Nivica (Niviza), quhet më 1566 nga emisari spanjoll Juan Saetta me emrin "Nivica e bregut" (Niviza dela marina) për ta dalluar nga Nivica e Arbër-Labërisë. Aso kohe, Nivica kishte 100 shtëpi e 150 luftëtarë. Nivica e bregut shfaqet ndonjëherë e bashkuar me një tjetër fshat fqinj, Bubar. Në fakt, për fshatin Nivicë-Bubar flitet në një dokument të Vatikanit të vitit 1579 dhe po ashtu në letrën e Himarjotëve për papën Gregori XIII, më 1581. Edhe një shekull më vonë, më 1661, mitropoliti Simon Laskari, kreu i misionit bazilian në Himarë, e përmend këtë fshat si "Nivicë-Bubar", por, meqë Nivica ishte fshat me kala, Laskari i shton emrit të saj edhe fjalën "polis": (Nivizzopoli Bubari). Sipas vlerësimeve të tij dorëlëshuara kur bëhet fjalë për numër banorësh, Nivica e Bregut, numuronte plot 3000 banorë, "që ishin në luftë të vazhdueshme me Turqit" (che sempre gueregiano contro il Turco).
Në perëndim të fshatit, në Kakome (Coccamia) ndodhej një manastir bazilian kushtuar Shën Mërisë. Ende më 1658, Nivica ishte një fshat i madh, i banuar nga shumë Shqiptarë (habitata da buon numero d'Albanesi). Atë kohë, Proveditor-Kapiteni i Korfuzit përpiqej t'i tërhiqte të gjithë niviciotët, bashkë me familje, të vendoseshin në Korfuz, në mënyrë që t'i përdorte ata për ripushtimin e Butrintit nga ana e Republikës së Shën Markut.
Nivica konsiderohej vend i Himarës (Nivica luoco della Cimara) dhe renditej ndër fshatrat e asaj treve që ofronte më shumë trupa të gatshme për fushatat e rekrutimit të Venecianëve apo të Spanjollëve të Napolit. Në vitin 1620 dy kapitenë shqiptarë nga Nivica (doi capi d'Albanesi), Dhimo Meksha e Hieronim Hingi, i ofronin Proveditor- Kapitenit të Korfuzit rekrutimin e 200-300 ushtarëve me kusht që çdo grupim me 90 ushtarë të kishte kapitenin dhe oficerët e vet. Si për të thënë, që shqetësimi kryesor ishte "punësimi" i komandantëve, d.m.th. i krerëve të fshatit, se sa ai i "ushtarëve", fshatarëve të zakonshëm të atij vendbanimi.
Më 1614, Nivica përshkruhet si një fshat me kala thuajse të rrënuar (ay un castillo dicho Neviza casi destruido).