Konflikti ikonoklast dhe luftërat kundër arabëve: Leoni III
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Konflikti ikonoklast dhe luftërat kundër arabëve: Leoni III

Detyra e parë dhe më urgjente e perandorit të ri ishte mbrojtja kundër rrezikut arab, që po afrohej gjithnjë e më shumë dhe që po dukej se po vinte në çdo çast në pikëpyetje vetë ekzistencën e perandorisë. Meqenëse kundërofensiva bizantine nën Anastasin II dështoi nga ndërlikimet e brendshme, beteja vendimtare u desh të zhvillohej përsëri nën muret e kryeqytetit bizan-tin. Leoni III e përgatiti me ngut të madh qytetin për rrethimin që afronte, duke përfunduar punimet mbrojtëse që ishin nisur nga Anastasi. Në gusht të vitit 717 vëllai i kalifit, Masllami, me ushtri e flotë ia behu në Kostandinopojë. Ashtu si në kohët e Konstandinit IV u zhvillua një betejë e ashpër që duhej të vendoste për jetën a vdekjen e Perandorisë Bizantine. Ashtu si dyzet vjet më parë, edhe kësaj radhe Bizanti ia doli ta fitojë betejën vendimtare. Bizantinët mundën t'i venë zjarrin flotës arabe me anë të "zjarrit grek", ndërsa përpjekjet e arabëve për të pushtuar Kostandinopojën u thyen përball qëndrueshmërisë së mureve të qytetit. Veç kësaj dimri i vitit 717-718 qe veçanërisht i ashpër dhe një numër i madh arabësh humbën jetën nga të ftohtët. Më në fund, në kampin arab plasi një zi buke e padurueshme që e shtoi numrin e viktimave. Nga ana tjetër, armata arabe u sulmua nga bullgarët, që i shkaktuan asaj humbje të rënda. Më 15 gusht 718, plot një vit pas fillimit të tij, rrethimi u hoq dhe flota arabe i braktisi ujërat bizantine. Për të dytën herë, sulmi arab mbi portat e Europës thyhej përballë mureve të kryeqytetit bizantin. Në tokë lufta rifilloi shumë shpejt dhe u zhvillua me egërsi të veçantë. Duke filluar nga viti 726 arabët vërshuan çdo vit në Azinë e Vogël. Cesarea u pushtua, Nikea u rrethua e vetëm më 740 fitorja e bujshme e Leonit III pranë Akroinos, jo larg Amorit, mundi t'i vejë fre këtyre fatkeqësive. Edhe në këtë rast me shumë vlerë rezultoi për perandorinë miqësia tradicionale e Kazakëve, të cilët i bashkonte me Bizantin armiqësia e përbashkët kundër kalifatit. Kazakët i krijuan vështirësi serioze arabëve me inkursionet e tyre në Kaukaz e Armeni. Aleanca me perandorinë e Kazakëve u përforcua më tej më 733, me martesën e djalit e trashëgimtarit të Leonit III, Konstandinit, me njërën nga vajzat e Khanit të Kazakëve.

Me shpëtimin e Kostandinopojës dhe fitoren në Azi të Vogël mbyllej një fazë e rëndësishme e luftërave bizantino-arabe. Sulmet e mëvonshme të arabëve do t'i knjonte përsëri probleme serioze perandorisë, por s'do ta venë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Kostandinopoja nuk u rrethua më nga arabët dhe Azia e Vogël mbeti një pjesë përbërëse e perandorisë, falë sistemit të themave, që i jepte asaj aftësi të konsiderueshme qëndrese.

