Koço Zheku - Monumenti i Agnotetëve
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Koço Zheku - Monumenti i Agnotetëve

Në qytetin antik të Apollonisë, në vitin 1930, u zbulua një ndërtesë publike, e cila nga autori i zbulimit, arkeologu francez Leon Rei, u emërtua Monumenti i Agonotetëve.

Kjo ndërtesë bënte pjesë në kompleksin e gjerë arkitektonik, ku përfshiheshin ndërtimet më të rëndësishme të qytetit të Apollonisë, si Odeoni, biblioteka, harku triumfal, etj. (shiko planin fig. 1).

Leon Rei e ka studjuar këtë monument me hollësi dhe rezultatet përfundimtare i ka përmbledhur në një artikull të botuar në revistën «Albania» në vitin 1935.1 2) Ai në mënyrë të detajuar përshkruan planimetrinë e ndërtesës, ambientet që përfshihen në te dhe mbeturinat e konstruksioneve të saj. Shkurtimisht jepen të dhëna mbi materialet dhe teknikën e ndërtimit si dhe përfundimi i arritur nga arkitekti i misionit arkeologjik francez Emil Grand, lidhur me rikonstruksionin e pamjes kryesore të monumentit të Agonotetëve (fig. 2).

Autori duke bërë krahasime me monumente të ngjashme, përsa i përket planimetrisë, përcakton funksionet dhe kohën e ndërtimit të këtij monumenti.

Mbishkrimi në gjuhën greke, që u gjet i gdhendur mbi bloqet e gurëve të arkitraut të kolonadës, i cili bën fjalë për ndërtimin e monumentit prej Quintus Villius Crispinus Furius Proculus, për nder dhe në kujtim të vllait të tij të vdekur, është studjuar dhe botuar në të njëjtën numër të revistës Albania, nga Adrien Bruhl.

Për disa të dhëna që jepen nga autori në këtë botim dhe në mënyrë të veçantë lidhur me rikonstruksionin e pamjes kryesore të këtij monuinenti, kemi një serë vërejtjesh dhe disa herë mendime krejtësisht të kundërta, të cilat, siç do të shohim më poshtë hedhin një dritë të re mbi pamjen arkitektonike të monumentit të Agonotetëve.

Qysh në njohjen e parë me mbeturinat e konstruksioneve dhe elementeve arkitektonikë që dalloheshin në grumbullin e madh të gurëve të rrëzuar para shkallëve të monumentit (fig. 3), vumë re se shumë nga elementët arkitektonikë të rëndësishëm nuk përmendeshin në materialin e botuar dhe disa të tjerë ishin keqinterpretuar.

Duke u nisur nga këto vrojtime të sipërfaqëshme, ne menduam se do të ishte me interes, që të përcak-toheshin me saktësi të gjithë elementët arkitektonikë që ishin të dukshëm në vëndin e rrëzimit të tyre. Studimi dhe vizatimi ekzakt e i hollësishëm i të gjitha mbeturinave të fasadës së rrëzuar përpara monumentit, na dhanë mundësin që të bëjmë një rikonstruksion grafik të pjesshëm, duke vendosur në të pjesën më të madhe të elementeve arkitektonikë që ishin të dallueshëm. Nëpërmjet këtij studimi paraprak ne gjithashtu arritëm pjesërisht edhe në rikompozimrn arkitektonik fillestar të pamjes kryesore të monumentit të Agonotetëve. Por që të arrinim në një rikonstruksion të plotë dhe të dokumentuar të pamjes kryesore të këtij monumenti, ishte e domosdoshme që të njihej dine studiohej i gjithë materiali që akoma ishte i pazbuluar krejtësisht, si dhe ai që mund të gjendej nën grumbullin e madh të gurëve të rrëzuar.

Për këtë qëllim i lëvizëm të gjithë blloqet e gurëve nga vëndi i rrëzimit dhe i ndamë ata në grupe simbas funksionit, të ndihmuar në këtë rast nga dekoracioni apo përmasat e barabarta të tyre (fig. 4). Në fazën e parë të këtyre punimeve, që u kryen në muajt shtator-tetor të vitit 1970, u volën të gjitha të dhënat edhe nga materiali që ishte i mbuluar. Në këtë mënyrë u njohëm me të gjithë elementët arkitektonikë, që ruheshin në gjëndje të plotë, si edhe mo ata të dëmtuar nga rrëzimi i tyre. Në pjesën më të madhe blloqet që u gjetën të thyer në shumë copa u ngjitën në mënyrë të sigurtë, për tu ripërdorur në vëndin dhe funksionin e tyre fillestar. Fragmentet e shumta të dekoracionit arkitektonik u mblodhën me kujdes dhe, në shumicën e tyre, gjithashtu u ngjitën me pjesët nga ku ishin thyer.

