Legjendat për fisin, preardhja dhe historia
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Legjendat për fisin, preardhja dhe historia

Nga të gjithë fiset e Shqipërisë së veriut, kelmendasit ishin ndoshta më të njohur në botën e jashtme. Ç eshtë e vërteta, në shekullin e shtatëmbëdhjetë, malet shqiptare të veriut, në Perëndim të Pejës, zakonisht përmendeshin si “malet e Kelmendit”.16 Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Fridrih Lipi, Riter von Lindburg (1834-1888), në vitin 1878, i ka përshkruar ata si fisin më të fortë të gjithë fiseve katolike në Malësinë e Shkodrës.

Baron Nopça, i cili, më 1907, e ka shënuar historinë e tyre, ka konstatuar se ai fis ishte më i përmendur se gjithë fiset e tjera.18, ndërsa Edith Durhami i përmend ata si disa ndër malësorët më të zgjuar dhe më fisnikë”

Sipas gojëdhënave, fisi i Kelmendit ishte i njohur në Malësi për heroizëm. Siç dëshmon edhe fjala popullore, fiset vlerësohen kështu: “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpënia e Thaçit.”

Sipas traditës orale fisi i Kelmendit thuhet se e ka prejardhjen prej një figure që quhej Klement ose Kelmend. Sipas Baronit Nopça, kjo figurë kishte jetuar përafërsisht në vitet 1470-1480. Konsulli francez, Hajsint Hekard (1814- 1866), rrëfën se ky Kelmend ishte një prift i arratisur që ishte vendosur në Triepsh, ku kishte punuar si bari për një blegtor të pasur, i cili kishte pasur një bijë lëneshë, e cila quhej Bubçe.20 Kelmendi dhe Bubçe ishin dashuruar dhe ajo, Bubçe kishte mbetur me barrë. I ati i saj kishte dashur ta vrasë çiftin, por pas këmbënguljes së gruas, kishte lejuar që ata të martoheshin. Bubçes ia dhuruan njëzet dele, me kusht që ajo dhe Kelmendi ta braktisin Triepshin dhe të mos kthehen kurrë më. Ata ishin shpërngulur në vendin e quajtur Bestana, rrëzë malit Gashianik21 në Cem, dhe kishin pasur disa fëmijë. Sipas një versioni tjetër të legjendës, thuhet se Kelmendi i kishte pasur dy djem: Kolën, i cili ishte vendosur në Selc dhe Nishin ose Nikën, i cili ishte vendosur në Nikç.22 Versione të tjera të legjendës pohojnë se Kelmendi kishte pasur një numër të madh të djemve prej shtatë deri në nëntë vjeç, të cilët ishin konsideruar themelues dhe baballarë të vendosjes së malësorëve në Selcë, Vukël dhe Nikç. Këta djem patën djemtë e tyre, ndërsa Bestana, me kalimin e kohës, ishte bërë e vogël për ta. Prandaj, e kishin parë të udhës që të shpërnguleshin dhe të vendoseshin në luginën pjellore e të begatë të Gucisë, ku, kohë pas kohe, kishin rënë në konflikt edhe me fqinjët e tyre edhe me turqit.

Johan Georg von Hani, i cili e kishte dëgjuar legjendën për themelimin e fisit të Kelmendit nga At Gabrieli në Shkodër, më 1850, rrëfen kështu:

“Para shumë vjetësh jetonte një bari i pasur në trevën e Triepshit. Një djalë i ri me prejardhje të panjohur, i quajtur Klement, erdhi aty dhe u punësua si bari nga bariu i pasur. Bariu i ri i ruante dhentë së bashku me të bijën e pronarit, e cila quhej Bubçi. Ajo ishte e çalë, për çka nuk pati fat që të gjente një burrë. Me kalimin e kohës, miqësia e tyre u shndërrua në dashuri dhe Bubçi mbeti me barrë. Kur nëna e vajzës morri vesh se çfarë kishte ndodhur, ajo bëri çmos për ta bindur burrin e saj të vrazhdë dhe zemërgurë që të mos e dënonte çiftin e ri, por t’i lejonte që të iknin dhe të jetonin së bashku. Sipas zakonit, ai kishte të drejtë që të dy t’i dënonte me vdekje. Në fund të fundit, ajo ia kishte dalë mbanë që ta bindte burrin, kështu që Klementi dhe Bubçi ishin martuar. Ata, me njëzet delet që ua kishin dhënë, ishin detyruar të vendoseshin në një trevë tjetër, meqë plaku nuk kishte mundur ta harronte njollën që ia kishte shkaktuar familjes ky çift. Rajoni malor ku u vendos çifti i ri quhej Bestana. Edhe sot e kësaj dite mund të shihen gërmadhat e një kishe të vogël, disa shtëpi dhe ca hardhi. Thuhet se është dashur të braktiset kjo trevë për shkak të gjarpërinjve që ekzistonin atëherë, madje edhe sot. Bestana gjendet katër orë larg fshatrave të Sellcës dhe të Vuklit. Toka në këtë trevë, që ishte vendlindja e stërgjyshit, nuk iu nda kurrë asnjë anëtari të fisit, sepse i takonte tërë fisit të Kelmendit.