Për të perfeksionuar sistemin e ri administrativ, Leoni III e ndau themën e Anatolisë në njësi më të vogla. Kjo masë synonte së pari të parandalonte uzurpime të mundshme, që në kohët e fundit ishin bërë diçka e zakonshme. Askush më mirë se Leoni s'mund ta dinte se ç'rreziqe e kërcënonin perandorinë për sa kohë që të gjitha këto territore kontrolloheshin nga një strateg i vetëm. Kështu pjesa perëndimore e distriktit anatolik u organizua si një themë më vete. Fakti që distrikti i ri u quajt "Thema e Trakëve" nga trupat europiane dikur të dislokuara aty, që në fillim formonin një turma (divizion) të themës anatolike, hedhdritëmbi gjenezënesistemintë themave. Thema e Opsikionit, që ishte po aq e madhe, në mos edhe më shumë, nuk u nda më tej. Në atë rast, Leoni u mjaftua t'ia besojë komandën dhëndrit të tij, Artavazdit. Sesa i rëndë qe gabimi i tij, këtë e kuptoi menjëherë djali e trashëgimtari i Leonit, i cili i parandjeu pasojat ndaj vendosi ta ndajë këtë distrikt të stërmadh në dy pjesë. Gjysma lindore u organizua si themë autonome që u quajt "Thema e Bukellarëve", për shkak të Bukellarëve të vjetër të dislokuar në atë krahinë. Nga ana tjetër, në kohën e Anastasit II apo të Leonit III, në çdo rast pas vitit 711 e para vitit 732, thema detare e Karabisianëve, që fillimisht përfshinte të gjitha forcat detare të provincave perandorake, u nda në dy pjesë: çdonjëra prej këtyre pjesëve, që më parë drejtohej nga një drungarios, vartës i strategut të themës, u ngrit në rangun e një theme autonome nën urdhrat e strategut të vet. Kështu, tash e tutje bregdeti jugor i Azisë së Vogël me ishujt e afërt formon themën e Kibereotëve, ndërsa ishujt e Egjeut formojnë drungariatin e Detit Egje, që më vonë u ngrit në rangun e themës dhe pësoi ndarje të mëtejshme. Rreth asaj kohe edhe Kreta u ngrit në rangun e themës. Ndarja e themave të stërmëdha të shekullit VII, u pasqyrua domosdo edhe në efiçiencën administrative. Ajo i dha elasticitet më të madh aparatit administrativ dhe ndikoi kështu në perfeksionimin e sistemit. Perandorët e shek. VIII, edhe pse në përmasa modeste e çuan përpara veprën e madhe të dinastisë herakliane. Sidoqoftë zhvillimi i mëtejshëm dhe më i thellë i sistemit të themave do të kryhet një shekull më pas.

Libri i së drejtës që u botua më 726 me emrin e Leonit III dhe të djalit të tij, shënon një kthesë në historinë e kodifikimit juridik bizantin.51 Ekloge-]a e perandorëve Leon e Konstandin paraqet një përzgjedhje të normave më të rëndësishme të së drejtës private e penale, që ishin në fuqi. Aty i kushtohet kujdes i veçantë së drejtës familjare dhe së drejtës së trashëgimit, ndërsa e drejta e pronës zë aty një vend të dorës së dytë. Botimi i Eklogesë kishte një qëllim praktik: t'u jepte gjykatësve një kod të së drejtës, që të kishte një vëllim e një përmbajtje të tillë që t'i përgjigjej nevojave të tyre praktike dhe të zëvendësonte librat tepër voluminozë e të vështirë të Justinianit I. Ekloge-ja mbështetet mbi të drejtën romake, në variantin e përpunuar në Corpus juris të Justinianit, që vazhdon të jetë themeli i jurisprudencës bizantine. Por Ekloge- ja nuk kënaqet me exerpta-t (ekstrakte) e së drejtës antike, ajo e revizionon këtë të fundit duke e "humanizuar". Në fakt aty shquhen ndryshime të mëdha në krahasim me të drejtën justiniane, që rrjedhin nga ndikimi i së drejtës kanonike dhe i së drejtës zakonore të Orientit. Kështu, p.sh., kufizohet së tepërmi patria potestas (pushteti i burrit) ndërkohë që të drejtat e gruas dhe të fëmijëve janë zgjeruar dhe martesa gëzon një mbrojtje të veçantë. Vlejnë për t'u përmendur sidomos ndryshimet e bëra në kodin penal, që nuk frymëzohen aspak nga ndjenja të filantropizmit kristian. Ekloge-ja parashikon një sërë ndëshkimesh trupore, që ishin të panjohura tek e drejta justiniane: prerje e hundës dhe e gjuhës, prerje e dorës, verbim, prerje dhe djegie e flokëve, etj. Në raste të caktuara këto ndëshkime të tmerrshme trupore zëvendësojnë dënimin me vdekje, por në raste të tjera zëvendësojnë edhe dënimet me gjobë të së drejtës justiniane. Në fund të fundit, kënaqësia tipike justiniane e gjymtimit dhe e ndëshkimeve të frikshme trupore, si pasqyrohet në Ekloge, nuk përbën diçka të re në Bizant: historia e shek. VII ofron shembuj të shumtë në këtë drejtim. Sa më shumë i largohet të drejtës justiniane, aq më shumë Ekloge-ja i referohet së drejtës zakonore që ishte zhvilluar në Bizant në shek. VII. Ajo na tregon ndryshimet që kishin ndodhur në Iigjet dhe në ndërgjegjen juridike bizantine nga koha e Justinianit. Të tilla ndryshime i detyrohen pjesërisht depërtimit më të thellë të etikës kristiane dhe pjesërisht barbarizmit të zakoneve si rezultat i ndikimeve orientale.