Ndërhyrja e jonë e përqëndruar vetëm në mate-rialin e rrëzuar të pamjes kryesore, përveç të tjerave, na bëri të ditur se monumenti i Agonotetëve ishte grabitur shumë kohë para so të zbulohej nga arkeologu Leon Rei. Në mbarim të fazës së parë të kësaj pune ne e kishim të qartë dhe të dokumentuar të gjithë materialit që ruhej deri në ditët tona.

Si përfundim, del se, pjesa më e madhe e materialeve konstruktivë dhe arkitektonikë, që ruhen nga portiku i perket frontonit (fig. 17), të cilin si L.Rei ashtu edhe E.Grand jo vetëm që nuk e përmendin fare, por, sikurse duket qartë në rikonstruksionin e paraqitur prej tyre, nuk e pranojnë si element të pamjes kryesore të monumentit të Agonotetëve.

Në gjëndje mjaft të mirë u gjetën edhe tre (nga të gjashtë) kapitelet (fig. 6), ndërsa nga dy bazamente kolonash njeri ishte shumë i dëmtuar. Nga trupat kolonave, ne gjetëm vetëm dy copë, njeri me kanelyra (fig. 5), i përket pjesës së sipërme të trupit, kurse tjetri, pa kanelyra, është i pjesës së poshtëme (fig. 6). Ndërmjet gurëve u gjetën edhe disa fragmente të vogla, mbeturina nga trupa kolonash të thyera gjat rënies.

Bloqet e tjerë të gurëve të punuar, që ishin zbuluar me shurnicë (gjithësejt 12 copë) në afërsi të qoshes veriperëndimore, u përkasin respektivisht mureve anësorë dhe ballorë të portikut.

Nëpërmjet studimit të hollësishëm që ju bë gjithë materialit që u gjet i rrëzuar përpara monumentit, u arrit të bëhej një rikonstruksion i plotë dhe i dokumentuar i gjithë pamjes kryesore të monumentit të Agonotetëve (fig. 7). Në një fazë të dytë ne gjithashtu bëmë përpjekje, për të vendosur provizorisht të mbështetur në tokë të gjithë bloqet e gurëve simbas radhës së tyre, duke arritur në këtë mënyrë një ringritje të frontonit të pamjes kryesore të monumentit. Në këtë vendosje provizore zunë vëndin e tyre të gjithë blloqet e gurëve, që u gjetën në vendin e rrëzimit, duke filluar që nga arkitrau i kolonadës dhe deri në kulmin e frontonit (fig. 8).

Ndërhyrja e jonë në këtë monument, me gjithëse siç e thamë u kufizua vetëm në materialin e rrëzuar të portikut, ndryshoi pjesërisht edhe pamjen e përgjithëshme të monumentit, prandaj mendojmë se do të ishte me vënd që të japim një përshkrim të shkurtër të gjëndjes në të cilën ndodhej monumenti para fillimit të punimeve tona.

Nga monumenti i Agonotetëve ruhet akoma e qartë planimetria e ndërtesës, në formën e një drejtkëndëshi me përmasa 14.40 x 19.20 mn). (fig. 9) dhe muret perimetralë deri në 2 m, lartësi. Ndërtesa e monumentit ndahet në dy ambiente kryesorë, portiku i vendosur përpara hyrjes dhe një sallë e madhe brenda tij. Gjurmët e vestibulit, brënda kësaj salle, që përshkruhet nga autori i gërmimit dhe që duken të qarta në ilustrimet e botuara prej tij, sot janë zhdukur ose janë mbuluar nga dhera të depozituara gjatë këtyre 40 vjetëve. Në sallën e madhe ruhet, në gjëndjen afërsisht ashtu sikurse ka dale nga gërmimi, konstruksioni në formë patkoi, pjesë përbërëse e shkallores, e cila zinte afro dy të trotat e sipërfaqes së sallës. Të qartë gjithashtu ruhen edhe koridoret që rrethojnë këte konstruksion dhe qe shërbenin për qarkullimin dhe ngjitjen në rreshtat e sipërme të shkallores.

Portiku ka qënë i ndarë nga salla e madhe me anën e një muri ndërtuar me tulla, sikundër edhe muret e tjerë perimetralë. Në mesin e gjatësisë së këtij muri ruhen gjurmë të hyrjes kryesore të monumentit. Ky ambient në përgjithësi ruan pamjen që ka pasur në përfundim të punimeve arkeologjike, me përjashtim të pllakave të dyshemesë, të cilat ose janë marrë, ose janë edhe këto të mbuluara me dhë.

Në qoshen verilindore të pamjes kryesore është ruajtur i pa lëvizur nga vëndi vetëm rreshti i parë i gurëve të punuar që përmendëm më sipër, kurse në atë veriperëndimore nuk ruhen veçse gjurmë të murit të zokolaturës, të çvendosur nga rrëshqitja e terrenit. Sikurse duket nga këto gjurmë, portiku ka qënë i mbyllur me mur guri të punuar, në të dy krahët e shkurtër, si edhe pjesërisht në qoshet që dalin në ballin e pomjes kryesore.

