Athina filloi t’i humbasë tregjet e saj në trevën padane vetëm pas vitit 325 dhe në mënyrë të veçantë në Adria, por jo medoemos në dobi të Sirakuzës dhe pas një hendeku të madh kronologjik me mbretërimin e Dionis Plakut. Mbase për të kundërvepruar ndaj kësaj humbjeje të tregjeve në rajonin e lumit Po, athinasit përgatitën një ekspeditë më 325, me qëllim që të themelonin një koloni në Adriatik, mundet më fort në pjesën veriore, në mënyrë që të siguronin furnizimin e saj me grurë e t’i vinin fre piraterisë etruske.72 Prania në Ankonë e sirakuzanëve që ishin kundërshtarë të tiranisë, ndoshta edhe të nxitur nga athinasit, ishte një kundërpeshë ndaj ngulimeve të Dionisit në zonën dalmate qendrore (Isa, me një ndërhyrje në Lis dhe, më vonë, në Lumbarda në ishullin e Kerkyra Melainas). Atyre u duhen shtuar dy ngulime të themeluara më 359-358 nga Dionisi i Riu në bregdetin apul (sipas Diodorit, XVI, 5, 3), për të luftuar kundër piraterisë që, në atë kohë, ishte duket më fort me prejardhje nga bregu perëndimor sesa nga Iliria.
Thyezat e një stele të madhe73 të zbuluar në Pire na njohin me një dekret, me anë të të cilit athinasit i jepnin një numër anijesh një qytetari të quajtur Miltiad, më 325-324, për dërgimin e një apoikia-je në Adriatik. Roli i saj duhej të ishte që të mbikqyrte trafikun detar dhe furnizimin me drithëra nëpërmjet ngritjes së një baze detare të aftë që t’u kundërpërgjigjej sulmeve të piratëve Tyrrhanoi, të cilën nuk mund të ishin tjetër veçse etruskë. Tekefundit, ekspedita nuk u nis, pa dyshim për arsye të ngjarjeve që po zhvilloheshin asokohe në Greqi, të cilat do të rëndoheshin së shpejti nga vdekja e Aleksandrit të Madh dhe lufta lamiake që e pasoi atë. Interesimi i athinasve për furnizimin me grurë nuk kishte asgjë befasuese, në atë periudhë kur Greqia dhe në veçanti qyteti i Athinës ishin bërë pre e zive të rënda të bukës, që lidheshin pa dyshim me ndërrimin e drejtimit të ngarkesave me grurë nga Deti i Zi, të cilat nuk mbërrinin më në portin e Pireut. Ideja për t’u kthyer drejt tregjesh të tjera u shkoi vetvetiu ndër mend qytetarëve, të cilët nuk e kishin harruar rolin që kishte luajtur zona padane një shekull më parë: më 331-330, Likurgu qortonte Leokratin74, ndërkohë që banonte në Megarë si metek, se i kishte blerë grurë në Epir mbretëreshës Kleopatra dhe se e kishte bartur në Leukadë e në Korint, në vend që të furnizonte Pireun, ashtu siç ua donte ligji athinasve që gjatë shekullit V. Ndër fjalimet e humbura të autorëve atikë të së njëjtës kohë, veçohen një fjalim mbi Tirrenasit i Dinarkut (fragmenti 9) dhe një tjetër i Hyperidit. Vendmbërritja e ekspeditës së planifikuar nga athinasit nuk dihet, por teksti i dekretit e saktëson qartë se bëhej fjalë për krijimin e një baze detare, dhe jo një kolonie bujqësore në një krahinë të volitshme për prodhimin e drithit: disa studjues anojnë më fort nga një vend në jug të Adriatikut (Braccesi), të tjerë priren nga delta e lumit Po, çka do të përforconte Spinën (Amat-Sabatini). Zgjidhja bëhet e pamundur përballë heshtjes së mbishkrimit dhe braktisjes së planit të ekspeditës. Fare mirë, fjala mund të ketë qenë për vendosjen e një baze në bregdetin apul, pa shkuar në veri të Garganos, deri në Ankonë apo në ultësirën e lumit Po.