Një lojë shahu
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Një lojë shahu

Ja skena: Perënditë dhe njerëzit janë mbledhur si zakonisht. Zeusi është aty, në lozhat e para dhe e ngarkon Prometeun të bëjë ndarjen e të mirave dhe privilegjeve mes perëndive dhe njerëzve. Si do të veprojë vallë Prometeu? Ai sjell një gjedh të madh, një ka të mrekullueshëm, të cilin e ther, e më pas e ndan në dy pjesë e jo në tri. Ashtu siç i kish bërë gati Prometeu, secila nga këto pjesë do të shprehë dallimin e statusit midis perëndive e njerëzve. Domethënë, në vijën e prerjes do të përvijohet ajo që ndan njerëzit nga perënditë.

Si vepron Prometeu? Ashtu siç veprojnë zakonisht grekët në flijime: theret kafsha, i rripet lëkura, pastaj nis copëtimi. Në veçanti, veprimi i parë lidhet me qërimin e kockave të gjata, ato të gjymtyrëve të parme e të pasme, ostea leuka, derisa në to të mos mbetet më mish. Me t’u kryer kjo punë, Prometeu i grumbullon të gjitha kockat e bardha të kafshës. I lidh bashkë dhe pastaj i mbështjell me një shtresë të hollë dhjami të bardhë oreksndjellës. Ky është porcioni i parë. Pastaj, nis të përgatisë të dytin. Te kjo, Prometeu vendos të gjitha krea-t, tulet e mishit, gjithçka që hahet dhe këtë mish të ngrënshëm e mbështjell me lëkurën e kafshës. Pakoja, me lëkurën që mbështjell të gjithë ushqimin e ngrënshëm të kafshës, vendoset, gjithashtu, në gaster-in e kafshës, apo stomakun e kaut, në plëndësin veshtullor, të shëmtuar me pamje të neveritshme.

Pra ndarja bëhet si vijon: nga njëra anë, dhjamë i bardhë oreksndjellës, me të cilin janë mbështjellë vetëm kocka të bardha, të brejtura, nga ana tjetër, një plëndës aspak i këndshëm në të parë, që ka brenda gj ithçka të mirë për t’u ngrënë. Prometeu i vendos këto dy pjesë në një tryezë përpara Zeusit. Zgjedhja e mbretit do të përcaktojë se cili është kufiri që ndan njerëzit me perënditë. Zeusi i sheh këto hise dhe thotë: “Ah! Promete, je kaq dinak, kaq finok, por nuk paske bërë aspak një ndarje të barabartë”. Prometeu e vështron me një buzagaz të lehtë. Zeusi, sigurisht, e ka kuptuar dredhinë, por ai i pranon rregullat e lojës. Atij i propozohet të zgjedhë i pari, gjë që pranon. Me një pamje plot besim, pra, ai merr pjesën më me dukë, pakon me dhjamë të bardhë oreksndjellës. Të gjithë e vështrojnë. Hap pakon dhe zbulon kockat e bardha, krejt të qëruara. Atëherë Zeusi bëhet si i tërbuar kundrejt atij që ka dashur t’ia hedhë.

Kështu përfundon akti i parë i kësaj historie, që ka së paku tre të tillë. Në mbarim të këtij episodi, përcaktohet mënyra se si njerëzit hyjnë në lidhje me perënditë, përmes flijimit, si ai që kreu Prometeu duke therur kafshën. Në altarin jashtë tempullit, digjen erëza, që përhapin një tym aromatik. Pastaj përmbi degë vendosen kockat e bardha. Pjesa që i takon perëndive janë kockat e bardha, lyer me dhjamë të shndritshëm, që ngjiten drejt qiellit në formën e tymit. Ndërkohë njerëzit marrin pjesën e mbetur nga kafsha, të cilën do ta hanë ose të pjekur në prush, ose të zier. Nëpër hej të gjatë hekuri a tunxhi, ata shkojnë copa mishi, sidomos mëlçitë si dhe pjesë të tjera të shijshme, që i pjekin drejt e mbi prush. Disa llokma të tjera mishi hidhen nëpër kusi të mëdha, për t’u zier. Disa thela piqen në prush, të tjera zihen: njerëzit ndërkaq duhet ta hanë mishin e kafshëve të flijuara dhe perëndive u dërgojnë pjesën që u takon, domethënë tymin erëmues.

Ajo që është e çuditshme në këtë rrëfenjë është se duket sikur tregon sesi Prometeu ia doli t’ia hidhte Zeusit, duke u dhënë njerëzve pjesën më të mirë të flijimit. Prometeu u jep njerëzve pjesën që hahet, të fshehur si diçka të pështirë e të pangrënshme, ndërsa perëndive u jep pjesën që nuk hahet, edhe atë të fshehur tinëzisht poshtë cipës së një dhjami oreksndjellës e të ndritshëm. Sjellja e tij është mashtruese, sepse pamja e parë të gënjen... E mira fshihet poshtë të shëmtuarës dhe e keqja merr pamjen e së bukurës.

