Konture të historisë së periudhës së parë të Shtetit Bizantin 324-610
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Konture të historisë së periudhës së parë të Shtetit Bizantin 324-610

~Georg Ostrogorski

Njohuritë tonë për historinë bizantine mbështeten mbi burime bizantine dhe jobizantine të llojeve të ndryshme. Grupi kryesor i burimeve përfaqësohet nga veprat e historianëve e të kronistëve bizantinë, mjaft të ndryshëm midis tyre për sa i përket prodhimtarisë, plotësisë e saktësisë.

Kuadri plotësohet e jo rrallë korrigjohet, nga njëra anë prej njoftimeve që japin burimet perëndimore dhe lindore, e më vonë edhe nga ato sllave; kurse nga ana tjetër nga tipe të tjera burimesh bizantine: shkrime të rastit, raporte ambasadorësh, letra e fjalime që na ndriçojnë më mirë të dhënat e veprave historike.

Duke pasur parasysh rolin e Kishës gjatë gjithë historisë bizantine, historiani duhet të ketë parasysh edhe shkrimet teologjike e në veçanti aktet e koncileve.

Burime të tjera të rëndësishme janë jetëshkrimet e shenjtorëve, që për periudha të caktuara nuk janë më pak të rëndësishme se veprat e mirëfillta historike.

Megjithatë, të gjitha këto burime na japin fare pak të dhëna për jetën ekonomike dhe strukturën juridike e administrative të perandorisë. Për këtë duhet t'u drejtohemi shënimeve të ndryshme zyrtare e jozyrtare mbi organizimin e oborrit, të administratës, të ekonomisë e të ushtrisë. Duhet t'u drejtohemi gjithashtu veprave juridike, me të cilat letërsia bizantine qe veçanërisht e begatë, papireve dhe për një periudhë më të vonë dokumenteve. Vetëm për periudhën nga gjysma e dytë e shek. XI e më pas kemi një numër të konsiderueshëm dokumentesh bizantine, për periudhën maqedone kemi vetëm ndonjë, kurse për periudhat më të hershme nuk kemi fare.

Një grup i veçantë burimesh përfaqësohet nga materiali arkeologjik: monumente, mbishkrime, monedha, vula etj. Në të kaluarën, studiuesit e historisë bizantine kanë shfrytëzuar këto lloj burimesh shumë më pak sesa studiuesit e historisë së lashtë. Por tashmë bizantinistët i kushtojnë vëmendje gjithnjë më të madhe burimeve arkeologjike.

Historiografia bizantine fillon me Eusebion, peshkop i Cezaresë. Autor i një kronike në dy libra (deri më 325), ai është një ndër të parët kronistë historikë, veprat e të cilëve patën në Bizant një rëndësi të madhe. Eusebio shkroi edhe një histori të kishës, (në dhjetë libra, deri më 324) dhe atij i përket edhe e famshmja Jetë e Konstandinit të Madh.

Historiani më i madh i kohës së Justinianit është Prokopi i Cezaresë (nga Palestina). Si sekretar i Belisarit, mori pjesë në luftërat kundër vandalëve, vizigotëve e persëve dhe shkroi në tetë libra historinë e këtyre luftërave (shtatë librat e parë u përfunduan më 551, i teti më 553). Veç kësaj shkroi të famshmen Histori sekrete (një libërth kundër Justinianit e Teodorës) e më 554 veprën De aedificiis mbi ndërtimet e kryera nga Justiniani. Megjithëse veprat e Prokopit nuk shquhen për objektivitet (në De aedificiis ai paraqitet si një thurës lavdesh kurse në Historinë sekrete si një pamfletist i hidhur) ato ruajnë një vlerë të padiskutueshme dokumentare, duke qenë në të njëjtën kohë edhe vepra me vlerë për sa i përket aspektit stilistik. Bashkëkohësi i tij më i ri, Agacia, e vazhdoi veprën e Prokopit dhe në veprën e vet për Justinianin trajtoi periudhën 552-555. Në këtë grup autorësh bën pjesë Menandër Protektori, autor i një vepre të rëndësishme për periudhën 558- 582, nga e cila njohim vetëm disa fragmente. Teofilakti i Simokatës e vazhdoi veprën e Menandrit dhe shkroi në tetë libra historinë e perandorit Mauric (582-602). Pra, kemi një varg të pashkëputur historianësh, një fenomen tipik i historiografisë bizantine, që do të rishfaqet dhe më vonë. Karakteristike për të gjithë historiografinë bizantine është edhe afiniteti i saj me historiografinë klasike greke. Në këtë kohë një dukuri e tillë vihet re sidomos te Prokopi (po ashtu tek Agacia e Simokata), i cili, i formuar si klasicist, përpiqet të imitojë Tuqididin. Në fund të fundit, kësaj lidhjeje me traditën klasike greke i detyrohet fakti që historiografia bizantine në përgjithësi është e një niveli mjaft të lartë dhe e lë mjaft prapa historiografinë mesjetare perëndimore.

Krahas historiografisë në kuptim të ngushtë, duhet të kemi parasysh edhe kronografinë, një zhanër i prodhimit historiografik karakteristik për Bizantin. Johan Malalas shkoi një kronikë universale që mbërrin deri në vitet e fundit të Justinianit. Një tjetër kronikë, që nuk ka mbërritur e plotë dhe që duhej të arrinte deri në vitin 610, është ajo e Johan Antiokenit. Për Teofanin e kronistë të tjerë të mëvonshëm, veprat e të cilëve kanë vlerë pjesërisht edhe për periudhën e parë bizantine, do të bëhet fjalë në kapitujt që vijojnë.

Njohuritë tona mbi rendin juridik dhe administrativ të periudhës së parë të shtetit bizantin, mbështeten kryesisht te Codex Theodosiaims dhe te vepra monumentale Corpus iuris e Justinianit, nga i cili marrin vlerë të veçantë për studiuesin e historisë bizantine Codex Justinianus dhe Novellae.

Mbi sistemin hierarkik e burokratik të periudhës së parë të shtetit bizantin na informojnë Notitia dignitatum të gjysmës së parë të shek. V, dhe De Magistratibus i Johan Lidit, shkruar në mesin e shek. VI. Nga shkrimet e Pjetër Patricit, që ishte magister officiorum nga 539 deri më 565, na kanë ardhur vetëm fragmente. Rëndësi të veçantë ka përshkrimi i tij mbi ceremoninë e kurorëzimit të perandorit në shek. V e VI, përshkrim që Konstandin Porfyrogjeneti e mori dhe e futi në librin e tij mbi ceremonitë (I, kap. 84-95). Manuali ushtarak i njohur me titullin Strategikon i Mauricit ose Pseudo-Mauricit, është i fundit të shekullit VI ose i fillimit të shekullit VII. Është i rëndësishëm jo vetëm për historinë e artit ushtarak bizantin, por edhe për historinë e popujve të tjerë, si persianët, turqit, avarët, sllavët, antët, frankët e longobardët, për të dhënat që na jep mbi zakonet dhe artin ushtarak të këtyre popujve.

Perandoria romake e krishterë

Strukturë shtetërore romake, kulturë greke dhe besim i krishterë: këto janë burimet kryesore kulturore të zhvillimit të Perandorisë Bizantine. Heqja e çdonjërit prej këtyre tri elementeve do ta bënte të pamundur kuptimin e kulturës bizantine. Vetëm sinteza e kulturës helenistike dhe e besimit të krishterë me strukturën shtetërore romake lejoi lindjen e atij fenomeni historik që quhet Perandori Bizantine. Një sintezë e tillë u bë e mundur nga zhvendosja e gravitetit të Perandorisë Romake në Lindje, shkaktuar nga kriza e shek. III, që pati si rrjedhojë kryesore kristianizimin e Perandorisë Romake dhe themelimin e një kryeqyteti të ri në Bosfor. Ngadhënjimi i krishterimit dhe zhvendosja e qendrës politike të perandorisë në Lindjen helenistike, janë dy ngjarjet që shënojnë fillimin e epokës bizantine.

Historia bizantine është pikësëpari një periudhë e re e historisë romake dhe shteti bizantin s'është gjë tjetër veçse një vazhdim i perandorisë së vjetër romake. Siç dihet, termi "bizantin" lindi shumë më vonë dhe "bizantinët" e vërtetë nuk e njihnin. Ata vazhduan të quhen "Romakë" (Pcopaioi), perandorët bizantinë e thërrisnin veten perandorë romakë, pasardhës e trashëgimtarë të Cezarëve të Romës së vjetër. Për gjithë kohën që jetoi perandoria e tyre, ata mbetën nën pushtetin e prestigjit të emrit të Romës, ashtu si mbetën deri në fund nën pushtetin e traditës shtetërore romake mendimi dhe vullneti i tyre politik. Perandoria, aq heterogjene nga pikëpamja etnike, qëndroi e bashkuar në sajë të konceptit shtetëror romak dhe roli i saj në botë u përcaktua nga ideja e universaiizmit, një ide romake.

Si trashëgimtar i Perandorisë Romake, Bizanti donte të ishte e vetmja perandori në rruzull e mbi këtë bazë pretendoi të sundonte mbi të gjitha ato vende që dikur kishin bërë pjesë në universin romak dhe që tani s'ishin gjë tjetër veçse pjesë e universit kristian. Një aspiratë e tillë do të pësonte vazhdimisht zhgënjime përballë realitetit politik. Gjithsesi, në pikëpamje qoftë juridike e qoftë morale, asnjëri nga shtetet e krishterë, që lindën krahas perandorisë romano-bizantine në truallin e dikurshëm romak, nuk u vu në një plan me Bizantin. Për rrjedhojë, u krijua një hierarki e ndërlikuar shtetesh, në krye të së cilës qëndronte perandori i Bizantit, i konsideruar perandor romak e kreu i botës së krishterë. Në periudhën e parë bizantine kur luftonte për të shtënë në dorë drejtimin e "orbis"-it romak, apo në periudhën e mesme e të fundit bizantine, boshti i politikës bizantine mbeti lufta për të ruajtur këtë epërsi morale.

Por sado që nuk e humbi kurrë vetëdijen e lidhjeve të tij me Romën e vjetër dhe, për arsye ideale, pasi edhe për arsye të interesave politike të fuqisë së madhe, nguli këmbë vazhdimisht në trashëgiminë romake, Bizanti prapëseprapë do të largohej gjithnjë e më shumë nga karakteristikat origjinale të qytetërimit romak. Në kulturë e në gjuhë greqizimi përparonte me hapa të shpejtë; njëkohësisht kisha u bë një element i gjithëpranishëm në jetën bizantine; nga ana e tij, zhvillimi ekonomik, shoqëror e politik evoluoi drejt një sistemi të ri ekonomik e shoqëror. Për rrjedhojë, qysh në mesjetën e hershme u krijua një organizim shtetëror dhe një sistem administrativ krejtësisht të ri. Ndryshe nga ç'është menduar zakonisht, zhvillimi i shtetit bizantin qe mjaft dinamik: lëvizja, përsosja, rinovimi qenë tiparet e tij, aq sa në fund të zhvillimit të tij historik Perandoria Bizantine nuk kishte më asgjë të përbashkët me perandorinë e vjetër romake, përveç emrit, traditave dhe aspiratave të saj të parealizueshme.

Sidoqoftë, në fillimet e veta, Perandoria Bizantine ishte ende një perandori romake, gjithë jeta e saj ishte thurur dendur me elemente romake. Kjo periudhë, që mund të quhet sa periudhë e vonë e Perandorisë Romake, aq edhe periudhë e hershme bizantine, i përket historisë bizantine jo më pak se historisë romake. Tre shekujt e parë të historisë bizantine (apo tre shekujt e fundit të historisë romake), janë një epokë e tipike e tranzicionit, që çon nga Perandoria Romake në atë Bizantine mesjetare, në të cilën format e jetës së Romës së lashtë shuhen pak nga pak duke ua lënë vendin dukurive të reja të qytetërimit bizantin.

Pikënisja e historisë bizantine është perandoria romake që doli nga kriza e shekullit IV. Kriza ekonomike e kësaj periudhe pati rrjedhoja tejet të rënda në pjesën perëndimore të perandorisë. Lindja tregoi aftësi më të mëdha rimëkëmbjeje dhe kjo u vuri vulën zhvillimeve të mëvonshme e, në të njëjtën kohëshpjegon "bizantinizimin" e perandorisë romake. Sidoqoftë, edhe Lindja u prek nga një krizë e tillë, që ishte një krizë e përgjithshme e sistemit shtetëror të Perandorisë së vonë Romake dhe e strukturës ekonomiko-shoqërore të saj. Rënia ekonomike, e shoqëruar nga përmbysje të mëdha shoqërore e politike, nuk e kurseu pjesën perëndimore të perandorisë. Vërtet, rënia e numrit të popullsisë dhe degjenerimi i qytetit të jetës ekonomike nuk qenë njëlloj serioze si në perëndim. Por gjithsesi, mungesa e fuqisë punëtore i shkaktoi dëm të madh jetës ekonomike dhe e çoi prapa zejtarinë e tregtinë në gjithë perandorinë. Për më tepër, kriza e shek. III shënoi shembjen e kulturës së vjetër qytetare. Dukuri e përgjithshme u bë edhe zhvillimi i latifondit. Kudo në perandori, pronat e mëdha të tokës u rritën më tej në kurriz të pronës së vogël e të domenit shtetëror. Pasojë e zhdukjes progresive të pronës së vogël qe lindja dhe zhvillimi i bujkrobërisë, që përshpejtohej edhe më shumë nga mungesa e ndjeshme e fuqisë punëtore. Sigurisht, për një robërim të vërtetë s'mund të flitet veç në raste të veçanta. Por vihet re një prirje e përgjithshme për ta shtrënguar popullsinë të mbetej e lidhur pas një zanati të caktuar, gjë që përbënte një vijë të ndjekur sistematikisht nga shteti romak nga koha e krizës së shek. III, dhe, siç dihet, shtrëngimi në jetën ekonomike i hap rrugë shtrëngimit në jetën politike.

Principati romak u përfshi nga kriza e shek. III dhe u shkri gjatë sundimit absolut të Dioklecianit, pikënisje e autokracisë bizantine. Municipet e dikurshme shkuan drejt rënies së plotë. Administrimi i shtetit përqendrohet tërësisht në duart e perandorit dhe të aparatit të tij burokratik, i cili, me përmasat kolosale që merr, bëhet bazë e autokracisë bizantine. Magjistratura romake i lëshon vendin burokracisë bizantine. Perandori nuk është më magjistrati suprem, por titullar i një pushteti despotik, që mbështetet jo aq në premisa laike, sa në vullnetin e Zotit. Gjë normale, po të mbahet parasysh që epoka e krizës, me dhimbjet e privacionet e mëdha që solli, hapi një fazë historike ku njeriu kthehet nga misticizmi e nga jeta e përtejme.

Nga ana tjetër, koncepti i sovranitetit të popullit nuk u zhduk krejt; senati, popullsia qytetare e organizuar në demose dhe ushtria, janë forca politike që e kufizojnë autoritetin e perandorit, sidomos në periudhën e parë. Por me kalimin e kohës, edhe këto institucione të trashëguara nga perandoria e vjetër romake, e humbën kuptimin politik dhe pushteti i tyre u thith nga pushteti absolut i perandorit. Nga ana e saj, Kisha e krishterë si fuqi shpirtërore fiton fuqi përherë e më të madhe në kuadrin e shtetit të krishterë. Në fillimet e Perandorisë Bizantine perandori ruan një autoritet absolut mbi veprimtarinë e Kishës pasi, në bazë të traditës romake, e konsideron besimin e shtetasve të tij si pjesë të jus publicum. Por në mesjetë Kisha fiton edhe në Bizant një pushtet politik të konsiderueshëm, duke i krijuar pengesa serioze pushtetit të perandorit. Pakti është që dhe në Bizant pati shpesh luftëra midis pushtetit shekullor dhe atij shpirtëror. Jo gjithmonë perandori i fitoi këto luftëra. Por sidoqoftë, në Bizant nuk është karakteristike tensioni midis shtetit dhe Kishës por lidhja e ngushtë dhe intime midis tyre, simbioza progresive midis shtetit ortodoks e kishës ortodokse në një organizëm politiko-fetar. Karakteristike është konvergimi dhe ndërthurja e interesave të dy faktorëve dhebashkëpunimi i tyre i ndërgjegjshëm kundër çdo rreziku që kërcënonte rendin teokratik të perandorisë, qoftë kur ky rrezik vinte nga armiqtë e brendshëm a të jashtëm të perandorit, qoftë kur burim i tij ishin efektet shthurëse të herezive. Por një simbiozë e tillë e vë Kishën në mënyrë të pashmangshme nën tutelën e pushtetit perandorak. Sidoqoftë, mbetet tipike e normale për Bizantin epërsia e pushtetit të perandorit kundrejt pushtetit të Kishës.

Perandori nuk është vetëm komandanti suprem i ushtrisë, gjykatësi më i lartë dhe legjislatori i vetëm; ai është edhe mbrojtësi i Kishës dhe i besimit të vërtetë. Ai është i zgjedhuri i Zotit dhe si i tillë është jo vetëm padroni e kreu i të gjithëve, por edhe shëmbëlltyra e gjallë e perandorisë së krishterë, që i është dhënë në mirëbesim nga Zoti. Ai është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Zotin, ai i kapërcen kufijtë e tokësores e të njerëzores, ai është objekt i një kulti të veçantë politikofetar. Një kult i tillë ushtrohet çdo ditë në oborr sipas një ceremoniali sugjestiv e në të merr pjesë Kisha dhe gjithë oborri; ai shprehet në çdo portret, që paraqet perandorin kristian, në çdo objekt që rrethon personin e tij të shenjtë, në çdo fjalë që ai u drejton të tjerëve dhe në to që të tjerët i drejtojnë atij. Shtetasit ishin skllevërit e tij. Sa herë që ndesheshin me portretin e tij, e përshëndesnin. Nga një akt i tillë përuljeje nuk përjashtoheshin as funksionarët më të lartë; të gjithë kryenin aktin e përkuljes së thellë (proskynesis). Në fakt, ceremoniali i ngarkuar i oborrit bizantin, ashtu si vetë pushtetit absolut i perandorit, që pjesërisht shprehej nëpërmjet tij, i kishin fillesat e tyre në qytetërimin romano-helenistik të mbrujtur me elemente të shumta orientale. Aty merr jetë solemniteti i jashtëzakonshëm i oborrit perandorak dhe disa sjellje e praktika orientale të Perandorisë Bizantine, që u theksuan kur u importuan drejtpërsëdrejti nga Lindja, nga mbretëria e Sasanidëve e, më vonë, nga kalifati arab.

