Lufta e tretë e Maqedonisë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Lufta e tretë e Maqedonisë

Rreth njëzet vjet më vonë, lufta e tretë e Maqedonisë (172-168) shënon shembjen e monarkisë antigonide në Maqedoni dhe plaçkitjen e pjesës juglindore të Epirit nga legjionet e Paul Emilit në vitin 167. Që në periudhën ndërmjet dy luftërave, përfaqësitë greke pasonin njëra-tjetrën në Romë për të paditur armiqtë e Romës dhe për të kërkuar ndihmë e mbështetje për partitë e ndryshme proromake, ndërkohë që komisarët e dërguar nga Roma vinin të ndërmjetësonin në konfliktet mes Maqedonisë e fqinjëve të saj të ndryshëm apo mes dy shtetesh greke, si Sparta dhe Akaia.

Në Iliri, ardhja në pushtet e mbretit Gent (ndërmjet viteve 189 dhe 181) përkoi me një periudhë emancipimi të kësaj mbretërie përballë Romës. Tit Livi (XL, 18, 4) flet për një gjallërim të piraterisë në detin Adriatik gjatë zgjedhjeve të vitit 181: banorët e Tarantos e të Brundisit u ankuan për sulmet që po kryenin brigjeve të tyre ca piratë të përtejdetit dhe pretori L. Duroni pohoi se këta piratë vinin nga mbretëria e Gentit (Tit Livi, XL, 42, 1-5), ndërkohë që thuhej se Genti po mbante disa shtetas romakë në Korkyrë, që mund të ishte vetëm Korkyra Melaina, përderisa Korkyra (Korfuzi) ndodhej nën mbrojtje romake që nga viti 229. Situata nuk u përmirësua as në vitet që pasuan, ineqenëse, në vitin 178, “për të luftuar kundër flotës së ilirëve, ishin krijuar duumviri navales” me një flotë në Ankonë, e cila ishte ngarkuar të mbikqyrte brigjet nga Taranti, në jug, deri në Akuile, në veri (Tit Livi, XLI, 1, 3). Polibi (XXXII, 9, 4) e përcakton në kohë diku pas ardhjes në pushtet të Gentit revoltën e dalmatëve, të cilët u hodhën në luftë kundër fqinjëve. Këto turbullira shqetësonin veçanërisht banorët e Isës, të cilët e paditën në Senat aleancën e Gentit me Perseun, që aty rreth vitit 172 (Tit Livi, XLII, 26, 2-7).

Vetëm në lidhje me ngjarjet e vitit 171 e përmend Polibi (XXVII, 15, 12) një aleancë (symahia) që ekzistonte ndërmjet bashkësisë (koinori) të epirotëve dhe Romës, pa qenë e mundur të përcaktohet nëse ka qenë fjala për një traktat të mirëfilltë apo vetëm për një mënyrë emërtimi të statusit të epirotëve si socii apo amici. Asnjë e dhënë nuk jep mundësi gjithashtu që, nëse besohet në ekzistencën e një traktati, të përcaktohet data e nënshkrimit të tij ndërmjet Romës dhe Epirit, që fare mirë mund të mos jetë vetëm në vitin 171. Epirotët mundoheshin të mbanin marrëdhënie të mira me të dyja palët, në njërën anë me Romën dhe në anën tjetër me Maqedoninë, të paktën mes njerëzve në pushtet, ndërkohë që Haropi i Riu paskësh dashur prishjen me mbretin Perse. Një mbishkrim i Dodonës jep dëshmi për marrëdhëniet ndërmjet Epirit dhe bregut italian pak kohë para fillimit të luftës së tretë të Maqedonisë30: magjistrati eponim është Antinou, i cili është strateg për herë të dytë, ndërsa dekreti për prokseni [pritje zyrtare e një të huaji] lëshohet në favor të njëfarë Gaios, biri i Dazos, Polfennios nga Brundisi. Emri është interesant, edhe pse mënyra e emërtimit nuk përputhet me zakonin latin. Ky Caius Pulfennius është i biri i njëfarë Dazos, që ka një emër ilir mjaft të njohur; emra të tillë ilirë janë të shpeshtë në këtë krahinë të Italisë së Jugut. Miku i shquar i ri i epirotëve mund të ketë qenë nga një familje vendase e vendosur prej disa shekujsh në Mesapi, e cila e kishte ruajtur përdorimin e emrave ilirë. Nuk dihet me saktësi natyra e shërbimeve që ky qytetar nga Brundisi u ka bërë epirotëve, por shpeshtësia e lundrimeve nga njëri breg në tjetrin mund të mjaftojë për ta përligjur këtë dekret që ishte nxjerrë për të shprehur mirënjohjen për dikë që ua kishte lehtësuar qëndrimet dhe shkëmbimet tregtarëve apo delegatëve epirotë që kalonin nga Brundisi.

Operacionet ushtarake që nga vjeshta e vitit 172 zbuluan një situatë të turbullt në Adriatik: përveç ankimeve të Isës kundër Gentit, vëllai i pretorit C. Lukreti erdhi në Epidamn-Dyrrahion dhe gjeti të grumbulluara aty 10 lemboi të qytetit, 12 të Isës e 54 të mbretit Gent, dhe Tit Livi shton: “Ai bëri sikur besoi se i kishin përgatitur për t’u shërbyer romakëve”. I shpuri në Korkyrë e pastaj në Kefaleni. Në qoftë se besnikëria e Isës dhe e Epidamnit nuk vihej në dyshim, qëndrimi i Gentit ishte më pak i qartë.

