Tifoni është, pra, i mundur, i çbërë nën peshën e varrit ku e rroposi Zeusi. Ndoshta kufoma e tij është degdisur atje ku janë burgosur tashmë Titanët, domethënë në Tartar, çka do të qe shumë normale, meqë Tifoni është i biri i Tartarit. Mbase edhe do të mbetet i dergjur nën ato blloqe të stërmëdha mali që i janë hedhur sipër, në veçanti Malit Etna. Tifoni gjendet i ndryrë në rrënjët e Etnës, i lidhur fort poshtë vullkanit që, kohë pas kohe, lëshon shtëllunga tymi, llavë përvëluese a flakë. A të jenë vallë këto mbeturina të rrufesë së Zeusit që vazhdojnë të nxjerrin flakë? Apo ndonjë shfaqje paudhësie e Tifonit? A është vërtet ai që sjell këto dridhje të Etnas, në këtë llavë që del prej thellësive nga ku diçka që zien gëlon në sipërfaqe, kjo gjë do të provonte se ajo që përfaqëson Tifoni si fuqi e pështjellimit, nuk është zhdukur plotësisht pas shpartallimit të tij, as edhe pas paralizimit a vdekjes së vet.
Njëri nga versionet e kësaj rrëfenje, që ia vlen të nënvizohet, është se nga kufoma e Tifonit shpërthejnë tufane e stuhi, të cilat janë shprehje në sipërfaqe të tokës e sidomos të detit, të asaj çka Tifoni do të kishte përfaqësuar për gjithësinë, po të kishte dalë fitimtar. Sikur Tifoni të kishte fituar ndaj Zeusit, gjithësisë do t’i qe bërë një dëm pa shërim, një e keqe absolute do ta kishte pushtuar gjithësinë. Edhe tani që është mundur, që është nxjerrë jashtë loje, prapë diçka prej tij ka mbetur, jo më te perënditë, por te njerëzit e gjorë. Nga Tifoni, brofin papritmas, pa ndonjë paralajmërim, tufane të tmerrshme që nuk fryjnë kurrë në një drejtim të vetëm si erërat e tjera. Noti, Boreu a Zefiri janë erëra të rregullta, të lidhura me yllin e mëngjesit a me yllin e mbrëmjes. Në këtë kuptim, ata janë bij perëndish. Këto erëra u tregojnë detarëve udhët e lundrimit, ravijëzojnë ca si shëtitore të stërmëdha ajrore në sipërfaqen e tokës a të detit. Mbi ujë, që është një hapësirë e pafund porsi një Kaos i lëngshëm, erërat e rregullta tregojnë drejtime të sigurta, me anë të të cilave lundruesit gjejnë shpëtim. Këto erëra jo vetëm që fryjnë gjithmonë në të njëjtin drejtim, por janë gjithashtu erëra stinore. Boreu fryn në një farë periudhe, Zefiri në një tjetër, aq sa lundruesit, kur duhet të nisen, e dinë se cila është stina e volitshme për një udhëtim në këtë a atë drejtim.
Krejt në të kundërt të tyre, ka erëra që janë stuhi, shtjella ere të mbarsura me mjegull. Kur pllakosin mbi det, s’duket më gjë prej gjëje. Bëhet menjëherë natë që të humbet. Nuk ka më drejtime, as pika të qëndrueshme orientimi. Këto erëra janë vorbulla që ngatërrojnë gjithçka. Nuk ka më as perëndim, as lindje, as lart, as poshtë. Në mes të kësaj hapësire detare kaotike anijet humbasin, mbyten. Ato erëra janë me prejardhje të drejtpërdrejtë nga Tifoni, janë shenja se Tifoni vazhdon të lerë gjurmë mbi gjithësinë, së pari mbi udhët detare, por edhe mbi tokën e fortë. Zaten këto stuhi krejt të pakuptueshme e të paparashikueshme nuk fryjnë vetëm mbi ujë. Disa prej tyre shkatërrojnë të gjitha të mbjellat, rrëzojnë pemët, asgjësojnë punën e njerëzve. Të mbjellat e të korrat e përgatitura e të mbledhura me durim venë dëm: Tifoni është përnjëmend një e keqe pa shërim.
Siç shihet, pra, fitorja e Zeusit nuk i jep fund plotësisht asaj çka përfaqëson Tifoni si energji kaotike në kozmos. Olimpasit e flakën atë nga mbretëria e tyre e shenjtë, por duke e dërguar të jetojë mes njerëzve, ku ai sjell mosmarrëveshje, luftë dhe vdekje. Nëse perënditë kanë përzënë nga viset e veta gjithçka që i përket botës së kryehershme dhe pështjellimit, ato nuk e kanë zhdukur fare atë, por vetëm sa e kanë larguar prej vetes. Tani Tifoni bën kërdinë pikërisht te njerëzit, me një dhunë brutale që i lë ata krejt të pambrojtur. Ai është një e keqe pa shërim ndaj së cilës, po të shprehemi me fjalët e grekëve, nuk ke se ku të qahesh.