Mbretëria e Agronit dhe marrëdhëniet e para me Romën
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Mbretëria e Agronit dhe marrëdhëniet e para me Romën

~Pierre Cabanes

Polibi  e fillon kështu tregimin e tij për ndërhyrjen romake në Iliri: "Mbreti i ilirëve, Agroni, që ishte bir i Pleuratit, zotëronte në tokë dhe në det një fuqi ushtarake më të madhe se askush tjetër nga ata që kishin mbretëruar para tij mbi ilirët". Është bërë zakon që ky mbret të quhet ardian dhe të flitet për mbretërinë e tij si për "një federatë fisnore të ardianëve". Duke dashur që të mbështesë tezën e vazhdimësisë së mbretërve ilirë, F.Papazoglu shkruan: "Kronologjikisht vargu i mbretërve ardianë është zgjatim i vargut të mbretërve të lashtë ilirë. Pleurati, babai i Agronit, mund të jetë bir ose vëlla i Mytilit" . Kurse N.G.L.Hammond e afron këtë Pleurat më shumë me gjyshin e tij që mban të njëjtin emër,  i cili luftoi kundër Filipit II më 345/44; kemi parë se ky Pleuria-Pleurat vinte, në fakt, nga rajoni veriperëndimor dhe kjo lidhje farefisnore nuk është e pamundur; kjo familje duket thjesht se nuk është ndjerë për gati një shekull, në periudhën kur Kliti, pastaj' Glaukia duket se marrin në dorë, njëri pas tjetrit, drejtimin e ushtrive ilire, të grumbulluara në pjesën që nuk ishte pushtuar nga maqedonasit apo që nuk I ishte nënshtruar autoritetit të tyre. A ka luajtur Pleurati, ati i Agronit, një rol të rëndësishëm? Këtë nuk mund ta themi, pasi ai shfaqet në burimet e lashta vetëm si ati i Agronit, i cili nuk doli nga hiçi por është një trashëgimtar që, thjesht, arrin ta shtrijë pushtetin e tij më larg se sa të parët e tij (babai dhe stërgjyshi i tij, nëse i tillë është rasti i Pleuria-Pleuratit, aktiv në periudhën 345/44).

Fuqia ushtarake, që Polibi i atribuon Agronit, nuk mund të mbështetet në Ilirinë lindore, sepse Maqedonia e antigonëve nuk ka lëshuar asgjë nga territoret që i janë bashkuar Maqedonisë apo që janë nënshtruar dhe vendosur nën mbrojtjen e mbretërve antigonas, nuk mbështetet as në pjesën jugore të po kësaj Ilirie ende epirote deri në rënien e dinastisë aiakide. Në këto rrethana, forca e Agronit nuk mund të vijë veçse nga popuj të vendosur më në veri, veçanërisht nga labeatët rrotull Skodrës dhe ardianët përtej territorit të labeatëve, në Malin e Zi të sotëm; nëpërmjet tyre mbretëria e Agronit është në kontakt me dardanët që duket se përbëjnë një rrezik serioz për ilirët e Agronit, ashtu si për Maqedoninë e Demetrit II.

Përballë varfërisë së madhe të të dhënave nga tekste të vjetra lidhur me këtë mbretërim, Ed.Will  thekson se "dëshmitë për veprimtarinë e tij në Greqi ndërpriten rreth viteve 236/ 5'V Demetri II me sa duket kërcënohet në kufijtë e tij veriorë nga dardanët, të cilët nga ana e tyre janë nën trysninë e bastarnëve. Ky kërcënim shpjegon thirrjen që Demetri II i drejton Agronit që ky të ndërhyjë në Medion, qytet i Akarnanisë veriore, i rrethuar nga etolët. Mbreti maqedonas nuk është në gjendje të luftojë njëkohësisht kundër dardanëve në veri dhe kundër  etolëve në Akarnani, prandaj ai paguan Agronin që ta bëjë këtë në vend të tij, çka dëshmon për marrëdhëniet e mira midis dy mbretërve.

