Kaonët e pavarur (shekujt V-IV p.e.sonë)
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Kaonët e pavarur (shekujt V-IV p.e.sonë)

Tukididi (II, 80, 5) është autori i parë i lashtë që i ka përmendur kaonët në fillim të Luftës së Peloponezit, lidhur me ngjarjet e verës së vitit 429. Ata figurojnë midis atyre që historiani i cilëson si “barbarë”, aleatë të Spartës; ata dërgojnë një kontigjent prej një mijë burrash dhe Tukididi saktëson se kaonët janë abasileutoi (pa mbret); Tukididi fut te “barbarët” edhe tesprotët, molosët, atintanët, parauejt dhe orestët. Në të vërtetë, për një athinas, këto popullsi të veri-perëndimit nuk flasin një greqishte korrekte; për më tepër, sikurse e nënvizon Pseudo-Skylaksi (28), “ata jetojnë në fshatra”. Midis këtyre popullsive, kaonët, ende në shekullin e V, ushtrojnë një hegjemoni të vërtetë mbi fqinjët e tyre (Strabon, VII, 7, 5 c 324) dhe mbahen si luftëtarët më të mirë (Tukidid, II, 81, 4). Gjatë Luftës së Peloponezit, Korkyra tronditet thellë nga një luftë e egër civile që vë përballë demokratët dhe aristokratët; është ky padyshim momenti për kaonët që shtijnë në dorë territoret kontinentale të kontrolluara nga korkyrasit, për t’i përfshirë ato në gjirin e bashkësisë së kaonëve; pikërisht në këtë kohë Butroti hyn në tërësinë kaone.

Në vitin 385, ilirët e Bardhylit, të armatosur nga Denisi, tiran i Sirakuzës, u shkaktojnë një humbje shkatërruese molosëve që humbin pesë-mbëdhjetë mijë burra në luftë (Diodor i Sicilisë, XV, 13, 1-3). Vështirë që ilirët të ardhur nga veriu të kenë mundur të përballen me molosët, pa kaluar nëpër Kaoni, me shumë gjasë duke ndjekur luginën e Drinos, por nuk dihet asgjë për qëndrimin dhe fatin e kaonëve në këtë përballje. Molosët duket se e marrin shpejt veten, aq sa në Epir supremacia kalon nga kaonët te molosët, të cilët e zgjerojnë territorin e tyre në dëm të tesprotëve në perëndim dhe kasopasve në jug; ata marrin në dorë kontrollin e tempullit të orakullit të Dodonës; por nuk është e pamundur që supremacia të jetë vendosur përpara sulmit ilir të vitit 385.

Kaonët e humbën mbretërinë e tyre, sikurse edhe tesprotët, ndryshe nga molosët, orestët dhe parauejt që e ruajtën atë, sipas Tukididit. Për kaonët është fjala me sa duket në vitin 429, për një zhvillim të kohëve të fiindit, sepse ata janë drejtuar nga dy magistratë të përvitshëm, të quajtur prostatë nga Tukididi, të cilët dilnin nga familja princërore, ashtu sikurse familja e vjetër mbretërore e zgjeruar duhej, çdo vit, të nxirrte dy magistratë. Prostasia është një magistraturë shumë e njohur në Epir dhe më gjerë, që përfaqësonte një magistrat që ishte mbrojtës i popullit, sikurse në Sirakuzë, ose kryetar, ose ndonjëherë mëkëmbës, kuptime që mund të shkonin të gjitha për kaonët. Këta magistratë drejtonin vendin e kaonëve krahas një Asambleje popullore, për të cilën nuk dihet asgjë në epokën klasike.

Gjatë çerekut të tretë të shekullit të IV, organizimi i shteteve në Epir, në jug të Kaonisë, është përshtatur në formë me zgjerimin gjithnjë e më të madh të koinonit të molosëve të drejtuar nga dinastia e Ajakidëve. Molosët e shtrijnë zotërimin e tyre drejt perëndimit në dëm të tesprotëve dhe në drejtim të jugut mbi tokat e kasopasve. Krahasimi i dy listave të tearodokëve, asaj të Epidaurit që datohet në vitet 360, dhe listës së Argosit që i takon një brezi më vonë, është shumë domethënës: ndërsa Epiri, në listën e parë, është i ndarë në shtatë shtete që vizitohen nga teorët e ardhur nga Epidauri, të dërguarve fetarë të ardhur nga Argosi u mjafton të vizitojnë mbretëreshën Kleopatra, gruaja ose e veja e mbretit Aleksandër Molosit, që është gjithashtu e bija e Filipit të II të Maqedonisë, pra motra e Aleksandrit të Madh, dhe pastaj të shkojnë në Foinike. Kjo do të thotë se rreth vitit 330, uniteti i Epirit është forcuar shumë përreth fronit të Ajakidëve; vetëm kaonët kanë mbetur jashtë këtij bashkimi dhe vazhdojnë të formojnë një shtet të pavarur.

info@balkancultureheritage.com