Kështu pra, merr fund lufta e perëndive. Titanët janë mposhtur, olimpasit ngadhënjyes. Në të vërtetë, asgjë nuk është zgjidhur, sepse pas fitores së Zeusit, në çastin kur duket se bota ka rënë më në fund në paqe, sikur mbretëron një rend përfundimtar, i qëndrueshëm e i drejtë, pikërisht në atë çast Gjea sjell në jetë një qenie tjetër më të re që quhet herë Tife, herë Tifon. Ajo e ngjizi duke rënë në dashuri, me nxitjen e “Aferditës së artë”, siç e thonë traditat, me një personazh mashkull që quhet Tartar. Është vetë ai hon që, në vetvete, thellë brenda saj, një lioj pasardhësi, jehonë e Kaosit të kryehershëm. I nëndheshëm, mjegullor, i mugët si nata, Tartari i përket një fisi krejt të ndryshëm nga fuqitë qiellore që janë perënditë olimpase, a madje edhe Titanët.
S’ka shumë që kur Titanët u përzunë nga qielli, duke i degdisur në fund të Tartarit, për të qëndruar aty të ngujuar përgjithmonë, që Gjea zgjedh pra, për të lindur një tjetër fëmijë dhe të fundit, të bashkohet pikërisht me këtë Tartar mbretëria e të ciiit gjendet në skajin e kundër të qieilit. Gjea gjendet, si dysheme e botës, në gjysmë largësi midis qiellittë shndritshëm dhe Tartarit të mugët. Po të lëshoje nga zgripi i qiellit një kudhër tunxhi asaj do t’i duheshin nëntë ditë e nëntë net që të mbërrinte në tokë ditën e dhjetë. Dhe të njëjtës kudhër, po të binte nga toka poshtë, do t’ i duhej po aq kohë për të mbërritur gjer në Tartar. Duke krijuar Uranin, që pastaj të bashkohej me të seksualisht, Gjea lindi gjithë fisin e perëndive qiellore. Si mëmë e gjithësisë, ajo ngjiz gjithçka, parasheh gjithçka. Ajo zotëron dhunti orakulli dhe një trajtë parashikimi që i lejon, për shembull, në kohë lufte, t’u tregojë të zgjedhurve të saj mënyrën e fshehtë, dredharake sesi mund të arrihet fitorja. Mirëpo, Gjea është edhe dheu i zi, toka e mjegullt. Brenda saj vazhdon të mbetet diçka kaotike, primitive. Ajo s’ndjehet plotësisht mirë midis atyre perëndive që banojnë në eterin e ndritshëm, aty ku nuk shfaqet kurrë ndonjëherë as reja më vocërrake. Ajo nuk ndihet as aq e respektuar sa ç’e meriton nga ata personazhe që, nga maja e Otrisit në majën e Olimpit, përleshen pa mëshirë për të sunduar botën.
Në fillim, e mbajmë mend që ishte K.aos. Pastaj Gjea, mëma e gjithësisë, është në fakt e kundërta e Kaosit, por, në të njëjtën kohë, ajo ka një farë ngjashmërie me Kaosin. Jo vetëm ngaqë thellë brenda saj, me Tartarin, me Erebin, ka një element kaotik, porse sepse ajo doli në jetë fill pas tij. Sikur të mos qe ajo, në kozmos s’do ekzistonte gjë tjetër përveç Kaosit.
Qenia që ajo do të krijojë e që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm Zeusin, por gjithë sistemin hyjnor olimpas, është një qenie ktonike, apo “tokësore”: Ktoni është termi për tokën në anën e saj të zymtë, kanosëse dhe jo toka si nënë, truall i sigurt për të gjitha qeniet që ecin dhe mbështeten në të. Kjo figurë e përbindshme që mbrujti Gjea, është një krijesë krejt e pazakontë: gjigant, i kryehershëm, me cilësi njerëzore e jo njerëzore njëkohësisht. Me një forcë të tmerrshme, ai ka fuqinë e Kaosit, të primitives, të pështjellimit. Gjymtyrët i ka po aq të fuqishme sa ato të Njëqindkrahëshve, krahë i varen pas shpatullave me një fuqi, zhdërvjelltësi e forcë të tmerrshme. Këmbët e tij mbështeten fort në tokë, janë të palodhshme e gjithmonë në lëvizje. Është qenie veprimi, lëvizjeje. Nuk është si ata përbindëshat e disa miteve të Lindjes së Aferme, një masë e rëndë dhe e amullt, që vetëm në disa çaste rritet e që vepron vetëm si fuqi kundërshtuese, duke rrezikuar të zërë gjithë hapësirën mes tokës e qiellit. Jo, Tifoni është gjithë kohës në lëvizje, duke goditur e frushkulluar gjatë tërë kohës këmbët e shalët. Ka njëqind koka gjarpri, por njëqind koka gjarpri secila me nga një gjuhë të zezë që u del nga goja. Dhe këto njëqind kokë kanë secila nga një palë sy që lëshojnë flakë përvëluese, një flakërimë që i ndriçon këto koka gjarpri e që në të njëjtën kohë tret gj ithçka aty ku hedhin vështrimin.
Por çfarë rrëfen, ky përbindësh i llahtarshëm? Ai përdor shumë zëra: nganjëherë flet gjuhën e perëndive, herë të tjera atë të njerëzve. Në raste të tjera, ai lëshon klithmat e të gjitha kafshëve të egra që mund të përfytyrohen: vrumbullit porsi luan, pëllet si dem. Dhe zëri i tij, mënyra se si flet merr po aq forma të ndryshme e të larme sa edhe vetë pamja e tij krejt groteske. Qenia e tij përfaqëson shumë më pak një thelb të veçantë sesa një përzierje të ngatërruar të të gjitha gjërave, një bashkim te një individ i vetëm të tipareve më të kundërta dhe të papajtueshme. Sikur ky përbindësh, kaq kaotik në pamje, në të folur, në vështrim, në lëvizshmëri e fuqi, do të ngadhënjente, atëherë rendi i Zeusit do të kishte marrë fund.
Pas lufitës mes perëndive dhe mbërritjes së mbretërisë së Zeusit, lindja e Tifeut a Tifonit përbën një rrezik serioz për rendin olimpas. Fitorja e tij do të kishte shënuar kthimin e botës në gjendjen e kryehershme dhe kaotike. Çfarë do të kishte ngjarë? Lufta e gjatë e perëndive kundër njëra-tjetrës do të qe fshirë. Bota do të kthehej përsëri në një lloj kaosi. Jo duke u kthyer sërish te kaosi i kryehershëm i fillimit, sepse nga ky kishte dalë një botë e organizuar, por duke rënë në një rrëmujë të përgjithshme.