Nga Ruseja në Tarnovo; Moldavia; Besarabia Moldave 1857
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Nga Ruseja në Tarnovo; Moldavia; Besarabia Moldave 1857

~Guillaume Lejean

Ky botim i parë, i caktuar për një publik kërkuesish dhe eruditësh, është, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vetëm një kopje (një work in progress sipas zhargonit të sotëm). Botimi i tij është i përligjur nga një tekst i shkurtër paraqitës ku thuhet: "Zoti G. Lëzhan, anëtar i Komisionit Qendror, sapo kreu misionin për të cilin ishte ngarkuar nga zoti ministër i Arsimit Publik në provincat danubiane. Ai ka sjellë prej andej dokumente të shumta për gjeografinë historike dhe etnografinë e Danubit të poshtëm. Përveç kësaj, ka bashkuar përbërësit e një harte të madhe të Moldavisë në shkallë 1:200 000, të cilën propozon ta gdhendë së afërmi. Duke pritur botimin e dokumenteve të tij, ne mendojmë se duhet t'u japim lexuesve të Buletinit pjesët e mëposhtme të dy letrave që ai i ka drejtuar zotit Ernest Dezhardën dhe zotit Zhomar." Dy letrat kanë një natyrë të ndryshme. Letra e parë është një raport i vëzhgimeve të terrenit në Bullgarinë Veriore, ku Lëzhani, nxënës-eksplorues, provon afiësitë e tij në topografi, në arkeologji dhe në ekonominë politike; paraqitja është e përpiktë dhe e vërtetueshme. Letra e dytë mbështetet më shumë te punimet e shkencëtarëve rumunë; ajo nuk na lejon të mësojmë se ç'ka vizituar në Moldavi, por aty shohim të merret përsipër roli i stafetës midis kërkimit të ri shkencor ballkanik dhe rretheve shkencore të Parisit. Ai fillon të masë boshllëqet gjigante të veprave të perëndimorëve mbi të cilat mendonte të mbështetej fillimisht.

H. Catenacci në Elisee Reclus, Nouvelle Geographie universelle, L'Europe meridionale, Paris, Hachette, 1876

Po vazhdoj studimet e mia për topografinë e Turqisë europiane dhe në mënyrë më të veçantë atë të Bullgarisë. Ajo që vërejta qysh në fillim është se harta e Kipertit, që qëndron mbi gjithë ato që ekzistojnë deri më sot, më dukej, për gjithë Turqinë europiane në kuptimin e mirëfilltë të fjalës (më pak Bosnja), një ind i çuditshëm gabimesh topografike, ortografike dhe mbi të gjitha hidrografike. Relievet e saj të tokës janë të jashtëzakonshme në shkallën më të lartë; por, edhe një herë, harta e Kipertit qëndron mbi të gjitha hartat që kemi pasur, se gabimet e saj, për sytë e mi, nuk e zbehin aspak meritën e këtij gjeografi të shquar.

Unë depërtova thellë në Bullgari, prej nga mund t'ju raportoj, jo vetëm mendime pak turkofile, por dhe shënime, skica, udhë. Ja disa nga rezultatet që arrita.

U nisa nga Ruseja: fjeta në Tërsenik, fshat gjysmë turk dhe gjysmë bullgar, katër orë e gjysmë.

Nga Trasteniku në Bjela, 4 orë. Kalohet pranë Obretenikut (Obirteni i hartave), hyn në pyjet e mëdha dhe takon njëri pas tjetrit tre karaullë (truproja); i fundit, që sundon Bjelën, është pranë një tepe. Terreni, që ngjitet vazhdimisht në mënyrë të ndjeshme që nga Ruseja, zbret krejt përnjëherësh nga kjo tepe në Bjela, një qytezë e madhe turke dhe bullgare, siç janë pothuajse të gjitha fshatrat që ndodhen në këtë rrugë.

Nga Bjela në Koshilan, 5 orë. Ndiiqet bregu i djathtë i Jantrës deri në vaun e Kosovës (Osva e hartave). Në këtë pikë, lumi ka pak më shumë se 100 metra gjerësi dhe një thellësi të paktën 90 centimetra. Pastaj hyhet në një rrafshinë shumë të bukur, e kufizuar nga lartësi me pjerrësi të buta, ndërsa në bregun e djathtë, që nga Bjela dhe deri në Tëmovë, malet vijnë e përfundojnë përnjëherësh përballë lumit.