Botimi i këtij manuali të ri të së drejtës, mjaft i përdorshëm e krejtësisht i kuptueshëm, i dha padyshim një shtytje veprimtarive juridike e ligjore. Në parathënien e Eklogesë gjejmë një deklaratë të rëndësishme të perandorit, ku ky shpreh vendimin e tij për të luftuar korrupsionin e punonjësve të drejtësisë dhe për t'i mbajtur me rrogë shtetërore të gjithë gjykatësit, duke filluar nga kuestori.53 Më vonë Eklogeja fitoi një famë të keqe, duke qenë vepër e dy ikonoklastëve, Leont e Konstandinit. Pavarësisht nga kjo, ajo luajti një rol thelbësor në gjithë zhvillimin e mëvonshëm tësë drejtës bizantine dhe ndikimi i saj i kapërceu kufijtë e perandorisë duke lënë gjurmë edhe në zhvillimin e sistemeve juridike të shteteve sllave.

Konflikti ikonoklast hapi një kapitull të ri krejt të veçantë, të historisë bizantine. Kundërshtimi i kultit të ikonave nga Leoni III shënoi fillimin e një krize që i dha vulën e saj gjithë kësaj periudhe dhe që e ktheu perandorinë në një arenë luftërash të brendshme që vazhduan më se një shekull. Kriza po piqej dalëngadalë. Fakti që ajo mori pamjen e një grindjeje për çështjen e ikonave shpjegohet me vlerën simbolike që i atribuonin atyre bizantinët. Në kishën bizantine kulti i ikonave të shenjtorëve, sidomos pas epokës së Justinianit kishte njohur një përhapje gjithnjë e më të madhe, dhe ishte bërë një nga format kryesore me të cilën shprehej kredoja fetare e bizantinëve.54 Por nga ana tjetër, në vetë gjirin e kishës nuk mungonin prirje kundër kultit të ikonave pasi besohej që krishterimi, si fe e pastër shpirtërore, s'kishte asgjë të përbashkët me të. Ky kundërshtim ishte i fortë sidomos në krahinat lindore të perandorisë, të cilat prej shumë kohësh ishin kthyer në një gjenerator turbullirash fetare, ku ndesheshin ende mbeturina të monofizizmit e ku forcohej e përhapej sekti i pavlikanëve, armik i çdo kulti fetar. Por duhej kontakti me botën arabe, që lufta kundër kultit të ikonave të shpërthente hapur. Prirjet ikonoklaste të Leonit III kundërshtarët e tij i lidhnin herë me ndikime hebraike dhe herë me ndikime arabe. Fakti që Leoni III i persekutoi çifutët dhe i detyroi ata të pagëzoheshin,56 nuk e përjashton mundësinë që ai të ketë qenë ndikuar nga feja e Moisiut, që ndalonte rreptësisht përdorimin e ikonave. Po ashtu, lufta kundër arabëve nuk përjashton që perandori të jetë ndikuar nga kultura arabe. Përndjekjet kundër çifutëve në kohën e Leonit III, ndër të rrallat përndjekje antisemite të historisë bizantine, duhen konsideruar më shumë si një shenjë e forcimit të ndikimit hebraik në këtë kohë; duke filluar nga shek. VII, në letërsinë teologjike bizantine shfaqen gjithnjë e më shumë shkrime polemike në përgjigje të sulmeve hebraike kundër krishterimit. Akoma më i rëndësishëm është qëndrimi filo-arab i Leonit, që bashkëkohësit e quajtën sarakenofrom (mendje-saraçeni). Arabët që prej dekadash përshkruan kryq e tërthor Azinë e Vogël, nuk i tregonin Bizantit vetëm shpatën, por edhe kulturën e tyre e bashkë me të dhe neverinë e tyre karakteristike ndaj paraqitjes së figurave njerëzore. Ikonoklastia lindi kështu në viset lindore të perandorisë nga një ndërthurje karakteristike e një perceptimi thellësisht shpirtëror të fesë së krishterë me doktrinat e sekteve ikonoklaste dhe konceptet eherezive të vjetra kristologjike si dhe me ndikimet e besimeve jo të krishtera, si judaizmi e sidomos islamizmi. Pas fitores mbi marshimin ushtarak të Orientit, tani, në formën e konfliktit për ikonat, filloi lufta kundër depërtimit të ndikimeve kulturore orientale. Ai që ia përgatiti rrugën depërtimit të ndikimit kulturor oriental ishte po ai perandor që dikur zmbrapsi mësymjen arabe mu në portat e Kostandinopojës.