Qytetërimi bizantin jo vetëm buron nga helenizmi, por ka me të edhe një afërsi gjinore. Qytetërimi bizantin, ashtu si ai helenist, është një forcë njësuese e homogjenizuese. Të dyja, madje qytetërimi bizantin edhe më tepër, kanë një karakter epigonik dhe eklektik. Të dyja gjallojnë mbi bazën e kulturave më të mëdha, më krijuese dhe funksioni i tyre nuk konsiston aq tepër në krijimin e vlerave origjinale, sa në një vepër sintezë. Hartuesi është tipi kulturor karakteristik për të dy qytetërimet. Por, edhe pse kompilimi nuk është mirëfilli një punë krijuese, edhe pse imitimi i zbeh si kuptimin ashtu dhe përmbajtjen e vërtetë të origjinalit dhe bukuria origjinale e formës kthehet në retorikë boshe e konvencionale, prapë se prapë është një meritë e madhe e bizantinëve ruajtja me dashuri e kryeveprave të botës klasike, studimi i së drejtës romake dhe i kulturës greke. Në truallin bizantin rriten së bashku dy realizimet sublime të qytetërimit të lashtë: kultura greke dhe ajo latine. Produktet më të shkëlqyera të qytetërimit klasik, organizimi shtetëror romak dhe kultura greke bashkohen, në një koncept të ri për jetën dhe shkrihen me krishterimin, tek i cili shteti dhe kultura antike shihnin mohimin e tyre total. Bizanti i krishterë nuk mohon as artin e as filozofinë pagane. E drejta romake do të mbetet përgjithmonë baza e organizimit dhe e ndërgjegjes juridike të bizantinëve dhe po ashtu, kultura greke do jetë gjithmonë një nga bazat qenësore të formimit të tyre kulturor. Vetë Kisha bizantine përvetësoi trashëgiminë shpirtërore të filozofisë antike dhe zbatoi sistemin logjik të knjuar nga filozofë grekë për të përpunuar sistemin e vet dogmatik.

Lidhja e ngushtë me traditën e botës së lashtë ishte një burim i rëndësishëm force për Perandorinë Bizantine. I mbështetur mbi traditat e kulturës greke, Bizanti do të përfaqësojë për shekuj të tërë qendrën botërore më të rëndësishme të kulturës e të studimeve. Si shtet i bazuar në traditën e shtetit romak, Bizanti do të luajë një rol themelor në botën mesjetare. Shteti bizantin zotëron një sistem administrativ të pashembullt, me një aparat burokratik të shkallëzuar e të përfaqësuar nga funksionarë të specializuar, nga një teknikë ushtarake e përkryer, nga një sistem juridik i përpunuar, nga një sistem ekonomik e financiar tejet i zhvilluar. Ai disponon pasuri të mëdha dhe prerjet monetare përsëriten vazhdimisht. Në këtë pikëpamje ka një ndryshim themelor midis shtetit bizantin e shteteve të tjera të antikitetit të vonë e të mesjetës, ku mbizotëronte shkëmbimi në natyrë. Në fund të fundit, vetë forca dhe prestigji i Bizantit mbështeten në burimet e tij monetare: në kohët më të mira, aftësia monetare e tij duket e pashtershme. Ana tjetër e medaljes është natyrisht politika e egër fiskale e këtij shteti, që gjithçka ua nënshtron kërkesave të tij financiare. Vetë sistemi administrativ, ishte një mjet i pamëshirshëm fiskal. Korrupsioni dhe pangopësia e kastës së funksionarëve, që ishin themeli i aparatit burokratik shtetëror, ishm bërë proverbial dhe një fatkeqësi e vërtetë për popullsinë. Pasuria e perandorisë dhe niveli i lartë kulturor që ajo arriti, paguheshin me mjerimin e masave popullore, të privuara nga çdo e drejtë e liri.

Gjendja e re e krijuar nga kriza e shek. III, gjeti shprehjen e vet në veprën reformuese të Dioklecianit. Ai nxori përfundimet e duhura nga përvoja e zhvillimit të mëparshëm të shtetit romak, riorganizoi në mënyrë sistematike ndryshimet e bëra ndërkohë duke bërë një ristrukturim të përgjithshëm të gjithë sistemit shtetëror. Reforma e Dioklecianit u plotësua e përsos nga Konstantini i Madh dhe lindi kështu një sistem i ri administrativ, që u bë pikënisja e sistemit bizantin. Sistemi diokleciano-konstantinian, në thelb mbeti i pandryshuar për të gjithë periudhën e parë të qytetërimit bizantin. Por parimet themelore që e frymëzonin atë, d.m.th. pushteti autokratik i perandorit, centralizimi e burokratizimi i shtetit, qëndruan në fuqi deri në rënien e Perandorisë Bizantine.

Qëllimi i të gjitha masave të marra nga Diokleciani e Konstantini ishte pa dyshim forcimi i pushtetit dhe i autoritetit të perandorit, që qenë tronditur rëndë gjatë periudhës së krizës. Këtu e ka burimin përpjekja për të kufizuar autoritetin e senatit dhe të institucioneve të tjera, që ishin trashëguar nga periudha e Republikës romake, si dhe përpjekje për të fiksuar qartë njëherësh kompetencat e çdo organizmi qeveritar, që të shmangej kështu çdo grumbullim i mundshëm pushteti. Administratave civile apo atyre ushtarake, administratave qendrore apo provinciale u përcaktoheshin rigorozisht kompetencat që u përkisnin. Degëzimet e ndryshme të administratës bashkohen të gjitha tek personi i perandorit, që qëndron në majë të piramidës herarkike dhe drejton nga qendra gjithë shtetin.

Megjithatë, në kushtet e shtrirjes së pamasë të perandorisë dhe për të bërë të mundur një kontroll të efektshëm të perandorit, u procedua në një ndarje të territorit e të pushtetit shtetëror. Mbi bazën e institucionit të bashkësundimit,43 që qe eksperimentuar qysh më parë, Diokleciani krijoi një këshill perandorak prej katër vetësh, dy Augustë e dy Cezarë. Njëri nga Augustët duhej të qeveriste pjesën lindore të perandorisë, tjetri pjesën perëndimore; pranë çdonjërit prej tyre ishte një Cezar, që nuk duhej të kishte lidhje gjaku me Augustin, por duhej të qe adoptuar prej tij dhe duhej të zgjidhej vetëm mbi bazë të aftësive të tij vetjake. Në rast abdikimi të Augustëve, këta zëvendësoheshin nga Cezarët dhe tetrarkia ruhej nëpërmjet zgjedhjes së një çifti të ri Cezarësh. Sistemi duket jashtëzakonisht logjik, por megjithatë ai shkaktoi një seri të pafund luftërash civile. Konstandini doli fitues nga të gjitha këto luftëra dhe u bë perandor i vetëm. Por edhe ai krijoi një sistem të ri kolegjial dhe procedoi në një ndarje të re të perandorisë. Ai hoqi dorë nga metoda artificiale e përzgjedhjes, e zbatuar nga Diokleciani dhe e pjesëtoi perandorinë midis bijve të vet. Por kjo nuk pengoi që, pas vdekjes së tij, të shpërthenin luftëra civile të përgjakshme midis bijve trashëgimtarë. Sidoqoftë, ndarja e perandorisë dhe qeverisja kolegjiale vazhduan të jenë rregull edhe për vitet e mëvonshme.

Ristrukturimi i administratës së provincave, ndërmarrë nga Diokleciani, i dha fund pozitës së privilegjuar të Italisë dhe zhduku dallimin, tashmë pa kuptim, midis provincave senatoriale e provincave perandorake. Tash e tutje administrimi i të gjitha provincave i nënshtrohetkontrollit të perandorit dhe në këtë kuadër edhe Italia, që më parë kishte pozitën e territorit-metropol, u nda në provinca e u detyrua të derdhte tribute si çdo provincë e perandorisë. Me rëndësi po aq të madhe është edhe fakti që provincat më të mëdha copëzohen në njësi territoriale më të vogla. Për rrjedhojë, numri i provincave u shtua dukshëm: në kohën e Dioklecianit kishin qenë rreth njëqind, në shekullin V u bënë më se njëqind e njëzet. Për më tepër gjithë territori i perandorisë u nda në 12 dioqeza, që aty nga fundi i shek. IV u bënë.

Së fundi, në kohën e Konstantinit perandoria u nda në prefektura në një mënyrë që çdo prefekturë përfshinte disa dioqeza e çdo dioqezë disa provinca. Nga ana e tyre provincat vareshin nga dioqeza e dioqeza nga prefektura; u përvijua kështu një sistem politik e administrativ i ndërtuar në një formë rreptësisht të centralizuar e hierarkike. Fillimisht, shtrirja dhe vetë numri i prefekturave ishin tepër të papërcaktuar e të luhatshëm dhe vetëm aty nga fundi i shek. IV kufijtë e tyre u përcaktuan me saktësi.

Prefektura mjaft e madhe e Lindjes (Praefectura praetorio per Orientem), e formuar nga pesë dioqezat e Egjiptit, Lindjes, Pontit, Azisë e Thrakës, përfshirë Egjiptin me Libinë (Cirenaikën), Azinë e vogël dhe Thrakën. Më vonë asaj iu shtua prefektura ilirike (Praefecturapraetorio per lllyricum) që përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë, me një fjalë Greqinë dhe pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik. Prefektura italiane (Praefectura praetorio Illyrici, Italiae et Africae), veç Italisë përfshinte pjesën më të madhe të Afrikës romake e gjithashtu Dalmacinë, Panoninë, Norikun e Recinë. Prefektura gale (Praefectura praetorio Galliarum) përbëhej nga ajo pjesë e Britanisë që u pushtua nga perandoria romake, nga Galia, nga Gadishulli Iberik dhe nga zgjatimi perëndimor i Mauritanisë. Pra, çdo prefekturë shtrihej mbi një territor që i përgjigjej territorit të disa shteteve të sotme. Në krye të çdo prefekture ishte një prefekt i pretorit, por shpesh ofiqi ndahej në mënyrë kolegjiale nga dy prefektë. Prefekti i pretorit për Lindjen, që e kishte selinë në Kostandinopojë dhe prefekti i pretorit për Italinë, ishin funksionarët më të lartë të perandorisë; ata ndiqeshin nga prefekti për Ilirikun, që e kishte selinë në Selanik, dhe nga ai i Galive.

Tipari më i rëndësishëm i sistemitadministrativ diokleciano-kostantinian ishte ndarja e qartë e autoritetit ushtarak nga ai civil. Administrimi civil i një province ishte prerogativë ekskluzive e qeveritarit të provincës, ai ushtarak ishte prerogativë e dukës (dux), që ushtronte komandën ushtarake mbi një ose më shumë provinca. Ky parim u zbatua me rigorozitet në gjithë administratën provinciale. Detyra e prefektit të pretorit, e vetmja që në kohën e Dioklecianit bashkonte akoma pushtetin civil me atë ushtarak, në kohën e Kostandinit e humbi përfundimisht karakterin e saj ushtarak dhe u kthye në një funksion thjesht civil. Sidoqoftë, si autoritet civil ajo ruajti prerogativa mjaft të gjera gjatë gjithë periudhës së parë të shtetit bizantin.

Prefektët e pretorit, si përfaqësues të pushtetit perandorak, përpiqeshin ta forconin vazhdimisht pushtetin e tyre, edhe ashtu të madh, në garë me organizmat e administratës qendrore; ky gjithëpushtet i prefektëve është një nga tiparet kryesore të sistemit administrativ të periudhës së hershme të shtetit bizantin, që i jep vulën edhe gjithë sistemit. Nga ana tjetër, pushtetit i perandorit do përpiqet të kufizojë pushtetin e prefektëve të pretorit, duke ua shtrënguar rrethin kompetencave e duke përdorur kundër tyre mëkëmbësit e vet, qeveritarët e dioqezave e sidomos duke zgjeruar në dëm të tyre pushtetin e organeve të caktuara të administratës qendrore. Është pikërisht kjo luftë e brendshme midis organeve të ndryshme të qeverisjes që e bën dinamik zhvillimin e strukturës administrative të Perandorisë Bizantine në periudhën e hershme të saj.

Roma dhe Kostandinopoja qëndronin jashtë kontrollit të prefektëve të pretorit dhe i nënshtroheshin autoritetit të prefektëve të qyteteve përkatëse, të cilët kishin gradën më të lartë, pas asaj të prefektit të pretorit, midis gjithë funksionarëve të perandorisë. Prefekti i qytetit ishte përfaqësuesi më i lartë i senatit dhe, në njëfarë mënyre, ishte personifikim i gjithçkaje që kishte mbetur në jetën qytetare nga traditat e vjetra republikane. Ishte i vetmi funksionar që nuk vishte uniformë ushtarake, por mbante togën, veshja karakteristike e qytetarit romak. Eparku i Kostandinopojës luajti një rol thelbësor në jetën e kryeqytetit bizantin jo vetëm në periudhën e parë, por edhe shumë kohë më pas. Kryesonte veprimtarinë në Kostandinopojë, kishte për detyrë të kujdesej për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit, të merrte masa për furnizimin e qytetit; nën kontrollin e tij ishte gjithë jeta ekonomike e qytetit, industria e tregtia.

Vetë ky administrim i mëvonshëm i Romës e i Kostandinopojës përfaqësonte një kufizim serioz të pushtetit të prefektëve të pretorit. Këtij kufizimi iu shtua dhe shtrirja e kompetencave të administratës qendrore në kohën e Kostantinit të Madh. Funksionari më i pushtetshëm i administratës qendrore u bë atëbotë mjeshtri i zyrave (magister officiorum). Fillimisht bëhej fjalë për një funksion me rëndësi të papërfillshme, por që me kalimin e kohës fitoi rëndësi të madhe, sidomos në kurriz të pushtetit të prefektëve të pretorit. Mjeshtri i zyrave kontrollonte të gjitha zyrat e perandorisë, pra, gjithë aparatin administrativ, përfshirë prefektët e pretorit. Në fakt, ingranazhet e makinës burokratike të shtetit ishin pikërisht zyrat e organizmave të ndryshëm administrativë bashkë me funksionarët e tyre të shumtë. Vetë zyra e mjeshtrit të zyrave konsistonte në një numër ndjekësish të çështjeve (agentes in rebus) që, si korrierë perandorakë e njëherësh si inspektorë të shtetit, i binin kryq e tërthor provincave e pastaj i raportonin Kostandinopojës mbi veprimtarinë e besnikërinë e nëpunësve e të shtetasve. Bëhej fjalë për një kategori mjaft të madhe: aty nga mesi i shek. V, vetëm në pjesën bizantine të perandorisë numëroheshim më se 1200 funksionarë. Mjeshtri i zyrave kishte gjithashtu për detyrë të garantonte sigurinë personale të perandorit. Ai ishte komandant i truprojës së shkollës së pallatit (scuolae palatinae). Për më tepër ishte edhe shef i protokollit e në këtë cilësi duhej të kontrollonte të gjitha ritet dhe ceremonitë e oborrit. Por kjo detyrë e fundit i jepte atij edhe një funksion të rëndësishëm politik: ai priste ambasadorët e fuqive të tjera dhe kryesonte bisedimet me ta. Që nga fundi i shek. IV ai drejton edhe shërbimin postar të perandorisë, që dikur kishte qenë kompetencë e prefektëve të pretorit.

Duke filluar me Kostantinin e Madh, nëpunësi më i rëndësishëm i ad-ministratës qendrore, krahas mjeshtrit të zyrave, është kuestori i pallatit të shenjtë (quaestor sacri palatii). Ai drejtonte administrimin e drejtësisë, përgatiste ligjet dhe i shtonte firmën e tij dekreteve të perandorit. Administrimi i financave i ishte besuar të ngarkuarve me fiskun (fiscus) dhe me pasuritë private (res privates). Duke filluar nga koha e Kostantinit këta quheshin përkatësisht comes sacrarum largitionum (inspektor i kontributeve të shenjta) dhe conies rerum privatarum (inspektor i pasurive private). Pushteti i tyre cenohej sidoqoftë shumë nga fakti që taksa më e rëndësishme që vilej nga provincat, anoma, vilej drejtpërsëdrejti nga prefekti i pretorit.

Duke qenë se gjithçka që rrethonte personin e perandorit merrte një rëndësi të veçantë, u rrit edhe pesha e personit që merrej me sacrum cubiculum (dhomë e shenjtë), kompetencat e të cilit përfshinin administrimin e pallatit perandorak e sidomos kujdesin për guardarobën e perandorit (sacra vestis). Përgjegjësi i dhomës së shenjtë (preapositus scri cubiculi) renditej ndër funksionarët më të fuqishëm e më me influencë. Dhe, nëse qëllonte që në fron të ndodhej një perandor i dobët, ky oborrtar ishte personi më i fuqishëm në perandori. Nën ndikimin e praktikave orientale, përgjegjësit e dhomës së shenjtë ishin thuajse gjithmonë eunukë ashtu siç ishin në shumicën e tyre eunukë ushtarët e truprojës, që ishin nën urdhrat e tij.

Senati i Kostandinopojës, i krijuar nga Konstantini, ishte para së gjithash një organizëm konsuitativ. Qysh në kohët e perandorisë së vjetër romake senati e humbi peshën e tij si rezultat i rritjes së absolutizmit perandorak. Funksionet për të cilat ishte krijuar erdhën gjithmonë duke u bjerrur. Në Bizant, atributet e tij u rrudhën edhe më tej. Pavarësisht nga kjo, senati nuk i humbi të gjitha funksionet kushtetuese e legjislative dhe do të duhet të kalojë shumë kohë para se ai të humbë tërë shkëlqimin e vet të dikurshëm. Për disa shekuj me radhë, synkletos-i (senati) i Kostandinopojës do të vazhdojë të luajë një rol të konsiderueshëm në jetën politike bizantine, edhe pse vetëm si një hije e senatit të vjetër romak.

Ai që vendoste mbi gjithçka ishte perandori, por sidoqoftë senati kontribuonte në veprimtarinë legjislative e shfaqej nga ndonjëherë si organizmi që nxirrte ligjet. Ai përgatiste propozime (senatus consulta) të cilat perandori, nëse e shihte të arsyeshme, i kthente në ligj. Disa ligje lexoheshin në senat para se të shpalleshin. Për më tepër, me autorizim të perandorit, senati mund të vepronte si gjykatë e lartë. Por gjëja më e rëndësishme është se senati kishte të drejtë të vononte e të ratifikonte zgjedhjen e perandorit të ri. Senati nuk ka fort rëndësi për sa kohë perandori është gjallë, por kur ai vdes e froni mbetet vakant, rëndësia e tij rritet. Sigurisht, jo në çdo rast mendimi i senatit ishte përcaktues për trashëgimtarin e fronit. Nëse perandori e kishte caktuar paraprakisht trashëgimtarin e tij dhe e kishte emëruar bashkësundimtar, ratifikimi nga ana e senatit kthehej në një formalitet. Po nëse froni mbetej bosh e asnje kandidat nuk ishte përcaktuar ose si i tillë nuk mund të zgjidhej një përfaqësues a përfaqësuese e familjes së perandorit, atëherë fuqinë për të vendosur mbi trashëgimtarin e kishin senati dhe krerët ushtarakë.

Anëtarët e senatit të Kostandinopojës ishin pinjollë të drejtpërdrejtë të familjeve senatoriale romake. Barazimi, në planin juridik, i senatit të Kostan-dinopojës me senatin romak u realizua vetëm në kohën e Kostancit. Por para tij, Konstantini i Madh kishte tërhequr një numër të madh të përfaqësuesve të aristokracisë senatoriale romake në Kostandinopojë. Veç kësaj, në senatin bi-zantin mund të futeshin edhe funksionarë perandorakë nga tre kategori më të larta: ato të illustres, spectabiles e clarissimi. Sidoqoftë, e rëndësishme është që në të dyja rastet, qoftë kur vinin nga aristokracia senatoriale e qoftë kur i përkis- nin burokracisë së lartë, senatorët ishin pronarë të mëdhenj tokash. Në fund të fundit, pesha politike e kësaj shtrese shoqërore buronte nga pozita që përfaqësuesit e saj kishin në administratën perandorake e jo nga pjesëmarqa e tyre në senat. Pjesa më e madhe e senatorëve, që arrinte gati numrin 2000 aty nga mesi i shek. IV, merrej edhe me administrimin e latifondeve të veta. Anëtarët vërtet aktivë të senatit i përkisnin kategorisë më të lartë e më të vogël në numër, asaj të illustres, që ishin në fakt funksionarët kryesorë të perandorisë.

