Për këtë mbret i cili rrjedh në linjë të drejtpërdrejtë nga Skerdilaidi, dihen pak gjëra, përveç aleancës së tij të vonuar me Perseun dhe disfatës së tij përballë romakëve. Apiani e cilëson atë si "mbret i ilirëve të tjerë", thua se ai mbretëronte mbi popuj të tjerë e jo mbi ata për të cilët ky autor ka folur më parë, d.m.th. ata të mbretërisë së Agronit: në realitet, domeni i tij është ai që i ati i lë trashëgim në shtratin e vdekjes, ai organizohet përreth Skodrës, që duket se është kryeqendra e kësaj mbretërie; ai kufizohet në jugperëndim nga qytetet koloniale të Epidamn-Dyrrahut, Apollonisë dhe Orikut të cilat Roma i mbron me qëllim që të mund t'i përdorë portet e tyre sa herë që kjo është e nevojshme; si rrjedhojë, krahinat fqinjë, si koinon-i i bylinëve, Amantia, Olympe, koinon-i i balaitajve, dhe ndoshta edhe i atintanëve, por këtë nuk mund ta themi me siguri, mbeten jashtë autoritetit mbretëror dhe mund të kenë institucionet e tyre, dhe disa, si bylinët, amantët, olympasit, kanë mundësi të presin monedhat e tyre të bronzit, por duke përdorur njëkohësisht edhe monedhat e argjendit të Apollonisë, Dyrrahut, të koinon-it të epirotëve. Në lindje dhe juglindje, mbretëria e Gentit kufizohet me Maqedoninë, ku Filipi V është zëvendësuar më 179 nga biri i tij Perseu.
Në veri, në kundërshtim me pohimin e nxituar të Polibit, të cilin e kemi cituar pak më lart, dalmatët nuk dalin menjëherë nga mbretëria e Gentit me ardhjen e tij në fron: revolta e tyre duhet të jetë pak më e vonë, përderisa më 181, sipas Tit Livit, pretori L.Duroni thotë se qytetarët romakë janë mbajtur peng nga Genti në Korkyrë; nuk mund të jetë fjala për Korfuzin e sotëm i cili është në duart e romakëve që prej vitit 229, por me siguri për Korkyrën e Zezë, që Genti kontrollon, pra në fiilim të mbretërimit të tij. J.M.F. May nënvizon se ardhja në fron e këtij princi ka përkuar me një ndryshim të dukshëm të politikës ilire : besnikëria, edhe pse e vakët, ndaj Romës që Pleurati vazhdimisht ka manifestuar i lë vendin vullnetit për pavarësi dhe një farë moskokçarje që të kujton qëndrimin e Agronit dhe të Teutës gjatë luftës së parë të Ilirisë. Ky qëndrim i ri shfaqet, fillimisht në formën e një rinisjeje të piraterisë në detin Adriatik, e cila është vënë në dukje nga Tit Livi, gjatë zgjedhjeve të vitit 181: banorët e Tarentit dhe të Brindizit ankohen për sulmet e piratëve të përtej detit në brigjet e tyre, çka lë të kuptohet se këto plaçkitje kanë rinisur të paktën që prej vitit 182. Dhe këta piratë vijnë pikërisht nga mbretëria e Gentit, siç pohon pretori L.Duroni kur kthehet nga ekspedita e tij në Iliri, meqë mosbindja e këtij mbreti arrin deri aty sa të mos i presë ambasadorët romakë. Në vitet që pasojnë situata nuk përmirësohet, përderisa, më 178, "për të luftuar kundër flotës së ilirëve, u krijuan duumviri navales* " me një forcë detare në Ankona për të mbikqyrur brigjet deri në Tarent në jug dhe Akuila në veri.
