Kolonizimi grek dhe marrëdhëniet me popullsitë e vendosura në të dyja brigjet e Adriatikut
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Kolonizimi grek dhe marrëdhëniet me popullsitë e vendosura në të dyja brigjet e Adriatikut

Prania greke në detin Adriatik ka qenë prej kohësh objekt kryesor studimesh, siç na e kujton mjaft mirë artikulli themelor i R. L. Beaumont-it*. Interesi që i është kushtuar kësaj lëvizjeje kolonizuese mbështetet në një dokumentacion letrar shumë të paplotë e në një material arkeologjik të pabarabartë, edhe për arsye gërmimesh shumë të pabarabarta nga një vendbanim në tjetrin.

Kolonizimet eubease

Gojëdhënat më të lashta ua mveshin eubeasve nga Eretria ngulimet e para në Korkyrë, e pastaj në Orik, në fund të gjirit të Vlorës, diku nga fundi i dy të tretave të shekullit VIII. Prania e shkurtër e eretrianëve në Korkyrë dëshmohet nga Plutarku2, i cili rrëfen dëbimin e tyre nga korintasit e Karikratit (szc) dhe vendosjen e tyre në Metone, në bregdetin e Pierisë në Maqedoni, buzë gjirit Termaik. Autorë të shumtë modernë nuk e pranojnë këtë kolonizim eretrian në Korkyrë, për arsye të mungesës së dëshmive arkeologjike3. Në fakt, kjo prani eretriane mund të ketë ekzistuar në Korkyrë, në sektorë ku nuk janë kryer ende gërmime sistematike4. Straboni5 shton se, duke u vendosur në Korkyrë, Kersikrati paskësh gjetur aty liburnë, çka do të dëshmonte për një prani ilirësh në ishull që përpara vendosjes së eretrianëve. Stefani i Bizantit përmend Orikun dhe Korkyrën lidhur me abantët e me Amantian, dhe e përshkruan themelimin e Amantias si prej abantësh me prejardhje nga Eubeja, që ktheheshin nga lufta e Trojës. A ka pasur vallë ndonjë lidhje mes eubeasve të vendosur në Amantia dhe atyre që paskan qenë në Korkyrë? Një shënim skoliastik i Apolonit të Rodit mund të interpretohet si ekzistenca e një kryeure (një pere-je) eubease përballë Korkyrës, e cila do të përkonte me krahinën e grykëderdhjes së lumit Thyamis dhe me gadishullin e Buthrotit; në një rast të tillë, eubeasit e Amantias dhe ata të kësaj pez'e-je korkyrase do të kishin qenë mjaft të afërt dhe do të kishin mundur të mbështeteshin tek njëri-tjetri.

Sido që të jetë, pozicioni që ka ORIKU përkon me një zgjedhje jashtëzakonisht të mençur nga ana e themeluesve të ngulimit. Kodra gëlqerore ndodhet në fund të gjirit të Vlorës, e mbrojtur veçanërisht mirë nga erërat e perëndimit e të veriut nga malet Akrokeraune, aq sa, që nga koha e lashtë e deri më sot, kjo zonë është përdorur vazhdimisht si bazë detare, duke filluar me vendbanimin e parë e duke vijuar me Orikumin romak, pastaj Pasha Limanin, emër që ky liman i thellë e ka marrë nga epoka e pushtimit osman e që e ruan ende në ditët e sotme. Pikërisht këtë bazë kishin zgjedhur sovjetikët për të vendosur nëndetëset e tyre gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, pas vitit 1944. Tamam aty janë vendosur edhe ngjarjet që përbëjnë intrigën e romanit të Ismail Kadaresë Dimri i madh8, gjatë prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në dimrin e vitit 1960-1961. I vetmuar në brendësi të bazës së sotme detare, kjo pikë arkeologjike, të cilën kam mundur ta vizitoj në gusht të vitit 1999, krijon një ishull të veçuar në fund të gjirit nga ajo çka Cezari9 e quan “porti i brendshëm”. Kjo lagunë, mjaft e thellë për të strehuar anijet e Cezarit, komunikon me gjirin nëpërmjet dy kanalesh, nga një në secilën anë të ishullit, por krahu perëndimor është më i gjeri dhe pikërisht në të Cezari dha urdhër që të mbytej një anije, në mënyrë që ta siguronte flotën e tij nga inkursionet e pompeasve. Kodra është e ndarë në katrorë prej rrugësh në formë shkallësh të skalitura drejtpërdrejt në shkëmb dhe i vetmi monument i dukshëm është një teatër i vogël i ndërtuar gjatë shekullit I pas J.K.10. Gërmimet e kryera bashkërisht nga arkeologë shqiptarë e sovjetikë, në vitet 1958-1960, kanë bërë të mundur nxjerrjen e shtresave arkeologjike që shkojnë deri në shekullin VI para J.K.”. Në drejtim të jugut, Oriku kontrollon rrugën që shpie në qafën e Llogorasë e që e lidh pra bregdetin e Jonit me gjirin e Vlorës. Straboni12 jep një të dhënë shtesë, e cila është me interes, po të jetë e saktë: ai pohon se Oriku kontrollon ankorimin, portin e Panormit, që është një radë e shkëlqyer (sot e quajtur Porto Palermo) e vendosur në detin Jon në jug të Himarës. Ajo çka e vë në dyshim besueshmërinë e thënies së Strabonit, janë vështirësitë e lidhjes tokësore ndërmjet Orikut dhe Panormit nëpërmjet qafës së Llogorasë, e cila arrin në mbi 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit; për më tepër, Strabon i nuk e saktëson periudhën gjatë së cilës Oriku e paskësh shtrirë zonën e vet të ndikimit deri në Panorm, në dëm të kaonëve. Ka më shumë të ngjarë që Straboni ta përdorë termin Panorm për të shënuar ose vetë portin e Orikut, ose një zonë ankorimi diku në gjirin e Vlorës. Kjo zgjidhje përputhet më fort me një nga thëniet e Strabonit që, vetëm pas kësaj përmendjeje të Orikut dhe Panormit, bën fjalë për kapërcimin e maleve Akrokeraune, duke shkuar në drejtim të jugut; por nga ana tjetër, kjo zgjidhje nuk përputhet me një tekst tjetër të Strabonit (VII, 7,5), ku autori e vendos Panormin tamam në jug të kepit fundor të maleve Akrokeraune në drejtim të veriperëndimit. Peripecia që i ndodhi Cezarit në mes të dimrit të vitit 48, kur anijet e tij e prekën bregun në Palestë, në detin Jon, në jug të qafës së Llogorasë, e detyroi atë të kalonte nëpër këtë shteg përpara se të mund të shtinte në dorë Orikun. Ajo krijon një ide për vështirësinë e kalimit ndërmjet gjirit të Vlorës dhe rivierës shqiptare në detin Jon, në jug të maleve Akrokeraune. Statusi i Orikut paraqitet në mënyra të ndryshme nga autorët e lashtë: Hekateu i Miletit, sipas Stefanit të Bizantit*, e cilëson Orikun si një liman të thjeshtë (Zzmen); Herodoti' përdor të njëjtin term, ndërsa, më vonë, tek Apolodori, ai paraqitet si një polis.

Kolonizimet korintase

Ngulimi i parë kolonial korintas, në këtë rajon, është ai në KORKYRË nga bakiadi Kersikrat15, ndërkohë që Arkiasi e vijonte lundrimin e tij deri në Sirakuzë (733). Kolonët e rinj ndeshen me eretrianët dhe me liburnët, të cilët dëbohen ose nënshtrohen. Qyteti ndërtohet në gadishullin që shtrihet në jug të qytetit të sotëm (Paleopolis): tamam aty u ngrit tempulli i Artemidës në fillim të shekullit VI, ballina perëndimore e të cilit, që është e zbukuruar me Gorgonën e frikshme, ruhet në muzeun arkeologjik të Korfuzit. Nga një tempull tjetër dorik, i fundit të shekullit, është nxjerrë pjesa e majtë e një balline tjetër, me Dionizin në gosti, të shoqëruar nga një djalosh i ri. Vendndodhja e ishullit është tepër e vyer për korintasit, të cilët duan të mbajnë marrëdhënie të ngushta me Sirakuzën; ajo përbën një vendqëndrim të përkryer për anijet që vijnë nga Korinti nëpërmjet gjirit me të njëjtin emër e drejtohen për në Magna Grecia e në Siqeli. Dhe prapëseprapë, sipas Herodotit (III, 49), “qëkurse u kolonizua ishulli, korkyrasit dhe korintasit ishin në grindje me njëri-tjetrin, megjithëse qenë të një gjaku”. Tukididi (I, 13> 4) e përforcon vërtetësinë e kësaj armiqësie, duke rikujtuar betejën më të hershme detare që njihet, e cila i vuri korintasit përballë korkyrasve dyqind e gjashtëdhjetë vjet para përfundimit të luftës së Peloponezit, pra në vitin 664, dy breza pas themelimit të ngulimit. I njëjti autor ngul këmbë në këtë pikë (tek I, 38, 1), kur citon prej oratorit korintas këtë akuzë kundër korkyrasve: “Edhe pse kolonë të ardhur nga anët tona, ata janë sjellë kurdoherë si kundërshtues”.