Duke filluar nga mesi i shek. VI, zyrtarët më të lartë filluan të aplikojnë titullin e ri gloriosi. Zemërgjerësia gjithnjë më e madhe e perandorit në dhënien e titujve të nderit, bëri që vlera e titujve tradicionale të binte. Meqenëse titulli clarissimus po jepej gjithnjë e më shumë e për kategori gjithnjë e më të gjera, ata që e kishin këtë titull u bënë spectabiles, spectabiles e dikurshëm u bënë illustres dhe për illustres e deri atëhershëm u gatit titulli i ri më i lartë, gloriosi. Ky është një shembull tipik i vlerës që kishin titujt. Ky fenomen do të rishfaqet me theks më të fortë në epokën e vonë bizantine.

Krahas senatit funksiononte edhe një këshill më i ngushtë i perandorit, sacrum consistorium, që ishte një transformim i një organizmi të vjetër, concilium principis. Anëtarët e tij të përhershëm, comites consistorii, vinin nga radhët e burokracisë së lartë të administratës qendrore. Ndonjëherë marrin pjesë në mbledhjet e consistorium edhe senatorë, jo anëtarë të tij. Nga ana tjetër, prefektët e pretorit, të cilët më parë kishin qenë anëtarët më të rëndësishëm të këshillit perandorak, tani largohen prej tij. Emri i ri i këtij këshilli kishte të bënte me faktin se anëtarët e tij duhet të qëndronin në këmbë (consislere) përpara perandorit. Një tjetër hollësi që nxjerr në pah raportet midis këshillit në fjalë e perandorit është se mbledhja quhej silentium (heshtje). Quhej edhe silentium et convcntus (heshtje e mbledhje) kur në punimet e tij merrnin pjesë edhe senatorë. Ky emërtim kuptimplotë u bë më vonë emri i vërtetë i këshillit perandorak. Me kohë silentium s'do të jetë më një organizëm i përhershëm. Ai thirrej nga perandori në raste të veçanta, kur shqyrtoheshin vendime të rëndësishme për shtetin dhe kishën.

Falë reformave të Dioklecianit e të Kostandinit, struktura e shtetit dukej se u rindërtua dhe autoriteti i tij u forcua. Por masat e gjera të popullsisë vazhdonin të jetonin në skamje. Kolonët, që përfaqësonin shumicën e popullsisë fshatare e që ishin forca prodhuese kryesore në perandorinë e vonë romake, bien gjithnjë e më shumë në statusin e bujkrobit. Reforma fiskale e Dioklecianit vetëm sa e rëndoi dhe e shpejtoi këtë proces. Detyrimi i dikurshëm në të holla nuk kishte më kurrfarë rëndësie për shkak të zhvleftësimit të monedhës, ndërkohë që bëhej më e kërkuar dhënia e detyrimeve në natyrë. Kjo kërkesë e përkohshme, që u përcaktua nga kriza e shek. III, me Dioklecianin u kthye në një orientim të përhershëm. Në këtë mënyrë u vendos anona, më e rëndësishmja ndër detyrimet ndaj shtetit dhe burimi kryesor i të ardhurave të tij. Pesha e këtij detyrimi rëndonte tërësisht mbi shpatullat e popullsisë fshatare. Diokleciani krijoi sistemin capitatioiugatio, që ishte një kombinim i taksimit të personit dhe i taksimit të tokës, mbi bazën e të cilave përcaktohej masa e anonës. Si njësi bazë taksimi merrej nga njëra anë një parcelë toke me madhësi e pjellori të caktuar (iugum) dhe nga ana tjetër njeriu që e punonte (caput). Gjatë përllogaritjes, zëri iugum dhe ai caput vlerësoheshin të ndarë, por meqenëse një iugum nuk mund të taksohej nëse nuk i korrespondonte një caput dhe anasjelltas një caput nuk mund t'i nënshtrohej anonës po qe se nuk i korrespondonte një iugum, atëherë fisku përpiqej të vendoste një ekuilibër midis sasisë së iugum dhe numrit të capul, duke gjetur një caput për çdo iugum. Veprimi nuk qe aspak gjë e lehtë, po të kihet parasysh zvogëlimi drastik i popullsisë së perandorisë dhe paqëndrueshmëria e theksuar e fshatarëve, që detyroheshin të zhvendoseshin vazhdimisht nga njëri vend në tjetrin, për shkak të varfërisë e të pasigurisë ekonomike. Për rrjedhojë, shteti bënte të pamundurën për ta lidhur capitin me iuguinin e tij. Sistemi i Dioklecianit bëri kështu që shtesa gjithnjë më të gjera të fshatit të humbnin lirinë personale. Qytetarët që nuk zotëronin tokë nuk i nënshtroheshin anonës duke gëzuar kështu një pozitë të privilegjuar. Por qysh në kohën e Kostantinit, mbi pop- ullsinë qytetare që merrej me zejtari ose tregti u vendos një taksë e rëndë, që duhej shlyer në ar, e ashtuquajtura auri lustralis collatio. Mungesa e krahut të punës në bujqësi solli futjen në politikën fiskale bizantine të sistemit të rëndësishëm të epibole (adiectio sterilium). Ky ishte një sistem i lindur në Egjipt, qysh në kohën e ptolemejve. Me anë të tij pronarët privatë të tokave detyroheshin të punonin tokat djerrë të shtetit dhe të paguanin taksat përkatëse. Në fund të shekullit III ky sistem u shtri në krejt territorin e perandorisë dhe preku jo vetëm tokat e shtetit, por edhe tokat djerrë të pronarëve privatë.

Në shek. III sistemi monetar romak ishte shkatërruar plotësisht, duke shkaktuar jo vetëm një rritje marramendëse çmimesh, por edhe një kalim shkallë-shkallë në shkëmbimin në natyrë. Në perëndim ekonomia natyrore bëhet mbizotëruese dhe do të kthehet në një sistem shkëmbimi karakteristik për shtetet e reja mesjetare, megjithëse do të vazhdojnë të ruhen ende për një kohë të gjatë disa forma të ekonomisë monetare. Përkundrazi, në Lindje, që ishte ekonomikisht më e fuqishme, ekonomia monetare shpejt do të zërë vendin e parë, sadoqë edhe këtu do të ruhen për një kohë të gjatë dukuri të shkëmbimit në natyrë. Fuqizimi i ekonomisë monetare të Perandorisë Bizantine pasqyrohet në faktin që annona, ashtu si format e tjera të taksës në natyrë, shpejt bëhet një taksë në të holla.

Konstantini i Madh krijoi një sistem të ri monetar shumë të qëndrueshëm. Baza e këtij sistemi ishte solidus, monedhë prej ari, që zakonisht përmbante 4,48 gram ar: një libër ar ishte baras me 72 solitë; veç kësaj ishte edhe siliana, monedhë prej argjendi, që peshonte 2,24 gram e kështu - për sa kohë që raporti midis vlerës së argjendit dhe asaj të arit ishte 1:12 - përbënte një të njëzetekatërtën pjesë të solidusit. Ky sistem rezultoi jashtëzakonisht i qëndrueshëm: për një mijëvjeçar të tërë solidusi i Konstantinit  qe themeli i sistemit monetar bizantin dhe për shumë shekuj gëzoi një kredi të madhe në tregtinë botërore. Kjo nuk e pengoi të njihte periudha krizash, por vetëm nga gjysma e shek. XI vlera e tij filloi të binte ndjeshëm. Por atë kohë edhe vetë perandoria po shkonte drejt rënies.

Edhe në fushën e organizimit ushtarak Diokleciani dhe Konstantini kryen reforma thelbësore. Më parë ushtria ishte kryesisht ushtri kufiri. Pothuajse të gjitha trupat ishin destinuar për mbrojtjen e kufijve të pafund të perandorisë. Në brendësi të territorit bëhej gjithnjë e më ndjeshëm mungesa e trupave të lëvizshme dhe e reparteve rezervë. Këtë rol mbetej ta luante vetëm garda pretoriane e Romës. Paaftësia e një sistemi të tillë për të përballuar nevojat ushtarake në rritje ishte shfaqur prej kohësh dhe gjatë krizës së shek. III ai kishte pësuar goditjen vendimtare. Diokleciani e nisi nga fuqizimi i ushtrisë së kufirit. Por ajo që mungonte më shumë jo vetëm nga pikëpamja ushtarake, por edhe nga ajo politike, ishte një ushtri e fortë e lëvizshme që vepronte në brendësi dhe të shërbente qoftë si ushtri rezervë kundër sulmeve të armiqve të jashtëm, qoftë si mbrojtëse e pushtetit perandorak kundër çdo përpjekjeje për trazira të brendshme. Kjo detyrë e dyfishtë do të kryhej nga exercitur co- mitatensise krijuar nga Diokleciani dhe e zhvilluar më pas nga Konstandini. Trupat e një force të tillë ushtarake kishin një rëndësi e një peshë krejt të ndry- shme nga garda e vjetër pretoriane; kjo e fundit ishte lënë mënjanë qysh nga Diokleciani nga që po bëhej gjithnjë e më pak e besueshme dhe për shkak të prirjes së saj të njohur për të nxjerrë pretendentë për fronin. Më pas u shkri përfundimisht nga Konstandini pas betejës së Ponte Milvios. Garda e re per- andorake u bë shpejt bërthama e mirëfilltë e ushtrisë romake, sepse Konstan- dini nuk ngurroi të pakësonte ndjeshëm ushtrinë e kufirit që ishte forcuar nga Diokleciani në favor të comitatenses. Por kështu exercitus comitatensis humbiste karakterin e saj si truprojë. Regjimentet më të mira të saj u dalluan me titullin palatini, ndërsa truprojën e mirëfilltë e përbënin scholae palatinae (trupat e pal- latit) që ishin nën urdhrat e magister officiorum (mjeshtrit të ofiqeve).

Duke filluar nga koha e Konstandinit drejtimi i ushtrisë ishte në duart e magistri militum (mjeshtërve të ushtrisë), këmbësoria ishte nën urdhrat e magister peditum ndërsa kalorësia komandohej nga magister equitum. Një copëzim i tillë i komandës u bë për të evituar që persona të veçantë në ko- mandë të ushtrisë të bëheshin të plotfuqishëm dhe të rrezikonin pushtetin e perandorit. Por shumë shpejt u hoq dorë nga kjo ndarje anormale dhe u mendua se shkalla e sigurisë do të mbetej e njëjtë edhe po të emëroheshin dy kryekomandantë, një për çdo kryeqytet, që të kishin të njëjtën gradë dhe të mbanin që të dy titullin e magister equitum dhe atë të peditum praesentalis. Në pjesën lindore të perandorisë kishte edhe tre komandantë ushtarakë me autoritet në zonat që u ishin besuar. Këta ishin magistri militum per Orientem, per Trakinë dhe për Illyricum. Ata ushtronin komandën mbi comitatenses e dislokuar në krahinat e tyre dhe nën autoritetin e tyre ishin gjithashtu duces që komandonin trupat kufitare të çdo zone, ndërsa dy magistri militum praeseutales drejtonin trupat e pallatit perandorak.

Pra, në pjesën bizantine të perandorisë kishte pesë kryekomandantë me kompetenca të dallueshme; të gjithë këta vareshin drejtpërsëdrejti nga perandori, i cili i vetëm, personifikonte unitetin e komandës supreme.

Vetëm kur u krijua ushtria e fuqishme e lëvizshme e comitateiises, ushtria e kufirit e limitanei fitoi karakterin e një trupe ushtarake speciale, që kishte për detyrë mbrojtjen e kufijve. Ushtarë e dislokuar përgjatë kufijve marrin si shpërblim për shërbimin e tyre një parcelë toke. Në këtë mënyrë, ata përfaqësojnë një korpus ushtarak të përbërë nga pronarë të vegjël, që jetojnë me prodhimet e parcelës së vet dhe që kujdesen për mbrojtjen e kufirit. Ky qe një lloj organizimi që mori rëndësi të madhe në Bizant.

Karakteristikë e ushtrisë romano-bizantine qe barbarizmi i saj i vazhdueshëm. Pjesa më luftarake dhe më e dalluar e saj përbëhej nga barbarët, sidomos gjermanikët. Kurse brenda kuadrit të perandorisë ushtarët më të mirë qenë ilirët. Numri i mercenarëve të huaj është në rritje të vazhdueshme dhe duke filluar nga shek. IV më të shquarit ndër barbarët filluan të prano- hen edhe në rangjet e oficerëve. Tjetër element karakteristik i ushtrisë ro- mano-bizantine është roli gjithnjë e më i madh i kalorësisë, që i detyrohet veç të tjerash edhe nevojës për t'iu përshtatur teknikës luftarake të Sasanidëve, fuqia ushtarake e të cilëve mbështetej para së gjithash te kalorësia.

Zhvendosja e epiqendrës së perandorisë drejt lindjes u përcaktua pikësëpa- ri dhe kryesisht nga vitaliteti më i madh ekonomik dhe nga dendësia më e madhe e popullsisë në pjesën lindore të perandorisë.59 Veç kësaj, një dukuri e tillë i detyrohet edhe faktit që në Lindje perandoria u ndodh përballë detyrash të reja ushtarake. Kjo vlen, p.sh., për derdhjen e poshtme të Danubit, ku pre- sioni i barbarëve që vinin nga veriu bëhej përherë e më i fortë, apo për Azinë e vogël, ku bëhej gjithnjë e më kërcënues rreziku i përfaqësuar nga perandoria persiane e Sasanidëve. Këta të fundit ishin kundërshtarë shumë herë më të rrezikshëm se mbretëria e vjetër e Partëve, e asgjësuar pikërisht prej tyre. Ashtu si perandorët bizantinë e quanin veten pasardhës të Cezarëve romakë, po ashtu Sasanidët mbaheshin për trashëgimtarë të Akemenidëve të vjetër dhe preten- donin të aneksonin gjithë territoret e perandorisë së dikurshme persiane. Qysh në periudhën parabizantine, nga gjysma e shek. III e përgjatë gjithë periudhës së parë bizantine, kërcënimi persian qëndroi vazhdimisht pezull mbi peran- dorinë romake. Lufta kundër mbretërve persianë u bë për shtetin bizantin një ndër detyrat më të rëndësishme politike e ushtarake.60

Diokleciani, që mbajti për vete pjesën lindore të perandorisë dhe qendron më së shumti në Nikomedi, duke i lënë kolegut të tij Maksimian pjesën perën-dimore, i pati parasysh rrethanat e ndryshuara. Por ishte Konstandini ai që i dha pjesës lindore të perandorisë një qendër të fuqishme politike: ai rindërtoi koloninë e vjetër greke mbi Bosfor, Bizantin, dhe e ktheu atë në kryeqytet. Punimet ndërtuese filluan në nëntor të vitit 324, menjëherë pas fitores mbi Licinin, që forcoi autoritetin e tij në Lindje. Më 11 maj 330 kryeqyteti i ri u përurua në mënyrë solemne. Të rralla janë ato qytete të themeluara sërishmi, që fituan rëndësi historike të tillë si Bizanti.  Zgjedhja e vendit qe gjeniale. Në kufirin midis dy kontinenteve, i lagur nga Bosfori në lindje, nga Briri i Artë në veri, nga deti Marmara në jug dhe i lidhur vetëm me një krah me tokën, kryeqyteti i ri ndodhej në një pozicion strategjik të jashtëzakonshëm. Ai kontrollonte tregtinë midis Europës dhe Azisë si dhe rrugët detare nga Deti Egje në Detin e Zi, dhe shumë shpejt u bë qendra tregtare e detare më e rëndësishme e të gjithë botës së atëhershme. Për një mijëvjeçar të tërë Kostandinopoja ishte kryeqyteti politik, ekonomik e ushtarak i Perandorisë Bizantine si dhe qendra e saj shpirtërore e fetare. Ajo ushtroi një ndikim përcaktues në jetën politike ndërkombëtare dhe në zhvillimin kulturor të njerëzimit.

Ndërkohë që Roma degradonte pa pushim si nga rëndësia ashtu edhe nga popullsia, kryeqyteti i ri rritej vazhdimisht. Vetëm një shekull pas themelimit të saj, Kostandinopoja kishte arritur një popullsi më të madhe se Roma dhe në shek. VI numëronte me siguri diçka më pak se gjysmë milioni banorë.

Kjo ishte Roma e Re, që duhej të zinte vendin e së vjetrës në rolin e qendrës politike të perandorisë. Edhe në pikëpamje të strukturës urbane, kryeqyteti i ri u ndërtua sipas modelit të Romës së Vjetër dhe në Kostandinopojë u sollën të gjitha traditat që kishin të bënin me kryeqytetin e vjetër. Privilegjet që kishte gëzuar Roma u bënë edhe privilegje të Kostandinopojës. Konstandini i Madh qysh në fillim bëri gjithçka për të arritur shkëlqimin dhe pasurinë e kryeqytetit të ri. Qyteti u zbukurua me ndërtesa luksoze dhe me monumente artistike që ai i grumbulloi nga të gjitha anët e perandorisë. Kujdes i veçantë iu kushtua ndërtimit të kishave. Qysh në fillim Kostandinopoja pati një vulë të krishterë dhe qysh në fillim gjuha e pjesës më të madhe të popullsisë ishte greqishtja: me kristianizimin e perandorisë dhe me ndërtimin e kryeqytetit të ri mbi Bosfor, Konstandini i dha një shprehje të dyfishtë fitores historike të Lindjes.