Kjo pirateri e re ilire mund të kuptohet në mënyra të ndryshme: S.Islami mendon se "politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me të gjithë ashpërsinë e saj që në vitet e para të mbretërimit të tij": akuzat për pirateri, për dhunë ndaj qytetarëve romakë, nuk janë veçse dëshmi të zemërimit të romakëve kundër këtij mbreti, predispozitën e mirë të të cilit S.Islami nuk e ve në dyshim; ai mendon, përkundrazi, se romakët i krijojnë atij vështirësi të brendshme, duke nxitur revoltën e dalmatëve që e kemi përmendur tashmë, dhe ndoshta duke shtyrë princin Plator kundër vëllait të tij mbretit Gent i cili detyrohet ta vrasë, gjë që të kujton çuditërisht vrasjen e Demetrit nga vëllai i tij Perseu. Nuk dihet asgjë për një prishje me Romën sa ishte gjallë Pleurati, por mund të mendojmë se me kalimin e kohës tutela romake është bërë gjithnjë e më e rëndë, pra më e padurueshme për ilirët, për më tepër që fuqia e tyre po rritej falë përpjekjeve të bëra që prej fundit të luftës së dytë të Maqedonisë: njëzet vjet paqeje kanë shërbyer për një rimëkëmbje të ndjeshme, ndërsa Roma ndërhyn në çdo çast në punët e shteteve greke dhe mbështet hapur një parti pro-romake në secilin prej këtyre vendeve. Ka mundësi që mbreti i ri t'u ketë lënë qytetarëve të tij më shumë liri për t'iu rikthyer piraterisë detare si dhe të ketë qenë i tunduar të afrohet me Perseun e Maqedonisë; por nuk ka asnjë arsye që ky afrim të vendoset shumë herët në kohë: vetëm një delegacion i Isas, rreth vitit 172, e paraqet aleancën e Gentit me Perseun si një realitet.
Numizmatika dëshmon për këtë vullnet për pavarësi dhe madhështi të manifestuar nga mbreti Gent : q'ë prej Mytilit, rreth vitit 270, asnjë mbret ilir nuk kishte prerë monedha me emrin dhe me portretin e tij. Genti e bën këtë si në Skodër edhe në Lis dhe S.Islami ka të drejtë kur thotë që të dy qytetet e humbasin gradualisht autonominë e tyre monetare në favor të mbretit i cili vazhdon të presë tri tipe monedhash:
- tipi i parë ka, në faqe, portretin e mbretit dhe, në shpinë, anijen ilire, legjendën dhe titullin e tij mbretëror të shoqëruar me emrin e tij në rasën gjinore ;
- i dyti ka, në faqe, mburojën dhe, në shpinë, helmetën, titullin dhe emrin e mbretit;
- i treti ka, në faqe, Artemisën dhe, në shpinë, rrufenë, titullin dhe emrin e mbretit.
Tipi i dytë mund të përafrohet me monedhat maqedonase, dhe në të është parë një dëshmi e ndikimit maqedonas mbi mbretërinë e Gentit; thjesht le të kujtojmë se tetradrahmja e mbretit Monun ishte e tipit maqedonas, gjë që mund të favorizonte shkëmbimet e ilirëve me Maqedoninë.
Por ajo që kryesisht duhet vlerësuar. është ky afirmim i pushtetit mbretëror nëpërmjet këtyre prerjeve monetare që deri atëherë asnjë princ i kësaj dinastie nuk kishte guxuar të ndërmerrte. Në të njëjtën kohë Genti i lejon labeatët dhe daorsët të presin monedhë me emrin e ethnos-it të tyre, por që ato të kenë portretin e mbretit në faqen e monedhës dhe të jenë të së njëjtës peshë me monedhat mbretërore. Kurse Rizoni vazhdon të presë monedha argjendi dhe Lyhnidi monedha bronzi, pa portretin mbretëror, thua se këto qytete gëzonin një autonomi më të madhe.
Roma sigurisht është e shqetësuar tek sheh konsolidimin e mbretërisë së Gentit, rikthimin e begatisë së saj; një afrim me Perseun do të përbënte një kërcënim për ekuilibrin e arritur në këtë rajon pas betejës së Kinoskefalës: mbretëria e Pleuratit ishte zgjeruar, por me misionin e qartë që të mbikqyrte Maqedoninë dhe të mbronte protektoratin romak nga çdo sulm tjetër maqedonas. Kur Perseu dhe romakët u prishen me njeri tjetrin, për shkak të ambasadorëve të tyre, pesë të dërguar romakë, në vjeshtën e vitit 172 kalojnë në Korkyrë me një mijë këmbësorë dhe ndajnë me njëri-tjetrin trupat dhe krahinat ku ato do të shkojnë; i pari, L.Decimi shkon pranë Gentit, me shpresë që të sigurojë asnjanësinë e tij, ndoshta edhe aleancën e tij ushtarake, çka tregon se banorët e Isas e kanë tepruar me akuzat kundër Gentit; ky nuk e ka bërë ende zgjedhjen e tij, heziton midis afrimit me Romën, asnjanësisë dhe aleancës me Maqedoninë. Ndofta ai e zvarrit këtë vendim për të fituar kohë, meqë ende nuk e ka përfunduar përgatitjen e ushtrisë së tij. Nëse të dërguarit romakë u kërkojnë epirotëve, të mbledhur në Gitana, të dërgojnë 400 djem të rinj që të shkojnë në Orestidë për të penguar një rikthim të maqedonasve, kjo nuk duhet interpretuar medoemos si një shprehje mosbesimi ndaj ilirëve, sepse orestët kanë pasur gjatë gjithë kohës lidhje të ngushta me epirotët.