Ekzistenca e kësaj marrëveshjeje bën që presioni dardan të rëndojë edhe mbi mbretërinë e Agronit: Polibi e paraqet këtë mjaft qartë, kur mbas pushtimit të Foinikes, ai e përshkruan mbretëreshën Teuta të detyruar të thërrasë urgjent trupat e saj, sepse disa ilirë po dezertonin dhe po kalonin në anën e dardanëve. Këta të fundit janë armiqtë e përbashkët të Agronit dhe të Demetrit II dhe kontribuojnë në afrimin midis maqedonasve dhe ilirëve. Merren me mend, pra, përmbysje të mëdha në gadishullin ballkanik: zhvendosjet e popujve nga Danubi prishin ekuilibrat e vendosura më në jug, dhe pasojat i vuajnë maqedonasit dhe ilirët, në fakt më shumë të parët se sa të dytët ngaqë Demetri II vritet me sa duket në betejë në fillim të vitit 229 dhe dardanët pushtojnë

Maqedoninë nga veriu. Pasi iu kërkua të ndërhyjë në Akarnani, Agroni dërgoi, nga deti, njëqind lemboi me pesëmijë ilirë të cilët zbarkojnë në bregun jugor të gjirit të Ambrakisë dhe prej andej mbërrijnë afër Medionit të rrethuar nga ushtria federale etolase. Qysh nga ndarja e Akarnanisë midis etolëve dhe Aleksandrit II të Epirit (253/52), Medioni bënte pjesë në zonën që i ishte bashkuar Epirit, por revolucioni i Ambrakisë, vdekja e Deidamesë, mbretëreshës së fundit aiakide, bënë që epirotët të tërhiqen dhe ky boshllëk pushteti në Akarnaninë veriperëndimore çoi në sulmin etolas, për ta futur gjithë Akarnaninë në gjirin e Koinonit të madh të etolëve. Rezistenca e banorëve të Medionit nuk mund të vazhdonte dhe etolët ishin duke pritur fundin e rrethimit, kur ndihma e papritur e ilirëveçoi në disfatën etolase dhe në çlirimin e qytetit të rrethuar.

Polibi nënvizon se ilirët përdorin një taktikë tipike të tyren: ata nuk kërkojnë të bëjhë një betejë të organizuar, siç prisnin etolët; ata përparojnë me njësi të ndara që vihen në ndjekje të këmbësorisë së lehtë dhe kavalerisë duke rrethuar pjesën më të madhe të tyre; pas kësaj, ata vërsulen me tërbim, nga të gjitha anët, mbi etolët të rreshtuar si një falangë hoplite. 

Fitorja e tyre është e plotë dhe ata marrin armë e gjithë ç'gjejnë: sakaq, e tërë plaçka ngarkohet mbi lemboi dhe gjithë trupa e ekpeditës kthehet, duke e lënë gojëhapur qytetin e Medionit nga ky shpëtim i papritur. Asambleja e qytetarëve vendos që të bëhet dedikimi i armëve, në një kohë kur Akarnania e pavarur ende nuk është riorganizuar, në gjysmën veriperëndimore të vendit që u ka takuar aiakidëve të fundit.

Për Agronin dhe luftëtarët e tij kjo fitore është e një lloji të ri dhe sigurisht luan rol në shtimin e oreksit të ilirëve për plaçkë lufte, sepse ata gjykojnë se flota u siguron atyre një shkathtësi veprimi që forcat tokësore nuk e kanë aspak, trupa që zhvendosen ngadalë dhe nuk të japin mundësi të luash me taktikën e befasisë ndaj kundërshtarit. E para gjë që na zbulon kjo fushatë, është ekzistenca e një flote të madhe: sigurisht, nuk është fjala për anije trirremëshe, por për anije më të vogla, të afta gjithsesi, të mbartin pesëdhjetë ushtarë secila, si dhe një plaçkë të madhe lufte gjatë kthimit. Konkluzioni i parë që nxirret nga kjo është se fuqia e Agronit nuk lind papritur më 231 kur ai ndërhyn në Medion; flota e tij në atë moment është plotësisht operative, çka tregon se ushtarët janë mësuar me udhëtime të gjata. Duke përmendur këtë forcë detare, preket gjithashtu tema, kaq shpesh e debatuar, e piraterisë ilire, ose të paktën e përgjegjësisë së autoritetit publik, e mbretit, në këtë pirateri, që mund të ishte edhe vepër e individëve që punonin për llogari të tyre.

info@balkancultureheritage.com