Lufta ndërmjet Cezarit dhe Pompeut (49-48)
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Lufta ndërmjet Cezarit dhe Pompeut (49-48)

Në vitin 59, lex Vatinia i siguroi Cezarit qeverisjen e Galisë së këtej Alpeve dhe të Ilirikut, me tre legjione që ishin të përqendruara në Akuile (Cezari, B. G., I 10, 3). Iliriku përmblidhte të gjithë zonën bregdetare ndërmjet Istries dhe Epirit. Kërcënimi i dakëve të Burebistës, që rëndonte mbi veriun e Adriatikut dhe mbi bregdetin dalmat, e përligjte mundësinë e kësaj ndërmarrjeje në drejtim të verilindjes së Italisë. Nga njëra anë, tërheqja e dakëve që, përkundrazi, i kthyen sulmet e tyre në drejtim të Olbias dhe, nga ana tjetër, trazirat e Ariovistit dhe të suevëve që i kanoseshin ekuilibrit në Galinë gjetheshumë (Gallia comata') si edhe paqes në Narbonezë, i ndryshuan planet e Cezarit që e la të zgjaste situatën e brishtë mes Danubit dhe bregdetit adriatik për t’iu kushtuar tërësisht çështjeve të Galisë së përtej Alpeve. Ai shkoi në Akuile për të marrë të tri legjionet që i përforcoi me dy të tjera shtesë dhe, duke kaluar nëpër malin Genevra, arriti në lumin e Ronës në maj të vitit 58. Në brigjet e Adriatikut ai u duk sërish vetëm në janarin e viti 49, kur kapërceu Rubikonin që ndante provincën e tij, Galinë e këtej Alpeve, nga Italia, në veri të Ariminumit (Riminit). Ndërkohë që ai pushtoi qytetet Pisaurum, Fanum dhe Ankonë në bregdetin adriatik, Pompeu dhe Senati u larguan nga Roma për në Kampanie. Në mars 49, Pompeu dhe pasuesit e tij e lanë Brundisiumin dhe shkuan në Dyrrahium. Italia i kishte mbetur Cezarit dhe Adriatiku po shërbente si kufi ndarës ndërmjet dy grupimeve.

Pasi e kaloi vitin 49 duke bërë luftëra në Spanjë dhe përpara qytetit të Marsejës, Cezari e gjeti mundësinë për t’u kthyer drejt Adriatikut. Pompeu e përforcoi ushtrinë e tij në Maqedoni para se të zinte pozicion rreth e përqark Dyrrahiumit, me qëllim që të mos e linte kundërshtarin e vet që të kapërcente kanalin e Otrantos. Ai po e mbante bregun nga Lissosi në veri deri në Orikos në jug. Cezari provoi një lundrim të rrezikshëm në mes të dimrit (janar 48) dhe skuadrilja e tij mbërriti në bregun e Palestes, në jug të maleve Akrokeraune (Apiani, L. C., II, 54), ku zbarkuan të shtatë legjionet që e shoqëronin. Atyre iu desh që, duke marshuar në dëborë, të kapërcenin qafën e Llogarasë në mënyrë që ta zinin në befasi portin e Orikosit, në fund të gjirit të Vlorës; megjithë praninë e pompeasit L. Torquatus dhe të garnizonit të tij me parthinë, qyteti ra. Cezari marshoi pastaj mbi Apoloni: L. Staberius, i cili ishte komandanti i qytetit për Ilogari të Pompeut, donte të organizonte qëndresën, por apoloniatët e kundërshtuan, sepse nuk donin t’ia mbyllnin dyert konsullit të Romës. Staberiusi ia mbathi, Apolonia ua hapi portat njerëzve të Cezarit dhe shembullin e saj e ndoqën edhe banorët e Bylisit dhe të Amantias. Por Cezari mbërriti tepër vonë për të shtënë në dorë Dyrrahiumin dhe të dyja ushtritë i ngritën fushimet tyre në të dy anët e lumit Apsos (Semanit të sotëm). I lodhur nga pritja e përforcimeve të Antonit dhe nga frika se mos ato kapeshin nga flota e Pompeut, Cezari u orvat të hidhej fshehurazi në Brundisium, por shtrëngata nuk e la të dilte në det nga porti lumor i Apolonisë (shih kapitullin 2). Në mars 48, anijet e transportit të trupave përshkuan Adriatikun dhe kaluan në detin e hapur përballë Apolonisë dhe Dyrrahiumit, por një erë e fortë nga jugu i shtyu përtej Lisit ku trupat mundën të zbarkojnë, megjithëse mjaft larg nga pozicionet e Cezarit. Ai vit 48 e tregoi qartë se sa i pasigurt ishte lundrimi përmes Adriatikut gjatë stinës së keqe: anijet nuk mund. ta parashikonin pikën e mbërritjes së tyre, e cila mund të zhvendosej mbi 100 kilometra në drejtim të veriut apo të jugut, sipas drejtimit të erërave. Megjithatë Antoni dhe Cezari e bënë bashkimin e forcave të tyre. Pompeu i shkatërroi skuadriljet e Cezarit në Lis dhe në Orikos. Cezari u përpoq ta izolonte Pompeun mbi lartësitë në jug të Dyrrahiumit, në Petra, por Pompeu ia doli mbanë t’i çante vijat mbrojtëse të Cezarit, i cili u tërhoq në drejtim të Apolonisë. Pas kësaj, të dyja ushtritë u shtynë thellë në drejtim të lindjes dhe Pompeu u mund në Tesali në betejën e Farsalës, më 9 gusht 48. Dyrrahiumit iu desh ta paguante shtrenjtë zgjedhjen e gabuar që ishte shtrënguar të bënte. Edhe ilirët që kishin mbajtur anën e Pompeut u detyruan nga Cezari që të paguanin haraç dhe të dorëzonin pengje (Apiani, II., 13). P. Vatinius, me tri legjione, u ngarkua nga Cezari të mblidhte detyrime dhe pengje ndër popullsitë ilire. Më në veri, A. Gabinius, një pasues i Cezarit, i humbi të pesë kohortat e tij që u asgjësuan nga ilirët (Apiani, II. 12). Pompeasit bënë edhe një përpjekje tjetër për t’u rigrupuar në Epidaur, por dështuan dhe u detyruan të largoheshin nga ishulli i Korkyrës.

info@balkancultureheritage.com