Marrëdhëniet e Shtetit Ilir me fqinjët. Aleanca me Maqedoninë.
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Marrëdhëniet e Shtetit Ilir me fqinjët. Aleanca me Maqedoninë.

Në vitet '30 të shek. III p.Kr. Shteti Ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se: 

"Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë"

Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona e deri në Aoos me përjashtim të Dyrrahut e Apollonisë. Qytetet e veriut: Lisi, Skodra, Ulcini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e Shtetit Ilir.

Ndër fqinjët e Shtetit Ilir vetëm mbretëria dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin të kapërthyer nga luftërat e ashpra social-politike dhe rivaliteti midis tyre. Aty nga mesi i shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në Greqi, nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij, Demetri II, u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo etole dhe ahease, ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë në Epir (viti 234 p.Kr.) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me Maqedoninë për t'u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë gjendjen, duke e ndryshuar raportin e forcave në dëm të Maqedonisë. Në vitin 231 p.Kr. të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akamanisë që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën kohë, një sulm i furishëm dardan, i pavarur apo i koordinuar, këtë nuk e dimë, shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i Shtetit Ilir, Agroni.

Kushtet e marrëveshjes nuk i njohim. Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar qytetin akaman, Medionin, i cili mbahej i rrethuar nga etolët, duket qartë se lidhet ngushtë me tendencën e tij për t'u rezervuar ilirëve një pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që zhvillohen pas kësaj e sqarojnë shumë më mirë politikën e Shtetit Ilir si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

Sidoqoftë, një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë realitet në Epir dhe mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ja cili qe kuptimi i kësaj aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në këto anë.

Sulmi kundër Medionit

Aleanca hyri në veprim. Ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5.000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt, saqë kishin filluar të bënin hesapet për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara së papriturës së hidhur. Ilirët, që ishin futur në liman natën pa u ndier, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe, pasi u rreshtuan në formacion luftarak, u sulën kundër lëmit etol. Me sa duket, ilirët ditën të maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë pa u diktuar. Por, edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t'u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Mund të ketë qenë kështu se në fund të fundit ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia, janë elementë të domosdoshëm të taktikës luftarake. Por këto nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë përshkrimi i Polibit, nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte rreshtimi i tyre dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët ta shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve; medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Ata lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe të gjithë pajisjet e tyre luftarake.

Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, ushtria që krenohej me traditat e saj luftarake për fitoren mbi galët në 270 p.Kr. dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç'pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës, ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe.

Fushata e vitit 230 p.Kr kundër Epirit

Shumë shpejt pas kësaj fushate duket se Agroni vdes dhe trashëgimi në fron i mbeti të birit, Pinit, që ai e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim, nuk e dimë, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t'i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk deshi t'ia kalojë këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë, ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të klasës sunduese ilire, "miqtë" e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta "ushtroi, siç thotë Polibi, drejtimin e punëve".

Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të Shtetit Ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Demetrin. Në vitin 230 p.Kr., një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, "jo më e vogël se ajo e Agronit", u vu përsëri në lëvizje drejt jugut Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht, flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte armike gjithë anëdetjen dhe t'i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Qëllimi duket i qartë: me aksionin e saj të shtrirë flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e Shtetit Ilir ndaj aleatëve të etolëve e aheasve, kurse forcat kryesore do të goditnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Dhe kështu ndodhi. Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t'u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët, të shqetësuar, dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin buzë lumit që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5.000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre, nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq, ilirët që kishin zënë Foiniken, ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundi të shpëtojë e të arrijë, siç na thuhet, tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.

Pas këtij dështimi epirotët humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t'u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikranon (një vend i paidentifikuar, diku në pellgun e Vurgut). Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes tok me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga Qafa e Skërficës për të arritur në Foinike. Të dy palët kundërshtare u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqen nga Epiri, për t'u dalë përpara dardanëve, që po sulmonin nga Lindja, dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.

Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan, nuk mund ta themi, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhshme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundonte. Përfaqësuesit epirotë ia mbërritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akamanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe Shtetit Ilir.

Reagimet në Romë

Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha u dukën ato në Romë. Reagimi romak na është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë, Senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatët për t'u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje që çuan në vrasjen e njërit prej delegatëve, me urdhrin e Teutës rrugës, duke u kthyer. Vetë bisedimet janë dhënë me hollësi të tilla saqë nuk mund të mos vihet në dyshim vërtetësia e tyre. Teutës nga ana tjetër i është veshur një qëndrim mendjelehtë, prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik, i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.

Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon prej atij të Polibit. Sipas tij, Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin, Farin dhe kishte vendosur gamizone në to. Por, meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isasit, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra, në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.

Sidoqoftë, në të dy rastet Romës i bëhet një "fyerje" dhe shkelej e "drejta njerëzore". Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës. Një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsërisë të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Veçse këtë radhë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për fi nënshtruar "por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre".

info@balkancultureheritage.com