Klementi pati shtatë djem me Bubçin. Me kalimin e kohës, ata u bënë themelues të shtatë familjeve të mëdha dhe themeluan fshatrat Selcë, Vukël,Nikç, Vuthaj dhe Martinaj, prej nga e kanë prejardhjen kelmendasit e Bukovës në Dukagjin dhe në Llap, në malet e Kosovës. Biri më i madh quhej Kola, i cili ishte i pari i fshatit të Selcës. Ai pati tre djem: Vuji Kola, Maji Kola dhe Rabin Kola.Të tri familjet që kishin zanafillën prej këtyre burrave e kanë formuar popullatën e Selcës që tani ka 350 shtëpi dhe 1600 frymë.

Biri i dytë quhej Vuko. Ai kishte vetëm një djalë të quajtur Dedë. Vetë Deda, kishte tre djem: Vuthaj Deda, Gizë Deda dhe Zekë (Josip) Deda, familjet e të cilëve tani e përbëjnë fshatin e Vuklit, që së bashku me banorët e mëparshëm ka 170 shtëpij dhel 300 frymë. Banorët e mëhershëm janë përfaqësuesit e fundit të popullatës origjinale të rajonit, të cilët sipas legjendës ishin dëbuar kryesisht nga Kelmendi. Ata formuan familjet Gimaj, Pepushaj dhe Xhireaj. Këto familje shqiptarët i quajnë “anas”, apo banorë të cilët ishin të përjashtuar nga fisi.

Biri i tretë quhej Nikë. Ai kishte disa djem, ndër të cilët ishin Delë Nika, Bala Nika, dhe Vuthë Nika. Delë Nika dhe pasardhësit e tij themeluan fshatin Nikç, që tani i ka 75 shtëpi me 500 frymë. Te dy vëllezërit tjerë Bala dhe Vuthi, e braktisën Delën. Ata kaluan grykën ndërmjet Maleve të Nemura dhe Maleve të Pllavës dhe ndërtuan fshatin Vuthaj, që gjendet gjysmë ore larg nga Gucia dhe gjashtë orë larg nga Selca në veri dhe tani ka 70 shtëpi dhe 500 frymë.

Djemtë tjerë të stërgjyshit themelues të Klementit patën, po ashtu, shumë fëmijë, kështu që fisi lulëzoi me një shpejtësi të madhe dhe në të u rritën burra trima. Meqë raca shqiptare, sipas karakterit të saj, është e prirë për luftë dhe hakmarrje, kelmendasit kurrë nuk ishin të kënaqur me mënyrën e jetesës si bari. Ata, sa herë që kishin mundësi, më me qejf merreshin me grabitje. Fuqia e tyre sa vinte po rritej, kështu që ata filluan të sulmonin territoret e fqinjëve, madje kishin arritur që të nënshtronin edhe territoret ndërmjet Gucisë, Peshterit dhe Pejës. Këto sulme dhe pushtime na lënë të kuptojmë se Kelmendi ishte vazhdimisht në luftë me pushtuesin osman. Tradita na dëshmon se ky fis ka bërë tri luftëra të mëdha: një luftë kundër Shkodrës, një luftë kundër Podgoricës dhe, në fund, një luftë kundër Pejës. Hiuhet se lufta e parë duhet të ketë zgjatur 10 vjet dhe se vetëm në një përleshje të rreptë ishin vrarë më se 10 000 turq. Gjatë luftës, fisi Kelmend tërhiqej në fortesën e natyrshme të tij të quajtur Samo Gradi, fortesë kjo e njohur edhe si “forca e Kelmendit“. Ky vend është një rrafshnaltë e vogël në Vargmalet e Nemuna dhe ka një perimetër prej gjysmë ore. Rrafshnalta është e rrethuar nga të gjitha anët me shkëmbinj tejet të lartë dhe ka vetëm një hyrje në të cilën është shumë vështirë për të kaluar, por lehtë për t u mbrojtur. Në mes të fortesës është një krua me ujë të ftohtë, që nuk shteret kurrë. Në anën jugore të kësaj zone është një shpellë e madhe, në të cilën strehohen gratë, fëmijët dhe disa kafshë shtëpiake që i marrin me vete. Meqë në të kaluarën ata, shpeshherë, kanë qenë të detyruar të ikin prej armiqve dhe të strehohen, ata kanë vuajtur shumë. Ka pasur edhe periudha kur ata kanë vdekur nga uria dhe për të mbijetuar janë ushqyer edhe me lëvore të lisave të pyllit. Kur rrethoheshin për një kohë të gjatë ose kur arrinin që t’i mashtronin dhe sulmonin pozitat e armikut të tyre, malësorët kalonin në sulme hakmarrëse kundër armiqve që i kishin rrethuar. Ata gjithmonë ktheheshin në familjet e tyre të pajisur me ushqime dhe trofe të luftës.