Një ndër problemet më të diskutuara e të debatuara të historiografisë është ai i qëndrimit të Konstandinit ndaj fesë së krishterë. Disa mendojnë se Konstandini ishte indiferent nga pikëpamja fetare dhe se e mbështeste krishterimin thjesht për qëllime politike. Të tjerë i besojnë konvertimit të tij dhe ia atribuojnë atij kthesën e madhe që u shënua në politikën fetare të perandorisë. Në favor të njërës e të tjetrës tezë janë sjellë argumente të shumta dhe në fakt, ka mjaft arsye për të folur për një bashkim të tij me krishterimin dhe shumë arsye të tjera për të mbrojtur tezën e besnikërisë së tij ndaj traditave të vjetra pagane. Fakte të tjera mund të sillen për të mbështetur njërin apo tjetrin interpretim. Sidoqoftë, është e qartë se qëllimet politike ishin përcaktues për Konstandinin. Tashmë ishte e qartë për të gjithë, edhe për mëkëmbësin e tij besnik Galer, se politika e përndjekjeve të krishterimit e zbatuar nga Diokleciani, kishte dështuar. Nuk kishte më pikë dyshimi se ishte e pamundur të zhvendosej epiqendra e perandorisë së Lindjes dhe në të njëjtën kohë të mbahej një qëndrim armiqësor kundrejt të krishterëve. Është e sigurt, gjithashtu, se biografia e Konstandinit është veçanërisht e pasur me përvoja fetare (të krishtera ose pagane) dhe që aty i është atribuar pa të drejtë një qëndrim mospërfillës ndaj dukurive fetare. Nuk duhet harruar se ai jetonte në një periudhë të karakterizuar nga një ndjeshmëri e madhe fetare, në periudhën e sinkretizmit, kur konsiderohej gjë normale lidhja me më shumë se një kult. Më 312, nëse jo më parë, Konstandini e pranoi edhe fenë e krishterë dhe prej asaj kohe krishterimi u mor në mbrojtje prej tij me vendosmëri gjithmonë e më të madhe. Por kjo s'do të thotë se ai iu përkushtua krejtësisht krishterimit, se ndërpreu çdo marrëdhënie me traditat pagane dhe se u bë i krishterë në kuptimin që i jepnin kësaj fjale pasardhësit e tij bizantinë. Dihet se ai vazhdoi të lejojë mbajtjen e riteve pagane, madje vetë ai merrte pjesë në disa nga këto rite, sidomos në ritin e diellit. Për sinkretizimin ishte krejt i pakonceptueshëm dhe i huaj ekskluzivizmi fetar, që karakterizonte krishterimi. Po aq i huaj ishte ai edhe për "perandorin e parë të krishterë". Duhet të kalojë akoma mjaft kohë përpara se në botën romake të zërë vend fryma e ekskluzivizmit fetar dhe të konsiderohet krishterimi si pronar i vetëm i së drejtës absolute që përjashton (eksludon) si të rremë çdo doktrinë tjetër. Natyrisht, fakti që më në fund feja e krishterë u bë fe e vetme e perandorisë romano-bizantine, s'është gjë tjetër veç rrjedhojë e pashmangshme e politikës fetare të inauguruar nga Konstandini. Por kjo i përket një periudhe më të vonë. Si Konstandini ashtu dhe pasardhësit e tij do ta ruajnë deri më 379 titullin pontifex inaximus.68

Shembulli më i qartë dhe historikisht më i rëndësishëm i ndikimit të krishterimit mbi shtetin romak në kohën e Konstandinit është ai i koncilit të Nikesë, më 325, i pari i një serie të tërë koncilesh ekumenike, që vunë bazat dogmatike e kanonike të Kishës së krishterë. Ishte vetë perandori që thirri koncilin dhe që drejtoi punimet e tij. Jo vetëm kaq, por ai ndikoi së tepërmi edhe në vendimet e tij, sado që formalisht nuk është pjesëtar i Kishës (siç dihet, ai u pagëzua vetëm në shtratin e vdekjes). Por faktikisht qe ai kreu i Kishës dhe në këtë pikëpamje u bë shembull për pasardhësit e tij. Temë qendrore e koncilit ishte doktrina e presbiterit Aleksandrin Arius, i cili nuk e pranonte si të pajtueshëm me monoteizmin barazinë midis Atit e Birit dhe që në këtë mënyrë mohonte natyrën hyjnore të Krishtit. Doktrina ariane u dënua nga koncili, që njohu dogmën e bashkësubstancës së Atit me të Birin. Në këtë mënyrë, u formulua ai nen i besimit që më vonë, pasi të plotësohej me rezultatet e koncilit të dytë ekumenik të Kostandinopojës më 381, do të bëhet kredua e Kishës së krishterë.

Lidhja midis shtetit e Kishës, nismëtar i së cilës u bë Konstandini, u solli të dyve mjaft dobi, por në të njëjtën kohë edhe vështirësi të reja. Shteti romano- bizantin gjeti në Kishën e krishterë një forcë të madhe morale ngjizëse, kurse kjo e fundit gjeti tek shteti një mbështetje të fuqishme morale. Kisha, nga njëra anë mori nga shteti sasi të madhe mjetesh materiale, gjithashtu u ndihmua në veprën e saj misionarizuese dhe në luftën kundër prirjeve të kundërta fetare. Porse nga ana tjetër ajo hyri nën tutelën e tij. Për sa i përket shtetit, që e kishte lidhur fatin e vet me atë të Kishës, ky u ngatërrua në të gjitha grindjet e pafundme midis rrymave të ndryshme teologjike. Debatet teologjike pushuan së qeni një çështje e brendshme e Kishës. Ato u ndërthurën me problemet politike dhe u bënë një faktor i përhershëm jo vetëm në historinë e Kishës, por dhe në atë të shtetit. Por jo gjithmonë synimet politike të shtetit përputheshin me ato të Kishës, ndaj vendin e bashkëpunimit midis Shtetit dhe Kishës e zuri shpesh herë lufta midis dy institucioneve. Të gjitha këto dukuri (pjesëmarrja e shtetit në diskutimet teologjike, ndërthurja e qëllimeve politike dhe atyre fetare, bashkëpunimi por dhe antagoznimi midis Kishës dhe Shtetit) nxorën krye që në kohën e Konstandinit. Vendimi i koncilit të Nikesë nuk e zhduku arianizmin. Perandori, që siç duket e kishte nënvleftësuar forcën e tendencës ariane, ndryshoi taktikë dhe arriti të imponojë ripranimin e Ariusit në bashkësinë e Kishës. Por kjo e futi në konfiikt me klerin ortodoks e sidomos me Anastasin, që prej vitit 328 mbulonte detyrën e peshkopit të Aleksandrisë dhe që, duke kaluar nga njëri mërgim në tjetrin, do të luftojë deri sa vdiq (373) për ortodoksinë.

Konfliktet teologjike çuan veç të tjerash edhë në acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis bijve të Konstandinit dhe po ashtu në thellimin e hendekut që ndante dy gjysmat e perandorisë. Konstanci, që qeveriste gjysmën lindore, u deklarua në favor të arianizmit, ndërkohë që Konstadini, që vdiq shumë herët, më 340, dhe Konstanti të cilit i kishte takuar pjesa perëndimore, mbështetën doktrinën e Nikesë. Në shtator 343 u mblodh në Serdikë, në kufirin midis dy pjesëve të perandorisë, një asamble që në fakt nuk arriti t'i pajtojë dy palët. Epërsia e vëllait të vogël, që tani sundonte mbi gjithë perëndimin, e detyroi Konstancin të tërhiqet dhe të lejojë kthimin nga mërgimi të peshkopëve ortodoksë. Arianët, që politikisht qenë mundur, u ndanë në dy grupime: të ashtuquajturit gjysmëarianë edhe pse nuk e pranonin bashkësubstancën, pranonin se midis Atit e Birit kishte një analogji, ndërsa krahu radikal i arianizmit, i drejtuar nga Eunomi, vazhdonte të pohonte ndryshimin rrënjësor në substancë midis dy personave hyjnorë. Por gjërat ndryshuan përsëri kur Konstanti vdiq në luftën kundër uzurpatorit Magnec (350), i cili pastaj (351) u mund nga Konstanti në një betejë të përgjakshme.

Fitorja e perandorit të Lindjes solli përsëri një rritje të peshës politike të pjesës lindore të perandorisë. Duke ndjekur shembullin e të atit, Konstanti u përpoq të arrijë një barazim zyrtar të Kostandinopojës me Romën, gjë që në fakt donte të thoshte se kryeqyteti i ri i krishterë zinte vendin e Romës së vjetër, ende gjysmë-pagane. Vizita që ai bëri në Romë u shoqërua nga një vendim që është një shenjë e prekshme e fundit të botës antike: urdhëroi të hiqte nga salla e senatit romak altarin e Fitores. Por në të njëjtën kohë fitorja e Konstantit përfaqësonte një fitore të arianizmit. Vullneti perandorit duhet të ishte vendimtar qoftë në kishë e qoftë në shtet. Ai e shtypi opozitën që drejtohej nga Athanasi i Aleksandrisë dhe në sinodet e Sirmit dhe të Riminit e shpalli arianizmin fe shtetërore (359). Tani edhe gjysmë-arianët u ndanë: më të moderuarit kaluan në opozitë dhe u afruan akoma më shumë me nikeasit, kurse të tjerët u shkrinë me eunomianët dhe, të prirë nga perandori, u bënë partia sunduese. Por më i rëndësishëm nga pikëpamja historike se sa kjo fitore e përkohshme e arianizmit në shtetin romano- bizantin është fakti se pikërisht në këtë periudhë filloi kthimi në krishterin i popullit të Gotëve. Popujt gjermanikë e njohën krishterimin në variantin e tij arian. Më 343  përktheu Biblën në gotisht, u shugurua peshkop nga ariani Eusebio i Nikomedisë. Shumë kohë pasi arianizmi në Bizant qe mundur, pjesa më e madhe e farëve gjermanikë qëndroi besnike doktrinës së Ariusit.

Periudha e konflikeve fetare në kohën e Konstantit u pasua nga reaksioni pagan i Julian Apostatit (361-363) . Me Julianin mbërriti në një pikë kritike një ndër problemet qendrore të kulturës bizantine, domethënë ai bashkëjetesës së kulturës së vjetër me besimin e ri. Dashuria për këtë botë klasike që po perëndonte, për artin e saj, për kulturën e diturinë e saj, e shtyu këtë përfaqësues të fundit të dinastisë së Konstandinit t'i shpallë luftë fesë së re. U duk sikur luftërat e pafund midis grupeve të ndryshme në gjirin e Kishës së krishterë i siguruan suksesin. Paganët ishin akoma shumë të fortë në numër, sidomos në pjesën perëndimore të perandorisë, pikësëpari në Romë; gjithashtu pagane qe në një pjesë të mirë edhe ushtria e mbushur plot barbarë. Nuk ishte i papërfillshëm edhe numri i atyre që filluan ta brak-tisin fenë e krishterë. Por Juliani nuk mundi të krijojë një lëvizje të fuqishme antikristiane. Gjatë kësaj lufte ai bëri rolin e zëdhënësit të aristokracisë kulturore pagane të filozofëve e të oratorëve neoplatonikë, ku bënte pjesë edhe vet. Në gjysmën lindore të perandorisë, sidomos në Antioke ku kishte vendosur rezistencën e vet, perandori pësoi zhgënjime të mëdha. Dobësia e brendshme e lëvizjes së tij reaksionare dëshmohet fare qartë nga fakti se në organizimin e klerit të ri pagan, Juliani kopjoi organizimin e kishës së krishterë. Zelli që tregonte për të ringjallur kultet e vjetra pagane (ai vetë bënte flijime kafshësh për perënditë) shkaktoi çudi dhe dizaprovim. Si çdo reaksion që entuziazmohet për të vjetrën dhe e lufton të renë, reaksioni i Julianit ishte i dënuar të dështonte. Gjatë një fushate kundër persianëve ai u plagos nga një goditje shtize dhe vdiq në fushën e betejës. Me të vdiq edhe vepra e tij. Dështimi i shpejtë i saj tregoi qartë se fitorja e krishterimit përfaqësonte tashmë një domosdoshmëri historike.

Epoka e dyndjeve barbare dhe e grindjeve kristologjike

Konfliktet fetare dhe luftërat e pareshtura civile që kishin sfilitur ushtrinë romake, i dobësuan pozitat e perandorisë kundrejt fuqive të tjera. Qysh në kohën e Konstantit u pa qartë se Persianët ishin bërë zotër të viseve të Mesopotamisë. Pas fundit tragjik të fushatës së Julianit, pasardhësi i krishterë i perandorit të fundit pagan, Joviani (363-364), nënshkroi me persianët një traktat paqeje, sipas të cilit perandoria hiqte dorë nga të drejtat e saj në Armeni dhe humbte territore të konsiderueshme në Mesopotami.

Me fillimin e dyndjeve barbare, perandoria u ballafaqua me probleme të reja, që lanë gjurmë të thella në zhvillimin e saj. Kufiri verior i pjesës lindore të perandorisë u kthye në një arenë luftërash të vazhdueshme. Nisi kështu një luftë rraskapitëse në dy fronte, që mori fund vetëm atëherë kur mori fund edhe vetë Perandoria Bizantine. Tash e tutje, Bizanti do të jetë në luftë thuajse të pareshtur si me perandoritë e mëdha, që formoheshin në Lindje, ashtu dhe me popujt që herë pas here rishfaqeshin dhe e kërcënonin nga Veriu apo nga Perëndimi.

Perandori i parë që iu desh të përballojë këtë luftë në dy fronte dhe që humbi jetën, qe ariani Valent. Ashtu si në rastin e Konstantit e të Konstancos, dhe dy vëllezërit Valentiniani I (364-375) e Valent (364-378) përfaqësonin dy prirje fetare të ndryshme. Ndërkohë që Valentiniani I, që qeveriste në Perëndim, ishte përkrahës i doktrinës nikeane, Valenti që sundonte në Lindje, ishte arian. Në antagoznimin midis dy doktrinave pasqyrohej, pra, antagonizmi midis Perëndimit dhe Lindjes. Lidhja midis dy gjysmave të perandorisë po bëhej gjithnjë e më e brishtë. Por tani për tani të gjitha problemet e tjera kalonin në plan të dytë kundrejt problemeve therëse të politikës së jashtme. Simptomat e krizës u panë që me invadimin e Britanisë nga Saksonët, nga Pitët e Skotët, me luftërat kundër Alamanëve mbi Ren e Nekar dhe kundër Sarmatëve e Kuadëve në pellgun e Danubit. Gjendja arriti në pikën kritike kur Visigotët u shfaqën mbi Danub dhe pushtuan dioqezën e Trakës. Atyre iu shtuan Ostrogotët dhe Hunët që vinin pas, e shumë shpejt gjithë Traka u përmbyt nga invazioni i barbarëve. Valenti, që ndiqte zhvillimin e frontit per- sian nga Kostandinopoja, u nis menjëherë për t'i bërë ballë ushtrisë barbare pranë Adrianopojës. Këtu u zhvillua më 9 gusht 378 një betejë historike, ku Visigotët të mbështetur nga ostrogotët, thyen ushtrinë romake derisa e asgjë- suan, duke vrarë edhe vetë perandorin.

Rrjedhojat e kësaj katastrofe qenë të jashtëzakonshme. Tash e tutje prob- lemi gjermanik do të jetë problemi themelor i shtetit romak. Pjesa perëndi- more s'do të mundë të rezistojë e do të shembet. Ishte krejt e pamundur të thyheshin gotët. Në gjendjen e pashpresë në të cilën u ndodh perandoria, nuk mbetej tjetër rrugëdalje veç kompromisit të paqes. Në këtë drejtim u orientua politika e Tedosit 1, që djali e trashëgimtari i Valentiniait I, Graciani (375-383) e kishte emëruar August më 19 janar 379, duke e ngarkuar me qeverisjen e pjesës lindore të perandorisë.

Pasi i shtynë gotët përtej Ballkanit, Cezarët arritën me ta një foedus, në bazë të së cilës ostrogotët do të vendoseshin në Panoni, ndërsa visigotët në pjesën veriore të dioqezës trake. Do të gëzonin autonomi të plotë, do të përjashtoheshin nga pagimi i taksave dhe, në cilësinë e foederatëve (aleatëve), do të kryenin shërbim ushtarak në mbrojtje të perandorisë, kundrejt një page të majme. Shumë prej tyre hynë edhe në shërbim të drejtpërdrejtë të perandorit. Hë për hë, rreziku i një invazioni të dhunshëm të gjermanikëve u mënjanua. Invazorët u vunë në shërbim të perandorisë dhe ushtria romake, efektivat e së cilës ishin dobësuar ndjeshëm, u fuqizuan mjaft nga foederatët gjermanikë. Por nga ana tjetër, kjo zgjidhje nuk ishte gjë tjetër veç zëvendësim i pushtimit të dhunshëm me një pushtim paqësor. Gjermanizimi i ushtrisë, që kishte filluar qysh më parë, arriti tani intensitetin më të madh. Pjesa më e madhe e forcave ushtarake përfaqësohej nga gjermanikët dhe shumë shpejt edhe postet komanduese më të rëndësishme ranë në duar të tyre. Pasoja tjetër negative e politikës së Teodosit ndaj barbarëve kishte të bënte me rritjen e madhe të shpenzimeve shtetërore dhe, rrjedhimisht, të barrës së taksave. Skamja e popullsisë rritej nga dita në ditë dhe në gjithë shtrirjen e perandorisë po përhapej sistemi i patrocinium, kundër të cilit pararendësit e Teodosit luftuan por pa sukses. Fshatarësia u rrënua ekonomikisht, ajo u mbyt në borxhe dhe u bë pre e arbitrariteteve dhe e abuzimeve të funksionarëve perandorakë. Për këto arsye, fshatari preferonte të hynte nën tutelën e një pronari të fuqishëm, bëhej rob i tij, duke hequr dorë nga një liri që ishte bërë e padurueshme. Në kapërcim të shek. IV-V, bujkrobëria qe bërë një dukuri e zakonshme në gjithë perandorinë.

Fundi tragjik i Valentit shënoi dhe fundin e arianizmit. Fitorja e ortodoksisë u sanksionua nga koncili i dytë ekumenik i Kostandinopojës (381), që rikonfirmoi dhe plotësoi doktrinën e Nikesë, duke i dhëne formën përfundimtare kredos së krishterë. Teodosi I ishte një përkrahës i zjarrtë i doktrinës së Nikesë, të cilën e mbrojti me të gjitha forcat, duke luftuar pa mëshirë qoftë kundër paganizmit e qoftë kundër sekteve të krishtera heterodokse. Në kohën e sundimit të tij u krye kristianizmi i plotë i perandorisë. Feja e krishterë ortodokse u bë fe shtetërore dhe fitoi pozitën e monopolit, ndërsa të gjitha fetë e besimet e tjera u nxorën jashtë ligjit.

Pas një lufte të gjatë civile në perëndim, Teodosi mundi përsëri të ribashkojë perandorinë në duart e tij. Por në shtratin e vdekjes, më 395, ai kreu një ndarje të re të perandorisë, që me aq mund kishte mundur ta unifikojë. Rëndësia më e madhe që kishte marrë pjesa lindore e perandorisë kundrejt pjesës perëndimore, u shpreh qartë në mënyrë sesi u krye kjo ndarje e re, sado që Teodosi ishte me origjinë nga viset skajore të perëndimit. Konstandini i Madh i kishte caktuar djalit të tij të madh Britaninë, Galitë dhe Spanjën; Valentiniani kishte mbajtur për vete gjysmën perëndimore të perandorisë, duke i besuar vëllait të vogël pjesën lindore. Përkundrazi, Teodosi i dha djalit të madh, Arkadit, Lindjen ndërsa të voglit, Onorit, perëndimin. Paksa më vonë edhe dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë, që pretendoheshin nga të dyja pjesët e perandorisë, iu dhanë Lindjes dhe u përfshinë në prefekturën ilirike me kryeqytet Selanikun. Nga viset ilirike i mbeti Perëndimit vetëm dioqeza panonike, që më përpara quhej zakonisht dioqeza ilirike. Në këtë mënyrë midis Lindjes e Perëndimit u hoq një vijë kufiri që me kalimin e kohës do të skalitet në mënyrë të prerë si kufiri midis botës kulturore perëndimore, romane, dhe asaj lindore, bizantine.

