E vështirë për të marrë përgjigje është pyetja lidhur më numrin e banorëve të qyteteve arbëre. Ka shumë zbrazëti në njohuritë tona për to. Për sa kohë nuk është matur saktë sipërfaqja e banimit të qyteteve dhe nuk është regjistruar numri i themeleve që janë rrënoja, vlerësimet do të jenë tepër të pasigurta. Burimet dokumentare janë shumë të rralla lidhur me shekullin 14. Krahas fragmenteve të ndryshme nga dokumentet venedike duhet përdorur kadastra e Shkodrës (1416/17), e cila sigurisht ka të bëjë në radhë të parë me fshatin dhe, për Arbërinë e sunduar nga osmanët, Defteri i vitit 1431. Më 1396 kotorasit i shkruanm Venedikut se në qytetin dhe krahinën e tyre banonin 10.000 vetë. Tivari në vitin 1406 donte të tërhiqte një mijë familje e pra rreth katër mijë vetë nëpërmjet ndërtimit të një kulle mbrojtëse në territorin e vet, një numër i rrumbullakët ky që duhet marrë mjaft me rezerva. Per qytetin e Tivarit vlerësohet se ka pasur 2500-3200 banorë, për gjithë qarkun në vitin 1449 5000 banorë. Giusdmani më 1553 numëroi në Ulqin 1600 vetë. Në vitin 1478 rreth 5000 “ciues et habitatores” të Lezhës morën arratinë prej osmanëve drejt Durrësit Në territorin osman në vitin 1431 Gjirokastra kishte 121 vatra, Berati 175, Kanina 216, Përmeti 42, Këlcyra 100 dhe Kruja 125. Në qofte se do ti shumëzonim këta numra për siguri me një faktor katër, bëhet e qartë se këto ngulime nuk kanë patur shumë më tepër se 800 banorë. Rxethana të ngjashme mund të hamendim për “tufën e qyteteve” rreth Shkodrës, sidomos Drishtin dhe Shasin (Suaciumin), por gjithashtu edhe për Lezhën. Balezo, Danja dhe qytetet anë Drinit duhet të kenë qenë edhe më të vogla.
Mund të shërbejë për krahasim Raguza, njëri prej qyteteve më të mëdha të Dalmacisë: më 1400 ky qytet kishte rreth 4200 banorë brenda mureve të qytetit dhe rreth 1800 banorë në rrethinat, më 1450 6500 përkatësisht 3000, e pra afër 10.000 vetë. Të tilla shifra në shekullin 14 dhe 15 nuk i arriti asnjë qytet i Arbërisë. Qytetet e hapësirës bullgare mund të krahasohen në këtë drejtim më shumë me komunat arbëre; kështu për Varnën vlerësohet se ka pasur rreth 2600 banorë, Silistra 2500, Shumeni 1400 dhe vetëm Trnovo, që pa dyshim shërbente si kështjellë strehuese, përfshinte midis 4000 e 5000 vetëve.