Paul Emili, konsull në vitin 168, e korri fitoren vendimtare kundër Perseut në Pydna, ndërsa pretori L. Anici doli fitimtar mbi mbretin Gent përpara mureve të Skodrës. Federata epirote u përça që në vitin 170 mes përkrahësve të Perseut (Molosia dhe jugu i Tesprotisë) dhe partisë proromake të mbledhur rreth Haropit të Riut (Kaonia dhe veriu i Tesprotisë) dhe, më 167, jugu u rrafshua, 70 oppida u rrënuan dhe 150 000 banorë u shitën si skllevër. Iliria u nda në tri shtete autonome e detyrimpaguese, ndërsa mbretëria maqedonase u copëtua në katër merides.

Duke filluar që nga viti 167, fuqia romake i vuri tërësisht nën kontroll të dyja brigjet e Adriatikut jugor. Duhej pritur kryengritja e Pseudo-Filipit, Andriskut, në Maqedoni (149-148), në mënyrë që Roma të krijonte provincën e Maqedonisë që i përfshinte të katër krahinat administrative. Guvernatori i Maqedonisë ishte i ngarkuar gjithashtu edhe me Ilirinë. Ndërtimi i via Egnatia-s, që i lidhi portet e Epidamn-Dyrrahionit dhe të Apolonisë me Thesalonikun, ndoqi një itinerar transballkanik të përdorur prej shumë kohësh nga udhëtarët përgjatë luginës së Shkumbinit, nëpër Lyhnid (Ohër) e duke përshkuar Maqedoninë. Dalmacia, ama, nuk ishte e qetë: Polibi (XXXII, 9) jep njoftim për përpjekjet e banorëve të Isës n«ë Romë në vitet 158-157 “për të denoncuar sulmet e kryera nga dalmatët kundër trualli t të tyre si dhe kundër qyteteve që u ishin bashkuar atyre, domethënë Epetit dhe Tragurit”. Këto dy qytete, që ishin themeluar nga isët në lindje dhe në perëndim të Salonës, në kontinent, ishin më të ekspozuara ndaj sulmeve të popullsive të viseve të brendshme sesa ishulli i Isës. Gërmimet e kryera kohëve të fundit në vendbanimin e Salonës, ashtu si edhe në Naronë, kanë bërë të mundur zbulimin e shtresave helenistike të shekullit II para J. K., të cilat dëshmojnë për përparimin e pranisë greke, në kohën kur Roma ishte bërë fuqia e vetme e rajonit.

Për t’u përmendur është edhe mbreti ilir Ballai, që njihet vetëm nëpërmjet prodhimit të monedhave të tij dhe për të cilin nuk është siguruar ende asnjë lloj datimi: Evans e vendoste mes viteve 168 dhe 135, pra pas shkatërrimit të mbretërisë së Gentit nga romakët, ndërsa G. Gorini parapëlqen një kronologji të hershme (195" 175). Monedhat e tij gjenden deri në Ravenë, Alba Fucens e Akuile. Fjala mund të jetë për monedha të prura nga ushtarakë prej ekspeditave të tyre kundër dalmatëve, për shembull në vitet 158-157. Në të vërtetë, ushtritë romake ndërhynë disa herë, fillimisht kundër dalmatëve (Apiani, Ilirike, 11), pastaj më 135 kundër Ardianëve, ndaj të cilëve kreu një inkursion konsulli Ser. Fulv Flaku. Më 129, operacionet u drejtuan kundër Japodëve dhe u lejuan ushtrive romake të vinin nën kontroll brigjet lindore të Adriatikut, si në jug ndërmjet Korkyrës dhe Isës, ashtu edhe në veri ndërmjet Istries dhe Salonës. Edhe pse prapatoka ilire mbetej ende e panënshtruar, Adriatiku mund të konsiderohej tashmë si një det romak. Pas kësaj, bregu lindor i Adriatikut nuk u zu më në gojë, me përjashtim të kohës gjatë revoltës së Mitridatit, i cili i nxiti trakasit që të sulmonin deri në Dodonë (Dion Kasi, fragmenti 99, 2) në vitin 88 para J. K., gjë që veçse e rëndoi shkatërrimin e Epirit, që ishte kryer njëherë në vitin 167. Guvernatori i provincës së Maqedonisë nuk kishte pushtet mbi Ilirinë veriore. Edhe brenda Italisë, lufta shoqërore (91-88) i tronditi thellësisht krahinat adriatike, të cilat ishin përzier gjerësisht në revoltën kundër pushtetit romak. Më në fund, mbi det, pirateria mori përmasa të tilla saqë Senati i besoi Pompeut, në vitin 67, me anë të lex Gabinia-s, një komandë të jashtëzakonshme që i jepte atij mundësi veprimi mbi të gjithë detet si edhe mbi një brez bregdetar prej 50 miljesh. Ishte koha kur Varroni ishte legat propretor përkrah Pompeut, i cili i besoi atij drejtimin e flotave të Greqisë dhe mbikqyijen e deteve mes ishullit Delos dhe Siqelisë (Varroni, Mbi ekonominë fshatare, II, parathënie 6). Detyra e tij ishte pra që të garantonte sigurinë e kanalit të Otrantos dhe, nëpërmjet tij, atë të të gjithë Adriatikut, të cilin ai donte ta mbronte nga një përhapje e piraterisë.

Në mesin e shekullit I para J. K., situata kishte ndryshuar shumë në detin Adriatik në krahasim me ç’kishte qenë dy shekuj më parë. Në bregun lindor nuk kishte më kurrëfarë fuqie greke ose ilire që të mund t’i kundërvihej në mënyrë të efektshme sundimit romak në të dyja brigjet e Adriatikut. Të vetmet pika të dobëta të pranisë romake ndodheshin në Dalmaci: Roma nuk e kishte siguruar ende kontrollin e udhës që mund të lidhte Akuilenë me Thesalonikun përmes gadishullit ballkanik.

info@balkancultureheritage.com