Shkallët para portikut, që shtrihen në gjithë gjatësinë e kolonadës, janë pjesërisht të dëmtuara. Në krahun e djathtë të ngjitjes mungojnë gurët e rreshtave të sipërme, kurse snkallët e para kanë rrëshqitur me gjithë bazamentin e tyre. Shkallët janë ndërtuar mbi një konstruksion, i cili nuk lidhet konstruktivisht me stilobatin e kolonadës së monumentit.

Monumenti i Agonotetëve, simbas L.Reit, ishte rrëzuar nga një tërmet i fuqishëm, sikundër e vërtetoj-në mbeturinat e konstruksionit të pamjes kryesore, të cilat, siç thamë, u gjetën disa metra larg mbi rrugën kryesore që kalonte përpara monumentit. Bloqet e rrëzuara u gjetën në vëndin e rënies së tyre, të palëvizur nga vëndi qysh nga momenti i rrëzimit të tyre. Kjo gjëndje u ruajt deri në ditët tona dhe nga autori i gërmimit duket qartë se janë lëvizur për leximin e mbishkrimit vetëm bloqet e arkitraut të kolonadës.

ARKITEKTURA DHE KONSTRUKSIONI I PAMJES KRYESORE.

Monumenti i Agonotetëve në kohën e vet kishte dy funksione; në radhë të parë, sikurse del edhe nga vetë mbishkrimi i arkitraut, ai përfaqësonte një monument përkujtimor dhe shërbente njëkohësisht si ndërtesë publike, ku zhvilloheshin mbledhjet e këshillit të qytetit. Lidhur me këto funksione, ai paraqet edhe një zgjidhje arkitektonike në vetvete origjinale.

Pamja kryesore, që lidhet kryesisht me funksionin e parë, është trajtuar si nga ana konstruktive, ashtu edhe nga ana arkitektonike, duke u bazuar kryesisht në elementët karakteristikë të arkitekturës monumentale romake. Në këtë pamje është aplikuar orderi korintik i përfaqësuar me të gjithë elementët arkitektonikë dekorativë të tipit klasik të përdorur në epokën imperiale romake7). Pjesa tjetër e ndërtesës dallohet për lidhje të ngushta me arkitekturën e godinave shoqërore romake.

Portiku ka qënë i mbyllur në të dy krahët e shkurtëra me ante, të cilat vazhdonin me kthesë pjesërisht edhe në qoshet e pamjes kryesore të tij. Në pjesën e përparme ai ishte i hapur dhe kishte një kolonade mermeri me kater kolona të lira dhe dy të mbështetura në antet e kthyera, që i përmendëm më sipër. Me këtë vendosje kolonash krijoheshin pesë hapësira drite; hapësira qëndrore ishte më e madhe dhe i shërbente hyrjes kryesore të monumentit, kurse hapësirat e tjera ishin dy nga dy me përmasa të barabarta.

Kolonada mbështetej mbi një stilobat të ndërtuar me gurë të punuar me sipërfaqe afërsisht të lëmuar. Bazamentet e kolonave janë të tipit të zakonshëm të stilit korintik impërial. punuar në mermer dhe përbehen nga një pllakë katrore me përmasa 0.85 x 0.35 x x 0.10 m. dhe tre rotulla të punuara njera mbi tjetrën me profil të shkallëzuar. Iartësia e përgjithëshme e bazamentit arrin në 0.305 m. (fig. 10).

Trupat e kolonave kanë qënë monolite prej mermeri; një e treta e lartësisë së tyre ka qënë rrafsh, kurse dy të tretat kanë qenë të gdhendura me 24 kanelyra. Trupi i kolonës ne pjesën e poshtëme ka një thembër që zmadhon sipërfaqen mbështetëse të saj në një diametër 0.32m. Në pjesën e sipërme, aty ku mbarojnë kanelyrat, trupi i kolonës përfundon me një qafore që zmadhon seksionin e trupit me shkallëzime deri në një diametër 0.54 m. Trupi i kolonës, në pjesën e poshtëme, i matur mbi thembrën e tij, ka një diametër 0.59 m dhe në pjesën e sipërme, nën qafore, 0,51 m.

Kapitelet të dekoruar me gjethe akanthi janë trajtuar në forma gjeometrike drejt lineare dhe dallojnë nga stilizimet e aplikuara në Romë, gjë që tregon për elemente të përpunuar dhe të zhvilluar në vënd. Kapitelet kanë këto përmasa 0,513 diametri, lartësia përfshin edhe abakun që arrin 0.68 m. (fig. 11).

