Këna guri - Kjo lloj kënaje përdoret nga vajzat deri në moshën 10-15 vjeçare. Ato duke kullotur bagëtinë ose duke shëtitur në natyrë, ndalen te një shkëmb i përcaktuar me rrënjë me myshk e i kuqërremtë, lagin gurin dhe me ndihmën e një guri më të vogël nxjerrin lëngun e kuqërremtë dhe vizatojnë duart e njëra-tjetrës. Në ndonjë krahinë gjejmë duke vizatuar pjesën e fytyrës. Gjatë ekspeditës vërejmë se ekzistojnë emërtime të ndryshme si: Kona kec, Konë Gjuri, Gurakec. Vizatimet me llojin e kësaj kënaje s’qëndrojnë gjatë, fshihen brenda 24 orëve. Në popull thuhet se gjatë natës vijnë keci dhe i lëpijnë duart, këtu kemi të bëjmë me një mitologji të lashtë shqiptare.
Këna sheqeri - Sheqer i djegur mbi një enë metali. Përdoret rrallë për t’i vizatuar vetëm duart. Kënadiset femra në ditët e festave si për Ditë Vere, Shëngjergj e Bajram. Kënaja e sheqerit është përdorur para 50 vjetëve edhe për ngjyrosjen e flokëve. Zbukurimet me këna sheqeri nuk qëndrojnë më shumë se 3-4 ditë, dhe fshihen vetvetiu. Motivet e kësaj kënaje janë të pakta. Dominojnë vija paralele të vendosura në mënyrë horizontale, vertikale, tufa, vijash zigzage, vija të vendosura në formë kurriz peshku, drejtëza të kryqëzuara në formë kryqi, siç shihet edhe në fotografitë që i posedojmë. Vërejmë se vizatimet nuk janë precize dhe të përkryera.
Këna has - bojë e kuqërremtë e cila nxirret nga përpunimi i gjetheve të thara të një druri të vogël që rritet në ranishtat e Afrikës e të Gadishullit Arabik3. Për t’u dhënë formë të bukur duarve, më parë lidhen ata duke i shtrënguar duar dhe këmbët me penj pambuku të avlëmendit. Gjatë të lidhurit kujdes i kushtohet që penjtë të lidhen në formë rrjeti. Me ndihmën e shkrepëses mbi penj në pjesët e sipërme të duarve dhe këmbëve, mbushen vendet e zbrazëta duke dekoruar edhe motive të tjera në afërsi. Këtë lloj kënaje është vështirë për ta vizatuar. Atë e dekoron gruaja e moshuar me kujdesin më të madh, e cila e krijon vizatimin si vlerë estetike. Me këna has kënadiset edhe vajza para se të shkojë nuse, që quhet konë duman, pasi ajo vihet shpejt e shpejt pa bërë zbukurime në gishtat e duarve. Në vitet 1950-1965 ishte traditë në fshatin Poroj të Tetovës, që ditën e kënasë fisi i burrit t’i sillte vajzës-nuse dyshek e jorgan; ajo flinte në shtratin e burrit, ku besohej se dysheku ishte ai që do t’i ndihmonte asaj këna t’i zëje më mirë, e t’i skuqen duart më shumë. Kënaja është edhe shenjë që ndahet nga vajzëria. Sipas dekorimit me Këna has, dallohen këto motive: Bajrak shkurt, Bajrak gjatë, në fshatin Rakovec të Tetovës, kurse në fshatrat e Pollogut dallohet Konë çupe, Me krejma, çupka e tjerë. Vizatimet e duarve dhe të këmbëve me këna has ku vërehen ornamente të stilit gjeometrik që është dekoruar në pjesën e sipërme të duarve dhe të këmbëve. Motivet zakonisht ruajnë distanca të baraslarguara nga njëra-tjetra. Po me këtë lloj kënaje kënadiset gruaja e vdekur. Asaj i vënë këna në pjesën e përparme të flokëve, në majat e gishtave të këmbës e të duarve, pa bërë ndonjë zbukurim. Thuhet se kjo bëhet për sevap.