Nga ana tjetër ndarja e Teodosit nuk ishte diçka krejt e re. Por është e rëndësishme se duke filluar nga ai çast e deri në rënien e perandorisë romake të Perëndimit ndarja e perandorisë në dy pjesë do të jetë diçka përfundimtare, e qëndrueshme. Porse u ruajt ideja e unitetit të perandorisë. Asnjëherë nuk flitej për dy perandori, por për dy pjesë të një perandorie të vetme, që qeveriseshin nga dy perandorë. Shpesh herë nxirreshin dekrete në emër të të dy perandorëve dhe dekretet e nxjerrë nga njëri prej të dyve kishin forcën e ligjit në të gjithë perandorinë nëse i dorëzoheshin kolegut për shpallje. Me vdekjen e njërit perandor, tjetri kishte të drejtë t'i zgjidhte trashëgimtarin. Por në realitet, lidhja midis dy pjesëve bëhej gjithnjë e më e dobët. Këtu ndikonte së tepërmi edhe fakti se jeta politike në Lindje e në Perëndim ndiqte dy kahe të ndryshme e gjithashtu marrëdhëniet midis dy qeverive nuk qenë aspak miqësore. Gjatë sundimit të dy djemve të Teodosit lindi një rivalitet i ashpër midis mëkëmbësve të ndryshëm që ndoqën njëri-tjetrin në qeverisjen e Lindjes në emër të Arkadit të pafuqishëm, nga njëra anë, dhe gjermanit të fuqishëm Stilikon që qeverisi për më shumë se një dekadë në Perëndim në emër të djaloshit Onor, nga ana tjetër.

Politika ndaj gotëve e përuruar nga Teodosi kaloi një krizë të rëndë kur vizigotët e udhëhequr nga Alariku u rebeluan dhe u derdhën në gadishullin ballkanik duke arritur deri në portat e Kostandinopojës dhe deri në skajin jugor të Greqisë. Antagonizmi midis dy perandorëve e bëri të pamundur organizimin e një kundërmësymjeje të menjëhershme nga ana romake. Perandori i Lindjes arriti të bjerë në ujdi vetëm pasi pranoi t'i akordojë Alarikut detyrën e magister militum per Illyrikum, ndërsa goti Gaina mori detyrën e magister militum praesentalis dhe hyri në Kostandinopojë në krye të trupave të tij. Kjo bëri që në kryeqytetin bizantin të formohej një parti antigjermanike e fuqishme, që në fillim të shek. V u bë parti sunduese. Gjermanikët u përjashtuan nga ushtria dhe ushtria romake iu nënshtrua një riogranizimi të përgjithshëm. Por shumë shpejt u bë e domosdoshme t'u hapeshin përsëri radhët e ushtrisë gjermanikëve, të cilët deri në shek. VII do të përfaqësojnë pjesën më të rëndësishme dhe më të fortë të ushtrisë romake. Por, ndërsa në kohën e Teodosit foederatët gotë ishin njësi autonome nën urdhrat e krerëve të tyre, tani barbarë rekrutohen individualisht si mercenarë apo si komandantë prej oficerëve perandorakë. Përndryshe në Perëndim organizimi teodosian qëndroi në fuqi dhe çoi në fund të fundit, në rënien e perandorisë romake të Perëndimit, që u përfshi nga hordhitë barbare. Suksesi i kundërveprimit antigjermanik në Lindje dhe dështimi i përpjekjeve të ngjashme në Perëndim nxjerrin në pah situatën e ndryshme që ekzistonte në dy pjesët e perandorisë dhe që pati rëndësi përcaktuese për gjithë zhvillimin e tyre të mëtejshëm historik. Nuk kaloi shumë kohë e pjesa lindore u lirua nga Alariku, i cili iu drejtua Italisë dhe pas tre përpjekjeve mundi të pushtojë e të plaçkitë Romën (410). Kështu, ndërsa në Perëndim gjendja bëhet gjithmonë e më e pashpresë, në Lindje në fillimin e shek. V fillon një periudhë relativisht e gjatë qetësie.

Pikërisht në këtë periudhë qetësie relative u themelua universiteti në Kostandinopojë dhe u përhap Codex Theodosianus. Perandori pa autoritet Teodosi II (408-450) sundoi fillimisht nën tutelë e motrës së tij energjike, Pulkerias, e më vonë nën ndikimin e gruas, Eudokia Augusta, bijë e një mësuesi të retorikës nga Athina me bindje pagane. Personaliteti i kësaj perandoreshe, që i qëndroi besnike gjatë gjithë jetës idealeve kulturore të qytetit të saj të lindjes dhe që në të njëjtën kohë përqafoi me zemër besimin e ri fetar, që shkroi si vargje profane ashtu edhe himne fetare, është një shembull i gjallë i bashkekzistencës së kristianizmit dhe i kulturës klasike brenda për brenda shtetit bizantin. Është kryesisht meritë e saj nëse universiteti i themeluar në kohën e Konstandinit të Madh, në vitin 425 u riogranizua dhe zgjerua, duke u shndërruar realisht në një universitet të ri. Në universitetin e ri, që u bën qendra kulturore më e rëndësishme e perandorisë, jepnin mësim dhjetë gramatikanë grekë e dhjetë latinë, pesë oratorë grekë e tre latinë, një filozof e dy juristë.

Po aq i rëndësishëm për jetën kulturore të perandorisë ishte botimi i Codex Theodosianus (438), që shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin e sistemeve juridike të shtetit. Fjala është për kodifikimin më të rëndësishëm të ligjeve përpara daljes së Corpus juris justinianeus konsiston në një përmbledhje të të gjitha edikteve perandorake nga koha e Konstandinit e më pas. Kodi i ri dha baza të reja më solide administrimi të drejtësisë dhe shmangu mundësitë për të gabuar që rridhnin nga mungesa e një përmbledhjeje zyrtare të ligjeve. Codexi u shpërnda si në Perëndim ashtu edhe në Lindje në emër të dy perandorëve, Teodos II e Valentinian III, fakt ky që përfaqësoi një riafirmim ideal të unitetit të perandorisë. Por në të vërtet uniteti i perandorisë ruhej vetëm me fjalë dhe një realitet i tillë u pasqyrua dhe në fushën juridike. Domethënës në këtë drejtim është fakti se pas daljes së Codex Theodosianus, vetëm në raste të rralla perandorët e Lindjes do t'i dërgonin ediktet e tyre në Perëndim, ndërsa perandorët e Perëndimit do të pushojnë krejtësisht së dërguari ediktet e tyre në Lindje.79 Më 425 pushteti lindor vendosi në fronin perëndimor Valentinianin III (425-455), dhe me këtë akt u hap një periudhë mjaft e gjatë paqeje midis dy gjysmave të perandorisë. Por procesi i ndarjes ishte i pashmangshëm dhe gjithnjë e më shumë i prekshëm. Vijat e zhvillimit të dy gjysmave të perandorisë, qoftë në pikëpamje politike e qoftë në pikëpamje kulturore, ndaheshin gjithmonë e më shumë. Një shprehje të dukshme dhe shumë të rëndësishme të kësaj ndarjeje e gjejmë në thellimin e ndarjes gjuhësore. Në perëndim njohja e gjuhës greke erdhi duke u zhdukur, kurse në Lindje gjuha latine, ndonëse mbetej gjuhë zyrtare dhe si e tillë kultivohej artificialisht, po humbiste vazhdimisht pozitat kundrejt gjuhës greke. Greqizimi i Lindjes përparoi pa u ndalur, sidomos në kohën e perandorit Teodos II dhe të perandoreshës Eudokia Augusta. Jo më kot në universitetin e ri të Kostandinopojës, profesorët grekë qenë më të shumtë në numër se ata latinë.

Gjatë kësaj periudhe kohore ndodh edhe krijimi i një kulture kishtaro-kombëtare në armeninë fqinjë, shpikja e alfabetit armen dhe përkthimi i Biblës në armenish. Që nga kohët e Teodosit I një pjesë e territorit armen ndodhej nën sovranitetin bizantin, ndërsa pjesa më e madhe e tij ishte nën sundimin persian. Bizanti e mbështeti forcimin e një ndërgjegjeje kombëtaro-fetare tek populli fqinjë i krishterë dhe madje ndërhyri në mbrojtje të krishterëve të përndjekur nga Persia. Kjo dha shkas për një përplasje të re midis dy perandorive. Por lufta nuk solli ndonjë ndryshim territorial dhe në vitin 422 u nënshkrua një paqe që do të duhej të zgjaste njëqind vjet, por që në të vërtetë nuk vazhdoi as dhe njëzetë.

Në dhjetëvjeçarin e pestë të shek. V perandoria e Lindjes kapërceu një krizë të re të shkaktuar nga kërcënimi i hunëve të udhëhequr nga Atila.

Inkursione e plaçkitje të përsëritura u pasuan nga traktate paqeje afatshkurtër, që e ngarkonin perandorinë me kushte gjithnjë më të rënda e poshtëruese. Gjithë Gadishulli Ballkanik ishte shkretuar e plaçkitur kur, më në fund, pasi i imponoi perandorisë kushte të rënda financiare, Alita vendosi të hidhej në Perëndim. Depërtoi në Gali, por u mund nga komandanti i ushtrisë romake të Perëndimit, Eci, në afërsi të Fushave Katalane (451). Pas një viti hunët shkretuan Italianë, por më 453 Atila vdiq dhe me vdekjen e tij mori fund edhe mbretëria e tij gjigante. Sidoqoftë, çlirimi nga kërcënimi hun nuk mundi të shmangë shpërbërjen e perandorisë romake të Perëndimit. Gjendja sa vente e keqësohej. Pas vrasjes së Ecit (454) e të Valentinianit III (455) në Itali mbretëronte kaosi. Provincat më të rëndësishme jashtë Italisë ndodheshin në dorë të popujve gjermanikë që formuan mbretëritë e tyre, si vandalët në Afrikë dhe vizigotët në Gali e në Spanjë.

Nga kaosi që kishte përfshirë perandorinë romake të Perëndimit, nxori krye një fuqi e re: Kisha romane. Ajo mundi ta bëjë përsëri kryeqytetin e vjetër të perandorisë, që ishte kthyer në një arenë lufte midis popujve barbarë, qendër shpirtërore të botës. Në kohën kur hunët dyndeshin mbi perandorinë dhe Roma plaçkitej nga vandalët, atëherë kur mbretëronte pështjellimi dhe shpërbërja e shtetit dukej e afërt, papa Leon i Madh (640-661) rikonfirmoi primatin e Kishës së Romës si askush tjetër nuk kishte mundur ta bënte përpara tij.83 Në ballafaqimet doktrinore të shek. V, që ishin njëherësh një luftë midis qendrave të mëdha kishtare për drejtimin e Kishës, Roma luajti një rol mbisundues.

Akoma më tepër se në kohën e herezisë ariane, zhvillimi i përgjithshëm i Perandorisë Bizantine në shek. V, përcaktohet nga debatet teologjike. Lufta kundër arianizmit kishte përfunduar me afirmimin e dogmës mbi natyrën e pastër hyjnore të Birit dhe mbi bashkësubstancën e tij me Atin. Problemi që shtrohej kishte të bënte me natyrën hyjnore e me atë njerëzore të Krishtit. Shkolla teologjike e Antiokesë pohonte se në personin e Krishtitbashkëjetonin dy natyra të dallueshme: Zoti kishte zgjedhur si garantin e vet Krishtin, të birin e Maries dhe prej këndej nxirrej konkluzioni që Maria nuk duhet të konsiderohet nënë e Zotit, por nënë e Krishtit. Në kundërshtim të prerë me këtë interpretim racionalist, shkolla mistike e Aleksandrisë mbronte doktrinën e "njeriut perëndi", ku natyra njerëzore dhe ajo hyjnore bashkoheshin. Më 428 njëri nga eksponentët e shkollës së Antiokesë, Nestori, u bë peshkop i Kostandinopojës dhe nga një pozitë e tillë filloi të luftojë për doktrinën kristologjike antiokene. Por Nestorit iu shoqëroheshin me thirrje miratuese nga ushtria, populli dhe senati. Risia e vitit 457 është domethënëse për pushtetin që kishte fituar peshkopata e Kostandinopojës, pushtet që ishte sanksionuar nga koncili i fundit ekumenik. Tash e tutje të gjithë perandorët bizantinë do të kurorëzohen nga patriku i kryeqytetit. Në këtë mënyrë ceremonia e kurorëzimit merrte karakterin e një investiture fetare. Pra, ceremonisë së kurorëzimit shekullor, që kishte karakter kryesisht ushtarak, i shtohej një kurorëzim fetar, që me kalimin e kohës e spostoi në plan të dytë ceremoninë e vjetër me origjinë romake, derisa më në fund, në mesjetë, e eliminoi krejtësisht.

Leoni I vendosi të çlirohej nga tutela e Asparit dhe e ostrogotëve dhe u përpoq të gjente një aleat kundër tyre duke u lidhur me popullin luftarak të Izaurve. Kreu i Izaurve, Tarasikodisa hyri në kryeqytet i shoqëruar nga një trupë e fortë, mori emrin grek Zenon dhe u martua me motrën e madhe të perandorit Ariadne (466). Rënia e Asparit solli një përmbysje në politikën perandorake. Deri atëherë, nën ndikimin e alanëve, qeveria e Kostandinopojës kishte qenë e shurdhët ndaj kërkesave të përsëritura për ndihmë që i vinin nga perandoria e Perëndimit. Më 468 u organizua një ekspeditë kundër mbretërisë së vandalëve në Afrikë. Por me gjithë epërsinë ushtarake të bizantinëve, ekspedita që i kushtonte perandorisë 130.000 libra ari, dështoi në mënyrë të vajtueshme, qoftë për aftësitë e shquara ushtarake të mbretit vandal Genserik e qoftë për paaftësi të plotë të gjeneralit bizantin Basilisk, kunat i Leonit I.

Paskëtaj, ylli i Asparit u ngjit përsëri. Djali i tij, Patrici mori dorën e vajzës së dytë të perandorit dhe me gjithë origjinën e huaj dhe besimin arian të tij, u shpall trashëgimtar i fronit dhe u quajt Cezar. Por shumë shpejt në Kostandinopojë lindi përsëri një lëvizje antigjermanike e më 471 shpërtheu një revoltë gjatë së cilës Aspari e djali i tij Ardabur mbetën të vrarë. Patrici mbeti i plagosur rëndë, u shtrëngua të ndahej nga vajza e perandorit dhe u privua nga titulli i Cezarit. Zenoni mori përsëri në dorë kontrollin e situatës dhe ndikimi izaurik i zuri vendin atij gjermanik. Në fillim të vitit 474 vdiq Leoni I dhe pasardhës i tij qe i nipi, Leoni II, djalë i Zenonit dhe i Ariadnes. Zenoni u bë bashkëperandor dhe qeverisi për llogari të të birit, ende fëmijë. Por ky vdiq në vjeshtën e po atij viti dhe Zenoni mbeti perandor i vetëm në fronin e Kostandinopojës.

Nga pikëpamja kulturore, Izaurët ndodheshin në një nivel tepër inferior në krahasim me gotët, të cilët kishin rënë prej kohësh në kontakt me qytetërimin greko-romak. Por, në ndryshim nga gjermanikët, ata ishin shtetas të perandorisë prandaj, sipas kriterit greko-romak, nuk konsideroheshin "barbarë". Sidoqoftë, popullsia bizantine i mbante ata për të huaj dhe qeverisja izaure shihej po aq shtrembër sa dhe sundimi gjermanik në kohët e Asparit.

Në janar 475 një komplot rrëzoi Zenonin nga pushteti; por meqë komplotistët nuk mundën të gjejnë një kandidat për fron më të mirë se Bazilisku - gjenerali që drejtoi pa lavdi fushatën vandale të vitit 468, pas njëzet muajsh Zenoni arriti të rifitojë fronin dhe ta mbajë atë, me gjithë komplotet e pafundme dhe luftërat e ashpra civile, për pesëmbëdhjetë vjet me radhë (476-491).

Zenoni ngjitej përsëri në pushtet atëherë kur perandoria romake e Perëndimit po jetonte ditët e fundit të saj. Qeverisë së Kostandinopojës nuk i mbetej gjë tjetër veç të njihte faktin e kryer. Një gjë e tillë u bë më e lehtë falë qëndrimit pajtues të Odoakrit, i cili e njohu shprehimisht sovranitetin e perandorit të Lindjes. Padroni i ri i Italisë i emëruar magister militum per Ilalian dhe e qeverisi vendin si i plotfuqishëm i perandorit. Në këtë mënyrë u shpëtua disi forma, por në të vërtetë Italia ishte tashmë e humbur për perandorinë dhe ashtu si pothuaj gjithë viset e tjera të Perëndimit, ra nën sundimin gjermanik.

Në të kundërtën, pjesa lindore e perandorisë po çlirohej plotësisht nga infiltrimet gjermanike. Eliminimi i Asparit qe vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Në fakt mbeteshin akoma kontingjente të mëdha ostrogotësh në Gadishullin Ballkanik: në Trakë nën komandën e Teodorik Strabonit dhe në Mezi nën atë të amalit Teodorik. Krerët gjermanikë herë hynin në shërbim të perandorit dhe mbulonin poste të larta ushtarake, dhe herë rreshtoheshin kundër qeverisë së Kostandinopojës dhe sulmonin me trupat e tyre territorin e perandorisë. Ata përziheshin në të gjitha luftërat civile dhe në përplasjet e grupimeve të ndryshme, duke vendosur shpesh herë rezultatin e tyre. Më 481 vdiq Teodorik Straboni dhe kështu perandoria shpëtoi nga një rrezik i afërt. Më 488 qeveria bizantine arriti ta bindë amalin Teodorik të nisej drejt Perëndimit për të rrëzuar Odoaktrin, me të cilin Bizanti ishte armiqësuar, dhe për t'i zënë atij vendin në qeverisjen e Italisë. Lufta e ashpër midis dy krerëve gjermanikë përfundoi me fitoren e Teodorikut, i cili vrau me dorën e vet rivalët dhe u bë zot i Italisë (493). Kështu lindi Mbretëria e Italisë e Teodorikut të Madh. Kështu pra, Bizanti mundi t'i shmangej ballafaqimit të drejtpërdrejtë me Odoakrin, duke hequr qafe, në të njëjtën kohë, Ostrogotët e paqetë. Ashtu si në kohën e Alarikut, edhe tani perandoria e Lindjes mundi të kapërcejë një krizë të re gjermanike, duke i përqellë Gotët drejt Perëndimit. Punët rrodhën në një mënyrë të tillë që, ndërsa^ Perëndimi u bë pre e gjermanikëve, Lindja lirohej prej tyre.

Por çlirimi nga infiltrimet gjermanike nuk përbënte një zgjidhje të vërtetë të problemit etnik, pasi ndikimi izaunk vazhdonte të ishte mbizotërues. Në përpjekje për të gjetur mënyrën si të luftohej presioni gjermanik, perandoria mendoi se antidoti ishin izaurët. Ilaçi qe i mirë, por doza qe aq e madhe sa që filloi të helmojë organizmin e shtetit. Perandoria u bë një arenë ku zhvilloheshin luftëra të përgjakshme midis krerëve të ndryshëm izaurë: kur njëri rrëmbente fronin, të tjerët luftonin t'ia hiqnin. Për vite të tëra Zenoni zhvilloi një luftë të rregullt kundër mëkëmbësit të tij të dikurshëm Illo dhe kundër patriotit të tij Leonc, që nga ana e tij ishte vetëshpallur perandor.