Pothuajse në të njëjtin moment, 5000 këmbësorë dhe 300 kalorës romakë zbarkojnë në Apolloni, nën komandën e Sicinit që e vendos kampin e tij në Nymfeion, në territorin e Apollonisë dhe, ndonëse vjeshtë, 2000 ushtarë nisen që andej për të pushtuar castella-1 e dasaretëve dhe të ilirëve, me sa duket në rajonin e liqenit të Ohrit, pra, në troje që ishin të paktën në një pjesë të madhe të Gentit, i cili nuk nxjerr pengesa, gjë që dëshmon për asnjanësinë e tij në këtë fazë të fillimit të luftës së tretë të Maqedonisë, e cila do të bëhet edhe lufta e tretë e Ilirisë. Pas një takimi të Perseut me të dërguarit romakë, arrihet në një armëpushim i cili favorizon planet e romakëve dhe u lë atyre kohë që të përfundojnë përgatitjet për luftë.
Në pranverën e vitit 171, vëllai i pretorit C.Lukreti niset më përpara për të mbledhur anijet aleate; ai kalon në Dyrrah dhe gjen të grumbulluara dhjetë lemboi të qytetit, dymbëdhjetë të Isas dhe 54 të mbretit Gent, dhe Tit Livi shton: "Ai u shtir sikur e besoi që ato i kishin bërë gati për romakët", i nisi të gjitha për në Korkyrë dhe më pas për në Kefaleni; një grumbullim i tillë të habit, sepse nëse banorët e Dyrrahut dhe të Isas u qëndrojnë besnikë romakëve, kjo nuk mund të thuhet me kaq siguri për Gentin, por sidoqoftë prania e anijeve të tij në portin e Dyrrahut nuk do të thotë se mbreti ilir po orvatej të pushtonte qytetin e madh. Genti heziton akoma: misioni i L.Decimit në Iliri nuk u kurorëzua me sukses, meqë edhe u dyshua se ai kishte marrë para "nga mbretërit ilirë", sipas shprehjes së Tit Livit i cili duket se kërkon të nxjerrë në pah ekzistencën e dinastëve pak a shumë të pavarur nga Genti: unë do të shihja këtu pa hezitim pikë-takimin e dy rrymave: atë të ilirëve gjithnjë të gatshëm për t'u përçarë kur nuk kanë në krye një prijës energjik siç kanë qenë Skerdilaidi dhe i biri Pleurati, dhe rrymën e nxitur nga politika romake, që përpiqet të krijojë ndaj Gentit rivalë tek të cilët Roma mund të mbështetej, siç ka bërë në Epir, në Akarnani, në Ahaia, etj.; një nga këta përkrahës të Romës mund të ishte një iarë Artetauri, dinast vrasja e të cilit i atribuohet Perseut dhe të cilit nuk i dihet principata.
Në këto kushte, kuptohet pakënaqësia e Gentit ndaj romakëve që mbjellin përçarjen në gjirin e mbretërisë ilire për të shkëputur nga Genti një numër dinastësh të vegjël dhe për të krijuar me ta një parti romake e cila mund të bëjë më të lehtë politikën e tyre. A kishte Genti të tjera synime duke dërguar 54 anije në Dyrrah ?