Të dy kolonat anësore, që siç thamë, ishin të mbështetura në antet e kthyera, kanë përmasa më të mëdha nga kolonat e tjera (shif fig. 12).

Arkitrau formohej nga blloqe gurësh, përmasat e të cilëve ndryshojnë në gjatësi simbas madhësisë së hapësirës ndërmjet kolonave që ata mbulonin. Në drejtimin vertikal orkitrau ndahet në tri breza të gdhendur me sipërfaqe të shkallëzuor dhe të ndarë me rruaza të gdhendura në vargëzim në gjithë gjatësinë e arkitraut. Këto nënndarje dhe dekorime të njëllojta janë edhe në anën e brendshme të arkitraut.

Sipër arkitraut, një rryp i gdhëndur me motive floreale ndan atë nga friza e cila, në këtë rast, paraqitet shumë e thjeshtë me një brez të gjerë 15 cm„ i dalë në relief nga thellimi i dy kanaleve të gdhëndur anash tij (fig. 13).

Si arkitrau dhe friza janë gdhëndur së bashku në të njëjtat bloqe gurësh, që kanë një lartësi prej 0.748 m., nga e cila 0.38 m. i zë arkitrau dhe 0,368 m. friza.

Në fushën e brezit të frizës dhe nënndarjet e arkitraut është gdhendur me gërma kapitale në gjuhën greke mbishkrimi që bën fjalë për personin që i dedikohot monumenti, si edhe për ndërtuesin e tij.

Mbi blloqet monolite të arkitraut dhe frizës ishin vendosur blloqet e kornizës horizontale, e cila është trajtuar me një dekoracion plastik të theksuar dhe shumë të pasur. Blloqet e gurëve, ku është punuar korniza horizontale kanë këto përmasa: pjesa mbështetëse në mur 0.47 m, streha (pjesa e dalë e kornizës) 0.47 m. dhe lartësia e përgjithëshme e kornizës 0.50 m.

Pjesa e sipërme e pamjes kryesore të ndërtesës së monumentit përfundon me një fronton në formë trekëndëshi dy brinjënjishëm, timpani i të cilit është ndërtuar me bloqe gurësh të gdhendur me sipërfaqe të sheshtë, pa ndonjë zbukurim. Në të dy brinjët anësore frontoni kurorëzohet nga kornizat e pjerrta, të cilat janë punuar dhe dekoruar njësoj sikurse edhe korniza horizontale. Në blloqet që formojnë dy qoshet e frontonit janë gdhëndur edhe bazamentet e akrotereve me përmasa 0.50 x 0.80 x 0.60 m; vrimat e hapura në sipërfaqet e këtyre bazamentëve tregojnë se mbi to kanë qënë vendosur trupore ose grup statujash me madhësi të konsiderueshme. Në blokun e kulmit të frontonit nuk u gjetën gjurmë të tilla, gjë që na le të dyshojmë për ekzistencën e një akroteri qëndror.

Në dy brinjët anësore frontoni përfundon me një kornizë të hollë, e ashtuquajtura sima, e cila në pamjen e jashtëme është e harkuar dhe e dekoruar me gjethe palmete të gdhëndura mbarë e prapë në vargëzim (fig. 13-14-15).

STUDIMI ANALITIK I PROPORCIONEVE ARKITEKTONIKE TË PAMJES KRYESORE.

Nga pamja kryësore e monumentit të Agonotetëve ne i kemi të njohur mirë të gjithë elementet arkitektonikë e konstruktivë të saj dhe, për më tepër, kemi patur mundësinë që të nxjerrim edhe përmasat e tyre të sakta, me përjashtim të lartësisë së trupit të kolonave, prej të cilave, siç e kemi thënë, nuk është ruajtur as edhe një i plotë. Duke u mbështetur pikërisht në përmasat e njohura, do të provojmë të gjejmë edhe raportet arkitektonike kryesorë, që janë zbatuar në ndërtimin e pamjes kryesore të tij.

Le të provojmë ti shifrojmë këto proporcione duke përdorur sistemin modular, i cili sipas kanoneve arkitektomkë greke e romake përmbante një tërësi regullash që përcaktonin raportet arkitektonikë të një ndërtese.

Siç dihet, moduli i përdorur në proporcionet arkitektonikë është një masë lineare e cila për kohën romake ishte e barabartë me rrezen e trupit të kolonës, të matur në pjesën e poshtëme të saj.13) Ky modul për këtë kohë ndahej në 12 pjesë të barabarta, të cilat përdoreshin si nënfishet e tij.

Modulin, që ka qënë zbatuar në ndërtimin e pamjes kryesore të monumentit të Agonotetëve, ne e kemi përcaktuar nga një fragment kolone që ruan në gjëndje të plotë pjesën e poshtëme të trupit, nga ku kemi arritur të masim rrezen e tij, e cila ishte e barabartë me 0.296 m. Përmasa e modulit të përdorur në këtë rast del njëkohësisht e barabartë me këmbën romake.