Lufta kundër kultit të ikonave kishte pasur një prelud të vetin në mbretëri në e Omajadëve, e cila vetëm disa vite përpara se të shpërthenin trazirat ikonoklaste në Bizant kishte marrë masa kundër kultit të figurave. Njëkohësisht u fuqizua rryma ikonoklaste në Azinë e Vogël bizantine, ku qe formuar një parti ikonoklaste me popullaritet të madh. Në krye të saj qenë eksponentë të lartë të klerit të Azisë së Vogël, si metropoliti i Klaudipolit, Thomai, e sidomos peshkopi Konstandin i Nakoleas, kreu i vërtetë shpirtëror i ikonoklastisë bizantine, të cilin bizantinët ortodoksë e quajtën "Hereziark". Tani u bashkua me lëvizjen ikonoklastiste edhe Leoni III, i cili ishte me origjinë nga zonat kufitare të lindjes, dhe që, në cilësinë e strategut të Anatolisë, kishte krijuar lidhje të ngushta me arabët. Më 726 Leoni III u deklarua për herë të parë hapur kundër kultit të ikonave. Kjo i detyrohej presionit të peshkopëve ikonoklastë të Azisë së Vogël, që pak kohë më parë kishin ardhur në kryeqytet. Por shtysa e fundit për kryerjen e këtij hapi me sa duket u bë një tërmet i fuqishëm, që perandori e interpretoi si një shenjë të zemërimit hyjnor kundër praktikës së adhurimit të ikonave. Fillimisht filloi të predikonte në popull për ta bindur atë për kotësinë e ikonolasisë (adhurimit të ikonave). Në këtë rastshprehej koncepti i Leonit mbi misionin e perandorit, që ai mendonte se i qe besuar nga Zoti: siç i shkruante më vonë papës, ai nuk e konsideronte veten vetëm perandor, por edhe prift suprem. Shumë shpejt ai kaloi nga fjalët në vepra dhe një ditë prej ditësh urdhëroi një oficerin e vet të heqë portretin e Krishtit mbi Portën e Bronzët të pallatit perandorak.

Nëse me këtë gjest perandori kishte ndër mend të provonte prirjet dhe ndjenjat e popullsisësë kryeqytetit, rezultati që korri nuk qe aspak inkurajues: populli i egërsuar e vrau në vend oficerin perandorak që zbatoi urdhrin. Por akoma më e rëndësishme se kjo revoltë rruge ishte kryengritja që plasi në Greqi sapo që aty u hap fjala për luftën e shpallur nga perandori kundër kultit të ikonave. Thema e Helladës shpalli një antiperandor dhe dërgoi flotën e saj drejt Kostandinopojës. Kështu, qysh në fillim pjesa perëndimore e perandorisë shfaqi prirjen e saj në favor të kultit të ikonave, qëndrim që do të konfirmohet gjatë gjithë konfliktit për ikonat. Perandori arriti ta shtypë shpejt e shpejt kryengritjen, porse kryengritja e një province të tërë ishte një paralajmërim serioz, që s'mund të injorohej.