Kjo nuk do të dihet kurrë; një gjë është e sigurt, pretori romak manovron me shkathtësi për të parandaluar një agresion të mundshëm nga deti dhe, në të njëjtën kohë, për të përforcuar flotën e vet. Po në pranverën e vitit 171, ushtria nën komandën e konsullit shkel në territorin e Apollonisë dhe vendos kampin e saj afër Nymfeut ashtu si dhe pararoja e dërguar në vjeshtën e një viti më parë; që andej, ajo përshkon Epirin, pastaj Thesalinë dhe fushata rrjedh pa lavdi për Romën, gjë që dobëson besimin e miqve të Romës dhe, nga ana tjetër, mund të inkurajojë përkrahësit e Perseut. Por, në Iliri, Tit Livi përmend operacionet e drejtuara nga një legat i ngarkuar të rrethojë dy oppida me pasuri të shumta: e para, me emrin Geramia u pushtua, e dyta, Karnunti, rezistoi aq mirë sa romakët u detyruan të mjaftohen vetëm me plaçkitjen e të parës. Këto dy fortesa nuk janë identifikuar dhe duhet të kufizohemi vetëm me vëzhgimin se është Roma ajo që merr iniciativën e operacioneve të lufitës në territorin ilir dhe se, për momentin, Genti duket se nuk reagon për këto shkelje të aleancës së tyre, apo të asnjanësisë së mbretërisë së tij.
Në pranverën e vitit 170, meqenë se nukkishte besim tek Genti, Roma dërgon 18 anije dhe 2000 ushtarë për të forcuar mbrojtjen e Isas që deri atëhere mbështetej vetëm në dy anije; më pas konsulli Hostili dërgon në Iliri Ap.Klaudin me 4000 ushtarë ; ai arrin të rekrutojë edhe 8000 burra tek aleatët dhe shkon e vendoset në Lyhnid që Tit Livi e cilëson si dasarete, në një kohë kur ky qytet nuk u përket dasaretëve, por gërmat e fjalës 'Lychnidos' nuk shquhen qartë ; le të themi pra që romakët pushtojnë një lokalitet të Dasaretisë, duke ngushtuar edhe më shumë zotërimet e Gentit në juglindje të domenit të tij. Me shpresën për të pushtuar qytetin e fortifikuar të Uskanas që ia premtonin disa emisarë të ardhur nga ky qytet, Ap.Klaudi drejtohet për atje pa i marrë masat që normalisht nevojiten në një territor të pasigurt dhe pëson një disfatë të rëndë e cila e detyron të tërhiqet në Lyhnid me ata që kishin mbetur gjallë.
Dimrin që pason, Perseu ndërrmer një ekspeditë të gjerë në Ilirinë e Jugut : ai ka siguruar mbështetjen e Kotyut, mbret i Thrakisë kurse, në Epir, koinon-i është i ndarë në përkrahës të Karops të Riut, aleat i romakëve, dhe që mbiedh rreth tij kaonët dhe një pjesë të thesprotëve, dhe në përkrahës të magjistratëve të atjeshëm, si Kefalos, Antinou dhe miqtë e tyre besnikë ndaj aleancës maqedonase, për më tepër që ata janë mjaft të indinjuar nga sjellja e romakëve në shtetet greke. Sipas Tit Livit, Perseu merr fillimisht Uskanën dhe kjo vërtet të habit, sepse lë të nënkuptohet që mbas dështimit të rëndë të Ap.Klaudit në fillim të verës, romakët kanë mundur ta pushtojnë qytetin para dimrit 170/169 :
Perseu do të zinte robër 4000 romakë dhe 500 ilirë. Që andej, mbreti maqedonas që synon t'i afrohet vendit të labeatëve, pra krahinës së Skodrës, merr një kala të quajtur Draudaku, nënshtron fortesën Oenea dhe pushton edhe njëmbëdhjetë fortesa të tjera : 1500 romakë u zunë robër. I inkurajuar nga këto suksese, Perseu dërgon tek Genti një delegacion të përbërë nga një ilir i quajtur Pleurat, i cili jetonte në mërgim në oborrin e tij (nuk dihet nëse ai i takon familjes mbetërore të Gentit, edhe pse emri Pleurat përdoret shpesh në këtë familje) dhe nga një maqedonas i quajtur Adeu nga Beroja; i pari, meqenëse flet gjuhën e vendit shërben si përkthyes, gjë që vë në pah se në oborrin e Gentit flitet një gjuhë tjetër, dhe jo greqishtja. Perseu ngarkon ambasadorët e tij t'i tregojnë Gentit për fitoret e arritura kundër romakëve, dardanëve, madje edhe në Iliri kundër garnizoneve romake dhe ilirëve që bashkëpunonin me ta, dhe se Epiri përkrahte pjesërisht kauzën maqedonase ; në këtë mënyrë mbreti maqedonas shpreson t'i mbushë mendjen Gentit që të lidhen se bashku me një traktat aleance dhe miqësie.