Lind pyetja: a u ka dhënë Prometeu vërtet njerëzve pjesën më të mirë? Këtu sërish gjërat bëhen të mjegullta. S’ka dyshim që njerëzit marrin atë pjesë që hahet prej kafshës së flijuar, dhe kjo, ngaqë vdekatarët kanë nevojë të ushqehen. Kushtet e tyre janë e kundërta e atyre të perëndive. Njerëzit kurrsesi nuk mund të jetojnë pa ngrënë, nuk janë të vetëmjaftueshëm. Atyre u duhet të marrin burime energj ie nga bota që i rrethon, pa të cilat ata marrin fund. Qeniet njerëzore dallohen ngaqë hanë bukën e mishin e flive dhe pinë verën e vreshtit. Perënditë nuk kanë nevojë të hanë. Ata nuk e njohin as bukën, as verën, as mishin e kafshëve të flijuara. Ata jetojnë pa ushqim, duke marrë vetëm pseudoushqime, si nektari dhe ambrozi, ushqimet e pavdekësisë. Gjallimi i perëndive është, pra, i një natyre krejt tjetër nga ai i njerëzve. Ky i fundit është një nëngjallim, një nënekzistencë, një nënfuqi: një energji me çastet e veta të eklipsit. Që ka nevojë vazhdimisht për rifurnizim. Sapo një qenie njerëzore përpiqet për diçka, ndihet e lodhur, e dërrmuar, e uritur. Me fjalë të tjera, në ndarjen e kryer nga Prometeu, pjesa më e mirë është pikërisht ajo që poshtë pamjes më oreksndjellëse fsheh kockat e zhveshura. Në të vërtetë, si te njeriu ashtu dhe te kafsha, kockat e bardha përfaqësojnë atë që ata kanë vërtet të çmuar, të pavdekshme. Kockat janë të patretshme, ato përbëjnë arkitekturën e trupit. Mishi zhbëhet, tretet, kurse skeleti përfaqëson elementin e përhershmërisë. Te kafsha nuk hahet pikërisht ajo që nuk është vdekatare, e pandryshueshmja, ajo që, për rrjedhojë, i afrohet më shumë hyjnores. Për ata që i kanë krijuar këto rrëfenja, kockatjanë edhe më të rëndësishme, ngaqë kanë brenda tyre palcën, atë lëng që sipas grekëve ka lidhje jo vetëm me trurin, por edhe me farën e mashkullit. Palca mbart gjallërinë e një kafshe në vijimësinë e vet në breza, siguron pjellorinë dhe trashëgueshmërinë. Ajo është shenja që nuk jemi individë të veçuar, por mbartës femijësh.

Kështu, më së fundi, përmes maskaradës që sajon, perënditë marrin nga Prometeu pikërisht forcën jetësore të kafshës, ndërsa ajo çka marrin njerëzit, pra mishi, është vetëm kafsha e ngordhur. Njerëzit duhet të nginjen me një copë kafshe të ngordhur. Kjo ndarje i shënjon ata një herë e mirë si vdekatarë për nga natyra. Pra, këtej e tutje njerëzit janë krijesat vdekatare, të përkohshme, ndryshe nga perënditë, që janë të pavdekshme. Nëpërmjet kësaj ndarjeje të ushqimit njerëzit janë damkosur me vulën e vdekshmërisë, ndërsa perënditë janë shënjuar me vulën e përjetësisë. Këtë gjë Zeusi e pa shumë mirë.

Nëse Prometeu do të kishte ndarë thjesht dy pjesë, në njërën anë kockat e në tjetrën mishin, atëherë Zeusi sërish mund të kishte zgjedhur kockat, pra forcën jetësore të kafshës. Mirëpo, meqë gjithçka ishte shtrembëruar nga loja mashtruese, meqenëse mishi qe fshehur në gaster, dhe kockat ishin veshur me dhjamin e ndritshëm, Zeusi e pa që Prometeu donte t’ia hidhte. Pra, ai vendos ta ndëshkojë. Natyrisht, në këtë konflikt dredhish që ndizet midis Zeusit dhe ‘Titanit’, secili përpiqet t’ia hedhë tjetrit, sekush luan ndaj tjetrit si në një lojë shahu dhe jep goditje pas shpine, për ta hutuar kundërshtarin, për ta zënë mat. Më në fund, është Zeusi ai që fiton në këtë garë, por dhe ai e humbet disi drejtpeshimin nga manovrat e Titanit.

info@balkancultureheritage.com