Herodoti (III, 48-49) tregon se si Periandri, biri i Kypselit, dërgoi në Sardë, tek Alyati, 300 të rinj korkyras, bij qytetarësh të shquar, për t’i tredhur; banorët e Samosit, të vënë në dijeni për fatin që i priste djelmoshat, i nxisin ata për t’iu kushtuar si lutës një faltoreje të Artemidës. Gjatë natës, kore vashash të virgjëra e djemsh të rinj lënë aty ëmbëlsira me susam e me mjaltë, në mënyrë që fëmijtë e korkyrasve t’i grabisin për t’u ushqyer. J. Ducat-i16 (J. Ducat) e ka shpjeguar bukur këtë rrëfim si një shembull rituali

vjedhjeje në altar që mund të përqaset me fshikullimin e spartanëve të rinj pranë altarit të Artemidës Ortia. Edhe pse ky tregim ka të bëjë vetëm me banorët e Samosit dhe me ritet e tyre të mësimit fillestar, nëpërmjet përdorimit të kamzhikut të Korkyrës tashme të njohur në faltoren e Zeusit Naios në Dodonë, ai tregon të paktën se, në kohën kur shkruan Herodoti, vazhdon ende tradita e një armiqësie mes korintasve dhe korkyrasve. Aq sa, në çastin kur historiani rrëfen luftën kundër Polikratit të Samosit, diku rreth vitit 525, ai e lidh me kohën e Periandrit, rreth vitit 600, këtë dhunë të shkaktuar nga vrasja e Likofronit, birit të Periandrit, nga korkyrasit. Edhe Plutarku17 e përdor këtë rrëfim, por duke e kritikuar rëndë Herodotin dhe duke i zëvendësuar banorët e Samosit me njerëz nga Knida, si shpëtimtarë të djelmoshave korkyras.

Në të vërtetë, armiqësia mes Korkyrës dhe Korintit nuk ka qenë e vazhdueshme, pas betejës detare të vitit 664, siç e tregon bashkëpunimi i tyre në themelimin e ngulimeve të Epidamn-Dyrrahut rreth vitit 627 dhe të Apolonisë së Ilirisë rreth vitit 600. Edhe një shekull më vonë, më 491, sirakuzanët e mundur nga Hipokrateu, tirani i Xhelës, përfituan nga ndërmjetësimi i përbashkët i korintasve dhe i korkyrasve, të cilët i lanë Hipokrateut vetëm Kamarinën18. Është e vërtetë se në momentin e pushtimit të Greqisë nga Kserksi, më 480, korkyrasit nuk treguan kurrëfarë zelli për t’ia vënë në dispozicion anijet e tyre koalicionit të grekëve19: ata i pajisën nja 60 trerremëshe, por u kërkuan ta hidhnin spirancën në ujërat e Pilosit e të Tenarit, në pritje për të parë se çfarë drejtimi do të merrte fati i luftës. Si shumë grekë të tjerë, ata besonin në fitoren persiane, për arsye të epërsisë së thellë në numër të efektivave të Mbretit të Madh. Një qëndrim ky i matur, të cilin e përqafuan shumica e shteteve greke, por që ka rëndësi, pasi Korkyra po bëhej tashmë e njohur si fuqia e dytë detare greke pas athinasve. Pas luftrave medike, korkyrasit dalin rrallë e tek në ngjarjet e mëdha të historisë së Greqisë: Tukididi (I, 136, 1) rrëfen se Themistokliu gëzonte në Korkyrë privilegjin e evergjetit (bamirësit), por se kjo nuk e pengoi ama qytetin që t’ia refuzojë atij mikpritjen, kur ngadhënjimtari i Salaminës u dënua me dëbim dhe u përndoq nga lakedemonasit dhe nga athinasit; korkyrasit e përcollën në kontinent dhe Themistokliu gjeti strehë tek mbreti i molosëve, Admeti, para se të shkonte në Maqedoni e pastaj në Efes.

Armiqësia ndërmjet Korkyrës dhe Korintit u ringjall prapë lidhur me Epidamnin, në prag të luftës së Peloponezit20. Nëse i përmbahemi, drejtpërdrejt, situatës në Korkyrë, duket sheshit se kriza shoqërore ishte e rëndë në qytet. Mes demokratësh e aristokratësh kishte një kundërvënie të dhunshme, e cila u ashpërsua gjatë luftës që i vuri ballë për ballë korkyrasit dhe korintasit që në vitin 435. Ndërhyrja e athinasve në favor të Korkyrës i dha konfliktit një përmasë vërtet ndërkombëtare, duke paralajmëruar krizën e përgjithësuar që do të kundërvinte së shpejti “lakedemonasit me aleatët e tyre” në njërën anë dhe “athinasit me aleatët e tyre” në anën tjetër, në atë çka është quajtur lufta e Peloponezit21. Lufta civile plasi në Korkyrë sidomos në vitin 427: aristokratët e zënë robër gjatë betejës së Sybotës u liruan nga korintasit dhe, kur u kthyen në ishull, vranë krerët e partisë demokratike. Në gusht të vitit 427, një masakër aristokratësh shkaktoi arratisjen e 500 syresh, të cilët, sipas Tukididit (III, 85, 2), i pushtuan fortifikimet korkyrase në kontinent, domethënë pere-në korkyrase, prej nga ia prenë ishullit çdo lloj furnizimi. Ata u hodhën pastaj në ishull e u vendosën në malin Istone, ku bënë dy vjet qëndresë. Kur iu dorëzuan athinasve, u masakruan që të gjithë nga partia popullore korkyrase22 me skena mizorish të llahtarshme (gusht 425). Diodori i Siqelisë23 tregon për një luftë tjetër civile në Korkyrë, e cila i dha dorën e fundit shkatërrimit të ishullit më 410. Bashkëkohësit shtangen qartazi nga dhuna e këtyre masakrave të përsëritura. Diodori e vlerëson në 1500 numrin e viktimave gjatë krizës së viteve 427-425. Më 410 oligarkët përkrahës të lakedemonëve u ndeshën sërish me partinë popullore që ishte më e afërt me kampin athinas. Garnizoni i lënë nga Kononi, i përbërë nga mesenas të vendosur në Naupaktë, kaloi në anën e partisë së demokratëve dhe dëboi shumë oligarkë, të cilët u vendosën në pere-në fqinjë. Kur këta të fundit zbarkuan në ishull, ndodhën masakra të reja, deri në çastin kur ata që mbetën gjallë nga të dyja palët ranë në ujdi për t’i ndalur luftrat civile e për të qenë asnjanës në lëmin e jashtëm. Korkyra ishte shkatërruar rëndë dhe nuk e gjeti më kurrë rrezatimin e vet ekonomik as në Greqinë verilindore, as në shkëmbimet përmes detit Adriatik. Pere-ja i shkau brenda pak kohësh nga duart qytetit korkyras dhe hyri në zotërimin e ethne-ve epirote (kaonë në veri, tesprotë në Kestrine), deri sa zotërimi molos u shtri në drejtim të bregdetit (pa dyshim, që nga viti 372). Më 375, strategu athinas Timotheu erdhi në Korkyrë, e nënshtroi ishullin pa ndonjë përmbysje shoqërore apo institucionale24 dhe e futi në një aleancë të re athinase, të quajtur konfederata e dytë detare e Athinës. Orvatja lakedemonase për ta nxjerrë Korkyrën nga aleanca athinase dështoi, megjithë ndihmën e Dionisit të Sirakuzës, përpara vendosmërisë së Ifikratit (372).