Më pas, Polibi, të cilit Ti t Livi i referohet besnikërisht, përshkruan kalimin e malit Skardi, pastaj të Shkretëtirës ilire, krahinë në veri të burimeve të Vardarit e shkretuar nga maqedonasit që të pengonin pushtimin e Maqedonisë dhe Ilirisë nga dardanët. Genti, i cili nuk ndodhet në Skodër, e pret delegacionin në Lis: ai shprehet i gatshëm të bëjë aleancë me Perseun kundër romakëve por i nevojiten para. Në vend që t'i përgjigjet kërkesës së Gentit, Perseu dërgon edhe një herë tjetër delegacionin në të cilin këtë herë bën pjesë edhe truproja e tij Glaukia, por Genti i jep të njëjtën përgjigje : "ai ishte i gatshëm të bashkohej me Perseun, por i nevojiteshin para". Perseu dërgon një mision të tretë që të arrijë një marrëveshje për ato pika për të cilat ata ishin dakord, por duke lënë mënjanë çështjen financiare. Duket qartë që ky projekt aleance mbetet pezull në këtë fillim të vitit 169 : Genti nuk është i gatshëm të kalojë në anën e Perseut në një luftë rreziqet e së cilës i merr sigurisht me mend, cilido qoftë fituesi.
Në dimrin e vitit 169, situata e romakëve në Ilirinë e Jugut dhe në Epir nuk është e kënaqshme, sa që edhe territore që dikur bënin pjesë në protektoratin romak nuk janë shumë të sigurta: romakët u kërkojnë pengje penestëve dhe i dërgojnë ata në Apolloni, ndërsa pengjet e parthinëve dërgohen në Dyrrah. Operacionet e drejtuara nga Ap.Klaudi në orvajtje për të marrë Fanoten në Epir përfundojnë pa sukses, ndërsa, nga ana tjetër, epirotët, besnikë ndaj aleancës maqedonase, i shkaktojnë një disfatë të rëndë kaonëve pro-romakë në portat e Antigonesë, në luginën e Drinos. Ap.Klaudi detyrohet të dimërojë tek parthinët, ndërkohë që, sipas Tit Livit.
Perseu dërgon tek Genti delegacion pas delegacioni. Fushata e konsullit Q. Marci Filipi, më 169, nuk arrin ndonjë sukses të madh; duhet nënvizuar se portet ilire janë braktisur për t'i dhënë më tepër rëndësi gjirit të Ambrakisë, më afër Thesalisë, dhe nga ana tjetër duhet vënë në dukje prania e 2000 penestëve ilirë që ishin dërguar nga Pleurati për garnizonin në Kasandra: a është fjala për Pleuratin, të atin e Gentit, që do të thoshte se ky garnizon ndodhej atje që prej 15 vjetësh, për Pleuratin që bën pjesë në delegacionin e dërguar tek Genti, apo për një tjetër Pleurat, të panjohur ?
Kësaj pyetjeje është e vështirë t'i japësh përgjigje. Nga ana e frontit ilir, raportimi që i bëhet Pal-Emilit duket se e vlerëson siç duhet situatën: "Nëse Ap.Klaudi do të kishte pasur një ushtri të fortë në rrethinat e Lyhnidit, ai do ta kishte çoroditur mbretin me krijimin e një fronti të dytë: por tani Apit dhe trupave që ka me vete u kanoset një rrezik vërtet i madh, nëse pa humbur kohë nuk dërgohet në këtë vend një ushtri me efektiva të plota ose nëse nuk tërhiqen prej andej këto trupa".