Lufta e dytë, që zgjati 7 vjet, ishte kundër Podgoricës. Kjo luftë nuk ishte më pak e ashpër se e para. Vuajtjet e fisit të Kelmendit gjatë kësaj lufte ishin aq të mëdha sa që, gjatë atyre 6-7 vjetëve luftë, në fshatin Selcë kishin lindur vetëm 3 fëmijë, edhe ata shëndetligë dhe të sëmurë.

Në luftën e tretë kundër Pashës së Pejës, Kelmendi në fillim pati fat dhe ia doli mbanë që t’i rrethonte turqit në fortesën e Gucisë.Në atë kohë përdoreshin shporta portabile si mburojë të cilat mbusheshin me lesh dhe përdoreshin si fanarë nga banorët vendas. Meqë drita e tyre nuk vërehej nga artileria e armikut, këto shporta portabile bënin të mundur që t’u afroheshin turqve në befasi, duke bërë kërdi mbi armikun, të cilin e sulmonin me pushkët e tyre grykëgjata. Ata ishin aq të sigurt në fitore, sa që krerët e familjeve të ndryshme filluan t’i ndajnë mes veti territoret e armikut. Mirëpo, në bisedë e sipër, filloi grindja rreth përkatësisë së disa kullosave. Një nga krerët, i quajtur Chiobala, u mllefos aq tepër pas ngulmimit për ta realizuar dëshirën e vet, saqë tradhtoi fisin. Natën, ai u lidh me turqit dhe pasi mori premtimin nga turqit se do t’ia dhuronin kullosën që kërkonte, ua zbuloi se si mund t’i mposhtin forcat e Kelmendit. Turqit e dëgjuan këshillën e tij dhe, po atë natë, ata ngulën një numër të madh kunjash në pozicionet prej nga sulmonin kelmendasit, duke i shfrytëzuar shportat si fanarë.Te nesërmen, në mëngjes, kur e kuptuan se nuk ishin në gjendje për t’i përdorur shportat mbrojtëse pa pengesa, kelmendasit i kaploi paniku dhe ikën në malet e tyre të ndjekur nga turqit. Pas kësaj ngjaqeje të papritur, lufta mori një rrjedhë të keqe për kelmendasit, prandaj shumica prej tyre u detyruan që të shpërnguleshin. Ka të ngjarë se ata ishin shtuar shumë në vendlindjen e tyre dhe kishin vështirësi për të mbijetuar në rajonin malor të thatë dhe të pabanuar.

Që nga koha e zhvillimit të kësaj lufte ne mund të caktojmë datën e shpërnguljes së kelmendasve në Rugovë, në Pejë, pastaj në malet e Llapit, të Gollakut në Kosovë, në Selcë, në bregun lindor të liqenit të Shkodrës, në kufijtë e Malit të Zi dhe, më në fiind, në Syrmia, ku me emrin Klementinas ata ende banojnë në fshatrat Ninkinci dhe Hërtkovci.

Nga ata të cilët mbetën në truallin e mëparshëm fisnor u krijuan dy grupe: një grup u vendos në luginën e Kelmendit, ndërmjet Bjeshkëve të Nemura dhe maleve të Biskaçit, ku ndërtuan fshatin Boga, që tani, në bajrakun e vet, ka 40 shtëpi dhe 400 frymë. Grupi tjetër shkoi në veri the themeloi fshatin Martinaj, në bregun lindor të lumit Lim, gjysmë ore prej vendit ku derdhet në liqenin e Plavës. Banorët e këtij fshati u konvertuan në fenë islame, ashtu siç vepruan edhe fqinjët dhe malësorët nga fshati i lartpërmendur i Vuthajt.

Kelmendi merret si stërgjysh i malësorëve të Rugovës në Kosovën fqinje. Ata ishin katolikë deri më 1720. Sipas traditës, arritja e Kelmendit në Guci i nxiti turqit që, më 1612, ta ndërtonin fortesën e tyre.