Gjatë çerekut të fundit të shekullit VII, dy qytete të rëndësishme u themeluan nga korkyrasit, me ndihmën e metropolit të tyre, Korintit: EPIDAMN-DYRRAHU rreth vitit 627 dhe APOLONIA e Ilirisë diku rreth vitit 600. I pari ia detyron qenien e vet një kontingjenti kolonësh të ardhur kryesisht nga Korkyra, por oikisti ishte një bakiad nga Korinti, Faliosi, biri i Eratokleidit. Qyteti u ndërtua mbi faqet e një kodrine që ngrihet mbi një port të mirë dhe ndahej me sterenë nga një lagunë. Toka e tij bujqësore nuk mund të ketë qenë puqur me qytetin, por duhet kërkuar përtej lagunës, sot të tharë, në drejtim të juglindjes, diku në rrethinat e Arapajt, si edhe më tej drejt jugut deri në fushën e Kavajës, e cila veçohej nga qyteti prej kodrave të Petras që varen thikë mbi det e që shërbenin ende si kufij të territorit të qytetit në kohën e luftës civile që kundërvuri Cezarin me Pompeun26. Një pikëpyetje më vete është edhe emri i dyfishtë i ngulimit: nëse emri Epidamn është më i përdorshmi tek autorët grekë, prodhimi i monedhave të qytetit përdor vetëm shkurtimet e emrit Dyrrah, emër që del fitues në periudhën romake, por është e pamundur që të kundërvihen dy vendndodhje të ndryshme, njëra për një vend të quajtur Epidamn e një tjetër për atë të quajtur Dyrrah, megjithëse edhe ky shteg vazhdon të eksplorohet në mënyrë sistematike.

Ndryshe është situata në Apoloni. Qyteti u themelua nga korkyras dhe një kontingjent prej 200 korintasish30 të udhëhequr nga oikisti Gylaks (nga vinte emri Gylakeia që mbante në zanafillë e që mbijetonte ende në toponimi në shekullin II pas J.K.31)- Qyteti është ndërtuar përmbi kodrat e fundit që janë në vazhdim të zonës së Mallakastrës dhe që ngrihen mbi një fushë të pamatë e të ulët, e cila është drenazhuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe ka një gjerësi prej nja dhjetë kilometrash; nga ana e detit ajo kufizohet nga një rrip bregdetar ranor. Qyteti kishte fatin të ishte në pozitën e një porti lumor, në kohën kur lumi Aoos (Vjosa) derdhej në det nja 15 kilometra më në veri sesa sot, duke kaluar në afërsi të portës jugore të qytetit. Pseudo-Skylaksi (§ 26) shënon se Apolonia ishte 50 stade nga deti dhe se lumi që ai e quan Aeas (Aoos) rridhte pranë qytetit. Straboni32 saktëson se qyteti ndodhej “10 stade larg nga lumi e 60 larg nga deti” (pra, përafërsisht, dy dhe dymbëdhjetë kilometra), gjë që lë vend për të menduar se, qysh në kohët e lashta, ndërmjet qytetit dhe detit kishte një zonë kënetash e lagunash, ku lumi rridhte duke bërë dredha. Këto të dhëna përforcohen nga Plutarku, i cili tregon përpjekjen e guximshme të Cezarit për të ikur nga Apolonia e për të mbërritur në bregun italian, në mes të dimrit 49-48, gjatë luftës së tij kundër Pompeut. Ai ndodhet në Apoloni dhe deti Adriatik mbahet nga skuadriljet armike; ai hipën, pa rënë, në një varkë me dymbëdhjetë rrema: “Barkën po e shpinte në det lumi Aous. Por flladi i mëngjesit që, zakonisht në atë orë, sillte qetësi dhe e lehtësonte daljen nga lumi duke i shtyrë dallgët e detit tutje në largësi, u thye nga një erë e furishme që fryu nga deti i hapur gjatë natës. Kur hasi në këtë trazim të detit e në qëndresën e tallazeve, lumi u tërbua. Duke u ngritur me furi, uji i tij përplasej pas shtjellave të fuqishme që e shtynin prapa me uturimë. Në pamundësi për ta bërë zap, timonieri u dha detarëve urdhërin që të merrnin drejtimin e kundërt e të ktheheshin nga kishin ardhur. Cezari e dëgjoi. Atëherë ai u shfaq hapur dhe, duke e marrë për dore timonierin që u lemeris kur e pa, i tha sakaq: «Hajde, more trim, bëj guxim e mos u tut fare: po bart Cezarin bashkë me fatin që lundron me të!». Detarët e harruan stuhinë dhe, përmbys mbi lopata, iu përveshën me mish e me shpirt që ta mposhtnin lumin. Por nuk mundën dot: shkulme të mëdha deti binin mbi lundër dhe ajo rrezikoi të mbytej në grykëderdhjen e lumit. Cezari u detyrua, me pahir, ta lejojë timonierin që të kthente drejtim”. Era detare e pengon përfundimisht daljen e varkës dhe kështu ajo nuk mund të mbërrijë në det të hapur.

Pyetja që i shkon vetvetiu njeriut nëpër mend është përseja e këtyre dy ngulimeve të vendosura në ortakëri nga Korkyra dhe Korinti, pavarësisht nga grindjet mes tyre që zënë fill të paktën që nga viti 664. Mund të përjashtohet, që në krye të herës, çfarëdo vullneti i të dy qyteteve aleate për të mbajtur nën kontroll rrugët detare në kanalin e Otrantos: pozita e të dy porteve është tepër veriore. Për të mbërritur në Sirakuzë, flota korintase ndiqte itinerare që ishin shumë më në jug, nga dalja e gjirit të Korintit në detin Jon ose, në rast nevoje, duke bërë ndonjë ndalesë në Korkyrë. Interesi për të mbikëqyrur udhët detare që shkojnë në drejtim të Adriatikut verior, ishte me siguri më i rëndësishëm. Dihet se erërat mbizotëruese, ashtu si edhe rrymat detare dhe mundësitë për të gjetur një liman bregdetar, i kanë shtyrë gjithmonë detarët që të ndjekin udhë lundrimi që shkojnë përgjatë bregut lindor, përpara se të mbërrijnë, nëpërmjet ishujve dalmatë e Zadarit, në pikat tregtare të Adrias e të Spinës në ultësirën e lumit Po34. Në këto kushte, Apolonia dhe Epidamn-Dyrrahu mund të shërbenin si vendndalesa në këtë rrugë lundrimi bregdetar, para se të shkohej në grykën e Kotorrit, në Raguzë (Dubrovnik), Kerkyra Melaina, Salonë, Isa e Far. Por interesi më i madh i këtyre dy ngulimeve të reja koloniale korkyro-korintase ka shumë të ngjarë të ketë qenë sigurimi i sundimit mbi rrugët që e lidhnin bregun adriatik me brendësinë e vendit, oërgjatë luginës së lumit Genusus (Shkumbin), madje, por në një masë shumë më dytësore, përgjatë luginave të tjera si asaj të Erzenit (e cila përshkon pellgun e sotëm të Tiranës) përsa i përket Epidamnit, asaj të Semanit (Apsosit të lashtë) apo të Aoosit (Vjosës) përsa i përket Apolonisë. Rruga e Shkumbinit ishte po ajo që do të bëhej, gjatë vendosjes së romakëve në shekullin II para J.K., via Egnatia, por ajo rrihej qysh në kohë shumë më të hershme dhe përdorej rëndom në periudhën e pranisë greke. Korinti kërkoi ta siguronte për vete kontrollin mbi këtë rrugë transballkanike, siç e dëshmon, në skajin lindor, themelimi pothuajse i njëkohshëm i ngulimit të Potidesë në vitin 600, në Halkidiki, në istmin që lidh gadishullin e Palenës mekontinentin. Dihet se rajoni i kufijve shqiptaro-maqedonas, në rrethinat e liqenit të Ohrit, njihej në kohën e lashtë për pasurinë e minierave të tij të argjendit; zhvillimi i familjeve të pasura princore, të karakterizuara nga marrëdhëniet me botën egjease, tregohet mjaft mirë nga maskat e arta të Trebenishtës (shekulli VI para J.K.), të zbuluara në prag të Luftës së Parë Botërore e të ndara mes muzeve të Beogradit dhe të Sofies, pa lënë gjë për ata të Shkupit e të Ohrit. Vetë emri Damastion35lidhej, në shekullin IV, me një prerje monedhash argjendi mjaft cilësore, megjithëse përcaktimi i saktë i vendit ku ndodhej ky qytet nuk është siguruar ende plotësisht36. Ama Korinti ka prodhuar mjaft herët monedha të bukura prej argjendi, megjithëse në territorin e vet nuk kishte se ku ta nxirrte mineralin e domosdoshëm për prerjen e këtyre monedhave. Do të kishte qenë një gjë e mirë që të njihej më me përpikmëri vendndodhja e saktë e minierave të lashta, marrëdhëniet e tyre me dinastinë e Trebenishtës dhe me boshtin rrugor që ndjek luginën e Shkumbinit, ose me atë që, në drejtim të lindjes, vete drejt Heraklesë së Lynkestidës (pranë Manastirit) dhe gjiritTermaik, pranë Potidesë, në një periudhë kur Selaniku nuk është themeluar ende (kjo ndodhi vetëm më 316) nga Kasandri. Në rast se vërtetohet vendndodhja e menduar (krahina e Rrafshit të Dukagjinit dhe e Kosovës), vihet re se minierat ndodhen në veri të kësaj vije rrugore, por jo në ndonjë largësi të tillë që sunduesit e Trebenishtës të mos të mund ta kishin nën zotërim. Nuk duhet harruar, në fund të fundit, se i njëjti shkrim i Strabonit rrëfen se lynkestët kishin për mbret një anëtar të familjes së Bakiadëve të Korintit, gjë që mund të lërë të nënkuptohet se minierat janë shfrytëzuar në dobi të këtij metropoli grek, që përpara prerjes së monedhave nga qyteti i Damastionit.