Po të kthejmë përmasat kryesore që kemi nxjerrë nga rilevimi i planimetrisë së monumentit dhe nga elementët arkitektonik të pamjes kryesore, do të kemi përmasat modulare (fig. 16). Gjerësia ballore e monumentit e matur nën zokolaturë është e barabartë me 50 module (14.80 m.). Gjatësia e ndërtesës, 65 module (19.20 m); lartësia e ndërtesës, duke filluar nga stilobati deri në kulmin e frontonit, 33 module (9.77 m). Kjo përmasë, nga njera anë është e barabartë me gjysmën e gjatësisë së ndërtesës dhe nga ana tjetër me dy të tretat e gjerësisë së saj, kurse gjysma e gjerësisë, d.m.th. 25 module, është e barabartë me lartësinë ballore që nga stilobati deri ne bazamentin e akrotereve. Largësia ndërmjet akseve të dy kolonave të mesit, hyrja kryesore, ka qënë 11 module, kurse ndërmjet kolonave të tjera kishin një barazlargësi prej 6 module e gjysëm; të njëjtën baraz-largësi gjejmë edhe nga akset e kolonave anësore, deri në qoshen e mureve të pamjes kryesore.

Lartësinë e kolonave (përfshi bazamentin dhe kapitelin) ne e kemi përcaktuar duke marrë 19 module.

Kjo përmasë modulare ka qënë zbatuar në shumicën e rasteve në tempujt e stilit korintik të kohës romake. Sipas J.Durmit lartësia e kolonës, duke përfshirë kapitelin dhe bazën, është në raporte të tilla me diametrin e poshtëm:

në Baalbek = 1:9

në Harkun e Konstantinit= 1 : 9,5

në tempullin e Antoninit =1 : 9,5

në Pa-ntheon =                1: 9,5 dhe 1:9,7

në tempullin e Vespasian-it = 1:10

Në kompozimin arkitektonik të pamjes kryesore ne vërejmë se përveç relacioncve arithmertike që dhamë më sipër, ekziston dhe një relacion gjeometrik i bazuar në trekëndshin e njohur «egjyptjan», brinjët e të cilit ndahen në 3,4 dhe 5 pjrsë të barabarta (shih. fig. 16). Raporte të tilla, siç dihet, kanë qënë përdorur gjerësisht në arkitekturën romake.

Studimi i hollësishëm i gjithë materialit nga ana arkitektonike dhe konstruktive, si edhe ringritja provizore e frontonit, na kanë bindur, se rikonstruksioni grafik që kemi bërë, pasqyron në mënyrë të drejtë pamjen origjinale të tij.

Në rikonstruksionin tonë (fig. 7) vërejmë se lartësia e kolonës (baraz me 19 module) për mendimin tonë është shumë e përafërt me lartësinë origjinale. Në këtë rikonstruksion, ne vërejmë gjithashtu një kompozim arkitektonik, që ka një harmoni proporcionale ndërmjet elementeve arkitektonikë kryesorë. Pamja kryesore e monumentit në këtë rast paraqitet e zhvilluar në drejtim horizontal, karakteristikë kjo që gjendet edhe në monumentet tjerë të periudhës së perandorisë romake.

MATERIALI DHE TEKNIKA E NDËRTIMIT

Materialet e përdorur në ndërtimin e monumentit të Agonotetëve janë guri dhe tulla. Me gurë janë ndërtuar themelet e ndërtesës dhe muratura e zokolaturës, ku dallohen disa bloqe gurësh të punuar në forma drejtkëndore, me kornizë të gdhëndur anash, të cilat disa herë, kanë monograme të gdhëndur në faqen e dukëshme, të njëllojtë me monogramet e përdorur gjërësisht ne bloqet e gurëve të mureve rrethues të qytetit të Apollonisë. Duket qartë se në këtë rast janë ripërdorur gurë të cilët u përkisnin ndërtimeve më të hershme.

Muret perimetralë të sallës kryesore të ndërtesës, duke filluar që nga zokolatura e sipër, janë ndërtuar me muraturë të përzier. Gurë të vegjël e copa tullash të zhytura në llaç gëlqere të bollshëm janë përdorur ne bërthamën e muraturës, kurse tulla në formë trekëndëshi, për veshjen e faqeve të brendshme dhe të jashtëme.

Për ndërtimin e mureve anësore të portikut, si edhe qoshet e murit të fasadës, duke përfshirë edhe frontonin, është përdorur një lloj guri gëlqeror i bardhë. Ky lloj guri ka qenë i njohur në qytetin e Apollonisë që në kohën antike dhe është përdorur gjithmonë në dekoracionet arkitektonike të ndërtesave monumentale. Për kohën më të hershme të përdorimit tij, nga sa dihet deri më sot, mund të përmendim kolonat jonike, që janë gjetur në kolonadën e portikut të qytetit, datuar në shek. IV para erës sonë.

