Vrasësit e Cezarit, Mark Brutus dhe C. Cassius, u hodhën në Lindje për të bërë rigrupimin e legjioneve kundër Mark Antonit. Apiani (ZZ., 13) rrëfen se vdekja e Cezarit shkaktoi një kryengritjetë ilirëve të Dalmacisë, të cilët nuk pranuan të paguanin haraçin dhe i shpartalluan pesë kohorta të ushtrisë së P. Vatiniusit. Vetë ky i fundit u strehua në Dyrrahium. Senati ia besoi provincën e Maqedonisë M. Brutit, ndërsa Kasit i caktoi atë të Sirisë. Lufta shpërtheu haptas mes Caius-it, vëllait të Mark Antonit, dhe vrasësve të Cezarit, të cilët përkraheshin nga Ciceroni që iu vërsul me ashpërsi dy vëllezërve në ligjëratën Filipike X (5, 11): “Ç’punë kishte ai [Kai Antoni] në Apoloni? Po në Dyrrahium? Po në Iliri? Po me ushtrinë e kryegjeneralit P. Vatiniusi? Thoshte se ishte pasuesi i Hortensit. Mirëpo Maqedonia i ka kufijtë të përcaktuar, statusin të përcaktuar, ushtrinë të përcaktuar, nëse i ka pasur vërtet; po atëherë vallë me Ilirinë dhe me legjionet e Vatiniusit, ç’punë kishte Antoni?”. Në fillim të vitit 43, situata ishte e turbullt; Kai Antoni mbante Maqedoninë, por ish-guvernatori i provincës Q. Hortensi u bashkua me Brutin dhe shkaktoi dezertimin e Dyrrahut ku zbarkoi Bruti (Apiani, L.C., III, 32). Gai i bëri thirije P. Vatiniusit që komandonte ushtrinë në Ilirinë fqinjë, por ky i fundit nuk mund të kishte besim tek trupat e tij. Në ligjëratën Filipike XI (11), Ciceroni mbronte M. Brutin: “Për më tepër, të nderuar senatorë, M. Bruti vazhdon të mbahet nga K. Antoni që ka pushtuar Apoloninë, magna urbs et gravis (qytet i madh e hijerëndë), që ka pushtuar, besoj, Bylisin, ka pushtuar Amantian, i kanoset Epirit, është te portat e Orikut, dhe i cili ka disa kohorta dhe është i pajisur me kavaleri”. Sërish, Dyrrahu dhe Apolonia ndodheshin, secili, në duart e njërit nga dy kundërshtarë të ndryshëm, njëlloj si në konfliktin ndërmjet Cezarit dhe Pompeut. Më në fund, Kai Antoni u kap nga M. Bruti.
Krijimi i triumviratit të dytë mes M. Antonit, Oktavianit dhe Lepidit solli vdekjen e Ciceronit dhe luftën kundër Brutit dhe Kasit. Kai Antoni, i cili u përpoq të ngrejë Apoloninë kundër Brutit, u vra. Në fund të verës së vitit 43, trupat e Triumvirëve kapërcyen Adriatikun dhe mbërritën në Dyrrahium, të cilin e pushtuan, pastaj nëpërmjet via Egnatia-s kaluan në Maqedoni: në tetor 42, vrasësit e Cezarit u mundën dhe u vranë në betejën e Filipit. Ishte koha (më 31 korrik) kur P. Vatiniusi u prit si ngadhnjimtar në Romë për aksionin e kryer në Iliri. Paqja e Brindesit (tetor 40) ia dha Ilirikun Oktavianit dhe Maqedoninë M. Antonit. Që nga ai çast, e gjithë Lindja, që nga meridiani i Skodrës, i takoi M. Antonit, ndërsa Oktaviani mori nën administrim Perëndimin, duke përfshirë edhe Ilirikun (Apiani, L. C., V, 65). Çuditërisht, ky sinor nuk ndiqte kufijtë e provincës së Maqedonisë; ai i linte Antonit katër portet më të rëndësishme të Ilirisë jugore (Orikun, Apoloninë, Dyrrahun dhe Lisin), ndërsa Oktaviani do të mbante vetëm portet më veriore, duke filluar me Grykën e Kotorrit dhe me Epidaurin. Kjo shpërndarje i jepte dorë Lindjes dhe Mark Antonit dhe ishte në dëm të epërsisë së Oktavianit dhe Ilirikut. Brigjet e Adriatikut e humbën kështu për nja dhjetë vjet njësinë e tyre.