Operacionet ushtarake gjatë Luftës së Parë.
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Operacionet ushtarake gjatë Luftës së Parë.

Që nga sulmi kundër Foinikes dhe ardhja e delegatëve kishte kaluar një vit, për të mos thënë që, qysh nga ngjarja e Medionit, kishte dy vjet që ziente kjo punë. Gjatë kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç e pamë, napat e nevojshme diplomatike dhe përgatitjen e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat me rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë prej 200 anijesh dhe një ushtri prej 20.000 këmbësorësh do të merrte pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin vetë dy konsujt që ishin në fuqi atë vit. Kaq i madh ishte preokupacioni i romakëve për fushatën ilire dhe kaq të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një punë kaq e lehtë dhe e thjeshtë, siç është tentuar të paraqitet.

Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti t'i dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apollonia dhe Korkyra, të cilat do të përbënin pikëmbështetjet kryesore të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim negativ dhe plani për pushtimin e tyre me forcë kishte dështuar. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat ilire ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur, prandaj, i izoluar dhe kësaj iu shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me forca të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë qytetin pa vështirësi. Forca të tjera të nisura nga Brundisi dhe ato të Korkyrës, pasi u bashkuan, iu drejtuan Apollonisë e më pas Dyrrahut dhe i zunë po me kaq lehtësi. Klasa sunduese e këtyre qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u tregua e gatshme të hyjë nën ombrellën romake mjaft që të ruante pozitat e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë. Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinjë, Dyrrahun dhe Apolloninë; ajo shpejtoi gjithashtu, siç thotë Polibi, "t'u nënshtrohet me dashje" romakëve dhe të sigurojë "miqësinë e tyre"

Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes së vijës bregdetare, ilirët me sa duket nuk qenë në gjendje dhe në fakt nuk patën kohë të organizojnë një qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në veri të Dyrrahut romakët ndeshën kundërshtimin ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën e tyre dhe mjaftohet të përmendë që "i nënshtruan", por këtë radhë nuk përdor më shprehjen "me dashje" si në rastin e parthinëve dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë për qëndresën e fortë të qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut gjatë bregdetit, na thuhet se romakët zunë edhe qytete të tjera, por emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë vetëm që Isën e zhbllokuan dhe ilirët që e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbona, kurse Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit.

Qëndresa e qyteteve të veriut e shpëtoi Shtetin Ilir nga një disfatë e plotë, megjithatë fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri konsujt i lanë nën mbikëqyrjen e Demetër Farit dhe vetë u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore. Njëri prej tyre u nis për në Romë, duke marrë me vete pjesën më të madhe të forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe, si rekrutoi ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull, vendosi të kalojë aty dimrin për të vigjiluar ardianët dhe popullsitë e tjera që e kishin vënë veten nën "mbrojtjen" e Romës.

info@balkancultureheritage.com