Është me interes të theksojmë se dekorimi me këtë këna dallohet nga motivet e tjera të kënasë. Në të dominojnë motive mjaft të lashta të quajtura nga vendaset “ernek fejri” (Rakovec, Tetovë), yrnek firi e gjetha, bishta dallëndyjshi (Tanushë, Bogdi, Reka e Epëreme, Gostivar), Jernet me kronde, pejka-pejka, koma pule etj. (Simnicë, Gjonovicë, Gostivar), motive “me dega e me pejka” (Radushë, Shkup), motivi me krohna” (Brodec, Bozovcë, Vicë, Tetovë), ai Lake leçe (Orashë, Tetovë), Bishta zogji, Poroj, Tetovë, Me hajmali e vija, Rrathë e pika (Tanushevcë, Shkup), jernek me lule (Gostivar). Shumë motive nga Këna e gurit bartin kuptime nga kulte të lashta të popullit tonë si simbolin e diellit, hënës. Pasqyrim elementesh të mjedisit dhe të natyrës si fieri, gjethe, lule etj. Në fotografitë që kemi bërë gjatë ekspeditës, nga ana e vajzave është vizatuar pjesa e fytyrës ku duken mbi vetulla vija të gjata të stolisura. Janë zbukuruar me pika dy mollëzat e faqeve. Dukshëm vërejmë se ato simbolizojnë diellin në poziconet e tij në botën reale. Në fshatin Tanushevcë të Shkupit, me këna guri janë vizatuar duart e vogëlusheve deri në moshën 13-vjeçare. Motivet rrethore (motivet solar) kanë qenë të lidhura me mite e besime të stërlashta. Por ky kuptim fillestar i tyre ka humbur me kohë dhe ato kanë mbetur tashmë thjesht si motive dekoracioni. Gjatë ekspeditës së bërë në fshatin Llaskarcë të Shkupit, vajzat beqare me këna guri vizatojnë mbi duar gjysmëhënën, motive flore. Që këto shfaqje të kultit të diellit e të hënës tek ne kanë origjinë të lashtë, kjo s’ka asnjë dyshim. Nga Herodoti na dëshmohet se në luginën e Vjosës mbaheshin në një shpellë një tufë dhensh të njëjta kushtuar diellit. Etnologu M. Tirta thotë se pikërisht në një vend siç është Malësia e Labërisë, ku kulti i diellit me maja të larta është shumë i dukshëm dhe te shqiptarët. Një element me rëndësi për kultin e diellit është dhe tatuazhi, i cili na dëshmohet pothuajse në gjithë Shqipërinë. Në të mirë të origjinës ilire të kultit të majave të larta na flasin edhe dëshmitë arkeologjike.
Një mbështetje na jep edhe mis Edith Durham, e cila ka bërë kërkime të posaçme në lidhje me tatuazhin dhe simbolet e vizatuara në Shqipëri. Ajo vëren se shumica që kanë tatuazh në kurrizin e dorës në parakrah, në gjoks, kanë një gjysmëhënë sipër e poshtë tij ose krahët mbarojnë me rrathë të vegjël ashtu si në monedhat bizantine7. Autorja mendon se këtu kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit ndër ilirët dhe se tatuazhi s’ka të bëjë fare me grekët, as me romakët e as me sllavët që erdhën më vonë në këto anë. Gjithashtu ky mendim gjen mbështetje te Herodoti, Straboni, Ciceroni e Plutarku, të cilët na bëjnë të ditur se tatuazhi ishte një zakon i japodëve dhe i gjithë fiseve të tjera ilire e trake. Ballafaqimi i motiveve të ndryshme të diellit që na japin dëshmitë etnografike, me ato që na jep arkeologjia dhe autorët antikë, na lejojnë të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi të simbolikës së diellit që nga ilirët, në mesjetë e deri në ditët tona, dhe se kjo simbolikë dikur është përdorur në funksionin magjik, mbrojtës fatsjellës. Edhe në foto shihet se mbi duart e vogëlusheve me kujdesin më të madh është vizatuar forma e amuletës. Këtë formë e hasim në fshatin Radushë të Shkupit. Edhe tek Ilirët amulete e këtij lloji janë shumë të përhapura. Ato kanë trajtën e një disku të thjeshtë pa rreze, pastaj me katër rreze dhe me më shumë rreze, që kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit ndër ilirët.