Guri gëlqeror është me prejardhje nga formacione dolomite dhe është mjaft i butë sa mund të gryhet me thua, pra dhe mund të gdhëndet deri në detaje shumë të holla. Ky lloj guri ka qënë zgjedhur si më i përshtatshëm për realizimin e gjithë atij dekoracioni të pasur, që kërkohet në urdcrin korintik. Nga ana tjetër ka veti qëndrueshmërie kundrejt agjentëve atmosferikë, pa vënë në dyshim rezistencën e tij, që kërkohet në funksionet si element konstruktiv.

Përsa i përket vëndburimit të këtij materiali, mund të themi se krahasimet që kemi bërë me formacionet gëlqerore të njohura në ditët tona, na shtyjnë të mendojmë se vendburimi i gurit dekorativ që përshkruam më sipër, duhet të ketë qënë diku në bregdetin e Karaburunit.

Gurët kanë qënë pregatitur në blloqe kuadratikë qysh në gurore; pranë objektit ata janë përpunuar në format dhe madhësitë e kërkuara simbas vendit të ven-dosjes së tyre.

Duke vrojtur me kujdes blloqet e gurëve të fasadës së rrëzuar, kemi arritur të dallojmë gjurmë të veglave të ndryshme, që kanë qënë përdorur në proçese pune të ndryshme. Nga këto gjurmë dallohen ato të lëna nga dalta me majë, me anën e të cilave gurët e nxjerrë nga gurorja janë pregatitur në blloqe pak a shumë të rregullt paralelopipedë. Përveç daltave me majë janë përdorur sqeparë me teh të dhembëzuar, me anën e të cilëve gurët janë kthyer në bloqe me faqe të sheshta, kurse daltat me teh, gjithashtu të dhëmbëzuara, në madhësi të ndryshme janë përdorur për gdhëndjen e faqeve të bloqeve në sipërfaqe gati të lëmuar. Një kujdes i veçantë është treguar në gdhëndjen e dekoracioneve të pasura të arkitraut dhe kornizave, të gjitha të gdhëndura me dalta me madhësi të ndryshme me 4, 6, 8 dhëmbëzime.

Kolonada e portikut të monumentit të Agonotetëve (bazamentet trupat e shtyllave dhe kapitelet) kanë qënë punuar në mermer të bardhë me kristale të imta. Bloqet e gurëve janë vondosur në muraturë të thatë dhe janë lidhur njëri me tjetrin në dy drejtime, horizontal dhe vertikal, me ganxha dhe kunja prej hekuri të petëzuar, Lidhësat metalike kanë formë dhe përmasa të ndryshme; shumë prej tyre u gjetën në bloqet e gurëve të lidhura me plumb të shkrirë.

Secili nga bloqet e gurëve të fasadës ka të gdhendur në qëndër të sipërfaqes, në pjesën e sipërme, një vrimë në formë koni me majë të prerë dhe bazë drejtkëndëshe. Në këto gropa futeshin tre copa hekuri të cilat, të lidhura së bashku, shërbenin për ngritjen e bloqeve në lartësi me anën e makarave, për vendosjen e tyre në muraturë.

I gjithë dekoracioni plastik, floreal e zoomorf i kornizës horizontale dhe i kornizave të pjerrëta, përfshirë mbishkrimin dhe dekoracionet e arkitraut, janë gdhëndur mbas vendosjes përfundimtare të bloqeve të gurëve në frontonin e fasadës. Kjo gjë vërtetohet më së miri edhe nga vetë fakti se bloku i gurit të qoshes verilindore, që paraqet bashkimin e kornizës horizontale me kornizën e pjerrët, u gjet i papërfunduar. Në të janë arritur të gdhënden vijat kryesore të kornizës, por nuk janë gdhëndur, as vezët, as dhëmbëzimet e kornizës.

RIKONSTRUKSION I PAMJES KRYESORE

Në këtë punim mendojmë se është rasti, që të poraqesim edhe vërejtjet tona, lidhur me rikonstruk-sionin grafik të fasadës së monumentit të Agonotetëve, që është bërë nga arkitekti francez E.Grand. Në radhë të parë, ne duhet të themi se në këtë rikonstruksion nuk është arritur të rikonstruktonet tërësisht fasada e monumentit dhe, për më tepër, autori duke u nisur nga një interpretim i gabuar, që u bëhet disa elementëve arkitektonikë arrin në një zgjidhje arkitektonike e cila, sikundër provohet në këtë punim, është shumë larg nga realiteti (fig. 2).