Gjatë shekullit VI, lulëzimi i të dy ngulimeve duket i shkëlqyer, por zanafilla ngjan të ketë qenë e ndryshme. Epidamn-Dyrrahu përfiton nga veprimtaritë e veta tregtare, ndërsa Apolonia ngjan të ketë qenë qytet me toka pjellore dhe që drejtohej nga një aristokraci pronarësh të mëdhenj tokash, pasardhës të kolonëve të parë, të cilët kanë në dorë ushtrimin e pushtetit. Suksesi i të dy qyteteve është i dallueshëm gjatë gjithë shekullit: Herodoti37 tregon për përgatitjet e martesës së Agaristës, bijës së Klistenit, tiranit të Sykionës, më 572. Qenia e Amfimnestit, birit të Epistrofit të Epidamnit, mes trembëdhjetë mëtuesve grekë që janë pranuar në garë, dëshmon se, as dy breza pas themelimit të ngulimit, ky qytetar i Epidamnit është përzgjedhur mes grekëve më të mirë, gjë që e nderon qytetin e tij, edhe pse më në fund i zgjedhuri fatlum nuk është ai vetë. Pausania38 bën fjalë për fitoren e Kleostenit, birit të Pontit, nga Epidamni, në vrapimin me qerre me katër kuaj (kuadriga) në garat e Olimpisë në vitin 516. Përmendorja e përshkruar nga Pausania është dhurata e parë e një përmase të tillë në Olimpi, me paraqitjen e qerres, të katër kuajve, të drejtuesit e të të zotit. Ajo nxjerr në pah pasurinë e disa familjeve të Epidamnit, të cilat jo vetëm që mund të zotërojnë qendra për të rritur kuaj gare, por që janë edhe aq të kamur sa të ngrenë një përmendore të tillë në faltoren e Olimpisë, vetëm pak më shumë se një shekull pas mbërritjes së kolonëve të parë korkyras e korintas. Pak a shumë në të njëjtën kohë, qytetarët e Epidamnit ngritën në Olimpi, në taracën përmbi Metroon, një godinë thesari të stilit dorik, e cila vërteton se qyteti ishte nga më të pasurit e botës greke. Tukididi39 u habit nga fuqia dhe nga rëndësia demografike e qytetit, të cilin ai e cilëson si qytet “me fuqi të madhe e shumë të populluar”.

Qyteti i apoloniatëve përmendet më pak gjatë shekullit VI. Po në Olimpi, Pausania përshkruan një grup statujash fituesish në garat olimpike, ndërmjet të cilave ai përmend atë të Meneptolemit të Apolonisë, që ka korrur fitoren në vrapimin e një stadi (180 metra - shën. i përkth.) në kategorinë e fëmijëve, në vitet 504-500, sipas L. Moretit. Kjo tregon se qyteti ishte i integruar plotësisht në gjirin e botës greke. Dhe qyteti ishte bërë i begatë sidomos në sajë të kopeve të tij të bagëtisë, si ato që ruante - si mos më keq, duhet pranuar - Eveniu, i ati i falltarit Deifon, i cili po kryente funksionet e tij pranë ushtrisë greke, më 479, në Delos, para betejës së kepit të Mykalës.

Popullsia e të dy qyteteve u shtua diku rreth vitit 575 me imigrantë të tjerë të ardhur nga Dyspontioni, në Elidë, që u shkatërrua dhe shumica e banorëve të të cilit, siç e saktëson Straboni, emigruan në Epidamn dhe në Apoloni. Sigurisht që këta kolonë të rinj nuk përfituan të njëjtat privilegje si ato që gëzonin pasardhësit e kolonëve të parë, sidomos në Apoloni, qytet për të cilin Aristoteli e saktëson mirë se timai-të (nderet, por edhe detyrat) u takonin vetëm qytetarëve të fisëm, pinjollë të kolonëve të kryehershëm.

Në mesin e shekullit V, Apolonia arriti ta shtrijë territorin e vet drejt jugut, gjatë një lufte kundër abantëve apo amantëve, pasardhës kolonësh eubeas, të vendosur në Thronion, vend që duhet njësuar pa dyshim me Amantian e ardhshme, që ndodhej në fshatin Plloçë, në jug të luginës së lumit Aoos, në prapatokën e Vlorës. Kjo fushatë ngadhënjimtare ua dha apoloniatëve kontrollin mbi tokat pjellore të luginës së Shushicës. Ajo u përkujtua me blatimin e një përmendoreje në Olimpi, që është përshkruar mirë nga Pausania dhe një pjesë e mbishkrimit të së cilës është gjetur nga arkeologë gjermanë: “Na u bë kushtimi në kujtim të Apolonisë që themeloi Foibi në brigjet e detit Jon; pasi morën skajet e tokës së Abantit me ndihmën e perëndive, ata e ndërtuan këtë përmendore me të dhjetën e plaçkës së luftës të marrë në Thronion”. Vetë përmendorja, ashtu siç e pa Pausania, ishte e vendosur në formë gjysmërrethi, me në qendër Zeusin, të rrethuar nga Eoja e Tetida dhe, në secilën anë, pesë heronj trojanë e pesë heronj akej që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit: Akili e Memnoni, Odiseu e Heleni, Menelau e Paridi, Diomedi e Eneu, Ajaksi dhe Deifobi. Apoloni dhe hyjnitë pajtore të trojanëve përkrahin heronjtë trojanë të vendosur në të djathtë të Zeusit, ndërsa heronjtë akej, në anën ters në raport me Zeusin, fitojnë edhe një herë të drejtën e ngadhënjimit për Akilin kundër Memnonit, por hakmarrja e Apolonit, e cila ia jep armën krahut të Paridit, nuk është larg. I njëjti parapëlqim për kampin trojan paraqitet edhe në Delfi, në frizën lindor të ndërtesës së thesarit të Sifnosit, tek Kuvendi i Perëndive, që në vitin 525. Kështu, Apolonia i bashkohet traditës trojane të zhvilluar në Epir, veçanërisht në Buthrot rreth Andromakës dhe Helenit të vizituar nga Eneu, në përputhje me urimin e shfaqur nga Euripidi48, nëpërmjet gojës së Tetidës: që dinastia e Eakidëve, në Molosi, të jetë njëkohësisht edhe dega farefisnore e Peleut, e Tetidës, edhe ajo e Trojës.