Nga Koshilani në Tërnovë, 4 orë e 30 minuta. Rosica (Rusita e hartave) kalohet nëpër va, duke lënë Nikjupin 40 minuta në të djathtë: rrafshina, në një largësi prej shumë orësh, paraqet vetëm valëzime. Rruga kalon nga Polikraishta, fshat i madh bullgar. Jantra, që është shkëputur drejt lindjes, vjen e bashkohet, nëpërmjet një lakoreje shumë të gjatë, me rrugën e Samovodenës (Zavoda e hartave). Hyhet në një thyerje shumë të thellë, të ngushtë, të formuar nga një varg malesh që bien pingul, duke prerë në kënd të drejtë luginën e Jantrës; nga Samovodena, ndiqet për një orë e një çerek një rrugë shumë e bukur romake, që i ngjitet bregut të majtë të lumit dhe që shmanget 200 metra nga Tërnova. Një kilometër nga Samovodena, dy manastire të bukura bullgare të mbështetura te shkëmbi, në gjysmë pjerrësi; manastiri i Trinisë në bregun e djathtë dhe manastiri i Shndërrimit, në bregun e majtë.

Tërnova (nga bullgarishtja tm, manaferra), e quajtur edhe Ternovo, Tirnova, është një qytet me rreth 20 000 frymë, kryeqyteti historik dhe fetar i Bullgarisë, megjithëse nga ana administrative është vetëm një kajmakamat. Lagjet e tij, shtatë gjithsej, janë: Hisari, Oteaka në jug, e banuar nga turq; Frenk- Hisari, po ashtu; Baiderliku, lagje e përzierë, e pasur, tregtare dhe qendrore, me një bazilikë të bukur bullgare të shndërruar në xhami; Kartali (turqisht - shqiponjat), ka me të vërtetë pamjen e shqiponjave si pothuaj mbarë qyteti, një nga më të bukurit e Orientit; Kato Mahale, lagjja e poshtme, përgjatë Jantrës; këto dy të fundit bullgare; Ciganka, në verilindje, është e banuar nga ciganë dhe bullgarë. Gjendja e Tërnovës mbi Jantrë të kujton jashtëzakonisht, madje me më shumë veçori karakteristike, atë të Mezierës mbi Mësë.

Unë vizitova Trapezicën, që mbahet si qytet i lashtë bullgar: do të shtoja edhe romak. Unë munda të rivendos në skicën time planin e sheshit të ndërtuar sa nuk bëhet më bukur. Kohët e fundit ishte gërmuar nga themeli në majë ajo që kishte mbetur nga gërmadhat e dukshme, ndoshta për të kërkuar aty thesare; ndoshta aty janë gjetur medalje romake dhe bizantine. Udha romake fillon nga këndi verior, i ruajtur shumë mirë, dhe kalon Jantrën pak më poshtë grykës që mbyll gadishullin.

Unë pashë në Tërnovë disa medalje në duart e zotit Stefanos, bullgar; kishte disa të Nikopolisit dhe një të Dveltus-it (Burgasi, devlt). Mua më duket e provuar se Debeltosi ose Develtusi, i përmendur nga Plini dhe vazhdimisht nga bizantinët deri më 853, ndodhej në Burgas. A janë të shumta medaljet e Develtusit? Do të përpiqem ta mësoj.

Unë u ktheva në Ruse nëpërmjet Nikjupit, Koshilianit, Tërsenikut. Nga Samovodena, në vend të shkosh në veri- verilindje për të mbërritur në Polikraishta, merr për në veri drejt Resenës (një orë e një çerek) dhe një orë më larg, në Rosica, që e kalon nëpër va, arrin në fshatin Eski-Nikjup (Nikjupi i vjetër), i përbërë nga dhjetë shtëpi turke, mes të cilave ngrihet një çiflig me një pamje shumë të bukur. Aty vizitova shpejt e shpejt rrënojat e Nikopolistro-sTabelës, NikonoXtç npoç lorpov e medaljeve. Po ju dërgoj një skicë të vendeve. Aty ka mbishkrime për nder të Adrianit dhe të Trajanit; unë nuk pata kohë t'i kopjoja dhe t'i vizatoja, por do të kthehem përsëri aty. Rrafshina është e mbuluar nga gërmadhat. Në veri shtrihet një linjë e tumulave interesante të quajtura tepe, që besohen se janë skithike, me të cilat është e mbushur Bullgaria; arkeologjia nuk ka mundur ende të mësojë nga ato që gjenden nën tokë. Rrugës vërejta se këto tepe janë të shumta në afërsi të qyteteve dhe të rrugëve antike. Pranë çifligut, në një oborr të vogël, vura re një kapitel shumë të bukur, të cilin fillova ta vizatoj; por britmat e shumë grave turke më detyruan të largohem.