Dokumenti më i hershëm historik, në të cilin përmendet Kelmendi, një regjistrues osman i tatimeve, i vitit 1497, i përmend të katër fiset: Hotin, Kuqin, Piperin dhe Kelmendin. Kelmendasit janë të regjistruar këtu me katër komunitete të vogla të barinjve, me 152 shtëpi. Nga dokumentet e këtilla si dhe nga tradita orale, ne mund të marrim me mend dhe të hamendësojmë se Kelmendi në këtë mënyrë përmendej si fis në dekadat e fimdit të shekullit XV. Nga regjistri i tatimeve dimë, po kështu, se turqit ua kishin dhënë kelmendasve statusin Derbengji (rojtarët e kalimeve malore) dhe privilegje në tatime. Ja se çka thuhet në atë dokument:

“Dekretohet që të krishterët e këtyre fshatrave duhet të paguajnë Sanxhakbeun e tyre në shumën prej 1000 akçesh të haraçit ose xhizies të tatimit lokal dhe shumën prej 1000 akçesh të tatimit për tokë (ispenxhe). Ata nuk janë të detyruar të paguajnë tagra të tjera. Ata janë të liruar nga taksat e jashtëzakonshme (avarizi divanije) me kusht që të jenë derbengji dhe t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë rrugët që lidhin fortesën e Shkodrës, që pastaj kalon nëpër territorin e Petri Shpanit që arrin deri te Altuni, afër Gjakovës; njëkohësisht duhet ta ruajnë dhe mbrojnë rrugën që niset nga fortesa e Medunit, që kalon nëpër malet e Kuqit dhe arrin deri në Plavë.”

Dijetari britanik, Sër Noel Malkolm mendon se dhënia e statusit të Derbengjiut dhe të privilegjeve pothuajse ushtarake, kishte një rëndësi të veçantë për zhvillimin e Kelmendit në fundin e shekullit XV dhe në shekullin e XVI dhe se ky status ka mundur të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për rrjedhën e mëtejme të historisë së tyre. Përforcimi i fuqisë së identitetit kolektiv ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe bashkimin e klanit. Këto privilegje u dhanë atyre të drejtën që të mbajnë armë, edhe pse ishin të krishterë. Përveç kësaj, ata i përvetësuan edhe aftësitë për udhëheqje dhe për qeverisje të fiseve të tjera, sepse si Derbengji, ata, mbase jo vetëm që i ruajtën, por edhe i vunë nën kontroll rrugët tregtare të Malësisë në veri.

Sidoqoftë, më 1565, fisi i trazuar i Kelmendit u ngrit kundër turqve, së bashku me fiset fqinj të Kuqit dhe të Piperit 28, ndërsa më 1597 ata u ngritën përsëri në kryengritje të udhëhequr nga vojvoda i tyre, Nikshiç Gërdani, kësaj radhe së bashku me fiset e Kuqit, të Piperit, dhe të Palëbardhëve. Senatori venedikas, Laxaro Soranco, këto ngjarje të viteve 1599-1620, i komentoi me këto fjalë: në rajonin e Plavës jetojnë: piperët, kuqët, kelmendët, bjellopavliqët dhe fise të tjera të këtij rajoni. Midis tyre ka shumë shqiptarë, të cilët e kanë fenë katolike dhe janë pikërisht ata të cilët, duke u mbrojtur në fortesat e tyre, duke treguar një trimëri të rrallë, ende nuk kanë pranuar që të nënshtrohen tërësisht as në betejat me turqit.29 Nga mesi i vitit 1580 fisi katolik i Kelmendit duket se nuk i paguante më haraç shtetit osman. Si luftëtarë kryelartë dhe të pavarur, ata kishin arritur shkallë shkallë, deri në këtë vit, që ta sundonin mbarë Shqipërinë e veriut. Ata ishin jashtëzakonisht të shkathtë dhe vazhdonin të sulmonin, të grabitnin dhe plaçkitnin jo vetëm Malësinë, por të fiiteshin thellë edhe në territoret e Kosovës, të Bosnjës dhe të Serbisë, bile të depërtonin deri në Plovdiv të Bullgarisë. Si thekson Noel Malkolmi: “Shkathtësia dhe shpejtësia e Kelmendit është një ndër dukuritë mahnitëse që e ka Kelmendi në raportet e fillimit të shekullit XVII.

Në vitin 1612, me qëllim që së paku ta përmirësonin fuqinë dhe pozitën e tyre në Malësi, turqit ngritën një kala në Guci. Në këtë mënyre kjo ndërhyrje mund t’i ketë nxitur kelmendasit që të vendosen në perëndim, më afer atdheut të tyre të tashëm. Në raportin e tij “Raporti i përshkrimit të Sanxhakut të Shkodrës, i vitit 1614, shkrimtari, Mariano Bolica, nga Kotori, i cili ishte në shërbimin e Republikës së Venedikut, për këtë dhe për fisin e Kelmendit në përgjithësi, raportoi këto të dhëna:

“Në këtë mënyrë, si u përmend më lart, tre orë larg nga Gucia dhe po aq orë larg nga Kelmendi, Sulltani, kah fiindi i vitit 1612, ndërtoi fortesën e quajtur “Citta Nova” (Qyteti i ri), në një kodër të vogël ku zuri një pozitë shumë të fortë. Kjo fortesë e madhe njësoj si dhe fusha me një diametër prej 400 hapash, është ndërtuar me trarë të mëdhenj, është e fortifikuar mirëfilli me dhe dhe është e rrethuar nga hendeqet e gjëra e të thella të mbushura me ujë.