Shkurtimisht, në vazhdim, do të japim elementet arkitektonikë, funksioni i të cilëve është keqinterpretuar, si edhe ata që nuk trajtohen fare, ose pse u kanë shpëtuar vrojtimeve ose, siç duket, nuk kanë qënë zbuluar krejtësisht nga autori i gërmimit. Në artikullin e botuar nga L.Rei, në pjesën ku bëhet fjalë për të dhënat arkitektonike të dala nga studimi i materialeve, ndër të tjera thuhet, se bazamenti i kolonës së gjetur pothuajse i palëvizur nga vendi, në afërsi të qoshes veriore të portikut, është bazamenti i një gjysëm kolone. Në të vërtetë këtu kemi të bëjmë me një bazament plintusi i të cilit në anën ballore është 10 cm. më i vogël nga të tjerët, për arësye se ai nga kjo anë është i mbështetur në mur, por trupi i kolonës që vendosej mbi këtë bazament, sikurse e tregojnë qartë përmasat, ka qënë pak më i madh se një trup kolone i plotë dhe jo gjysëm kolone (fig. 12).

Duke i konsideruar dy kolonat anësore si gjysma kolone, autori 4 rikonstruksionit ka qënë i detyruar që të zmadhojë gjatësinë e murit që del në të dy qoshet në ballë të portikut, duke mos marrë fare parasysh përmasat e vërteta, që mund të nxirreshin saktë nga gjurmët që ruhen qartë në qoshen veriore të monumentit. Siç dihet, në raste të tilla gabimi i parë të shpie tek i dyti e me radhë, si rrjedhim vendosja e blloqeve të gurëve në këtë muraturë nuk i përgjigjet realitetit, megjithse blloqet e rrjeshtit të parë, sikurse përsnkruhet nga gërmuesi, janë gjetur të palëvizur nga vendi dhe shumë prej tyre u zbuluan dhe ruhen akoma në afërsi të qoshes veriore të fasadës së monumentit.

Autori i gërmimit na thotë, se nga arkitrau i kolonadës janë gjetur shtatë bloqe gurësh me mbishkrim dhe nga gjatësia e pesë prej këtyre blloqeve ka nxjerrë hapësirat ndërmjet akseve të kolonave.

Dy blloqet e tjerë kanë një gjatësi pothuajse të barabartë dhe po ti vendosim ata siç e kanë vendin, në të dy ekstremet e arkitraut të gjithë kolonadës, kalojnë pak më tepër se gjysmën e gjerësisë balbore të mureve të qosheve (shih fig. 7 dhe 12). Por vazhdimi i arkitraut deri në fund të muraturës së qosheve nuk na duket i bazuar, aq më tepër që nuk është gjetur asnjë pjesë nga blloqet e arkitraut, që do të plotësonte shtesën që, në këtë rast, i bëhet atij.

Në rikonstruksjonin grafik të botuar nga L.Rei vërejmë se mbi arkitraun janë vendosur dy rreshta blloqe gurësh, të cilët së bashku lënë të kuptohet se zënë vëndin e frizës në trabeacionin e fasadës së monumentit (fig, 2). Kjo zgjidhje edhe në këtë rast nuk i përgjigjet së vërtetës për dy arësye: së pari, nuk është gjetur as edhe një bllok guri, që të ketë përmasat që i janë caktuar rreshtit të parë të gurëve të frizës. Së dyti, blloqet e rreshtit të dytë, të cilët janë gjetur me shumicë, nuk janë vendosur në vëndin e tyre. Si rrjedhim kemi, edhe në këtë rast, gabime të tjera më të mëdha, të cilët e shpien projektin e rikonstruksionit shumë larg nga gjëndja origjinale e tij.

Në këtë rast na duhet te paraqesim disa të dhena kryesore, të cilat do të ndihmojnë në sqarimin e drejtë për vërejtjen e fundit. Autori i gërmimit boton totografinë e nje kornize, të ciiën e quan friz me palmeta dhe duke u nisur nga gdhëndja e saj me një protil të shkallëzuar nga brënda dhe të harkuar e dekoruar me palmeta nga jashtë, mendon se blloqet e njëllojtë me të shërbenin për mbajtjen e kasetoneve që mbulonin tavanin e koridorit të portikut. E kemi të vështirë të shpjegojmë se si nuk është marrë fare pa-rasysh fakti që palmetat janë gdhëndur me akse me drejtim të pjerret nga e djathta kundra faqes mbështetëse të vetë kornizës dhe akoma më e pa shpjeguar bëhet kjo, kur bloqet e tjerë me të njëjtat përmasa e dekoracione i kanë paimetat të gdhëndura me akse të pjerrura, në drejtim të kundërt nga të parat, të gjitha këto të dhëna tregojnë shumë qartë, se blloqet në fjalë i përkasin simës së kornizave përfundimtare në të dy brinjët e pjerrëta të frontonit; blloqet me palmeta të anuara në anën e djathtë janë të brinjës së majtë dhe anasjelltas ata me palmeta te anuara në anën e majtë. Nga sa u tha më sipër, del e qartë se, mbasi të heqim bloqet e rreshtit të dytë të frizës, të cilët siç e pamë e kanë vendin gjetkë, edhe blloqet e rreshtit të parë nuk ka se si të pranohen si të qënë, prandaj korniza horizontale duhet të vendoset menjëherë mbi blloqet e arkitraut në të cilët, siç e pamë, bën pjesë edhe vetë friza.