Epidamn-Dyrrahu, një qytet port më tregtar sesa Apolonia, pati një periudhë lulëzimi të vërtetë gjatë pothuajse dy shekujsh pas themelimit të tij. Kjo pasuri kishte të bënte gjerësisht me shkëmbimet tregtare me prapatokën. Plutarku49 shpjegon se funksioni ipoletit (shitësit), një magjistrat i ngarkuar me sigurimin e shkëmbimeve mes qytetarëve dhe fqinjëve të tyre ilirë: i zgjedhur çdo vit “mes qytetarëve, të cilëve epidamnasit ua kishin vënë në provë vlerën, ai shkonte të takonte barbarët, furnizonte tregun dhe u jepte të gjithë qytetarëve mundësinë për të shitur”. Ai është me të vërtetë ndërmjetësi mes qytetit dhe botës barbare. Masat e marra nuk e penguan tekefundit përzieijen e ilirëve në punët e qytetit, siç e tregon Tukididi, kur përshkruan pretekstet e luftës se Peloponezit. Në vitin 435, qyteti u cfilit nga një luftë e llahtarshme civile, që ia kundërvuri partinë popullore partisë aristokratike, e cila kërkoi mbështetjen e taulantëve fqinjë. Kjo krizë shoqërore shkaktoi ndërhyrjen e të dy metropoleve, Korkyrës dhe Korintit, i pari ndër të cilët mbështeste aristokratët: këta të fundit erdhën në Korkyrë, gjetën varret e të parëve të tyre, duke nxjerrë kështu në dukje lidhjet farefisnore që i bashkonin me korkyrasit50. Në përfundim të luftimeve detare që vunë përballë njëra-tjetrës flotat e dy metropoleve, meqenëse Athina u mbajti anën korkyrasve, këta të fundit dolën fitimtarë dhe e morën qytetin e Epidamnit, demosi i të cilit u dëbua. Mund të merren me mend larjet e hesapeve që goditën krerët e partisë së mundur demokratike. Masakrat që e prekën edhe Korkyrën në vitin 425 e më pas në vitin 410, qenë sigurisht me pasoja mbi situatën në Epidamn. Në Korkyrë aristokratët u thyen dhe nuk të pëijashtohet që edhe Epidamni të ketë pasur një përmbysje të tillë të situatës, por asnjë autor i lashtë nuk e përmend situatën e Epidamnit gjatë atyre viteve të errëta. Qyteti nuk gjeti më kurrë një lulëzim si ai që pati në shekullin VI dhe në dy të tretat e para të shekullit V para J.K. Në këtë luftë midis dy metropoleve, Apolonia qe qartazi përkrah Korintit: pikërisht nga rruga tokësore që shkonte nga Ambrakia në Apoloni do të dërgoheshin përforcimet korintase drejt Epidamnit të rrethuar nga korkyrasit. Qyteti nuk duket të ketë vuajtur nga shkatërrimi i Epidamnit e i Korkyrës.

Kolonizimet greke më në veri

Edhe në veri të Epidamnit, grekët nuk kanë munguar në brigjet e Adriatikut. Herodoti51 ua njeh fokeasve eksplorimet e para në Adriatik, por ato nuk kanë lënë gjurmë arkeologjike të sigurta. R. L. Bomoni52 vlerëson se rruga e kallajit nëpërmjet Spanjës u është dukur atyre më e volitshme duke u privilegjuar kështu në dëm të rrugës që shpinte në veri të detit Adriatik. Disa rodas mundën të vendosen në ishujt e afërt me bregdetin italian në veri të malit të Garganos, në fillim të shekullit VI: njëri prej tyre, Elpiasi, qe eponimi i ngulimit të quajtur ELPIA nga Stefani i Bizantit, ose Salpia nga Vitruvi, në Dauni. Në bregun dalmat, EPIDAURUMI, i njohur kryesisht në periudhën romake, mbante një emër mjaft grek, i cili mund të jetë tregues i një ngulimi tregtarësh grekë që në shekullin VI. Më në veri, knidasit u vendosën në ishullin e Korçulës, të quajtur KERKYRA MELAINA; shpesh ka pasur një dëshirë për të parë aty një shenjë mirënjohjeje të korkyrasve ndaj knidasve, si pasojë e lirimit të 300 të rinjve korkyras që ishin dërguar nga Periandri në Lidi, me qëllim që të tredheshin e të shërbenin si eunukë; Plutarku ua jep këtë rol të bukur njerëzve të Knidës dhe jo atyre të Samosit, siç bënte Herodoti. Që disa knidas të kenë ardhur në Korçula për të themeluar aty një ngulim kolonial në fund të shekullit VII ose në fillim të shekullit VI, me dashamirësinë e korkyrasve, kjo ka mjaft të ngjarë, pavarësisht nga ky tregim i Herodotit i ndryshuar nga Plutarku. Emri që iu dha ishullit mund të jetë dëshmi e mirëkuptimit ndërmjet njerëzve të Korkyrës dhe knidasve, të cilët gjetën një ishull të mbuluar me pyje pishash të errëta. Vendi i saktë i vendosjes së ngulimit knidas në këtë ishull të madh nuk është përcaktuar ende. Me sa duket, prej tij nuk kishte mbetur asgjë në kohën e vendosjes së ngulimit të ri nga Isa në shekullin IV para J.K., në Lumbarda. Kolonia e parë është kërkuar ose në veri të ishullit, pranë qytetit të sotëm të Korçulës, i cili ka një port të mirë dhe e kontrollon ngushticën detare mes ishullit dhe gadishullit të Peljesacit që e kufizon në veri, ose më në jug tamam në Lumbarda, ose në skajin perëndimor të ishullit, në Vela Luka, ku ka toka të mira. Në këtë rast të fundit, ngulimi knidas do të kishte qenë më fort një koloni bujqësore sesa një port tregtar.

Të tjerë grekë e provuan aventurën në veriun e Adriatikut, sidomos në daljen e ultësirës së lumit Po. Përpjekja tesaliane në RAVENË57 dështoi përballë kundërshtimit etrusk, diku aty nga viti 530. Eginasit bënin tregti në Umbria58, në fund të shekullit VI. Më 510 u themelua SPINA në jug të grykëderdhjes së lumit Po; materiali qeramik që qarkullonte atje ishte athinas në një masë të madhe; varret e panumërta që janë gërmuar në Spina kanë nxjerrë një sasi të madhe enësh kryesisht atike, me mbishkrime greke ose etruske. Por është e pamundur të vihet gishti mbi një metropol të vetëm, me sa duket është fjala më shumë për një emporion sesa për një apoikia, edhe pse Straboni59 e quan, kur flet për ndërtesën e thesarit në Delfi, polis grek. Popullsia e vendosur aty nuk ishte e pastër greke, por edhe në një masë të konsiderueshme etruske. Tregtia lulëzonte aty gjatë shekullit V. Me sa duket, banorët e Spinës e shkatërruan ngulimin eginas në Umbria. Spina ishte aq e pasur sa të ndërtonte një ndërtesë thesari në Delfi, sipas Strabonit, ndërtesë që nuk është identifikuar ende deri më sot në faltoren delfike. Veprimtaria e emporion-it u zvogëlua gjatë shekullit IV, pa dyshim për shkak të zhdukjes së një bashkësie të madhe etruske në prapatokë, si edhe të vendosjes së galëve në luginën e lumit Po.

Më në veri, ngulimi i ADRIAS pati të njëjtën kurbë lulëzimi: importet e tij fillojnë rreth vitit 530 për të arritur kulmin aty rreth viteve 500-480 e pastaj për t’u pakësuar prej vitit 460; nëkëtë emporion, etruskë e grekë i bënin fqinjësi njëri-tjetrit pa ndonjë vështirësi, ndërkohë që në detin Tirren marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy bashkësive ishin shumë më të ndera. Adria, që ishte një port i vendosur mbi kanale e jo port detar, zinte një vend më të volitshëm për tregtinë e kallajit sesa Spina, e cila kishte nga ana e saj epërsinë që të komunikonte lehtë me Felsinën (Bolonjën), një qendër e rëndësishme etruske. Në Adria, disa mbishkrime greke datohen si të gjysmës së parë të shekullit V, por nekropoli i periudhës para shekullit IV është i mbuluar me një shtresë të trashë lyshtre. Dega veriore e lumit Po, e cila kalonte nga Adria, u braktis përpara vitit 300 para J.K. Tregtarët athinas vinin aty për t’u furnizuar me drithëra.

Në Spina, mbishkrimet greke janë të shumta në gjysmën e dytë të shekullit V. Aty janë gërmuar një numër shumë i madh varresh, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Qyteti duket se e arriti kulmin e zhvillimit të tij në çerekun e fundit të shekullit V. Edhe në vitin 404, atëherë kur po përfundonte lufta shkatërrimtare e Peloponezit, athinasit dalin si tregtarët më aktivë në Adriatikun verior, në Spina, Adria e mbase tashmë edhe në Ankonë e Numana (më së paku, që nga viti 385). Gjatë gjithë shekullit V, qeramika atike u eksportua në prapatokë në shkëmbim të prodhimeve vendase, siç ishin drithërat e ultësirës së lumit Po apo kuajt venetë, por edhe të prodhimeve të ardhura nga më larg, si qelibari dhe metalet e Etrurisë.

