Organizimi politik i ilirëve nën dinastinë e Bardhylit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Organizimi politik i ilirëve nën dinastinë e Bardhylit

Gjatë sundimit shumëvjeçar të Bardhylit dhe të pasardhësve të tij, në Ilirinë e Jugut lindi dhe u formua një shtet i fuqishëm, i cili zotëroi situatën politike në këto anë për më se treçerek shekulli.

Ngjarjet që sapo shqyrtuam, sidomos luftërat me Maqedoninë në kohën e Filipit II e Aleksandrit të Madh dhe ndërhyrjet në Molosi, që u shoqëruan nga aleancat me Athinën, Olynthin apo me sundimtarët thrakë e deri tek aleanca me Syrakuzën e përtej detit, dëshmojnë qartë si për pozitën gjeografike, ashtu dhe për atë politike të këtij shteti. Ka zotëruar pikëpamja se bërthamën qendrore të këtij formacioni e kanë përbërë viset rreth liqenit Lyhnid dhe është pranuar se shtrirja territoriale e tij është vështirë të përcaktohet. Mendimi se Shteti Ilir i kësaj kohe përbënte një njësi të paktën të barabartë me Maqedoninë, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës njerëzore që dispononte, dhe se krahina të gjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar Ultësirën bregdetare Adriatike, duhet të kenë bërë pjesë në këtë njësi, më rezulton sot jo më si një hipotezë. Të para më me vëmendje, burimet dëshmojnë se viset rreth liqenit Lyhnid dhe kryesisht Desaretia, përbënin krahinën më lindore të këtij shteti, në kufi me Maqedoninë; në jug ai takonte me molosët, të cilët u bënë më se një herë objekt i ndërhyrjeve të tij, ndërsa në perëndim Ultësira bregdetare Adriatike ka përbërë bërthamën kryesore dhe djepin e Shtetit Ilir. Pa zotërimin e kësaj krahine ai nuk do të mund të realizonte kontaktet me botën e përtej detit dhe as të vendoste marrëdhëniet e njohura me Syrakuzën e Dionizit Plak. Mbi të gjitha, ai nuk do të mund të matej me Maqedoninë e Filipit dhe të Aleksandrit. Kufijtë veriorë të Shtetit Ilir janë të paqartë për shkak se burimet nuk shënojnë ngjarje që të dëshmojnë në këtë drejtim. Organizimin politik të këtij formacioni nuk e njohim mirë. Bardhyli quhej prej autorëve antikë "mbreti i ilirëve". Po këtë titull mbajnë edhe përfaqësuesit e mëpastajmë të dinastisë së tij: Grabo, Pleuria dhe Kliti. Kjo na lejon të konsiderojmë këtë formacion si një mbretëri. Në fillimet e tij Bardhyli paraqitet si një njeri me prejardhje të ulët, qymyrxhi dhe kryengritës (latro), që pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës së luftës ishte i drejtë dhe i paanshëm, pra një prijës i thjeshtë ushtarak që ruante ende mbeturina të një botëkuptimi primitiv. Duket më e besueshme që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim një bashkim i thjeshtë fisesh, të cilat i lidhnin interesa ekonomike e politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga armiku i jashtëm. Secili fis kishte në krye mbretin e vet të vogël, që njihte sovranitetin e mbretit të "bashkësisë" dhe i nënshtrohej atij. Ekzistenca e këtyre "mbretërve" fisnorë mendoj se na dëshmohet nga Justini, kur ai bën fjalë për strehimin e Aleksandrit te "mbretërit ilirë" (ad reges Illyriorum), pas grindjes me të atin. Analogji të këtij institucioni politik i kemi në Maqedoni deri në kohën e Filipit II, kurse në Epir shembulli më i mirë është vetë "Koinoni i molosëve". Nga fundi i jetës së tij Bardhyli e kishte rritur dhe forcuar autoritetin dhe pushtetin e vet mbi ilirët. Në betejën e fundit me Filipin II ai kishte në këmbë një ushtri jo vetëm numerikisht të barabartë me atë të mbretit maqedon, por edhe të tillë që njihte një organizim dhe taktikë të përparuar lufte.

Ngjarjet që përjetoi Shteti Ilir gjatë sundimit të Bardhylit dhe dinastisë së tij, tregojnë se ai përfaqësonte një faktor politik me peshë në botën e atëhershme mesdhetare. Veprimet e tij nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e synimeve të caktuara, që kanë si objektiv dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport me shtetet fqinjë. Ky aktivitet i dendur dhe i gjerë, që u shoqërua me një përqendrim forcash e mjetesh të konsiderueshme dhe u mbështet në marrëveshje e aleanca politiko-ushtarake, mund të kishte vend vetëm në kushtet e një organizimi shtetëror, por kurrsesi në një rend fisnor.

Procesi i lindjes dhe i formimit të Shtetit Ilir përkon me periudhën e sundimit të Bardhylit, prandaj ky mund të konsiderohet edhe si themelues i tij. Luftërat me Maqedoninë penguan në njëfarë mënyre konsolidimin e këtij formacioni politik, por ato nuk e ndërprenë jetën shtetërore të ilirëve dhe as e ndalën dot evolucionin e mëtejshëm të këtij procesi të thellë shoqëror në Iliri.

Shteti Ilir lindi brenda territorit që banonin, me sa duket, "Ilirëte mirëfilltë", të përmendur më vonë prej Plinit dhe Meles, dhe do të zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.

info@balkancultureheritage.com