Gjysmë ore në veriperëndim është Nikjupi, fshat bullgar në rrugën e Svishtovës.

Nga Nikjupi në Tërsenik nuk ka asgjë për t'u shënuar. Nga Tërseniku, në vend që të merrja drejt Lomit në portin e Besarabisë, eca majtas, kalova pranë Pirgosit, që Kiperti e quan Bergas dhe e vendos shumë më afër Danubit. Nuk pata kohë të verifikoja nëse kishte atje, ashtu si mendoja, një nga ato niono- pyrgos ose fortifikatat me dru, të ndrequra apo të ndërtuara nga Justiniani, ndoshta edhe castrum Maxentii.

Treçerek ore para Rusesë, zbulova një pjesë të bukur të udhës romake që e kisha kërkuar më kot: ishte udha anës Danubit, e dhënë nga Tabela teodosiane dhe nga Itinerari i Antoninit; ajo çante drejt Rusesë, mes lumit të madh dhe Lomit, dhe duke ndjekur kreshtën e rrafshnaltës. Ajo zhdukej në zbritje, por drejtimi i saj të shtyn të hamendësosh se kalonte në Lom në një urë që sot e ka zëvendësuar ura turke. Cili udhëtar ka sinjalizuar për këtë fragment udhe nga Ruseja në Pirgos? Unë e kam bërë në mend të kthehem aty dhe ta eksploroj sa më mirë që do të mundem këtë udhë të rëndësishme.

Ja disa hollësi thjesht topografike rreth ekskursionit tim. Unë u mora edhe me ndarjet administrative të vendit; por pashallarët që, veç të tjerash, më pritën me shumë mirësjellje, e njohin pak rajonin e qeverisjes së tyre. Defterdari i Rusesë përgjegjës i thesarit, që do të më vinte më mirë në dijeni ishte në burg për përvetësim dhe zëvendësuesi i tij nuk kishte ardhur ende. Veç të tjerash, ndarjet territoriale të perandorisë u janë nënshtruar degëzimeve të shpeshta.

Do të kthehem në Bukuresht, ku do të pushoj një muaj, për të kaluar më pas Danubin. Do të blej një kalë, sepse i kam hequr në kurriz telashet e një udhëtimi me kuaj (të postës) në rrugët e Turqisë. Kështu do të shkoj ku të më duket më mirë dhe do të jem i lirë për të marrë, përkohësisht, shërbëtorë që e njohin mirë vendin. Kështu do të shtyhem deri në Malin e Zi, ku shpresoj të depërtoj dhe të ndreq në vend edhe hartat e çmueshme dhe shpesh hipotetike të Karazait. Ajo që më intereson më shumë, janë në fillim luginat e sipërme të Etropolit, Zllaticës, Gavardinit, burimet e Osamës, pastaj gjithë pjesa e Bullgarisë që shkon drejt Serbisë, Znepoli, Çiprovci etj. Pastaj Arnautliku, domethënë vendi tërësisht i panjohur që shtrihet nga Moravia bullgare në kufirin serb, nga Gjilani në Leskovac, që banohen nga shqiptarë pothuaj të pavarur; në fund Rashia (nga Foça në Shqipëri) dhe nga veriu i Shqipërisë deri në Drin. Nga të gjitha këto, kë do të kem mundësi të shoh? Nuk e di ende, por do të bëj sa mundem.

Pjesë nga një letër dërguar zotit Zhomar

Zotëri,

Më në fund jam i gatshëm t'ju jap një përmbledhje të rezultateve të udhëtimit tim, megjithëse udhëtimi më i rëndësishëm mbetet për t'u bërë.