Fortesa ka tri ura lëvizëse.

Fortesën e ruajnë dyqind ushtarë të rregullt dhe pesëdhjetë kalorës. Fortesa u ngrit pas këmbënguljes së Cem Çaushit, kreut kryesor turk në Podgoricë. Meqë ai ishte sundimtar i Plavës dhe nuk kishte mundësi që të sundonte atje, si për shkak të sulmeve të rrepta të Kelmendit, ashtu edhe për shkak se nuk ndihej i sigurt, ai i çoi fjalë Sulltanit në Kostandinopojë nëpërmjet sundimtarit të njohur, Nasuf Pashës, se rojtarët, zyrtarët dhe oborrtarët e tij ishin të interesuar që t’i nënshtronin kelmendasit; prandaj fortesa po ndërtohej me qëllim që të ndalnin hovin e sulmeve të rrepta, që të shtypnin sulmet e fuqishme të kryengritësve, që t’i venin nën kontroll, dhe që t’i nënshtronin. Kërkesa e tij u miratua. Mirëpo, ata që janë duke ruajtur fortesën janë ende të paaftë që t’i ndalojnë kelmendasit nga grabitjet dhe plaçkitjet e tyre kurdoherë që u teket.

Më lart u përmendën malësorët rebelë në përgjithësi.Tani është koha që të fiitemi në hollësitë dhe ta përshkruajmë truallin, doket, betejat dhe disa gjëra të rëndësishme që kanë ndodhur mes tyre në vitin 1612 dhe 1613.

Përveç faktit të lartpërmendur, këta malësorë (numri i të cilëve është pesëmijë e treqind e tetë burra të armatosur), të cilët jetojnë në malet madhështore dhe të paarritshme, janë të fortë për shkak të veçorive të natyrës së territorit të tyre; faktori kryesor i fuqisë së tyre është megjithatë bashkimi i tyre. Ky bashkim ishte arritur që nga koha kur ata, në një kuvend të tyre, kishin vendosur që të mos ia paguanin haraçin e zakonshëm Sulltanit; përveç kësaj ata kishin vendosur që të mos ua paguanin tatimet Spahive, që ua kishin borxh; kjo ndodhi kështu për arsye se turqit i kishin shtypur shumë. Së këndejmi ata ishin betuar se do të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre, se do ta ruanin bashkimin dhe se nuk do të ndaheshin prej njëri-tjetrit, se do t’i ndihmonin skamnorët dhe se nuk do të lejonin kurrë që turqit të hyjnë në territorin e tyre.

Në këtë mënyrë ata kishin arritur në një pozitë më të mirë. Duke e flakur kështu tiraninë turke dhe përtacinë, ata u ishin kthyer grabitjeve, shtegtimit në grupe të mëdha nëpër territorin e pushtuar turk, duke shkuar edhe deri në Pllovdiv për të plaçkitur qytete, fshatra e karvanë tregtarësh. Ata janë bërë aq të pasur saqë çdo shtëpi e tyre, nga 188 shtëpitë që u ndërtuan nga kelmendasit, kanë mobileje dy herë më shumë dhe më të mira se shtëpitë e tjera; në shtëpitë e tyre ka edhe pajime të arit dhe të argjendit, që janë takëme të kuajve: p.sh: shpata, parzmore të atilla që vlejnë 150 deri në 200 cekina venedikase.

Ata kanë edhe kuaj të shtrenjtë, rrobe dhe petka me vlerë të lartë, kupa dhe gota të argjendta dhe një numër të madh kafshësh të vogla dhe të mëdha. Ata bredhin të armatosur me shpata, mburoja, me shtiza dhe me një numër të madh të hobeve (llastiqeve), të cilat i përdorin për mrekulli. Ata rrallë e përdorin arkebuzin ose pushkën e vjetër, ndonëse të gjithë ata që i kanë këto armë si pjesë të veshmbathjes së plotë, mbajnë me veti edhe barut të kualitetit të lartë për pushkë. Në mesin e malësorëve nuk ka më shumë se 100 malësorë të armatosur me arkebuza. Këta burra janë të zhdërvjelltë, trima dhe të gatshëm për betejë dhe janë të aftë që të rreshtohen aq shpejt për betejë, saqë secili që i sheh ata mbetet i mahnitur. Ata mund t’i shohësh në togjet e armatosura në përplasjet dhe ndeshjet duke sulmuar, zmbrapsur dhe duke qarë rrugën e duke shpëtuar. Në këtë mënyrë ata tregojnë se janë të stërvitur shumë mirë dhe se e njohin profesionin e tyre. Ushtarakët e tyre me përvojë parapëlqejnë shoqërinë, veçanërisht gjatë kremtimit të ditëve të festave. Një numër i madh i tyre parapëlqejnë të ecin zbathur, kështu që kur ecin nëpër shtigjet e shkëmbinjve ata u përngjajnë dhive të malit.