Së fundi, duhen përmendur sirakuzanët e mërguar në kohën e Dionisit, të cilët, sipas Strabonit (c 241), do të themelonin ngulimin e Ankonës, pra pak a shumë në të njëjtën kohë kur lindën ngulimet e Dionisit në bregun lindor të Adriatikut. Ankona ka të vetmin liman të përshtatshëm natyror në gjithë bregdetin italian ndërmjet malit të Garganos dhe luginës së lumit Po. Ankona dhe Numana ishin pikat e mbërritjes së rrugës transadriatike që vinte nga Zadari. Që nga Ravena, në drejtim të veriut, anijet qarkullonin nën mbrojtjen e rripit ranor bregdetar deri në Adria, e më pas deri në Akuileia, nëpërmjet një sistemi të pandërprerë kanalesh që bashkonin mes tyre degët e deltës. Dy ngulimet e Ankonës e të Adrias shihen ndonjëherë si pjesë të perandorisë sirakuzane në Adriatik, pa dyshim gabimisht.

Kolonizimi grek i shekullit IV

Në bregdetin dalmat e shqiptar janë vendosur edhe shumë ngulime, fillimet e të cilave mund të ngjiten edhe më lart në rijedhën e kohës: NYMFEUMI, i përmendur nga Apoloniu i Rodit (IV, 574), Shëngjini i sotëm, vetëm pak kilometra në veri të grykëderdhjes së Drinit dhe të qytetit të ardhshëm të Lissosit (Lezhës), mund të ketë ekzistuar që në shekullin V. Themelimi i Isas (në ishullin e sotëm Vis) u bë më vonë se ai i Spinës dhe i Adrias, por para atij të Lissosit e të Faros, megjithëse është e pamundur të përcaktohet qartazi kronologjia e këtij qyteti të ri. Pseudo-Skymni (413-414) ia njeh themelimin e Isas Sirakuzës. Isa, së bashku me Farosin dhe Kerkyra Melainan, përmendet edhe nga Pseudo-Skylaksi (§ 23). Më vonë, Isa e ka pasur nën kontrollin e vet pere-në e saj në kontinentin fqinjë, si edhe ca ngulime dytësore, TRAGURIONIN e zënë në gojë nga Straboni (VII, 5, 5 c 315) dhe EPETIONIN e përmendur nga Polibi (32, 9), të themeluara në shekullin III apo vetëm në fillim të shekullit II para J.K. Një mbishkrim i madh shumë i copëzuar, i gjetur në Lumbarda, në ishullin e Korçulës, dhe i datuar si i fundit të shekullit IV apo i fillimit të shekullit III, jep mundësi që të pohohet se territori i kontrolluar nga Isa shtrihej të paktën në një pjesë të Kerkyra Melainas, si edhe të vëzhgohet organizimi i ngulimit të ri, qytetarët e të cilit ishin të ndarë në tri fise dorike, Dymanes, Hylleis dhe Pamphyloi; është fjala për një ujdi të arritur mes njerëzve të Isas dhe dy personazheve, Pyllos-it dhe birit të tij Dazos-it, të cilët duhet të kenë qenë dinastë ilirë61. P. M. Fraser-i tregon se mjaft prej emrave që dalin në listën me 245 banorë të Isas janë tipikë për Siqelinë ose për Italinë e Jugut, gjë që duhet të vërtetojë ekzistencën e lidhjeve ndërmjet Isas dhe Sirakuzës. M. Lombardo ka meritën se ka vënë në dukje vogëlsinë e ngastrave që u ishin dhënë kolonëve të rinj dhe nxjerr prej kësaj përfundimin se është e pamundur të ketë qenë fjala për një kolonizim të zakonshëm agrar, por më fort për një ngulim ushtarak që kishte si synim kontrollin e lundrimit bregdetar dhe të bregut pranë grykëderdhjes së lumit Narona-Neretva.

Flitet shpesh për një perandori sirakuzane në Adriatik, të themeluar nga Dionisi Plaku, diku rreth vitit 385. Një studim i shkëlqyer është kryer nga U. Udhed duke marrë shkas nga ai pasazh i Diodorit (XV, 13), që ka të bëjë me veprimtaritë e Dionisit në Adriatik dhe në Epir më 385. Në këtë kapitull ai dallon tri kategori të dhënash:

Një raportim veprimesh pozitive: një aleancë me ilirët me ndërmjetësinë e Alketës, mbretit të mërguar të molosëve, dhe, nga ana tjetër, ndihma që i dha të ardhurve nga Parosi për të themeluar ngulimin e Farosit. Këto janë elementet e vetme historike të sigurta lidhur me veprimtarinë e Dionisit. Një pikë e tretë e mbajtur shënim nga Diodori, përsa i përket ngulimit parian, tregon se Dionisi paskësh themeluar vetë një ngulim në Lissos, i cili duhej t’u shërbente si bazë veprimeve të ardhshme të Dionisit në Adriatik (por një mangësi e tekstit nuk lejon që të merret më shumë dijeni mbi këtë çështje).

-              Një shënim mbi disa qëllime ose vendime: këtu kalohet në fushën e hamendësimeve mbi planet e Dionisit për të themeluar ngulime të tjera në rajon.

-              Sugjerime mbi idetë që mbështesnin sipërmarrjet e Dionisit: qëllimi paskësh qenë që të lehtësohej kapërcimi i kanalit të Otrantos, të krijoheshin porte të sigurta për detarët sirakuzanë, në mënyrë që të mund të zbarkonin papritmas në Epir me forca të mëdha dhe të plaçkisnin faltoren e Delfit.

Është sigurisht një teprim që të rindërtohet, duke u mbështetur vetëm në njoftimet e Diodorit, një plan i gjerë “politike perandorake adriatike” i atribuar Dionisit. Ka qenë mbaseTimeu ai që i vuri në gojë tiranit të Sirakuzës fjalë të mbushura me një megalomani të marrë, që shkonin deri në sakrilegj. Më e besueshme është dëshira e Dionisit për të mbajtur nën kontroll situatën në Epir me anë të Alketës dhe të ilirëve të pajisur me armatim si hoplitë nga Sirakuza. Shqetësimi për ta bërë më të sigurt bregdetin lindor të Adriatikut është një gjakim i përligjur për sirakuzanin, ashtu siç veproi më vonë Agathokleu duke marrë Korkyrën. Edhe ndërhyrja e Pirros në Itali e në Siqeli i përgjigjet, në mënyrë të anasjelltë, të njëjtës dëshirë. Lufta kundër piraterisë ishte mjeti për të garantuar sigurinë e kanalit të Otrantos (siç e shënon Diodori, XVI, 5, 3, lidhur me politikën e Dionisit të Riut dhe me themelimin prej tij të dy qyteteve në Apuli).

Kur ilirët u zmbrapsën, pas një fitoreje të madhe fillestare, nga ana e përforcimeve lakedemonase të ardhura në ndihmë të molosëve, Dionisi nuk luajti vendit. Mbase i druhej ndonjë prishjeje me aleatët e tij lakedemonas ose thjesht i konsideronte ilirët si pak të aftë. Alketa nuk ishte kthyer në pushtet, të paktën në atë kohë. Kthimi i tij dëshmohet në vitet 370, kur ai paraqitet si anëtar i aleancës athinase të quajtur konfederata e dytë detare e Athinës, e cila drejtohej shprehimisht kundër Spartës aleate të Dionisit. Në fund të fundit, ndërhyrja e Dionisit në Epir mbetet një intermexo e shkurtër, e cila përfundoi me dështim.

Themelimi i LISSOSIT jepet nga Diodori si një fakt real krahas planeve të thjeshta që nuk filluan kurrë të vihen në jetë; ai saktëson se ngulimet e projektuara kishin qëllim mbrojtës dhe nuk i sheh si pjesë të ndonjë plani të gjerë ndërhyrjeje në Greqi apo të ndonjë programi që synonte ngritjen e një perandorie sirakuzane në Adriatik. Duhej pritur Dionisi i Riu, tridhjetegjashtë vjet më vonë, për të shënuar disa përparime, po për të njëjtat arsye sigurie, kur u themeluan dy qytete në Apuli (Diodori, XVI, 5, S'4).