Në të vërtetë, për sa i përket topografisë, kam një tërësi zbulimesh të shkëlqyera (ruse dhe të tjera) të Serbisë Lindore (midis Moravës dhe Timokut), të Bullgarisë Lindore, duke filluar nga Razgradi, të mbarë Rumelisë, duke filluar nga Tunxha deri në Kostandinopojë dhe një ditë udhëtim më tej; në fund, të dy Principatave. Unë bëra disa vëzhgime të shkëputura, por tepër të vyera, në pashallëqet e Rusesë dhe të Vidinit, si dhe skicat e mia të luginës së Jantrës.

Mendohet se topografia e Principatave është e njohur mirë: duhet të ndodhesh në vend, për të parë se sa pak është e njohur. Harta e famshme e  Vjenës, është e vajtueshme për dy të tretat e Turqisë dhe shumë mediokre për Moldavi-Vllahinë; jam i detyruar të besoj se aty kanë grumbulluar dhe kanë kryqëzuar itinerare të kohëve të ndryshme, deri edhe emrat e qyteteve të Dakisë së lashtë: p.sh., Paloda e Ptolemeut, është shënuar si një fshat i rrugës së Bukureshtit në kufirin moldav, pranë lalomicës, fshat të cilin nuk munda ta gjeja. Harta e shtabit të përgjithshëm austriak, që është pothuajse e përfunduar, do të jetë një gjë shumë e bukur; ajo është realizuar me shpenzimet e përbashkëta të Austrisë dhe Vllahisë. Moldavia, së cilës Austria i kishte bërë të njëjtin propozim, nuk pranoi për arsye politike; ajo trembej se mos shtabi i përgjithshëm do të përfitonte nga rrethanat për t'u vënë vulën shkeljeve që austriakët bënin nga viti në vit përgjatë Karpateve, në territorin e dy Principatave. Nga kjo, Moldavia u zvogëlua si hartë, në fillim në hartën e Bauerit, që është shumë e çalë dhe e vjetruar, pastaj në hartën e zotit Filipesku Dubeu, inxhinier civil (1853), në shkallën 1:430 000; punë e dobishme, nga ana administrative, por e ngatërruar dhe me një saktësi topografike shumë të dobët. Zoti Mornand, po ashtu inxhinier, ka bërë, pothuaj në të njëjtën shkallë, hartë të thjeshtuar të bashkimit të Moldavisë së re (Besarabia e Jugut) dhe të deltës së Danubit, që qe pjesë e atlasit të kufizimit të Besarabisë; një kopje e këtij atlasi ekziston në Ministrinë e Luftës, në lash, një zvogëlim të të cilit e mora me vete. Ai përmban një fletë të tërësisë dhe tridhjetë fletë të hollësive të këtij atlasi në shkallën 1:21 000. Në Serbi punohet më shumë.

Unë zotëroj harta të bukura rajonale të Krainës dhe të rajonit të Pozharevacit (Pasarovic), vend shumë i rëndësishëm nga pikëpamja e gjeografisë fizike. Kur të kem kryer ekskursionin tim në pashallëqet e  Vidinit dhe të Nishit, do të kem të gjithë përbërësit e një harte të madhe në shkallën 1:300 000 të të gjithë territorit.

Gjeografia fizike

Pa folur për relievin e terrenit, unë mblodha gjëra të ndryshme për klimën, meteorologjinë (sido- mos të asaj të Serbisë), gjeologjinë e Moldavisë, gjeografinë bujqësore; por duhet të pohoj se kjo degë është ana e dobët e punës sime.

Etnografia

Unë arrita të bëj bashkë përbërësit e një harte etnografike shumë të hollësishme të Perandorisë Osmane, në shkallën e hartës së madhe të Kipertit. Unë kam tashmë të plotë Serbinë, Bosnjën, dy Principatat me Moldavinë e re, Dobruxhën, një pjesë të Bullgarisë, gjithë Rumelinë Lindore. Për Shqipërinë, Thesalinë dhe Rumelinë Perëndimore, kam shumë boshllëqe, por do të përpiqem t'i mbush. Hartat e njohura etnografike (Shafriku, madje edhe Bueja) janë tepër të mangëta. Ato nxjerrin në vend të parë magjarët në Vllahi, ku nuk ka të tillë, dhe lënë jashtë kolonët e shumtë serbë të kësaj principate. Dy kolonitë magjare të Moldavisë, për të cilat kam statistika të mira, janë më të rëndësishme sesa i shënon Shafariku; për më tepër, ky shkencëtar gjeograf ka çmuar më shumë nga sa duhej hapësirën e zënë nga sllavët në Serbi dhe në Dobruxhë. Tartarët dobruxhas, kolonët arabë të Dobriçit, fshatrat kozake të Moldavisë dhe të Dobruxhës, kolonët gjermanë të kësaj të fundit, grekët e pashallëkut të Varnës, rumunët e bregut të djathtë të Danubit, nuk janë treguar askund. Aty paraqiten si bullgare rajonet e Dobriçit, të Deli-Ormanit, të Mangalisë, të Varnës, të Shumlës, ku turqit janë ndjeshëm në shumicë.