Ka të ngjarë që Kelmendi në këtë mënyrë është ngritur kundër turqve, së bashku me fiset e fqinjëve të Kuqit, Piperit dhe Bjellopavliqit, përsëri aty nga viti 1613. Kundër tyre, për t’i nënshtruar, u dërgua një ekspeditë ndëshkuese me 15 000 ushtarë, nën komandën e Arsllan Pashës, Sanxhakbe i dikurshëm i Shkupit. Trupat turke brodhën 12 ditë në Kelmend dhe vetëm në një fshat burgosën 80 banorë, ndonëse të arrestuarit ishin gra dhe fëmijë. Në një fshat tjetër, Pashai kërkoi 15 skllave dhe 1000 dukatë. Ndërkaq, ndërsa ai e priste përgjigjen, kelmendasit i sulmuan trupat turke në gryken e Malit, vranë 30 ushtarë dhe pastaj u larguan me 50 kuajt e tyre, të ngarkuar me trofetë e luftës. Në këtë sulm u plagos edhe Pashai i Shkodrës. Në këtë mënyrë, Arsllan Pasha nuk kishte rrugëdalje tjetër përpos të tërhiqej në Podgoricë.32 Me këtë rast u arrit një armëpushim paqësor i cili u jetësua nëpër male për disa vjet. Më vonë, Porta, përsëri, më 1617, i dërgoi trupat në territorin e Kelmendit, por kot. Kelmendasit vazhduan të plaçkitnin dhe të grabisnin veçanërisht në trevat e Novi Pazarit, të cilat e pësuan rëndë. Kelmendasit luftuan kundër Turqisë përsëri më 1624, kësaj radhe kundër Arvat Pashës së Shkodrës. Ndërsa trupat turke po i afroheshin rajonit të Malësisë, burrat e Kelmendit u tërhoqën në trekëndëshin e rrafshnaltës, në maje të malit të cilët e quanin Forca e Kelmendit, e cila ishte e rrethuar nga të gjitha anët me shkrepa të rrëpishëm. Gratë, femijët dhe pleqtë u strehuan nëpër shpella në luginën e lumit Cem, ku 200 prej tyre thuhet se vdiqën nga uria. Ndërsa kelmendasit, ndonëse kishin mbetur ngushtë dhe gjallë, u shkoi ndore që t’i shkaktojnë humbje të konsiderueshme ushtrisë turke.

Në dekadat vijuese, turqit bënë disa përpjekje për ta nënshtruar Kelmendin, por nuk patën kurrfarë rezultati, kështu që Kelmendi vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm në rezistencën antiosmane, veçanërisht në pjesën e parë të shekullit shtatëmbëdhjetë. Në mesin e krerëve të kësaj periudhe u dallua Vukë Doda. Qëllimi i të gjitha këtyre rebelimeve dhe revoltave, ashtu si ndodhi edhe me të gjitha kryengritjet shqiptare deri në fund të periudhës së pushtimit osman, në fillim të shekullit XX, nuk u bënë për çlirimin kombëtar, ashtu siç dëshirojnë dhe e përshkruajnë disa historianë bashkëkohorë shqiptarë, por për të siguruar mosndërhyrjen në aktet e fiseve (përfshirë grabitjet), veçanërisht për të mos paguar tatime dhe tagra turqve. Njëkohësisht, grabitqarët kelmendas i detyronin fiset nga rajone të tjera që t’u paguanin haraç. Në raportin e Kongregacionit të Propagandës Fide në Romë, të qershorit të vitit 1638, peshkopi shqiptar i Sapës dhe Sardës, Frang Bardhi, ka shënuar se kelmendasit, për çdo vit, i sulmonin karvanët në Shqipëri, në Bosnje dhe në Serbi dhe se grabitnin së paku 40 deri në 50 kuaj të ngarkuar me mallra, si: lesh, gjalpë, mjaltë, dyllë, oriz, peshk të kripur etj.

Shpeshherë tregjet mbylleshin për shkak të tyre.35Më 1707, një shkrimtar anonim ka shkruar:

“Duke përdorur sulmet, plaçkitjet, zjarrvëniet dhe shkatërrimet, ata pushtuan së pari rajonin e pastaj edhe vet qytetin e Pejës, duke i shtrënguar banorët që të paguanin haraç... Çdo shtëpi e Kelmendit në atë Mbretëri të Madhe dhe pjellore kishte një apo dy fshatra që paguanin tatim për çdo vjet,për mirëmbajtjen e familjeve fisnike dhe dinjitoze.