Edhe problemi fetar mbeti i pazgjidhur. Monofizizmi i dënuar në Kalcedoni fitoi ndikim të madh në provincat lindore. Për rrjedhojë u thellua akoma më shumë hendeku midis territoreve qendrore të perandorisë dhe provincave të saj lindore. Bazilisku u hodh në krahët e monofizizmit dhe me anë të një enciklike (qarkore) perandorake dënoi knonet e kalcedonisë dhe Tomus-in e papa Leonit. Por një masë e tillë, që shkaktoi irritimin e ortodoksëve bizantinë, s'bëri tjetër veçse shpejtoi rënien e tij. Zenoni, nga ana e tij, u përpoq të pajtonte monofizitet e lindjes me dyfizitët e Bizantit me anë të një kompromisi. Me miratim të patrikut Akacius të Kostandinopojës, ai botoi më 482 të ashtuquajturën Henotikon, apo edikt i bashkimit, në të cilin pranoheshin përfundimet e tre koncileve të para ekumenike, por i vihej rrotull thelbit të problemit, duke evituar shprehje si "dy natyra" ose "një natyrë". Por shumë shpejt u konstatua se ishte e pamundur të arrihej ndonjë kompromis për çështje fetare, pasi Henotikoni nuk mund të kënaqte as përkrahësit e doktrinës së Kalcedonisë dhe as monofizitët. Në vend të dy partive tani rezultonin tre: monofizitët e deklaruar, dyfizitët e deklaruar dhe të pavendosurit e njërit dhe të tjetrit kamp, që pranonin formulën perandorake. Edhe papa e dënoi Henotikonin dhe çkishëroi patrikun e Kostandinopojës. Nga ana e vet, ky fshiu nga diptikët emrin e papës dhe në këtë mënyrë midis Romës e Kostandinopojës lindi një skizmë, që do të vazhdojë më se tridhjetë vjet.

Zenoni vdiq më 491 dhe kur u shtrua problemi i zgjedhjes së perandorit të ri, populli e priti të venë Ariadne me thirrjen: "Jepi perandorisë një perandor ortodoks! Jepi perandorisë një perandor roman!" Dy problemet më përvëlues të kohës, ai etnike fetar, nuk ishin zgjidhur akoma dhe ishin burim shqetësimi për të gjithë. Në Kostandinopojë populli nuk donte të qeverisej më nga të huaj dhe nga heretikë. Zgjedhja ra mbi Anastasin (491-518), një funksionar i vjetër oborri, që e tregoi veten si administrator energjik dhe manifestoi aftësi të mëdha në riorganizimin e sistemit financiar. Ai perfeksionoi sistemin monetar të organizuar nga Konstandini i Madh. Follis-i i artë, kursi i të cilit pësonte lëkundje të mëdha, u fiksua në një raport të caktuar vlere me monedhën e artë. Por vepra kryesore e tij është riorganizimi i sistemit të vjeljes së taksave: në qytet një kompetencë e tillë iu hoq kurialëve, tashmë të varfëruar e të pafuqishëm, dhe iu ngarkua vindices-ve që vareshin nga prefektët e pretorit. Gjithashtu hoqi të dikurshmen lnn lustralis collatio, që rëndonte kryesisht mbi shtresat tregtare e zejtare të qyteteve. Kjo masë u prit me kënaqësi të veçantë nga popullsia qytetare dhe kontribuoi së tepërmi për të nxitur veprimtaritë tregtare e zejtare. Në të kundërtën, popullsia e fshatit nuk kishte arsye të tregohej ndopak e kënaqur, pasi heqja, u shoqërua me shlyerjen e anonës jo më në natyrë, por në të holla." Kthimi i të gjitha taksave në natyrë në taksa në të holla, është provë e qartë se edhe vetë ekonomia fshatare po fillonte të kishte një strukturë monetare. Por në të njëjtën kohë nevoja e shtetit për produkte bujqësore plotësohej nëpërmjet sistemit të coeniptio, d.m.th. shitjes së detyruar të produkteve ushqimore me çmime të ulura të caktuara nga shteti. Pra, ndërsa kategoritë zejtare e tregtare u lehtësuan disi nga barra e tatimeve, e kundërta ndodhi me popullsinë e fshatit, siç e provojnë edhe kryengritjet e vazhdueshme që shoqëruan sundimin e Anastasit I. Por nga ana tjetër politika e rreptë fiskale e perandorit i fuqizoi financat shtetërore dhe në çastin e vdekjes së tij në arkën e shtetit ishte grumbulluar një shumë kolosale prej 320.000 librash ari.

Ardhja në pushtet e Anastasit I shënoi fundin e sundimit izaur. Megjithatë perandorit iu desh të zhvillonte kundër tyre një luftë të gjatë, derisa qëndresa e tyre u thye përfundimisht, më 498. Paskëtaj izaurët u deportuan në masë në Trakë, forca e tyre u shkatërrua dhe kriza etnike u kapërcye një herë e mirë. Por u ashpërsua kriza fetare. Në çastin e hipjes së tij në fron, me kërkesë të patrikut, Anastasi kishte bërë një deklaratë formale ku shprehte besnikërinë ndaj ortodoksisë. Por në fakt ai qe një përkrahës i zjarrtë i monofizizmit. Më vonë ai u solidarizua me Henotikonin. Por politika kishtare e tij anonte gjithmonë nga monofizizmi, derisa u njësua plotësisht me të. Kjo i gëzoi së tepërmi monofizët koptë e sirianë, por dhe bëri shumë të pakënaqur midis bizantinëve ortodoksë. Periudha e sundimit të Anastasit u shënua nga një seri e pandërprerë revoltash e luftërash civile, që nxiteshin edhe nga shtypja e aparatit administrativ. Popullsia ishte në një gjendje të vazhdueshme konflikti dhe luftërat midis demave u ashpërsuan si asnjëherë.

Dihet se grupimet bizantine të të kaltërve dhe të gjelbërve nuk ishin thjesht organizata sportive, por edhe politike. Ishin organizata që i kishin rrënjët te partitë e vjetra të hipodromit dhe mbanin emrin dhe ngjyrën e vet. Por ashtu si forumi në Romë apo agoraja në Athinë, hipodromi në Kostandinopojë ishte vendi ku shprehej vullneti politik i popullit. Partitë popullore të të kaltërve dhe të gjelbërve, krerët e të cilëve emëroheshin nga qeveria, kishin dhe funksione të rëndësishme publike. Ato shërbenin si polici qytetare dhe merrnin pjesë në punën për ndërtimin dhe meremetimin e mureve rrethuese të qytetit. Bërthama e demeve formohej pikërisht nga kjo pjesë e popullsisë qytetare që shërbente si polici e qytetit. Pjesa tjetër e popullsisë grumbullohej rreth kësaj bërthame, mbante anën të kaltërve ose të të gjelbërve, mbronte njërin dhe luftonte tjetrin. Për këtë arsye në të gjitha qytetet e mëdha të perandorisë të kaltrit dhe të gjelbrit luajtën një rol mjaft të rëndësishëm si përçues e përfaqësues të vullnetit politik të popullit. Do të ishte gabim të konsideroheshin të kaltrit si parti e aristokracisë kurse të gjelbrit si parti e shtresave të varfra të popullsisë. Masën e përkrahësve si të njërës edhe të tjetrës parti e përbënte populli i thjeshtë. Por në partinë e të kaltërve drejtimi siç duket e kishin në dorë përfaqësuesit e aristokracisë së vjetër senatoriale latifondiste greko-romake, kurse në partinë e të gjelbërve përfaqësuesit e borgjezisë tregtare e zejtare si dhe elementë që kishin bërë karrierë në oborr ose në administratën financiare dhe që vinin zakonisht nga provincat lindore të perandorisë. Si rezultat, në çështjet fetare të kaltërit ishin përkrahës të ortodoksisë greke, ndërsa të gjelbrit ishin përkrahës të monofizizmit dhe të herezive të tjera lindore. Antagonizmi midis dy partive u shpreh në shumë luftëra të ashpra dhe që nga gjysma e shek. V jeta politike e perandorisë u karakterizua nga luftërat e vazhdueshme midis të kaltërve dhe të gjelbërve. Pushteti qendror ishte i detyruar t'i përfillte dëmet si forcë e vërtetë politike dhe të përkrahte njërën ose tjetrën parti; në këtë mënyrë njëra nga partitë mbështeste qeverinë kurse tjetra përfaqësonte opozitën. Por ndodhte që ndonjëherë të dy partitë të bashkoheshin në një luftë të përbashkët kundër qeverisë perandorake për të mbrojtur lirinë e vet nga absolutizmi i pushtetit qendror. Në fakt, në organizimin e demeve ruheshin gjurmët e traditave liridashëse të qyteteve antike.

Perandori Anastasi I  ndoqi një politikë ekonomike në përkrahje të tregtisë e të zejtarisë si një politikë fetare që përkrahte hapur monofizizmin, pra ishte i lidhur me të gjelbrit. Si rezultat ai u vu në shënjestër nga të kaltrit, që shkaktuan trazira në kryeqytet: ata i vunë zjarrin ndërtesave shtetërore, përmbysën statujat e perandorit dhe i tërhoqën ato zvarrë nëpër rrugë. Në hipodrom u organizuan manifestime armiqësore kundër figurës së shenjtë të perandorit: sovrani plak u fye, madje u godit me gurë nga manifestuesit. Më 512 shpërtheu në Kostandinopojë një revoltë kundër versionit monofizit të Trisagion ("tre herë shenjtori i liturgjisë"), që për pak i kushtoi fronin Anastasit. Por pika kulmore e krizës u arrit me revoltën e Vitalianit, kryekomandant i Trakës, i cili duke filluar nga viti 513 për tre herë me radhë rrethoi me ushtri e me flotë Kostandinopojën. Perandori, që kur ndodhej në vështirësi ishte i gatshëm të bënte lëshime, kthehej përsëri tek politika e vjetër porsa situata çtensionohej sadopak. Në këtë mënyrë perandoria nuk dilte nga gjendja e krizës. Revolta e Vitalianit në fakt nuk mori shkas nga arsye fetare, por fakti që ai hiqej si kampion i ortodoksisë kundër perandorit monofizi, i jepte forcë të veçantë rebelimit të tij. Mbretërimi i Anastasit kishte treguar se një politikë kishtare në mbështetje të monofizizmit çonte në një rrugë pa krye. Ajo nuk sillte veçse qetësi të paqëndrueshme në provincat e largëta të Egjiptit e Sirisë, ndërsa shkaktonte një gjendje trazirash të vazhdueshme në viset qendrore të perandorisë.

Vepra restauruese e Justinianit dhe dështimi i saj

Kriza që kishte çuar në rënien e gjysmës perëndimore të Perandorisë romake u kapërcye në pjesën lindore falë organizimit më të shëndoshë, ekonomisë më të fuqishme dhe popullsisë më të dendur të saj. Por edhe perandoria e Lindjes përjetoi të njëjtën krizë, edhe ajo njohu tmerret e dyndjeve barbare e luftoi për një shekull të tërë kundër rrezikut të barbarizmit të organizmit shtetëror e të ushtrisë. Ndërkohë që valët barbare derdheshin mbi Perëndimin, vetë Bizanti qe paralizuar në gjithë gjymtyrët e tij dhe rrallë herë guxonte të braktiste pozitën e një vëzhguesi të thjeshtë pasiv. Në kapërcyell të shek. V-VI kriza etnike në Lindje tashmë qe kapërcyer përfundimisht dhe Bizanti dukej se ishte në gjendje të zbatojë një politikë më aktive dhe të tentonte rifitimin e viseve perëndimore të humbura. Megjithëse dy gjysmat e perandorisë kishin secila administratën e vet, përsëri ideja e unitetit të saj kishte mbetur e gjallë. Po ashtu mbetej e fortë ideja e universalitetit të perandorisë romake, pavarësisht nga pushtimet gjermanike në Perëndim. Perandori romak vazhdonte të konsiderohej kreu i orbis romanus (botës romake) dhe i ekmnenes (rruzullit) të krishterë. Viset që dikur kishin bërë pjesë në perandorinë romake, konsideroheshin si zotërim i saj i përjetshëm dhe i pakthyeshëm, pavarësisht se atëherë qeveriseshin nga mbretër gjermanikë. Por në fund të fundit, vetë këta mbretër e pranonin sovranitetin e perandorit romak dhe ajo çka ata ushtronin qe vetëm një pushtet i deleguar prej tij.

Ashtu si dhe Odoakri, më pas edheTeodoriku i Madh mbajti titullin perandorak magister militium; monedhat e tij mbanin gjithmonë portretin dhe emrin e perandorit, dhe kurrë nuk nxori ligje, por vetëm edikte, për nxjerrjen e të cilave ishin të autorizuar edhe rifitimi i trashëgimisë së Romës ishte një e drejtë natyrore e perandorit romak. Ishte një mision i shenjtë i tij çlirimi i territorit romak nga zgjedha e barbarëve të huaj dhe e heretikëve arianë, për t'i kthyer kufijtë e dikurshëm perandorisë, një e pandarë dhe e krishterë. Justiniani 1 (527-565) e vuri politikën e tij në shërbim të këtij misioni.

Në fakt Justiniani e drejtonte politikën e perandorisë qysh kur sundonte i ungji, Justini I (518-527). Ky, i lindur në fshatin Tauresio (ndoshta pranë Nishit), qe futur në ushtrinë perandorake ku ngjiti shkallë e karrierës duke u bërë fillimisht oficer, më tej komandant i truprojës e në fund, me vdekjen e Anastasit 1 u zgjodh perandor.108 I detyrohet pikërisht Justinianit ndarja me monofizizmin e Anastasit I dhe rivendosja e unitetit kishtar me Romën, që ishte një premisë e domosdoshme për zbatimin e planeve të mëdha politike në Perëndim. Justiniani, ky bir i një fshatari nga një provincë e Ballkanit, u bë personaliteti më i rafinuar e më erudit i shekullit; dhe kjo është prova më e qartë e forcës qytetëruese që kishte kryeqyteti bizantin. Nga ana tjetër, një provë e pakundërshtueshme e madhështisë së personalitetit të Justinianit është vetë dimensioni universal i objektivave të tij politike si dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i interesave dhe i veprës së tij. Anët negative të karakterit të tij, sado serioze e të shumta që të jenë, zbehen përballë cilësive pozitive të shpirtit të tij universal. Është e vërtetë që nuk qe ai, por Belisari e bashkë me të Narseti, ata që udhëhoqën fushatat e mëdha pushtuese; ishte Triboniani ai që drejtoi aksionin e madh të kodifikimit juridik; qe prefekti i pretorit Johani i Kapadoksisë ai që mori masat më të rëndësishme administrative. Por Justiniani qe frymëzuesi i të gjitha ndërmarrjeve të mëdha të epokës së tij. Restaurimi i perandorisë universale romake vazhdonte të ishte aspirata e madhe e bizantinëve. Politika e restaurimit e ndjekur nga Justiniani ishte shprehja më madhështore e kësaj aspirate. Për këtë arsye ajo fitoi për pasardhësit vlerën e një shembulli të shkëlqyer, sado që i mungoi stabiliteti dhe sado që dështimi i saj pati pasoja tejet të rënda për perandorinë.

Në vitin 533 Belisari zbarkoi në Afrikë me një ushtri të vogël me rreth tetëmbëdhjetë mijë vetë. Kishin perënduar kohët e fuqisë vandale të kohëve të mbretit Genserik. Ndryshe nga fushata e vitit 468, që kishte përfunduar me një katastrofë të vërtetë, ekspedita e Belisarit e asgjësoi shumë shpejt mbretërinë e vandalëve. I shpartalluar keqas në afërsi të Decimit e të Trakarikut, mbreti i vandalëve Gelimer u detyrua të nënshtrohet e më 534 Belisari hyri triumfues në Kostandinopojë. Por pushtimi i mbretërisë së vandalëve duhej të pasohej nga operacione të vazhdueshme e rraskapitëse kundër fiseve vendase mauritane, që për shumë vjet, deri më 548, e kundërshtuan me këmbëngulje sundimin bizantin. Pavarësisht nga kjo, Belisari ndërmori qysh më 535 fushatën kundër perandorisë ostrogote. Fillimisht edhe kjo luftë ngjau me një marshim triumfues. Ndërkohë që një armatë bizantine depërtonte në Dalmaci, Belisari pushtoi Sicilinë dhe iu drejtua Italisë. Njëra pas tjetrës ranë Napoli e Roma. Por pikërisht atëherë luftimet u bën të vështira. Rrethimi i Romës zgjati mjaft e me shumë vështirësi, Belisari mundi të hapë një shteg drejt veriut, të pushtojë Ravenën e të thyejë mbretin trim Ostrogot Vitige, të cilin më në fund e zuri rob dhe e dërgoi në Kostandinopojë (540), siç kishte vepruar më parë me mbretin vandal Gelimer. Por nënë udhëheqjen energjike të Totilës, Ostrogotët ngritën krye e në gjithë Italinë filloi një luftë e ashpër kundër sundimit bizantin. Gjendja u bë jashtëzakonisht kritike: Belisari pësoi një sërë disfatash dhe frytet e fitoreve të para filluan të zbehen. Qëndresën mundi ta thyejë pas luftërash të gjata e të ashpra vetëm ardhja e Narsetit, një strateg gjenial e diplomat i hollë. Kështu, pas njëzet vjet luftimesh me fitoren herë të njërës e herë të tjetrës palë, vendi iu nënshtrua Junistinianit (555). Rivendosja e pushtetit bizantin u shoqërua me rikthimin e marrëdhënieve të vjetra shoqërore dhe ekonomike. Aristokracia latifondiste rifitoi pronat e privilegjet, nga të cilat e kishin zhveshur Ostrogotët.

Pushtimet e mëdha u mbyllën me luftën kundër Vizigotëve në Spanjë. Edhe këtu Bizanti fillimisht u përzje në grindjet e krerëve vendas e më tej dërgoi një ushtri, që pushtoi pjesën jug-Iindore të Gadishullit Hiberik (554). Dukej se perandoria e vjetër po ringjallej. Vërtet mbeteshin ende jashtë saj mjaft nga zotërimet e dikurshme romake, porse Italia, një pjesë e madhe e Afrikës veriore, pjesërisht Spanja dhe ishujt e Mesdheut u ishin shkëputur gjermanikëve dhe ishin vënë nën skeptrin e perandorit romak të Kostandi- nopojës. Mesdheu u bë përsëri një liqen i perandorisë.

Por shumë shpejt u shfaq ana tjetër e medaljes. Luftërat në Perëndim bënë që të braktisej kufiri i Danubit dhe të dobësoheshin aftësitë mbrojtëse të Perandorisë edhe në frontin persian. Qysh në kohën e Anastasit I, qytetet e Martiropojës, Teodosiopojës, Amidës e Nisibit ranë përkohësisht në duart e Persëve. Më 532, Justiniani nënshkroi një trakt paqeje "të përjetshëm" me mbretin pers Khusrva I Anoshakravan (531-579) dhe siguroi kështu liri veprimi në Perëndim duke i paguar tribute perandorisë persiane. Por më 540 Khusravi e shkeli paqen "e përjetshme", u lëshua në Siri, shkatërroi Antiokenë dhe përparoi deri në bregun e detit. Në veri, Persët shkretuan Armeninë, Hiberinë dhe pushtuan krahinën e Lazikës, në bregun lindor të Detit të Zi. Justiniani u detyrua ta shtojë masën e tributit për perandorinë persiane dhe me këtë mundi të sigurojë një armëpushim pesëvjeçar, që u ripërtëri edhe dy herë të tjera e që më në fund, më 562, u zëvendësua me një traktat paqeje me kohëzgjatje 50 vjet. Për këtë, Justinianit iu desh përsëri të rrisë tributin, por të paktën kësaj here ai mundi të sigurojë tërheqjen e Persëve nga krahina e Lazikës. Kishte ardhur koha e shkëlqimit të fuqisë persiane, ndërkohë që Bizanti në Azinë e vogël po tërhiqej në një rol të dorës së dytë.