Gjeografia e krahasuar dhe historia

Unë kam materiale të bollshme për gjeografinë e Dakisë dhe të Moesisë së lashtë dhe për gjeografinë e Moldavisë në Mesjetë; kam shumë shkresa dhe krisobula të manastireve, megjithëse në dy Principatat kanë mbetur shumë pak prej tyre, rusët kanë çuar në Shën Petërburg aq sa kanë mundur të gjejnë. Zotërinjtë Zak dhe Shafariku i ri në Beograd, Lauriano dhe Kogalniçano në lash, më kanë dhënë gjëra të çmuara për historinë dhe kohët e lashta. LJnë kam shumë mbishkrime, disa të pabotuara, të tjerat janë botuar vetëm në përmbledhjet serbe apo moldave. Unë po bëj më shumë kërkime për komunat moldavo-vllahe në Mesjetë; ajo e Këmpu Lungut (Fusha e Gjatë) më pajisi me shumë gjëra, pikërisht me shkresat që kanë më shumë lidhje me ato të komunave tona të vjetra franceze.

Për të përfunduar me këtë, do t'ju thosha se po mbledh gjithçka mundem për statistikën, administrimin, arsimin publik, gjuhën, letërsinë, poezinë popullore etj. E gjitha kjo është shumë rrëmujë: por me t'u kthyer në Francë, do të kem kohë të bëj diçka. Duke pritur, ju them me plot gojë se gjithçka që dija për këtë vend e kisha mësuar nga Turqia europiane e zotit Ami Bue dhe nga ajo që lexova te libri i zotit Viksnel.

Që nga koha e letrës që i dërgova zotit Dezhardën, kam udhëtuar pak. Megjithatë, vizitova me shpejtësi nja tetë rrethe. Vllahia është një rrafshinë e ndërtuar në mënyrë të rregullt. Në qoftë se arrin t'i hedhësh një vështrim nga maja e malit Buçegi, kjo rrafshinë lymyshtore e rrafshët si Lombardia, nuk të lë të dyshosh për ngushtimin e luginave të saj, ku rrjedhin lumenj të gjerë mbi një shtrat lymor. Krejt tjetër është Moldavia, vend shumë i valëzuar, me pak rrafshnalta, me vargmale dhe kodra të pyllëzuara, lugaja mjaft të gjera me lumenj që vërshojnë në pranverë. Lumenjtë (Trotushi, Bistrica, Moldova, Sireti etj.) zbresin nga Karpatet, duke rrokullisur në rrafshinë masa të tëra gurësh dhe kur këta zënë shtratin e vjetër, ata hapin një tjetër shtrat aty pranë; kështu, nuk ka asgjë që ndryshon më shumë se rrjedhat e lumenjve të Moldavisë. Bistrica, mbi të gjitha, ka një rrjet tejet të ndërlikuar kanalesh, që i gërmon ajo vetë dhe, ç'është më e keqja, ky lumë është shumë i dobishëm për transportimin e drurëve të Karpateve. Përveç kësaj, lumenjtë e mëdhenj të Vllahisë kanë të njëjtat teka: kohët e fundit Oltu, mbi të cilin sapo ngritën me shpenzime të mëdha një urë pranë Slatinës, u flak në shtratin e një prej degëve të tij, për dëshpërimin e madh të inxhinierëve vlleh që rrallë u binte rasti të shpenzonin për punë të këtij lloji.