Perseu, duke parë se kërcënimi romak po afrohet, kupton më në fund që është koha për t'i bërë Gentit lëshimet e nevojshme që ai të hyjë në luftë: Perseu dërgon Hipian, në fund të verës së vitit 169, i cili kur kthehet i raporton se Genti kërkon treqind talenta për t'u angazhuar krah mbretit maqedonas. Perseu dërgon atëherë një ambasador të një rangu më të lartë, Pantauhun, që mban titullin e një prej Philoi-vt të parë, çka ve në dukje, në oborrin maqedonas, këmbënguljen e këtyre Miqve të mbretit të cilët janë dhe këshilltarët e tij më të afërt. Takimi zhvillohet në Meteon, në veri të Skodrës, në territorin e labeatëve; Genti angazhohet në aleancë me premtimin se do të merrte treqind talenta, ai bën betimin, dorëzon pengjet dhe dërgon Olympionin pranë Perseut që të marrë, si shkëmbim, betimin e Perseut, pengjet e tij dhe treqind talentat. U ra dakort gjithashtu që ilirët të marrin pjesë në një mision tek rodasit për t'i bindur këta të fundit të hyjnë në luftë. Pantauhu qëndron pranë Gentit që ta këshillojë gjatë kohës që ai përgatitet për luftë në tokë dhe në det. Parmeni dhe Morhu, të dërguarit e Gentit në Rod, priten me shumë konsideratë, në pritane nga rodasit që i presin ata: Genti ka luajtur sigurisht një rol të madh për t'i bindur rodasit që të hyjnë edhe ata në luftë krah Perseut.
Më pas, Perseu duket se e vret më shumë mendjen si të mos i japë paratë që kishte premtuar: ai humbet kështu mundësinë e një aleance me Eumenin e Pergamit, mbetet dhe pa përforcimet e bastarnëve të gatshëm të shërbejnë si mercenarë dhe, së fundi, i del nga fjala Gentit, duke i çuar atij 10 talenta dhe duke mbajtur gjithë pjesën tjetër të shumës, nga dita që Genti burgosi dy të dërguar romakë; ai mendon se me këtë që ka bërë Genti ka shkuar tashmë shumë larg në angazhimin e tij dhe nuk mund të tërhiqet. I zhgënjyer nga kopracia e aleatit të tij, Genti do të tregohet një aleat fare i padobishëm, në një kohë kur lemboi-xë e tij mund të kishin kërcënuar brigjet ilire dhe epirote dhe si pasojë t'ua prisnin romakëve rrugët e komunikimit.
Mbërritja e konsullit të ri, Pal-Emilit, në Maqedoni, në fund të pranverës së vitit 168, i jep luftës një zhvillim vendimtar; në Iliri, pretori L.Anici i zë vendin Ap.Klaudit. Operacionet në Iliri nisin madje para mbërritjes së pretorit të ri: Genti mbledh ushtrinë e tij prej 15 000 burrash në Lis; është një efektiv sa gjysma e atij që mund të rreshtojnë romakët në të njëjtin sektor fronti. Genti dërgon vëllain e tij, Karavanti, me një mijë këmbësorë dhe pesëdhjetë kalorës për të nënshtruar ethnos-in (gens) e kavëve ndërsa ai vetë marshon drejt Basanias, 5000 hapa nga Lisi, ndoshta pranë grykderdhjes të lumit Mat, paksa në jug të Lisit, banorët e të cilit janë përkrahës të romakëve. Ap.KIaudi i shton ushtrisë së tij luftëtarë të rekrutuar tek bylinët, apolloniatët dhe në Dyrrah (171) dhe shkon të vendosë kampin afër Genusit (Shkumbinit). Në këtë kohë mbërrin në Apolloni pretori i ri L.Anici; ai i shton ushtrisë së tij luftëtarë parthinë dhe po përgatitej të marshonte për të çliruar Basanian kur lajmi se flota e Gentit kishte bërë kërdinë në territoret e Apollonisë dhe të Dyrrahut e detyron atë të marrë masa të ngutshme.
Edhe pse vazhdimi i tekstit tëTit Livit është me mungesa, për lexuesin është e qartë se papritur punët e Gentit marrin për keq : qytetet e krahinës dorëzohen njëri pas tjëtrit, dhe ushtria romake mbërrin përballë Skodrës. Kalaja i siguronte Gentit një mbrojtje të fortë; por në vend që të qëndrojë brenda saj, ai pranon luftimin jashtë mureve të kalasë dhe pëson një disfatë të plotë. Pas një pezullimi të luftimeve që zgjati tri ditë, Genti i dorëzohet pretorit. Ky i fundit jep urdhër që të arrestohet në Meteon e gjithë familja e mbretit dhe Genti dhe pas një lufte që zgjat fare pak, të tijët dërgohen në Romë.