Rrjedhoja akoma më të rënda patën ngjarjet në Ballkan. Ende pa marrë fund epoka e dyndjeve të mëdha të popujve gjermanikë, në kufijtë e peran- dorisë u shfaqën sakaq popuj të rinj. Rëndësi të veçantë po merrte afrimi i sllavëve. Qysh në kohën e Justinit I, populli i Antëve u përpoq të depërtonte në territoret e perandorisë”, dhe në vitet e para të sundimit të Justinianit fiset sllave, të bashkuara me bullgarët, kryen sulme të përsëritura në viset e Ballkanit. Luftërat pushtuese në Afrikë e në Itali kishin thithur energjitë e nevojshme për mbrojtjen e Ballkanit. Justiniani kishte ndërtuar një sistem të fuqishëm fortifikatash kufitare edhe në Europë, ashtu si në Azi. Në Gadishullin Ballkanik, në këtë anë të vijës së fortifikuar mbi Danub, ishte ndërtuar një tjetër brez i fuqishëm mbrojtës, më i tërhequr. Por edhe fortifikatat më të pathyeshme s'mund të bënin shumë kur mungonin trupat e nevojshme. Sllavët u derdhën në gjithë gjerësinë e GadishuIIit Ballkanik, deri në Adriatik, në gjirin e Korinthit e në brigjet e Egjeut. Ndërkohë që armatat bizantine kremtonin fitoret e tyre larg në Perëndim, viset më të mira të perandorisë shkeleshin nga barbarët. Fillimisht këta mjaftoheshin me plaçkitjen e vendit dhe ktheheshin përsëri matanë Danubit; por valët e dyndjeve sllave u derdhën përsëri në territorin bizantin dhe nuk do të ishte e largët dita kur këta do të vendoseshin përfundimisht në Gadishullin Ballkanik.

Rreziqeve të jashtme iu shtuan edhe shqetësime të brendshme tepër serioze. Një luftë e ashpër u ndez midis pushtetit autokrat qendror dhe organizatave politike të popullit. Kështu, në janar 532 shpërthen në Kostandinopojë kryengritja e fuqishme e Nikës. Në kohën e sundimit të Justinit I, kundër të gjelbërve të mbështetur nga Anastasi, Justiniani kishte përkrahur të kaltnt, të cilët pranonin politikën shtetërore e kishtare të tij. Por me të ardhur në push- tet, Justiniani u përpoq të çlirohej nga ndikimi i demoseve dhe mori masa të ashpra kundër veprimtarisë së partive popullore. Masat represive që goditën njëlloj të dyja partitë, e armiqësuan perandorin qoftë me të kaltrit e qoftë me të gjelbrit e kjo armiqësi e përgjithshme u rëndua më tej nga taksat që iu ngarkuan popullit për të financuar ndërmarrjet e mëdha që parashikonte politika e tij. Për rrjedhojë, të dy demoset u bashkuan në një luftë të përbashkët kundër pushtetit qendror. Në hipodrom u hodh parulla e pazakonshme: "Paçin jetë të gjatë të gjelbrit e të kaltrit mëshirëplotë!" Kryengritja mori përmasa shqetësuese. Kryeqyteti u përfshi nga flakët, një nip i Anastasit I u shpall perandor dhe veshi purpurën në hipodrom. Justiniani e humbi çdo shpresë dhe u bë gati të ikte, por e ndali perandoresha kurajoze Teodorë. Sidoqoftë, qe vendosmëria e Belisarit dhe shkathtësia e Narsetit: Ky i fundit arriti të thyejë unitetin e kryengritësve duke filluar bisedime me të kaltrit. Nga ana e tij Belisari sulmoi hipodromin me trupa besnike të perandorit, masakroi kryengritësit që u zunë në befasi dhe me këtë kasaphanë të tmerrshme, e cila mori jetën e mijëra njerëzve, iu dha fund kryengritjes. Autokracia bizantine triumfoi mbi aspiratat për autonomi të qytetit, shprehës i të cilave qenë pikërisht demoset. Bashkëpunëtorët e afërt të perandorit që pak më parë ky kishte qenë i detyruar t'i shkarkonte nën presionin e masave, u thirrën përsëri në detyrë. Shën Sofia u rindërtua dhe fitoi shkëlqim të ri. Në vend të tempullit të vjetër, që u dogj, Justiniani ngriti një ndërtesë madhështore me kupolë, një vepër kjo, që përfaqëson një gur ndarës në zhvillimin e arkitekturës së krishterë. Porse shtypja e kryengritjes nuk solli një ulje të vërtetë tensioni. Politika e Justinianit i imponoi popullsisë taksa gjithnjë e më të rënda, që erdhën duke u shtuar për shkak të ndërmarrjeve të mëdha ushtarake si dhe të shpenzimeve për ndërtimin e monumenteve të kërkuara nga perandori. Çmimi i pushtimeve Justinianase qe shterimi i plotë financiar i krejt vendit.

Prefekti i pretorit Johani i Kapadokisë, të cilit i takonte detyra e pakënd- shme e mbledhjes së mjeteve për financimin e fushatave gjigante të padronit të tij, mori mbi vete urrejtjen dhe mërinë e popullsisë. Porse atij i detyrohet edhe veprimtaria e frytshme që u zhvillua në lëmin administrativ në kohën e Justini- anit; atij i drejtohet shumica e novellave (direktivave) e mbi të gjitha qe meritë e tij nëse qeveria e Justinianit mori masa energjike kundër gjithëpushtetit të aristokracisë latifondiste.” Por këto masa nuk patën sukses e latifondi vazhdoi të rritej në dëm qoftë të pronës së vogël e qoftë të pronarëve shtetërorë. Në lëmin e administratës, Justiniani mori masa të tilla që synonin të rregullonin funksionimin e saj, të zhduknin fenomenin e shit-blerjes së ofiqeve shtetërore dhe sidomos të siguronin mbledhjen e rregullt të tatimeve. U hoq dorë nga parimi dioklecianas i ndarjes së prerë midis pushtetit ushtarak e atij civil në provincë. Por shkrirja e dy pushteteve u zbatua vetëm në krahina të caktuara dhe jo në kuptimin e një shkrirjeje të vërtetë, por të mbizotërimit herë të autoritetit ushtarak e herë të autoritetit civil. Reformat administrative të Jus- tinianit nuk bazoheshin në një parim të caktuar e nuk mundën të realizojnë një ripërtëritje rrënjësore të sistemeve administrative të mplakura. U krijuan forma të përziera, që përfaqësonin vetëm një fazë tranzicioni midis sistemit solid diokleciano-konstandinian dhe sistemit administrativ të Heraklit, që qe e kundërta e të parit por gjithsesi po aq koherent sa ai.

Qeveria e Justinianit zhvilloi një vepnmtari të gjallë në politikën eko- nomike dhe i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë tregtare dhe artizanale. Si pikëpjekje e natyrshme e shkëmbimeve tregtare midis Azisë dhe Europës, Kostandinopoja kontrollonte tregtinë midis dy kontinenteve. Tregtia mesdhetare ishte tërësisht në duart e tregtarëve grekë e sirianë. Fusha kryesore e veprimtarisë së Perandorisë Bizantine nuk qe aq shumë tregtia me vendet e Perëndimit, tashmë të varfëruara, sesa tregtia me Lindjen, me Indinë dhe Kinën. Tregtia me Lindjen, sidoqoftë nuk kufizohej vetëm me importet, sepse Bizanti eksportonte drejt Lindjes cohëra të çmuara dhe prodhime poçerie të realizuara në punishtet siriane, ndonëse eksportet e tij ishin mjaft të vogla në krahasim me kërkesën bizantine për produkte luksi nga Lindja, sidomos për mëndafsh. Veç kësaj, përbënte një pengesë fakti që tregtia me Kinën duhej të kryhej me ndërmjetësinë persiane. Kjo kërkonte shpenzime të mëdha të panevojshme dhe shtonte më tej pakësimin e arit edhe në kohë paqeje; por në periudhë lufte me Sasanidët persianë, një gjë e tillë do të thoshte ndërprerje e plotë e tregtisë së mëndafshit. Rruga tokësore për në Kinë përshkonte territorin persian e gjithashtu, rrugët detare në Oqeanin Indian zotëroheshin nga tregtarët e persianë që lundronin nga Gjiri Persik në Taprobane (Cejlon), ku ngarkoheshin mallrat e ardhura nga Kina.

Jusatiniani u përpoq të hapte një shteg për në Kinë duke i kaluar anash territorit persian e duke kaluar nëpërmjet bazave bizantine të Kersonës e Bosforit drejt gadishullit të Krimesë e Lazikës në Kaukaz. Prej këndej ata zhvillonin marrëdhënie të ngushta tregtare me popujt e stepave në veri të Pontit, të cilëve u shisnin cohëra, objekte zbukurimi e verë dhe u blinin lëkurë, shollë e skllevër. Për këtë arsye, Bizanti i jepte rëndësi të madhe forcimit të ndikimit të tij në Krime e në krahinën e Kaukazit. Problemi i mëndafshit bëri që bizantinët të binin për herë të parë në kontakt me turqit, të cilët asokohe e kishin shtrirë sundimin e tyre deri në pjesën veriore të Kaukazit dhe që, ashtu si bizantinët, ishin në armiqësi me persët për çështje të tregtisë së mëndafshit. Në kohën e pasardhësve të Justinianit, Justinit II, bizantinët arritën një aleancë me turqit e luftuan së bashku kundër perandorisë persiane.

Në të njëjtën kohë, Justiniani përpiqej të siguronte kalimin me det për në Oqeanin Indian nëpërmjet Detit të Kuq, të fuqizonte lidhjet detare me Lindjen për më tepër vendosi lidhje edhe me mbretërinë etiopiane të aksumit. Por as tregtarët bizantinë e as ata etiopianë nuk ia dolën dot t'u shkëpusin persëve zotërimin e Oqeanit Indian. Nga ana tjetër, rruga tokësore nga brigjet e Detit të Zi drejt viseve të brendshme të Azisë ishte e vështirë dhe e rrezikshme. Ndaj qe vërtet një ngjarje fatlume për perandorinë fakti që agjentët e saj mundën të zbulojnë sekretin e prodhimit të mëndafshit dhe të sjellin kontrabandë në Bizant disa krimba mëndafshi. Prodhimi i mëndafshit njohu paskëtaj lulëzim të vërtetë në Perandorinë Bizantine, veçanërisht në Kostandinopojë, në Antioke, në Tir e në Bejrut, më vonë edhe në Tebë. Prodhimi i mëndafshit u bë një ndër degët kryesore të artizanatit bizantin dhe duke qenë monopol shtetëror, u kthye në një burim të ardhurash të mëdha për perandorinë."

Vepra më e madhe dhe më e qëndrueshme e epokës së Justinianit qe padyshim kodifikimi i së drejtës romake. Nën drejtimin e Tribonianit vepra përfundoi në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Së pari mbi bazën e Codex theodosianus (Kodit të Theodosit), të përmbledhjeve private të kohëve të Dioklecianit, të Codex Gregorianus e të Codex Hermogenianus, u hartua një përmbledhje e të gjithë edikteve (urdhëresave) perandorake që ishin në fuqi që nga kohët e Adrianit. Kjo përmbledhje u botua më 529 me titullin Codez Justinianus. Pesë vjet më vonë u botua një variant më i plotë i tij. Rëndësi më të madhe pati Digesti, i botuar më 533 dhe që ishte një përmbledhje e shkrimeve të juristëve të vjetër romakë, dhe që, së bashku me ediktet e perandorëve, përfaqësojnë grupin e dytë të ligjeve në fuqi. Codex Justinianus përbën një hap jashtëzakonisht të madh përpara në krahasim me vepra të tjera të këtij lloji, porse hartimi i tij u bë i mundur në saje të një pune të madhe përgatitore që ishte kryer në shekujt e shkuar. Digesli përfaqëson një vepër të tipit të ri: qe përpjekja e parë për të vënë rregull e për të grumbulluar në mënyrë sistematike sentencat e pafundme dhe shpesh kontradiktore të juristëve romakë. Krahas Codex-it dhe Digesti-t u hartuan Institutiones, të konceptuara si një manual për studimin e së drejtës, që përmbajnë ekstrakte nga dy veprat kryesore. I gjithë Corpus turis civilis plotësohet nga përmbledhja Novellae, që ishin ligje të dala pas botimit të Codex-it. Codex-i, Digesti dhe Institutiones u botuan në latinisht, kurse pjesa më e madhe e Novellae në greqisht. Shumë shpejt dolën në qarkullim përkthime në greqisht të pjesëve më të rëndësishme të Corpus-it e veç tyre edhe përmbledhje e komentarë.

Kodifikimi i së drejtës romake i shërbeu si bazë juridike e njësuar shtetit të centralizuar bizantin. E drejta romake, ashtu si paraqitet në kodifikimin e juristëve bizantinë, me një qartësi të pakrahasueshme mendimi e me densitet shprehjeje, përcakton rregullat për të gjithë jetën politike e private, për jetën e shteti si dhe të individit e të familjes së tij, marrëdhëniet reciproke midis qytetarëve, marrëdhëniet ekonomike si dhe ato të pronës. Pro në të njëjtën kohë orpus turis civilis nuk është një riprodhim mekanik, pra absolutisht besnik ndaj së drejtës romake antike. Juristët e Justinianit e shkurtuan dhe, në ndonjë pikë, edhe e ndryshuan të drejtën romake të kohëve klasike dhe këtë e bënë për t'ia përshtatur kërkesave të shoqërisë së kohës, për ta përputhur me mësimet e moralit të krishterë dhe me të drejtën zakonore të Lindjes helenistike. Në shumë pika, ndikimi i krishterit çoi në thellimin e frymës humane e kjo vlen më së pari në fushën e së drejtës familjare. Porse në të njëjtën kohë ngurtësia dogmatike e krishterimit çoi në atë që t'u mohohej mbrojtja e ligjit besimtarëve të feve të tjera. Kodi i Justinianit shpall lirinë e barazinë e të gjithë njerëzve, por në praktikë një parim i tillë nuk zbatohej. Sidoqoftë, nëse në të drejtën justiniane gjendja e skllevërve u përmirësua dhe nëse lirimi i tyre u lehtësua e madje u inkurajua, kjo ishte padyshim një rrjedhojë e këtyre principeve të larta dhe e ndikimit të krishterimit. Akoma më i rëndësishëm është fakti që puna e skllevërve luante një rol të dorës së dytë në jetën ekonomike të shekullit VI, sidomos në fshat. Faktor kryesor i veprimtarisë prodhuese është colonus (koloni), dhe e drejta justiniane nuk e merr atë aspak në konsideratë. Në të kundërtën, vihet theksi mbi nyjën që duhej të lidhte kolonin me tokën dhe në këtë mënyrë sanksionohej përsëri juridikisht skllavërimi i pjesës më të madhe të popullsisë fshatare.

Një tipar karakteristik i legjislacionit justinian është theksimi i veçantë që i bëhet absolutizmit perandorak. Corpus iuris civilis i dha një vulë juridike pushtetit autokratik dhe një gjë e tillë do të ushtrojë për një kohë të gjatë një ndikim të dukshëm mbi krejt zbulimin e mëtejshëm të shkencave politike, jo vetëm në Bizant, por në gjithë Perëndimin. E drejta romake do të mbetet në Bizant themeli i gjithë zhvillimit të sistemit të tij juridik dhe Curpus-i i Justinaninit përbën pikënisjen për çdo veprimtari të kësaj fushe në të ardhmen. Nga ana e tij, Perëndimi iu rikthye së drejtës romake vetëm në shek. XII. Përvetësimi i së drejtës romake nëpërmjet studimit të Curpus inris civilis të Justinianit pati një rëndësi themelore në përpunimin e koncepteve politike e juridike të Perëndimit. Duke filluar nga ajo kohë, e drejta romake në formën që mori nëpërmjet kodifikimit justianian, u bë një faktor bazë në zbulimin e së drejtës në të gjithë Europën, deri në ditët tona.

Justiniani qe i fundit perandor romak në fronin bizantin. Por në të njëjtën kohë ai ishte edhe një sovran i krishterë, i vetëdijshëm për origjinën hyjnore të autoritetit të tij perandorak. Aspirata e tij universaliste nuk vinte vetëm nga një frymëzim romak, por dhe nga një frymëzim kristian. Koncepti romak i imperium (perandorisë) ishte për të i njëjti me atë të ekumenes (botës) së krishterë dhe triumfi i fesë së krishterë ishte për të një mision po aq i shenjtë sa ai i restaurimit të fuqisë romake. Nga koha e Teodosit I, asnjë perandor nuk ishte angazhuar si ai në luftën për kristianizimin e perandorisë dhe për asgjësimin e paganizmit. Ndonëse numn i paganëve qe zvogëluar së tepërmi, ndikimi i tyre në jetën kulturore dhe në arsim mbetej mjaft i fortë. Justiniani ua ndaloi paganëve mësimdhënien dhe më 529 mbylli akademinë e Athinës, djepin e neoplatonizmit pagan. Pedagogët u dëbuan dhe gjetën strehim në oborrin e perandorit persian, duke çuar kështu në Persi frytet e kulturës greke. Në Bizant, feja e lashtë tashmë mori fund dhe me këtë mbyllej një epokë e tërë e historisë njerëzore.

Kisha e krishterë gjeti tek Justiniani jo vetëm një mbrojtës, por edhe një kryetar. Në të vërtetë, edhe pse qe i krishterë, Justiniani mbetej në thelb një romak dhe ideja e autonomisë së sferës fetare ishte krejt e huaj për të. Ai i konsideronte papët dhe patrikët si shërbëtorë të tij. Ashtu siç drejtonte punët e shtetit, drejtonte edhe ato të kishës, duke ndërhyrë personalisht në çdo problem që kishte të bënte me organizimin kishtar, duke i rezervuar vetes të drejtën për të vendosur edhe në çështjet dogmatike e liturgjike, duke drejtuar koncile, duke shkruar trakte teologjike dhe himne kishtare. Në kuadrin e historisë së marrëdhënieve midis Shtetit dhe Kishës, epoka e Justinianit përbën momentin e ndikimit më të madh të pushtetit perandorak në jetën kishtare, dhe asnjë perandor tjetër para apo pas tij, nuk pati një pushtet aq të pakufishëm mbi Kishën.