Moldavia është një vend me pjellori të madhe dhe bujqësia aty është zhvilluar në mënyrë të admirueshme, ndërkohë që në Vllahi ajo është në  gjendje të mjerueshme; kjo vjen sepse bojarët moldavë jetojnë në tokat e tyre dhe e kanë për nder ta drejtojnë vetë shfrytëzimin e tyre, ndërsa bojarët e Vllahisë duket që nuk e përfillin bujqësinë dhe i prishin të ardhurat e tyre në Bukuresht, duke ia lënë administrimin e pasurive të tyre fermerëve grekë dhe ekonomëve. Numri i popullsisë së principatave, tepër i zvogëluar nga disa punonjës të statistikave, si Balbi, që e çon popullsinë në 1150 000 për banorë, ka qenë shumë më i tepruar nga shkrimtarët vendës, që e çojnë në 5 000 000. Popullsia nuk i kalon 4 000 000, domethënë është: 2 500 000 për Vllahinë, sipas tablosë statistikore që ka botuar para pak kohësh qeveria vllahe; 1 462 105 për Moldavinë, sipas statistikës së zotit Suco (1849)3’. Rreth një e treta e këtij një milioni e gjysmë është përjashtuar nga taksat, duke filluar natyrisht nga bojarët. Më 1835 këta ishin rreth 853: disa vjet më vonë, u katërfishuan (3 750). Kjo vjen ngaqë bojaria ka fituar shumë, në Principatat, qoftë nëpërmjet shërbimeve burokratike, qoftë thjesht me anën e parasë, marrëdhënie që ka marrë përmasa skandaloze.

Moldavia ndahet në pesëmbëdhjetë rrethe (cinuturi), nga të cilat trembëdhjetë për principatën dhe dy për Besarabinë. Rrethet ndahen në gjashtëdhjetë e tre rajone (okol), dhe okol-et në fshatra (satë), që arrijnë një numër prej 1 962. Besarabia nuk është përfshirë në këtë regjistrim.

Kjo e fundit ka nja sipërfaqe prej 9 125 kilometrash katrorë: të dhënave që ju dhashë në shënimin tim për Bolgradin, prillin e kaluar, po u shtoj të dhënat e mëposhtme:

Kufijtë fillojnë në Prut, pothuaj përballë bashkimit të këtij lumi me Jiginë, në mes të një pylli, midis Nemshenit dhe Kutumorit (cepi i mullirit): ajo përfundon në Detin e Zi, pak në verilindje të një poste të vjetër dogane të quajtur Burnaski, në një hon që mbizotëron detin.

Ky territor ndahet në dy pjesë nga lugina e Trajanit, që shtrihet nga Pruti në Jalpuck; rrethi i veriut është ai i Kagulit, që përfshin rajonet e Kotumorit, Tegetçiut, Kajdagalias, nga veriu në jug, dhe dy qytetet, Leova dhe Kaguli, i quajtur në gjuhën moldave Frumoze (i bukuri). Ky është një territor kullotash dhe kulturash bujqësore, mjaft i valëzuar, që ka një radhë të gjatë pyjesh lisi në majë të tij, dua të them në vijën e pellgut ujëmbledhës të Prutit dhe të Jalpuckut. Një rrip tokash moçalishte dhe liqenesh, me gjerësi që ndryshon nga 5 në 10 kilometra dhe ku gjarpëron Pruti, e ndan këtë rreth nga Moldavia.

Në territorin e Ismalit, duhet të dallojmë:

Kolonitë bullgare (pjesa dhënë Moldavisë). Ato ndahen në dy okol-ë, në atë të Kagulit dhe Prutit dhe në atë të Ismaëlit: të dy i ndan liqeni Jalpuck.

I pari përfshin kolonitë e Vukoneshtit, Kurçit, Kolibashit, Kislicës, Brinzës, Slobozisë, Valenit, Xhurxhuleshtit, Çezmesë (çezme), Anadollit (Orient), Trikacesë, Karagaçit (Dru i zi), Kartalit (Shqiponjë), Haxhi Abdallahut, Imputicës, Bartës, Bulboksit, Satunovos (Fshati i ri), Etulit, Buzhakut Verior.

Në të dytin (atë të Ismailit) vërejmë Bolgradin, Tabakun, Karakurtin, Vaisalin, Banovën, Fontana Xhinilorin (Çezma e zanave), Jeni-Këin (Fshati i ri), Shiterlikun, Kitakun, Trajan Vekiun (Plaku), Pokrovenin, Tashbunarin (Çezma prej guri), Erdek-burnunë, Dole-Këin, Çezmen Varuita (Çezma e bardhe), Kairaklinë, Babilin, Dermanderen. Përveç këtyre, në liqenin

Sasik ndodhen tre koloni të tjera të ndara, Tropokla, Eskipolo, Karagaç Nou. Në fund, në Jalpuck, kufiri u përcaktua në mënyrë arbitrare përmes territorit të kolonive bullgare, në mënyrë që kolonitë ruse të Komratit, Kirsovës dhe Beshalmës ta kenë një pjesë të territorit të tyre në Moldavi, kurse fshati moldav i Kongazit gjysmën e tij e ka në Rusi.