Edhe pse përkrahës fanatik i teorisë së ikonoklastisë, Leoni III fillimisht i hodhi hapat me shumë kujdes. Vetëm në vitin e dhjetë të sundimit vendosi të deklarohej hapur kundër ikonave dhe duhej të kalonin vite të tjera para se të merrte vendimin përfundimtar. Këto vite iu kushtuan taktikave me autoritetet më të larta kishtare. Për të fituar siguri më të madhe në lëvizjet e tij, Leoni u përpoq të fitojë edhe mbështetjen e papës e të patriarkut të Kostandinopojës. Por propozimet e tij ndeshën në kundërshtimin e vendosur të patrikut plak German, ndërkohë që edhe letërkëmbimi me papën Grigor II pati një fund krejtësisht negativ. Grigori II i hodhi poshtë me një ton veçanërisht të rreptë deklaratat ikonoklaste të perandorit, por megjithatë u përpoq ta shmangte prishjen përfundimtare. Jo vetëm kaq, por u angazhua të qetësonte lëvizjet antiperandorake që shpërthenin njëra pas tjetrës në Itali. Duke i dalluar problemet fetare nga ato politike, ai mbeti gjithnjë luajal ndaj perandorit bizantin, të cilit i qe besuar atë kohë mbrojtja e papatit nga rreziku longobard.

Krahas patrikut German e papës Grigor II, kundërshtari më i madh i perandorit ishte Johan Damaskeni, teologu më i shquar i shekullit të tij, një grek që kish mbuluar një post të lartë në oborrin e kalifit në Damask e që më vonë ishte futur në manastirin e Shën Sabës afër Jerusalemit. Vepra më origjinale dhe më e përkryer nga pikëpamja artistike, edhe pse jo më e njohura e Damaskenit përfaqësohet nga tre oracione (fjalime) në mbrojtje të kultit të ikonave. Duke iu kundërvënë tezës sipas të cilës kulti i ikonave duhej konsideruar si një ringjallje e idolatrisë pagane, Johani zhvillon një teori të vetëm mbi ikonat, në të cilën ikona konsiderohet si simbol dhe ndërmjetës në kuptimin neoplatonik. Kulti i figurës së Krishtit, sipas tij, mbështetet mbi dogmën e mishërimit (inkarnacionit), kështu që problemi i figurave lidhet me doktrinën e shpëtimit. Sistemi i Damaskenit luajti rol përcaktues në zhvillimin e mëtejshëm të doktrinës që propagandonte kultin e ikonave.

Me dështimin e traktativave, Leonit III nuk i mbetej gjë tjetër për realizimin e planeve të tij, përveç përdorimit të forcës. lu fut kësaj rruge dhe nxori një edikt me anë të të cilit urdhëronte shkatërrimin e të gjithë ikonave të kultit. Megjithatë, u përpoq të ruante aparencat ligjore: më 17 janar 730 thirri në pallatin perandorak një asamble të personaliteteve më të larta civile e kishtare, të ashtuquajtur silentium, të cilës i parashtroi për miratim ediktin në fjalë. Patriku German refuzoi të nënshkruajë, ndaj u shkarkua menjëherë. Më 22 janar në këmbë të tij u emërua si patrik synkeli Anastas, që ishte gati t'i bindej pa rezerva urdhravë të perandorit. Me botimin e ediktit ikonoklast, doktrina që luftonte kultin e ikonave mori formën e ligjit. Ikonat u shkatërruan dhe adhuruesit e tyre iu nënshkruan përndjekjeve.

Por perandori nuk ia doli dot ta detyrojë Italinë e largët të bashkohet me ikonoklastinë. Lufta ikonoklastike e shpërthyer në Bizant pati efekte të forta në marrëdhëniet midis Kostandinopojës dhe Romës. Pas botimit të ediktit ikonoklast, që e ngrinte doktrinën kundër kultit të ikonave në doktrinë zyrtare të shtetit e të kishës, prishja e pritur prej kohësh u bë e pashmangshme. Papa Grigori III, pasardhës i Grigorit II, u shtrëngua të dënojë ikonoklastinë bizantine. Leoni II, që deri atëherë kishte shpresuar ta bindte papën, ashtu si ky kishte shpresuar ta bindte perandorin, u detyrua nga ana e tij të mbante robër të dërguarit e Grigorit III. Ndarja politike u pasua nga ndarja fetare. Rrjedhojat e para politike të konfliktit ikonoklast qenë një thellim i të çarave që ekzistonin midis Kostandinopojës dhe Romës dhe një dobësim i ndjeshëm i pozitave bizantine në Itali.

info@balkancultureheritage.com