Në këtë mënyrë, Kelmendi mësoi të përdorë një taktikë në marrëdhëniet e tij me turqit dhe venedikasit, veçanërisht pas shpërthimit të Luftës së Kretës (1645-69), e cila u zhvillua ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut, luftime të cilat u zhvilluan në Dalmaci. Në vitin 1660, Evlia Çelebi i përmend kelmendasit shqiptarë, duke i quajtur “luftëtarë të pafe“. Ai i kishte parë në anijet venedikase, në Limanin e Splitit.37 Kelmendasit u premtonin mbështetje cilës do anë që i plotësonte kërkesat e tyre. Në vitin 1664, bie fjala, një numër i kelmendasve i përkrahte turqit me kusht që të mos paguanin haraç për pesë vite. Më pas, disa prej tyre kaluan në fenë islame.

Në vitin 1689, gjatë Luftës së Madhe turke (1683- 99), forcat perandorake austriake ndërmorën një ofensivë kundër trupave osmane, me ç’rast ushtria austriake hyri në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipërinë e Veriut, por për një kohë të shkurtër. Kjo ngjarje i dha një mundësi tjetër Kelmendit që të ngrihet kundër osmanlinjve, ndërsa në anën tjetër supozohet se disa kelmendas të tjerë kishin pasur një aleancë taktike me Vjenën. Ne e dimë se së paku katër krerë kelmendas shkuan të zhvillojnë bisedime me austriakët në Pejë, në dhjetorin e vitit 1689, ndonëse ata u kthyen të pakënaqur sepse austriakët nuk i kishin shpërblyer aq sa duhet.38 Me atë rast, kelmendasit parapëlqyen të plaçkitnin për interesin e vet, veçanërisht në Kosovë.

Më 1700, pasha i Pejës, Hydaverd Mahmutbegolli, vendosi të ndërmarrë një aksion kundër sulmeve dhe grabitjeve të Kelmendit në perëndim të Kosovës. Me ndihmën e fiseve të tjera malësore, ai arriti ta bllokojë Kelmendin brenda kufijve të Kelmendit, veçanërisht në grykën e lumit të epërm të Cemit, nga të tri anët, për t’ i sulmuar pastaj me ushtrinë e vet nga Gucia. Në vitin 1702, pasi ndërmori masa dhe u kërcënua se do t’i sillte para vdekjes për shkak të urisë, ai shumicën e tyre i detyroi që të shpërngulen në pllajën e Peshterit në Sanxhak të Novi Pazarit. Vetëm banorëve të Selcës iu lejua që të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Prijësi i tyre kishte kaluar në fenë islame dhe njëherësh kishte premtuar se do t’i kthente në islam edhe banorët e vendit të tij. Me atë rast, në rajonin e Peshterit u rivendosën 251 shtëpi (1987 banorë) kelmendase.39 Të tjerët u shpërngulën në rajonin e Gjilanit në Kosovë.

Ndërkaq, pesë vjet më vonë, në vitin 1707, më se gjysma e kelmendasve të shpërngulur ia dolën mbanë që, të armatosur, të kthehen në vendlindjen e tyre, kurse më 1711, ata dërguan një grup të madh luftëtarësh që t’i kthejnë në vendlindje edhe kelmendasit nga Peshteri.40 Të privuar nga burimet e tyre tradicionale të sigurimit të jetesës (plaçkitja dhe grabitja) dhe të mbetur pa kopetë e tyre, kelmendasit, pas kthimit, u katandisën në një varfëri të madhe. Në verën e vitit 1710, kryepeshkopi katolik i Tivarit, Vincentius Zmajeviq,41 i luti misionarët françeskanë në Shqipëri që t’iu dhuronte një shumë të caktuar parash për të blerë grurë. Ai iu drejtua Papës disa herë që t’u ndihmonte kelmendasve “të shkretë“ (poveri Clementi)42. Sidoqoftë, një numër i kelmendasve parapëlqeu të mbetej në pllajën e Peshterit.

Kryepeshkopi i Shkupit raportonte se në vitin 1719 kishte 2000 kelmendas, ndërsa ai kishte konstatuar se kishte vetëm 800 kelmendas.

