesën më të mirë të mishit të viktimave." Edhe pse ata nuk gjykojnë as çështjet civile e as ato penale, atyre u rezervohet gjithsesi e drejta për të gjykuar në disa çështje që i përkasin fesë. Në rast lufte, njëri prej dy mbretërve marshon gjithnjë në krye të trupave, bën çdo ditë flijime dhe këshillohet njëkohësisht me ogurët. Në prani të armikut, ai flijon viktimat dhe kur shenjat janë të favorshme, ai lëshon kushtrimin për nisjen e betejës. Gjatë luftimeve, ai shoqërohet nga fallxhorët dhe fyelltarët, të cilët i tregojnë atij vullnetin e perëndive dhe luajnë himnet e shenjta. Spartanët thonë se, ai që komandon është mbreti, pasi është ai që ka në dorë fenë dhe oguret; por, në të vërtetë, janë eforët dhe polemarkë t ata që urdhërojnë të gjitha lëvizjet e ushtrisë.

Pra, me plot të drejtë mund të thuhet se mbretëria e Spartës ishte mbi të gjitha një funksion priftëror i trashëgueshëm. I njëjti revolucion, i cili do të eliminonte pushtetin politik të mbretit në të gjitha qytetet, do e eliminonte atë edhe në Spartë. Pushteti i përket në të vërtetë Senatit, i cili udhëheq dhe eforët zbatojnë. Mbretërit, në gjithçka që nuk i përket fesë, u nënshtrohen eforëve. Kështu, Herodoti mund të thotë se Sparta nuk e njeh regjimin monarkik dhe Aristoteli shkon akoma më tej, duke thënë se Sparta është aristokraci.

info@balkancultureheritage.com