Pas kësaj, Lissosi nuk paraqitet më si i lidhur me Sirakuzën. R. L. Beaumont-i65 supozon që në grykëderdhjen e Drinit të ketë pasur një pikë të vogël tregtie greke, të vendosur aty përpara Dionisit, dhe e përligj këtë hamendësim duke i datuar muret rrethuese të Lissosit para vitit 385. Gërmimet e kryera nga arkeologët shqiptarë66 i kanë çuar këta më fort në një datim më të vonë, diku aty nga fundi i shekullit IV, shumë më parë sesa porti i Lissosit të bëhej dalja maqedonase në Adriatik në kohën e Filipit V (në vitin 213). Kështu pra, nëse pranohet vërtetësia e tekstit të Diodorit lidhur me vendosjen e sirakuzanëve në Lissos më 385 ose pak më parë, ka shumë të ngjarë që ky ngulim të ketë mbetur jetëshkurtër. Vendbanimi u zaptua më pas nga popullsi ilire të brendavendit, të cilat ndërtuan një qytet të mbrojtur me mure rrethuese, me pamje nga lugina e poshtme e lumit Drin dhe nga deti, a thua se ndërtuesit donin të mbroheshin nga pushtues që mund të vinin nga deti. Pozicioni i qytetit dhe i ledheve të tij nuk lënë absolutisht asnjë mundësi për t’u mbrojtur nga sulme që mund të vinin nga brendësia e vendit, siç do të kishte qenë e udhës ta parashikonte Dionisi. Pra, si përfundim, duhet hequr dorë nga vlerësimi i mureve rrethuese të Lissosit si një vepër e tiranit të Sirakuzës, duke i quajtur ato më fort punë të popullsisë vendase, e cila i druhej ndonjë pushtimi të ardhur nga deti. Mbi këtë ledhnajë ngrihet një kala, Akrolisi, e ndërtuar mbi një mal që arrin në 413 metra lartësi. Ledhet fortifikuese të qytetit, të ndara më dysh me një mur paralel me lakoret e nivelit, zbresin deri në breg të Drinit. Pjesa e poshtme e qytetit lidhet me anën e jashtme nëpërmjet një porte monumentale me oborr të brendshëm. Ajo çka është më e habitshme, në brendësi të këtij rrethimi të gjerë të restauruar në kohën e Cezarit, është mungesa e çfarëdolloj gjurme ndërtese (qoftë shtëpi, qoftë godina publike), sikur Lissosi të mos kishte qenë kurrë një qytet në kuptimin e vërtetë të fjalës, por vetëm një vend strehimi për popullsitë fshatare të rrethinave.

Për Dionisin, Lissosi qe një pozicion tepër verior për të mbrojtur kanalin e Otrantos. Ishte më shumë një pikë takimi me aleatët e tij ilirë të caktuar për ta ndihmuar kur të ndërhynte në Epir, e mbase edhe një port me anë të të cilit të mund të mbahej nën kontroll një rrugë depërtimi drejt juglindjes, rrugë që u zgjodh shpesh nga maqedonasit e Filipit V dhe të Perseut (Polibi, XXVIII, 8). Dështimi i planit epirot të Dionisit mund të jetë një shpjegim i arsyes përse Lissosi nuk përmendet më pas kësaj.

Pushtimi disavjeçar i Lissosit aty nga mesi i viteve 380 nga një skuadrilje sirakuzane mund të pranohet pra si një element i besueshëm i politikës së Dionis Plakut në këtë zonë të Adriatikut jugor. Sidoqoftë, në kundërshtim me mendimin e Udhedit, është shumë e dyshimtë që, nga Lissosi, sirakuzani t’u ketë vajtur në ndihmë parianëve që donin të vendosnin një koloni në Faros, në një largësi prej 300 kilometrash nga Lissosi. Leximi i emrit të vendit si Isa e jo Lissos është më i afërmendshmi në shkrimin e Diodorit (XV, 14, 2). Pseudo-Skymni (v. 413-414) e mban Isan për ngulim sirakuzan; ishulli i Visit ka pasur mundësi, më së paku, që të shërbente si bazë për një skuadriljeje sirakuzane që ndërhyri në çastin kur parianët kërcënoheshin prej ilirëve në Faros. Në fakt, në të njëjtën periudhë, sipas Diodorit (XV, 13, 3 dhe 14,1-2), banorët e Parosit erdhën e themeluan një ngulim, FAROSIN, në ishullin e sotëm të Hvarit67, në veri të Kerkyra Melainas. Pak kohë më vonë, popullsite vendase të ishullit të Hvarit u bënë thirije ilirëve të kontinentit fqinj (të krahinës pranë Splitit). Këta mbërritën, me nja 10 ooo vetë, hipur në anije të vogla, dhe iu vërsulën kolonëve grekë. Guvernatori (eparhos) që kishte vendosur Dionisi, jo në Lissos, siç shënon L. Braccesi68, por në Isa, siç ngul këmbë me të drejtë C. Vial-i,69 70 ndërhyri energjikisht me anije trerremëshe dhe i dërmoi lundrat e vogla të ilirëve. Lidhjet mes Parosit dhe Farosit vazhdonin të ishin mjaft të gjalla në fund të shekullit III e në fillim të shekullit II para J.K., siç e tregon mbishkrimi i bukur i botuar nga L. Robert-i7°. Mbishkrimi i Lumbardës është e pamundur të përdoret si argument në përpjekje për të mbështetur një prejardhje Siqeliane të kolonëve, për më tepër që ai mbishkrim është shumë më i vonë se këto ngjaije që janë afër në kohë me themelimin e ngulimit parian diku rreth vitit 385.

Nuk ka asgjë që të japë mundësi të flitet për një ngulim sirakuzan në Adria; përsa i përket pranisë sirakuzane në Ankonë, që përmend Straboni (V, 4, 2), duhet theksuar mirë se ngulimi ishte themeluar nga të mërguar sirakuzanë që kishin ikur nga vendi i tyre për shkak të tiranisë së Dionisit. Ka mjaft të ngjarë që Straboni t’ia ketë huazuar këtë version të kolonizimit të Ankonës Timeut, i cili e kundërshtonte tiraninë e Dionisit, por kjo nuk është arsye për t’ia hedhur poshtë përmbajtjen. Në rast se Ankona ka qenë një ngulim i themeluar nga sirakuzanë që kundërshtonin tiraninë, atëherë ky qytet ndodhej jashtë zonës së ndikiinit të Dionisit. Pra kjo e dhënë nuk mund të përdoret për të shtrirë perandorinë detare të Dionisit në Adriatik dhe as për ta mbajtur Ankonën si një vend ku tirani rekrutonte mercenarë keltë.

Çështja e themelimit të NUMANAS, në jug të Ankonës, është e vështirë për t’u sqaruar. E vetmja dëshmi e lashtë është dhënë nga Plini Plaku (H. N., III, 111), i cili flet për një themelim nga sikulët: “Numana a Siculis condita, ab iisdem colonia Ancona adposita promunturio Cunero”. Si të interpretohet vallë termi Siculi: a mund të mendohet se Siculi = sirakuzanë dhe të vlerësohet se të mërguarit e Sirakuzës themeluan në të njëjtën kohë edhe Ankonën, edhe Numanan? Apo mos vallë duhet menduar për një themelim shumë më të lashtë, aty nga gjysma e dytë e mijëvjeçarit II para J.K., që ka pasur ndoshta ndër mend Plini (H. N., III, 112) kur njofton se banorët më të lashtë të bregdetit adriatik midis Riminit dhe Ankonës kanë qenë sikulë dhe liburnë: “Siculi et Liburni plurima eius tractus tenuere... Umbri eos expulere, hos Etruria, hanc Galli"? Si zor se kuptohet përse t’u jetë dukur e nevojshme sirakuzanëve që të themelonin dy vendbanime aq pranë e pranë njëri-tjetrit në fillim të shekullit IV para J.K. Prandaj është shumë më e mundshme që të dyja vendbanimet të jenë krejt të pavarura nga njëri-tjetri e që Numana të mos ketë të bëjë fare me të mërguarit sirakuzanë kundërshtarë të Dionis Plakut.

Pra, tekefundit, pak gjë mbetet nga ajo çka është pandehur si “perandori adriatike” e Dionisit: një përzieije jetëshkurtër e dështake në çështjet e Molosisë, një prani fare kalimtare në grykëderdhjen e Drinit, në Lissosin e ardhshëm, dhe një ndihmë e dhënë në dy raste ca kolonëve nga Parosi. Shpjegimi për dy aventurat e para ka qenë mbase prania e Alketës në oborrin e Sirakuzës, ndërsa mbështetja për parianët ka synuar ndoshta që të nxisë vendosjen e një ngulimi që mund të përbënte ndihmesë në sigurinë e lundrimit në detin Adriatik. Të gjitha këto ngjarje ndodhën në një periudhë të shkurtër kohe, ndërmjet viteve 387 dhe 383.