Problemi më therës i kishës në atë kohë vazhdonte të ishte qëndrimi që duhej mbajtur ndaj monofizizmit. Politika pushtuese në Perëndim shtronte domosdoshmërinë e një marrëveshje me Kishën e Romës e një gjë e tillë kërkonte marrjen e një qëndrimi kundër monofizizmit. Por një gjë e tillë e nxiste armiqësinë e Egjiptit e të Sirisë ndaj pushtetit qendror të perandorisë dhe i jepte hov të ri forcave separatiste kopte dhe siriane. Por, nëse nga njëra anë paqja me Kishën Perëndimore mund të fitohej vetëm nëse thellohej çarja me Lindjen, nga ana tjetër afrimi i kishave monofizite të Egjiptit e Sirisë bëhej i mundur vetëm nëse braktisej Perëndimi dhe njëkohësisht edhe popullsia e viseve që formonin bërthamën e perandorisë. Justiniani kërkoi më kot një rrugëdalje nga kjo dilemë. Në vitin 533 ai shpalli në koncilin ekumenik të Kostandinopojës dënimin e të ashtuquajturve "tre nenet", që dyshoheshin se kishin prirje nestoriane. Bëhej fjalë për shkrimet e Teodorit të Mopsuesties, Teodoretit të Ciros dhe të Ibës së Edesës. Por ky akt, ashtu si dhe përpjekjet e mëvonshme për t'u afruar me monofizitet, s'bëri gjë tjetër veçse e shtoi tensionin ekzistues dhe nuk mundi të qetësojë as edhe vetë monofizitët.

Por pavarësisht nga të gjitha këto dështime, perandoria e Justinianit tregoi se kishte arntur një fuqi dhe një autoritet të madh. Ishte hera e fundit që perandoria e vjetër romake shpalosi gjithë potenciaiin e saj dhe përjetoi çastet e fundit të madhështisë qoftë në pikëpamje politike e qoftë në atë kulturore. Për sa i përket shtrirjes territonale, ajo mundi të përfshijë përsëri gjithë botën mesdhetare. Në fushën e letërsisë dhe të arteve, kultura e vjetër njohu një lulëzim të ri, edhe pse nën petkun kristian. Paskëtaj erdhi një periudhë e gjatë rënie kulturore. Pavarësisht nga dëshirat e tij, periudha e Justinianit nuk qe fillimi i një ere të re, por fundi i një epoke të madhe që përjetonte perëndimin e saj. Justiniani nuk arriti ta rinovojë perandorinë: mundi vetëm t'i shtrijë për pak kohë kufijtë e saj, pa qenë në gjendje të kryejë rigjenerimin e brendshëm të Shtetit të vjetër romak. Restaurimit territorial i mungonin bazat e shëndosha e pikërisht për këtë arsye rrjedhojat e dështimit të papritur të restaurimit justinian qenë dy herë katastrofike. Pas gjithë atyre sukseseve madhështore, Justiniani i la pasardhësve të vet një perandori krejtësisht të shteruar, me ekonomi dhe financë të rrënuar. Atyre u ra barra e rëndë të ndreqnin defektet e perandorit të madh dhe të shpëtonin ç'mund të shpëtohej.                     

Perandoria e pësoi goditjen më të rëndë në Itali, më e rëndësishmja ndër territoret e ripushtuara, që kishte kërkuar forca e sakrifica të panumërta. Më 568 ajo u sulmua nga Longobardët e për pak kohë një pjesë e mirë e vendit u pushtua prej tyre. Në Spanjë shpërtheu kundërofensiva e visigotëve dhe pikëmbështetja më e rëndësishme bizantine e atij vendi, Kordova, ra në duar të tyre së pari më 572 e pastaj përfundimisht më 584, dyzet vjet më vonë, në duar të visigotëve ranë edhe mbeturinat e fundit të pushtimeve të Justinianit në Spanjën jugore. Për sa i përket Afrikës, Bizanti mundi t'i ruajë pozitat e veta aty deri në kohën e ofensivës së madhe arabe, por gjithmonë në luftë të pareshtur me fiset vendase mauritane. Madje edhe në Itali perandoria do mund të ruajë për shumë shekuj të tjerë krahina të rëndësishme. Ajo çka mbeti nga pushtimet e Justinianit formoi bazën e ndikimit bizantin në Perëndim në shekujt që pasuan, por aspiratat universaliste u kthyen tashmë në një kujtim të kohëve të shkuara.

Detyrimisht, qendra e gravitetit të politikës bizantine u zhvendos përsëri drejt Lindjes. Pasardhësit e Justinianit duhej të zgjidhnin problemin e forcimit të prestigjit të tronditur të perandorisë në Lindjen e Afërme. Një ndër karakteristikat e politikës së jashtme bizantine në dekadat që pasuan është pozicioni i vendosur që ajo mori ndaj perandorisë persiane. Ndonëse perandoria qe sfilitur, pasardhësi dhe nipi i Justinianit, Justini II (565-578) nuk pati frikë të refuzojë pagimin e tributeve që i detyrohej mbretit persian. Me këtë akt, shkelej traktati i paqes që Justiniani me shumë vështirësi arriti të nënshkruajë me persët. U ndez kështu një luftë e gjatë dhe e ashpër objekt kryesor i së cilës ishte zotërimi i Armenisë, prej shumë kohësh mollë sherri midis dy perandorive për shkak të rëndësisë së saj strategjike dhe ekonomike. Pikërisht atë kohë Bizanti i jepte më shumë se kurrë rëndësi zotërimit të asaj krahine. Nëse në tëkaluarën vërshimi i popujve gjermanikë e futi perandorinë në një krizë të rëndë, gjendja nuk ndryshoi edhe pas shtegtimit të gjermanëve drejt perëndimit, pasi Bizanti humbte kështu ushtarët mercenarë për të cilët kishte nevojë. Qeveria u detyrua të bazohej më shumë në rekrutimin masiv të popullsisë vendase dhe i hodhi sytë nga populli luftarak armen. Nën sundimin e perandorëve Justin II, Tiber Konstandin (578-582) dhe Mauric (582-602) lufta vazhdoi për njëzet vjet me humbje e fitore, duke kërkuar angazhimin e gjithë rezervave të perandorisë. Më në fund, brenda për brenda perandorisë persiane shpërthyen çrregullime të rënda dhe perandori energjik Mauric diti t'i shfrytëzojë ato në favor të Bizantit. Me mbështetjen e Mauricit, djaloshi Khusraw II Parwiz, nip i të madhit Khusraw arriti të hipi në fronin persian dhe përfundoi një traktat paqeje, sipas të cilit një pjesë e madhe e Armenisë persiane i kalonte Perandorisë Bizantine (591).

Maurici është një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit. Qeverisja e tij përfaqëson një etapë themelore në shndërrimin e strukturës së vjetër shtetërore të periudhës së fundit romake në një sistem të ri, më vital të Perandorisë Bizantine mesjetare. Përparësia që iu dha politikës lindore dhe braktisja e detyruar e pjesës më të madhe të territoreve të pushtuara nga Justiniani në Perëndim, nuk shënoi aspak heqjen dorë nga interesat që Perandoria kishte në këtë anë të botës. Me masat e rëndësishme organizative të Mauricit, u arrit që perandorisë t'i mbetej ende për mjaft kohë të paktën një pjesë e zotërimeve të saja perëndimore. Duke riorganizuar mbeturinat e pushtimeve justiniane, Maurici krijoi ekzarkatet e Ravenës e të Kartagjenës dhe me një organizim të rreptë ushtarak u përpoq t'i bënte ata të aftë, që të vetëmbroheshin. Zotërimet e Afrikës veriore dhe ato të Ravenës, të rrethuara nga territore të kontrolluara nga Longobardët, u organizuan si vikariate ushtarake dhe administrata qoftë ushtarake e qoftë politike, iu besua ekzarkëve. Të dy ekzarkatet u bënë pararojë e fuqisë bizantine në Perëndim. Kjo mënyrë organizimi inauguroi periudhën e militarizimit të administratës bizantine dhe paralajmëroi sistemin e ardhshëm të themave.

Që Maurici nuk kishte ndër mend të hiqte dorë nga zotërimet perëndi- more, këtë e provon dhe testamenti i hartuar prej tij më 579, kur u godit nga një sëmundje e rëndë. Sipas testamentit në fjalë, djali i tij i madh Teodosi duhej të qeveriste provincat lindore, me rezidencë në Kostandinopojë, kurse djali i vogëi, Tiberi do të sundonte në Itali e në ishujt perëndimorë, me seli në Romë. Pra Roma do të kthehej në rolin e saj si qytet perandorak dhe kryeqytet i dytë. Ideja e perandorisë universale nuk ishte braktisur, as ajo e perandorisë romake të vetme të qeverisur në mënyrë kolegjiale, me dy ad- ministrata të dalluara në secilën pjesë.

Por, nëse paqja në Lindje qe rivendosur, ndonëse vetëm përkohësisht, dhe nëse në Perëndim qe shpëtuar ajo që ishte mundur të shpëtohej nga pushtimet e mëdha të Justinianit, në Ballkan gjendja po bëhej gjithnjë e më kritike. Konfuzioni i mbjellë aty që nga koha e dyndjeve sllave, u bë më i madh me depërtimin e avarëve në Europën qendrore. Në ultësirën e Panonisë u krijua një ligë e fuqishme popujsh dhe që nga ai moment Bizanti u ndodh nën trysninë në rritje të avarëve dhe të fiseve sllave të vendosura në rrjedhën e mesme të Danubit dhe që ishin vasalë të perandorisë. Shumë shpejt u ndez një konflikt i egër për zotërimin e fortifikatave kufitare bizantine, që mbronin vendkalimet nëpër Savë e Danub. Pas një rrethimi të gjatë e të ashpër, khani i Avarëve Baiani hyri në Sirm, më 582. Dy vjet më vonë ranë Viminaci e, përkohësisht, edhe Singidumi. Sistemi mbrojtës bizantin qe çarë dhe tani furtuna sllavo-avare përfshiu gjithë Gadishullin Ballkanik. Në të njëjtën kohë, edhe fiset sllave që banonin në rrjedhën e poshtme të Danubit të pavarura për avarët, depërtuan thellë e më thellë në provincat bizantine. Atëherë regjistrohen sulmet e para sllave dhe avaro-sllave kundër Selanikut (584- 586). Por dukuria më e rëndësishme qe se duke filluar nga vitet 80-të të shek. VI, sllavët filluan të ngulen në Gadishullin Ballkanik. Fiset sllave nuk u mjaftuan më vetëm me plaçkitje, por zunë vend në territorin bizantin e u bënë zot i tij.

Ndër ngjarjet e mëdha të politikës ndërkombëtare të periudhës së her- shme të shtetit bizantin, asnjëra nuk pati ato pasoja në të ardhmen e per- andorisë sa depërtimi i sllavëve në Ballkan. Të gjitha dyndjet barbare të mëparshme kishin pasur një karakter të përkohshëm: vetë dyndja e madhe gjermanike, edhe pse pati ndikim të thellë në zhvillimin e politikës bizantine, nuk e goditi rëndë pjesën lindore të perandorisë. Në të kundërtën, sllavët u vendosën përfundimisht në Ballkan dhe me këtë fillon një proces i tërë që në fund të fundit do të çojë në forcimin e shteteve sllave në territorin bizantin.

Fushatat pushtuese në Perëndim në kohën e Justinianit dhe luftërat e vazhdueshme me persianët gjatë sundimit të pasardhësve të tij, e detyruan Bizantin të qëndronte në pozita mbrojtëse në Gadishullin Ballkanik. Vetëm përfundimi me sukses i luftës persiane bëri të mundur organizimin e një ofensive të madhe kundër sllavëve në pellgun e Danubit. Me sa dukej, vetëm një ekspeditë e madhe kundër pozicioneve sllave përtej Danubit mundi t'i siguronte kufijtë veriorë nga sulmet e reja sllave dhe t'i garantonte perandorisë zotërimin e Ballkanit. Kështu, më 592 filloi një luftë vendimtare për fatet e Ballkanit. Fillimisht u duk se punët po shkonin mirë për bizantinët, të cilët disa herë e kapërcyen Danubin dhe thyen në mënyrë të përsëntur sllavët dhe avarët. Por këto suksese nuk patën ndonjë efekt të madh mbi turmat e pafundme sllave. Luftësnuk po i dukej fundi, ndërkohë që drejtimi i fushatave në këto vise të largëta bëhej i vështirë dhe morali i trupave binte.

Pas dështimit të përpjekjeve për restaurim të Justinianit, qeveria bizantine pësoi një rënie të madhe prestigji. Si një reaksion i natyrshëm kundër absolutizmit justinian, u rrit autoriteti politik i senatit, ndërkohë që populli kërkonte më shumë liri. Në vitet kritike të kapërcyellit të shek. VI-VII, u vu re përsëri një intensifikim i veprimtarisë politike të demoseve. Kontradiktat shoqërore dhe fetare që sa venin e acaroheshin çuan në konflikte të brendshme e në përpjekje të shpeshta midis të kaltërve dhe të gjelbërve në të gjitha qytetet e perandorisë. Disiplina në ushtri u dobësua dhe shpesh herë pakënaqësitë shpërthyen hapur, sidomos në lidhje me zvogëlimin e pagës ushtarake, që qeveria detyrohej ta bënte për shkak të vështirësive ekonomike. Pakënaqësia e thellë që ishte përhapur anë e kënd perandorisë përfshiu edhe ushtrinë, tashmë të lodhur e të demoralizuar pas një lufte të gjatë e pa perspektivë. Kur më 602 ushtria mori urdhër të fushonte përsëri në pozicionet përtej Danubit, plasi kryengritja. Një nënoficer gjysmëbarbar nie emrin Foka u mbart mbi mburoja nga shokët dhe në krye të ushtarëve të rebeluar marshoi drejt Kostandinopojës. Atëherë kryengritja shpërtheu edhe në vetë kryeqytetin bizantin. Dy grupimet kundërshtare dolën hapur në luftë kundër qeverisë perandorake. Maurici u rrëzua nga froni dhe Foka u shpall perandor me miratimin e senatit.

Dështimi i ekspeditës danubiane pas dhjetë vjet luftërash të papërcaktuara, jo vetëm shënoi fatin e Gadishullit Ballkanik, tashmë nën kontrollin e sllavëve, por shkaktoi edhe shpërthimin e krizës së brendshme të perandorisë, që po piqej tash sa kohë. Në vitet e sundimit të Fokës (602-610) shteti i vjetër i periudhës së vonë romake, tashmë në grahmat e fundit, u hodh në betejën e fundit, ku luhej jeta a vdekja e tij. Regjimi terrorist i Fokës qe korniza e jashtme brenda së cilës u zhvillua faza përmbyllëse e shembjes së regjimit shtetëror e shoqëror të periudhës së vonë romake.

Agonia e formës së vjetër shtetërore u shpreh në një regjim terrori të pakontrolluar e njëkohësisht në luftëra të brendshme tepër të ashpra. Perandori Mauric pasi u shfronësua u ther mizorisht dhe ndërsa jepte shpirt u tërhoq zvarrë për të marrë masakrën e bijve të tij. Këto ekzekutime u pasuan nga vrasje në masë: terrori goditi kryesisht familjet e shquara, ndaj dhe qëndresa u organizua sidomos në ato ambiente. Aristokracia u kundërpërgjigj duke organizuar vazhdimisht komplote, që nga ana e tyre përfundonin me masakra të reja.

Foka gjeti përkrahje vetëm në Romë. Midis Romës dhe Kostandinopojës kishte shpërthyer qysh nga fundi i shek. VI një konflikt i mprehtë pas protestave të ashpra të Grigorit I kundër titullit "patriark ekumenik" që patriarkët e Kostandinopojës mbanin qysh prej një shekulli. Maurici i ishte përgjigjur mjaft ftohtë kësaj proteste. Kurse Foka u tregua i gatshëm të bëjë lëshim dhe politika e tij pro Romës kulmoi me ediktin që i dërgoi papës Bonifac III më 607, ku ai i njihte Kishës apostolike të Shën Pjetrit primatin mbi të gjitha kishat.Një dëshmi e favoreve të veçanta që Foka gëzonte në Romë, është një kolonë e ngritur në forumin romak, mbishkrimet e së cilës ngrinin në qiell tiranin bizantin.

Por në Bizant Foka bëhej gjithmonë e më i urryer, sidomos në Azinë e Vogël, ku politika e tij ortodokse kishtare degjeneroi në persekutime të përgjakshme të monofizitëve dhe të Judejve. Partia e të gjelbërve, dikur përkrahëse e tij, u armiqësua aq keq me të, saqë anëtarët e saj u përjashtuan nga postet zyrtare, ndërsa tani të kaltrit u vunë pjesërisht në shërbim të regjimit. Luftërate demosëve u ashpërsuan në një pikë ekstreme. Në perandori shpërthyen flakët e luftës civile.

Po afrohej katastrofa, që perandorët e mëparshëm kishin mundur ta shmangnin me luftë e sakrifica të panumërta. Në Ballkan apo në Azi u krijua një gjendje lufte e hapur. Mbreti i Persisë Khusravi II shpalli se do merrte hakun e Mauricit dhe shpërtheu një ofensivë të madhe kundër Bizantit. Perandoria ishte sfilitur nga luftërat e brendshme. Aftësitë mbrojtëse dhe gatishmëria luftarake e saj kishin rënë në nivelin më të ulët. Me gjithë qëndresën e ashpër të fillimit, bizantinët pësuan disfatë pas disfate. Armata persiane çau mbrojtjen kufitare e më 605 pushtoi kështjellën e Darës. Prej këndej u hodh në Azinë e Vogël dhe pushtoi Cezarenë. Një divizion persian mbërriti deri në Kalcedoni. Njëkohësisht në Ballkan lëshoheshin valët e dyndjeve dhe avare, megjithëqë më 604 Foka e kishte rritur masën e tributit për Avarët. Shumë shpejt i gjithë Gadishulli Ballkanik u përmbyt nga masa të pafundme sllavësh. Perandoria ishte në prag të katastrofës.

Ajo çka e shpëtoi qe pikërisht një operacion i guximshëm në periferi. Herakli, ekzark i Kartagjenës ngriti krye kundër regjimit terrorist të Fokës. Me të u bashkua edhe Egjipti. Herakli dërgoi djalin e tij, që quhej gjithashtu Herakël, në Kostandinopojë në krye të një flote të fuqishme; nëpër ishujt e nëpër portet ku kaloi, Herakli i ri u prit plot entuziazëm nga popullsia e sidomos nga partia e të gjelbërve. Më 3 tetor flota e tij mbërriti në Kostandinopojë, ku po ashtu u prit si shpëtimtar. Regjimi territorist i Fokës u përmbys dhe më 5 tetor Herakli u kurorëzua perandor nga patriku. Tirani i shfronësuar u vra dhe statuja e tij në hipodrom u hodh poshtë e u dogj, për të simbolizuar një domnatio memoriae (dënimi i harresës). Bashkë me statujën u dogj edhe flamuri i të kaltërve.

Vitet e anarkisë nën sundimin e Fokës përfaqësojnë fazën e fundit të historisë së perandorisë së vonë romake. Kështu mbyllet periudha romake e vonë apo bizantine e hershme. Nga kriza doli një tjetër Bizant, i çliruar nga trashëgimia e shtetit të vonë romak, tashmë në dekadencë të plotë dhe i ushqyer me energji të reja. Ky është momenti i fillimit të vërtetë të historisë bizantine, d.m.th. i historisë së perandorisë greke mesjetare.

info@balkancultureheritage.com