Në rikonstruksionin grafik të paraqitur nga E.Grandi, korniza horizontale është ajo ku përfundon edhe konstruksioni i kolonadës së portikut. Mbrapa tij ngrihet përpjetë një rronton i paformuluar nga ana arkitektonike, me sa duket për mungesë të dhënash për autorin, por sipas nesh, këto te dhëna ekzistojnë (fig. 2). Le të marrim si shëmbull këto dy fakte: në radhë të parë, nëqoftëse nga autori i gërmimit do të matej gjatësia e të gjithë atyre bloqeve prej guri, të cilët kishin të njëjtën trashësi dhe të njëjtin dekoracion, dhe të mblidheshin së bashku, do të dilte shumë qartë, se gjatësia e tyre kalonte shumë tepër gjatësinë e nevojshme për vendosjen e kornizës horizontale. Në këtë rast, do të kërkohej pa tjetër që bloqeve që dolnin tepër tu gjendej edhe vendi që u takonte.

Fakti i dytë është i njëllojtë me atë që përmendëm për kornizën me palmeta, mbasi edhe në bloqet e kornizave të pjerrëta konsolet dhe gjithë elemente; dekorativë janë të gdhëndur me pjerësi nga e majta cse nga e djathta, kështu që ishte lehtë dhe e mundur, që të ndaheshin këta bloqe në tre grupe: ata që i përkisnin kornizës horizontale, ata të kornizës së pjerrët në anën e majtë, si edhe ata të komizës së pjerrët të krahut të djathtë. Në këtë mënyrë delte shumë e qartë edhe zgjidhja arkitektonike e frontonit të portikut në fasadën kryesore të monumentit. Elementë të tjerë, që nuk janë dalluar nga autori, janë edhe tri nga bloqet e gdhëndur të kornizës, dy prej të cilëve janë gurët e qosheve të kornizës horizontale, në të cilët janë gdhëndur edhe pjesë ngo kornizat e pjerrëta. Kurse blloku tjetër është guri i kulmit të frontonit, nga -i cili gjysma i përket -kornizës së pjerrët të krahut të majtë dhe gjysmc tjetër, asaj të krchuttë djathtë të frontonit. Projektuesi i rikonstruksionit grafik të fasadës së monumentit duket qartë se nuk ka marrë pjesë deri në fund të gërmimeve arkeologjike dhe rikonstruksionin grafik të fasadës e ka mbështetur në disa të dhëna jo shumë të plota dhe, për më tepër, disa herë të gabuara. Persa i përket lartësis së trupit të kolonës që, sipas L.Rei duhet të arrinte 6.145 m (pa përfshirë lartësin e bazamentin dhe kapitelin) kemi gjithashtu këto vërejtje. Moduli, që në këtë rast është marrë si bazë për kalkulimin e lartësisë së kolonës, është i gabuar, për arsye se ai merret i barabartë me rrezen e bazamentit të kolonës, që është baraz me 32 cm. Në të vërtetë duhet të merret rrezja e pjesës së poshtëme të kolonës e matur mbi thembrën e saj, e cila, sikundër e kemi thënë më sipër, është 29.6 cm.

Na duhet të shtojmë këtu se, produkti që del nga shumëzimi i rrezes me numurin e moduleve, duhet të merret si lartësi e kolonës, përfshirë lartësinë e bazamentit dhe të kapitelit të saj dhe jo si lartësi e trupit të kolonës, sikurse është marrë nga L. Rei.

Studimi i hollsishëm i gjithë meterialit nga ana arkitektonike dhe nga ana konstruktive, që paraqesim në këtë punim, si dhe ringritja provizore e frontonit, që kemi bërë në vënd, vërtetojnë se rikonstruksioni grafik që kemi arritur, është i dokumentuar dhe pasqyron në mënyrë të qartë pamjen kryesore origjinale të Monumentit të Agonotetëve. Ky studim përbën fazën fillestare dhe paraprin punën për hartimin e projektit të restaurimit të këtij monumenti.

Restaurimi i pamjes kryesore të tij (fig. 17, 18), do ta bënte atë më të kuptueshëm nga masat e gjera punonjëse dhe do të gjallëronte pamjen e qytetit të lashtë të Apollonisë duke treguar kështu vlerësimin e madh që i bëhet trashëgimisë kulturale të së kaluarës në vëndin tonë.

info@balkancultureheritage.com