Fshatrat bullgare spikatin përnjëherë nga rregullsia e  planit të tyre, nga pastërtia dhe nga mirëqenia e tyre, krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Emrat e tyre, përgjithësisht emra turq, vijnë nga tartarët buzhakë, që bullgarët i zëvendësuan në Besarabi: popullsia, e përkorë dhe punëtore, merret me vreshtari, me prodhimin e drithërave dhe rritjen e bagëtive. Drurët mungojnë tërësisht, me përjashtim të disa grumbujve drurësh nga ana e Valenit. Vendi është i ujitur mirë, por ujërat e rrjedhshme janë shumë të pakta, aq sa përroskat kanë ujë vetëm në dimër. Bolgradi është kryeqyteti i kolonive: ai është një qytet prej 8 000 frymësh, i ndërtuar në shpatin e një kodre që sheh nga liqeni Jalpuck, me një rregullsi ndërtimi e gjitha ruse, me shëtitore të bukura publike. Tabaku është një Bolgrad i vogël për nga rregullsia dhe një qytet i rehatshëm: ai ndodhet 2 kilometra në veri dhe në rrugën e Kishinaut, në gjysmë lartësinë që zbret në lumë dhe që prek luginën e Trajanit: dy të tretat e tokave i kanë mbetur Rusisë.

Pronat e shtetit, nga liqeni i Katlabugut në Burna Sola, përfshijnë njëzet e dy fshatra, të banuara në përgjithësi nga kozakët dhe rusët, territori i kriporeve, pronë e popullit të Tuzlit. Ato janë kripore të liqeneve të Çaganit dhe të Alibejit, të tjerat janë të braktisura. Të ndarë nga deti nga një shtresë rëre që lejon kullimin e ujërave, atyre u bie niveli në verë dhe në këtë stinë marrin ujë nga deti, atëherë fillon dhe depozitimi dhe kristalizimi i kripës. Prodhimi i vjetër i kripës në Buzhak kishte ndihmuar zhvillimin e racave të kafshëve të punës, që përbënin edhe pasurinë e banorëve, para se kolonët bullgarë të vinin dhe t'i jepnin një rrjedhë tjetër bujqësisë në Besarabi.

Pronat e vjetra të caktuara nga qeveria ruse për regjimentet e kozakëve të Rusisë së re, Troica, Nikolajevka etj., u shitën vitin e fundit, me gjithë kundërshtimet e komisarëve osmanë.

Pronat private

Territori i tre qyteteve, Renit, Kilisë, Ismailit, ky i fundit përfshin lagjet jashtë mureve të dy Nekrasovkave, Kagurluit, Saftianit, Broskës. Popullsia e Renit është 8 400 frymë, ajo e Kilisë 6 931 frymë, ajo e Ismailit 26 622.

Në fund, toka e papunuar, moçalore, mbuluar nga kallamat, shtrihet përgjatë gjithë bregut të majtë të Danubit, që nga Reni deri në det. Nën qeverinë ruse, të gjitha komunat e Besarabisë kishin të drejtë të prisnin kallamat në këto komuna: kjo e drejtë ka mbetur, natyrisht e kufizuar, tani në Besarabinë moldave.

Mbarë ky vend paraqet interes për bujqësinë, por aty gjen pak karakteristika të lashta: mund të përmend vetëm dy mure ose lugina e Trajanit. Muri i parë, ai i veriut, lë Prutin në Leova, drejtohet për në lindje-verilindje, kalon Saracikën jo larg manastirit të Gurës dhe drejtohet drejt Benderit; një mur i dytë që duket se ishte caktuar për të mbështetur murin tjetër, shihet pak më në jug, në pikën e ndarjes së ujërave të Jalpuckut dhe të Saracikës, përgjatë një pylli moçalor që prek kufirin e ri; edhe ai duket se shkon nga Leova në Bender.