Në fillim të gushtit të vitit 1737, Fuqitë Hapsburgase përsëri pushtuan Kosovën, ndërsa Feld Marshali Fridri Hajnri fon Sekendorf44 hyri përsëri në Prishtinë. Pikërisht në këtë periudhë, kelmendasit, si në vendlindje ashtu edhe në Peshter dhe në fise të tjera malore, vendosën të bëjnë aleancë me austriakët. Avancimi austriak zgjati tri javë, aq sa zgjatën edhe kryengritjet e vendasve kundër turqve, të nxitur dhe të ndihmuar nga forcat austriake. Novi Pazari ra më 24 gusht 1737, ku ishin mbledhur 200 kelmendas, 200 hotianë dhe 100 luftëtarë të Grudës.45 Pak para tërheqjes së austriakëve, kryengritësit shqiptarë dhe serbë, duke përfshirë kelmendasit, nuk kishin rrugëdalje tjetër pos tërheqjes kah veriu pasi kishin pësuar humbje të mëdha. Më 4 tetor, ata dërguan një delegacion te Sekendorfi, duke e lutur që t’u jepte toka për familjet e tyre, për gjithsej 4000 veta dhe 100 000 kafshë. Ata patën fat dhe gjetën strehim të sigurt në një territor afër Beogradit që sundohej nga austriakët, por në fillim jetuan në kushte shumë të vështira dhe në varfëri të madhe. Sipas Ludvig fon Thalloqit, “Ata bridhnin dhe sorollateshin nëpër Karllovc, si endacakë dhe nomadë në brigjet e Savës; ata hapnin gropa të mëdha të cilat i shndërronin në strehimore për të jetuar në to; epidemitë dhe murtaja bënë kërdi mbi ta, ndërsa ata që mbetën gjallë u ballafaquan me mungesë të ushqimi, për çka shumë prej tyre vdiqën“.47 Nga dëshpërimi i madh, disa prej tyre u kthyen përsëri në territorin osman. Një enciklopedi e gjuhës gjermane e fillimit të shekullit nëntëmbëdhjetë i sjell disa të dhëna për kelmendasit e shpërngulur. Pas fjalës “Clementiner“ jepet ky shpjegim: “Në vitin 1737, ata i sulmuan turqit, por u masakruan pothuajse të gjithë, në Valjevë. Prej atyre që mbijetuan, njëqind prej tyre ikën në Beograd me familjet e tyre, e pastaj të udhëhequr nga prifti i tyre Suno, vazhduan rrugën për në Syrmia, ku themeluan fshatrat e tyre Hërtkovci dhe Nikimci, buzë lumit Sava në rajonin e Mitrovicës,u ndanë në gjashtë familje dhe shërbyen si rojtarë të guximshëm të kufirit... Ata të cilët mbetën pas u sulmuan nga turqit në vitin 1738, ndërsa vendbanimi i tyre në Rudnik u pushtua nga turqit“.

Vetëm pas Paqes së Beogradit, të vitit 1739, situata e kelmendasve u përmirësua. Të punësuar si rojtarë dhe gardianë dhe të liruar nga tatimet për tre vjet, ata formuan dhe organizuan tetë kompani të forcave rezerviste me 25 deri 100 rojtarë për ruajtjen e territorit në brigjet e lumit Sava.49 Në vitin 1749 ose 1755, afro 1600 prej tyre, më në fund, u vendosën në Syrmija (Srem), sidomos në fshatrat e Nikincit, Hërtgovcit dhe Jarakut. Ata mbetën aty deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, duke e ruajtur gjuhën, doket dhe fenë katolike. Petkat me ngjyra të ndryshme të grave të Kelmendit dalloheshin prej të tjerave, prandaj bëheshin objekt thashethënash. Karl Gotlib fon Vindish (1725-93), për shembull, ka lënë këtë shënim: “Kostumet e grave të këtij populli janë jashtëzakonisht interesante. As pavoda dhe as ylberi nuk mund të kenë ngjyra më të ngazëllyera se sa veshmbathja e këtyre grave“50. Në vitin 1883, kishte ende 70 folës të shqipes në Nikinci, kurse në regjistrimin e vitit 1900,18 nga 2 565 banorët e Hërtkovcit ende flisnin shqip, ashtu si kanë folur shqip edhe 18 shqipfolës në mesin e 1 773 banorëve të Nikincit.51 Në vitin 1921, kishte vetëm pesë shqipfolës në Hërtkovc dhe katër në Nikinc52. Kështu gjuha e shqipfolësve u zhduk.

Sa për kelmendasit të cilët mbetën në Shqipëri, ata vazhduan betejën e tyre kundër sulmeve turke. Për ta shtypur kryengritjen e fiseve të Kelmendit dhe të Kuçit, në Malësi, më 1737, më 1738 dhe më 1739 u dërguan ekspedita ndëshkuese të forcave osmane, por ato dështuan. Mirëpo, më 1740, Syljeman Pasha i Shkodrës vrau 40 krerë të fiseve të Kelmendit dhe të Kuçit, duke ua konfiskuar pasurinë dhe duke ua djegur shtëpitë. Njëherësh, edhe në Shkodër u burgosën edhe 400 pjesëtarë të këtyre fiseve. Te dy këto fise nuk patën tjetër rrugëdalje, pos të kapitullonin dhe t’i dërgonin pengjet e tyre për marrëveshje. Pas nënshtrimit, qytetet me pazar të shqiptarëve, u hapën edhe për ta.53 Megjithëse ata mbetën një fis i fuqishëm në Shqipërinë e veriut, edhe gjatë 150 vjetëve në vazhdim, ata kurrë nuk mundën që ta kthejnë fuqinë që e kishin në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

info@balkancultureheritage.com