Pushtimi gal

Pikërisht në kohën kur Dionisi i Sirakuzës kishte ndërhyrë në bregun lindor të gjirit Jonian, Adriatiku verior dhe prapatoka e tij, ultësira e lumit Po, u tronditën nga dyndja e popullsive kelte, e cila i shtyu tej etruskët dhe i detyroi të tërhiqen në drejtim të jugperëndimit. Kjo lëvizje popullsish ishte një ndryshim me rëndësi të madhe në historinë e bregut perëndimor të detit Adriatik. Njoftimi për të është dhënë nga shumë autorë të lashtë, duke filluar me Pseudo-Skylaksin (§ 18). Rrëfimi i Polibit (II, 17-18) është mjaft i përpiktë dhe ai ka mundur t’i qëmtojë këto të dhëna në traditën romake dhe italiane: “Ajo fushë [e lumit Po] banohej dikur nga etruskët. [...] Prandaj, kur studjohen perandoritë etruske, nuk duhet pasur parasysh territori që ata zënë tani, por ultësira e lumit Po dhe pasuritë që ka ajo. Keltët që bëheshin shpesh me ta për shkak të fqinjësisë, dhe që ua kishin vënë syrin bukurive të vendit, i sulmuan papandehur me ushtri të madhe për një shkas të parëndësishëm, i dëbuan nga krahina e lumit Po dhe e zaptuan për vete fushën”. Polibi zë e numëron pastaj popujt e rinj galë që u vendosën në ultësirën e lumit Po nga perëndimi në lindje: laoi, të quajtur laeui nga Tit Livi (V, 35, 2) dhe nga Plini (77. N., III, 124), lebekioi (Libicii tek Plini), insubrët në krahinën e Milanos dhe, tatëpjetë lumit, cenomanët; ai kujton praninë, më në veri, në ultësirën bregdetare të Adriatikut, të venetëve, të ardhur sipas legjendës nga Paflagonia me trojanin Antenor, që mbahej si themeluesi i Padovës. “Përtej lumit Po, rrëzë Apeninit, janë ngulur fillimisht anarët, pastaj bojët, më tej, në drejtim të Adriatikut, lingonët e, më në fund, në bregdet, senonët.” Polibi kallëzon pastaj se këta popuj jetonin në fshatra të pafortifikuar, nuk njihnin asnjë lloj prodhimi përpunues dhe jetonin në kushte mjaft primitive71. Thurima qytetare e ndërtuar nga etruskët u shpërbë dhe, pak nga pak, bregdetj adriatik u shkëput nga prapatoka e vet.

Qenë këta pushtues keltë, e veçanërisht senonët, ata që u shtynë deri në Romë, të cilën e morën në vitet 387-386, dhe, tridhjetë yjet më vonë, u gjendën përpara Albës. Nëse, pas kësaj, një e treta e fundit e shekullit IV përkon me një periudhë paqeje mes galëve dhe romakëve, veprimet luftarake rifilluan që në vitin 301; Roma përfitoi nga ky armëpushim me keltët për t’u dhënë shtytje operacioneve kundër samnitëve (321: kapitullimi i Grykave Kaudine) dhe përtë përparuar në Apuli. Aleanca e galëve dhe samnitëve, më 296, e shtoi kërcënimin mbi Romën. Legjionet romake u thyen në Kamerinum, në shpatin adriatik, në lindje të Asizit, para se të korrnin fitoren disa ditë më vonë në Sentinum. Prej vitit 290, samnitët u detyruan të nënshtrohen dhe u kthyen në aleatë të Romës. Në vitin 285, galët rrethuan Arreciumin (Arecon) në luginën e epërme të Arnos: ky qe një dështim i ri për ushtritë romake dhe konsulli L. Cecilius Metelus u vra. Pak kohë më vonë, senonët u mundën dhe Roma themeloi ngulimin e saj të parë në tokën kelte, në breg të Adriatikut, në Sena (Senigalia) në veri të Ankonës. Vitin e mëpasshëm, një koalicion bojësh e etruskësh u dërmua nga Roma në liqenin Vadimon (liqeni Basano), 70 kilometra në veri të Romës. Polibi saktëson se, për dyzet e pesë vjetë me radhë (nga 283 deri më 238), mes romakëve e galëve u vendos paqja: kjo ndodhte tre vjet para zbarkimit të Pirros në Italinë e Jugut, që do të përbënte një kërcënim të ri për zhvillimin e fuqisë romake në Italinë Jugore dhe në bregdetin adriatik. Ja, pra, sa u përmbys situata në viset italiane të bregut perëndimor të detit Adritik, sidomos me zëvendësimin e etruskëve nga keltët, dhe sa e paqëndrueshme mbeti ajo mes viteve 390 dhe 280.

Një plan athinas

Athina filloi t’i humbasë tregjet e saj në trevën padane vetëm pas vitit 325 dhe në mënyrë të veçantë në Adria, por jo medoemos në dobi të Sirakuzës dhe pas një hendeku të madh kronologjik me mbretërimin e Dionis Plakut. Mbase për të kundërvepruar ndaj kësaj humbjeje të tregjeve në rajonin e lumit Po, athinasit përgatitën një ekspeditë më 325, me qëllim që të themelonin një koloni në Adriatik, mundet më fort në pjesën veriore, në mënyrë që të siguronin furnizimin e saj me grurë e t’i vinin fre piraterisë etruske.72 Prania në Ankonë e sirakuzanëve që ishin kundërshtarë të tiranisë, ndoshta edhe të nxitur nga athinasit, ishte një kundërpeshë ndaj ngulimeve të Dionisit në zonën dalmate qendrore (Isa, me një ndërhyrje në Lis dhe, më vonë, në Lumbarda në ishullin e Kerkyra Melainas). Atyre u duhen shtuar dy ngulime të themeluara më 359-358 nga Dionisi i Riu në bregdetin apul (sipas Diodorit, XVI, 5, 3), për të luftuar kundër piraterisë që, në atë kohë, ishte duket më fort me prejardhje nga bregu perëndimor sesa nga Iliria.

Thyezat e një stele të madhe73 të zbuluar në Pire na njohin me një dekret, me anë të të cilit athinasit i jepnin një numër anijesh një qytetari të quajtur Miltiad, më 325-324, për dërgimin e një apoikia-je në Adriatik. Roli i saj duhej të ishte që të mbikqyrte trafikun detar dhe furnizimin me drithëra nëpërmjet ngritjes së një baze detare të aftë që t’u kundërpërgjigjej sulmeve të piratëve Tyrrhanoi, të cilën nuk mund të ishin tjetër veçse etruskë. Tekefundit, ekspedita nuk u nis, pa dyshim për arsye të ngjarjeve që po zhvilloheshin asokohe në Greqi, të cilat do të rëndoheshin së shpejti nga vdekja e Aleksandrit të Madh dhe lufta lamiake që e pasoi atë. Interesimi i athinasve për furnizimin me grurë nuk kishte asgjë befasuese, në atë periudhë kur Greqia dhe në veçanti qyteti i Athinës ishin bërë pre e zive të rënda të bukës, që lidheshin pa dyshim me ndërrimin e drejtimit të ngarkesave me grurë nga Deti i Zi, të cilat nuk mbërrinin më në portin e Pireut. Ideja për t’u kthyer drejt tregjesh të tjera u shkoi vetvetiu ndër mend qytetarëve, të cilët nuk e kishin harruar rolin që kishte luajtur zona padane një shekull më parë: më 331-330, Likurgu qortonte Leokratin74, ndërkohë që banonte në Megarë si metek, se i kishte blerë grurë në Epir mbretëreshës Kleopatra dhe se e kishte bartur në Leukadë e në Korint, në vend që të furnizonte Pireun, ashtu siç ua donte ligji athinasve që gjatë shekullit V. Ndër fjalimet e humbura të autorëve atikë të së njëjtës kohë, veçohen një fjalim mbi Tirrenasit i Dinarkut (fragmenti 9) dhe një tjetër i Hyperidit. Vendmbërritja e ekspeditës së planifikuar nga athinasit nuk dihet, por teksti i dekretit e saktëson qartë se bëhej fjalë për krijimin e një baze detare, dhe jo një kolonie bujqësore në një krahinë të volitshme për prodhimin e drithit: disa studjues anojnë më fort nga një vend në jug të Adriatikut (Braccesi), të tjerë priren nga delta e lumit Po, çka do të përforconte Spinën (Amat-Sabatini). Zgjidhja bëhet e pamundur përballë heshtjes së mbishkrimit dhe braktisjes së planit të ekspeditës. Fare mirë, fjala mund të ketë qenë për vendosjen e një baze në bregdetin apul, pa shkuar në veri të Garganos, deri në Ankonë apo në ultësirën e lumit Po.

info@balkancultureheritage.com