Muri i poshtëm është më i njohur (Valul lui Trajanu de jos), ai më duket të jetë vazhdim i linjës së madhe që përshkon gjithë Vllahinë dhe Moldavinë e poshtme, nga Turnul Severini (mbi Danub) në Prut, dhe që Sulzeri e quan Avaresche veg, rruga e avarëve, sipas një tradite vendëse, nëse nuk gabohem. Në Besarabi, kjo rrugë fillon në Trajan, pak në jug të Vadu lui Isakut (Vau i Isakut), shkon drejt Jalpuckut në Tabak dhe ndjek kufirin e ri deri te përroi i Karakurtit. Pastaj, ajo kthehet në juglindje, kalon Kalçevën pak në veri të bashkimit të tij me përroin e Çerkecvisë dhe të çon në liqenin Katlaburg, përballë Citerlikut. Pastaj, një legë më në veri, në fund të liqenit, ajo fillon drejtohet në verilindje, kapërcen në Stari Trajan, Kid Kitain, pastaj Aliagën, takon kufirin e ri dhe rrugën e Akermanit pranë lumit Turmanka dhe vazhdon deri në një cekëtinë, që ndodhet 6 kilometra në perëndim të Çesmes; atje, ndërsa rruga dhe kufiri arrijnë Taçbunarin, udha vazhdon në lindje deri në skajin e komunës së Çesmes, ku e humba nga sytë. Përveç kësaj, në një pjesë të njohur të kësaj udhe, ajo është pothuaj e panjohur.

Po ashtu, do të doja t'ju flisja për deltën e Danubit, e përbërë nga ishujt Leti, Çetal, Shën George dhe gjashtëmbëdhjetë ishuj të përfshirë midis grykave dhe atyre të krahut të Kilisë. Diplomacia ua dha këtë territor turqve, me motivin se ai u përkiste atyre para Traktatit të Adrianopojës. Ky fakt është i kundërshtueshëm dhe Moldavia mund ta kërkojë me të drejtë; sepse Kilia e vjetër e Stefanit të Madh ishte ndërtuar në ishullin e Letit, atje ku shihen ende gërmadha interesante, dhe ende në këtë shekull, prefekti moldav ose ispravniku i Ismailit është i angazhuar me pastrimin e Sulinës. Këto dy fakte më duket vendosën zotërimin historik. Jo vetëm që Turqia ka pasur Deltën, për të cilën nuk mundi të bëjë asgjë, por ajo është vendosur kaluar në krahun e Kilisë, duke pushtuar një ishull të vogël në veri të atij krahu dhe gjithçka pranë detit, duke mos e përfillur protokollin e 6 janarit 1857 dhe planin topografik bashkëngjitur atij.

Delta ka pak vlerë si tokë: toka e punueshme, në Leti, është dhjetë për qind e sipërfaqes së përgjithshme; në Shën George, 25%; pjesa më e madhe e terrenit është e pushtuar nga kallamishtet, dhe bregalumasit kanë të drejtë t'i përdorin; në Çetal, është qyteti i Ismailit ai që ka pothuaj tërësinë e këtyre të drejtave. Pyje të shumta stolisin krahët e Danubit dhe degët dytësore, pa llogaritur pyjet e Taskës në Leti dhe Kara-Ormanin (Pylli i zi) në Shën George. Në Deltë kanë gjetur strehë shumë endacakë dhe keqbërës; dëgjova që numri i tyre arrin në dyzet mijë, por unë mendoj se ky numër është zmadhuar dyzet herë. Ajo që është zmadhuar më shumë është Salina; para gjashtë vjetësh, gjithë ishulli kishte vetëm 839 banorë: sot vetëm Salina ka jo më pak se 5 000; unë arrita të bëj një skicë të këtij porti interesant, që ka njëfarë të ardhmeje dhe që do të kishte edhe më shumë sikur të mos ishte në duart e turqve. Po ua dërgoj këtë skicë.

Ja, veç të tjerash për Sulinën, lista e vendbanimeve që munda të bëj për Deltën:

Çetali, një kabare; Leti, një fabrikë, katër kabare; Shën George, rreth njëzet ferma dhe fabrika; dhe kolonia e Karaormanit, për të cilën nuk kam të dhëna. Manastire të ndryshme greke zotërojnë disa prej këtyre ngulimeve...

 

info@balkancultureheritage.com