Gjatë jetës së vet shumëshekullore në Ballkan ilirët kaluan një rrugë të gjatë të zhvillimit shoqëror, megjithatë nuk jemi në gjendje t’i përcjeilim në të gjitha detalet. Për periudhat e lashta kemi në dispozicion vetëm materialin arkeologjik, i cili nuk është i mjaftueshëm që të na japë përgjigje lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me strukturën shoqërore të një fisi ose bile të banorëve të një vendbanimi. Për kohët e mëvonshme, kur për ilirët, doket e tyre dhe për jetën e tyre, shkruajnë autorët grekë, sidomos atëherë kur ilirët bien nën pushtetin e romakëve dhe kur sa në shkrimet e autorëve romakë, sa në monumentet epigrafike, gjenden shënime shumë të vlefshme për aspekte të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore brenda bashkësive të ndryshme ilire shoqërore-politike, kemi mundësi që në mënyrë më të hollësishme t’i diskutojmë këto çështje. Megjithatë, kur si bazë për shqyrtim merren shënimet e shkrimtarëve antikë, të cilat kanë të bëjnë në përgjithësi me ilirët, e jo me disa fise, hulumtuesi duhet të jetë shumë i matur dhe kritik, sepse në kohën kur u shënuan ato burime te ilirët kemi ndryshime shumë të mëdha të shkallës së zhvillimit shoqëror midis viseve dhe fiseve të ndryshme ilire, prandaj për këtë shkak përgjithësimi është, në të vërtetë, i pamundur. Me rezervë duhet t’u afrohemi bile edhe atyre shënimeve që kanë të bëjnë me fise të ndryshme, sepse pikëpamjet e autorëve grekë dhe romakë për institucionet shoqërore te ilirët shpeshherë ishin nën ndikimin e situatave në të cilat jetonin ata autorë, prandaj duke përdorur terminologjinë e rëndomtë për fenomenet shoqërore, sipas të gjitha gjasave në mënyrë joadekuate, i përshkruanin si analoge (ata i konsideronin si të tilla) fenomenet te ilirët. Nëse kësaj i shtojmë faktin se shumica e këtyre autorëve kanë shkruar për ilirët në bazë të asaj që kanë dëgjuar për ta, nuk është vështirë ta marrim me mend se në çfarë rrugësh të gabuara mund të na shpiejnë lajme të tilla. Mirëpo, përkundërtë gjithave shfrytëzimi i fakteve të autorëve antikë, por në mënyrë të matur dhe kritike, për njohjen e shumë institucioneve shoqërore te ilirët, nuk mund të lihet anash.
Në shekujt e parë të zhvillimit në Ballkan, duke gjykuar në bazë të materialit arkeologjik, nuk ekzistojnë ndryshime të mëdha midis shtresave të ndryshme të shoqërisë ilire. Në kala, në të vërtetë që nga epoka e bronzit, jeton një shtresë njerëzish e cila nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin e ushqimit, mirëpo diferencimi shoqëror nuk ishte ende i dukshëm. Në ato kala, në të cilat jetonin mjeshtrit të cilët prodhonin objektet metalike, magjistarët, ushtarët profesionistë dhe një shtresë e vogël e aristokracisë fisnore, krijohen me kohë kushtet të cilat do të shkaktojnë dobësimin e organizimit të vjetër shoqëror të fisit. Simptome të dukshme të këtij dobësimi dhe njëherësh të forcimit të shtresës së re shoqërore, të privilegjuar të ushtarakëve dhe të aristokracisë fisnore, filluan të vërehen qysh në shek. VIII-VII para e.re. Në nekropolat ilire të kësaj kohe paraqiten ndryshime të dukshme në vlerat e asaj që të ndjerit i viheshin si gjëra të nevojshme për rrugën në varr. Përveç kësaj, kjo është koha kur në varreza gjithnjë e më shpesh vihen armët, gjë që ishte shenjë e dukshme se luftërat midis disa fiseve të ndryshme ilire ishin bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe si pasojë e një gjendje të tillë, shtresa profesionale ushtarake ishte bërë gjithnjë e më e nevojshme. Rrëmbimi i pasurisë në duart e anëtarëve të aristokracisë fisnore ose ushtarake si pasojë e zhvillimit të hovshëm të tregtisë, e veçanërisht të xehtarisë (në ato vise ku kishte xehe) sollën ndryshime gjithnjë e më të dukshme në strukturën e shoqërisë fisnore. Atje ku nuk kishte xehtari dhe nuk kishte tregti të zhvilluar, shoqëria fisnore ndryshoi fare ngadalë, duke ruajtur kështu karakteristikat e veta të qenësishme derisa u bë okupimi romak, e nganjëherë edhe pas tij.
Më shpejt diferencimi shoqëror dhe zhdukja e shoqërisë fisnore u bë në viset jugore ilire, pra atje ku ndikimi i qytetërimit të zhvilluar grek ishte më i fuqishmi. Në këtë hapësirë prej shek. VIII para e.re. duken organizmat shtetërore, të cilat gjithnjë e më tepër marrin karakteristika të krijimeve të organizuara shtetërore, me mbretërit, bile edhe me dinastitë. Megjithatë, as në kohën kur njëra prej tyre në shek. III para e. re. arrin kulmin në zhvillimin e vet shoqëror-politik nuk pat shkuar aq larg nga organizimi fisnor, si do të mund të përfundohej në bazë të fakteve (dhe të terminologjisë!) të cilat i gjejmë te autorët antikë, sepse në kohën e sundimit të mbretëreshës Teuta (230 para e.r.) ndodhi ajo që në “Historia Romana” (lib. IV, 7) rrëfen Apiani dhe që e zbulon karakterin e vërtetë të atij shteti. Kur, dërgata romake erdhi te Teuta që të ankohej ndaj sulmeve të piratëve ilirë kundër anijeve tregtare greke dhe italike, ajo iu përgjigj, si na rrëfen Apiani, se ajo do të kujdesej që shteti ilir të mos u bëjë asgjë të keqe romakëve, mirëpo, ajo nuk mund t’ua ndalojë shtetasve të saj piraterinë, sepse kjo është çështje e tyre private.
Disa nga historianët bashkëkohorë këtë përgjigje e shpjeguan si shprehje diplomatike, e cila praktikisht ilirëve do t’u bënte të mundshme piraterinë edhe më tutje, ndërsa vetë Teutën, gjegjësisht shtetin ilir, të mos e angazhonte në konfliktet me palët e sulmuara. Një përgjigje të tillë të cilën ua dha Teuta të dërguarve, as nuk kishte e as që do të mund të kishte domethënie të tillë. Nga përgjigja e saj del qartas se ajo nuk kishte mundësi që t’ua impononte pushtetin e vet disa fiseve që ishin në kuadrin e shtetit të saj, kështu që përgjigja e saj në mënyrë shumë bindëse shpreh pozitën e sundimtarit si personalitet që në kryerjen e pushtetit të vet mbretëror në shtetin e atëhershëm ilir ishte i kufizuar nga pozita autonome e fiseve të ndryshme. Si ka qenë struktura shoqërore e një fisi ilir, e cila u ruajt bile edhe mbasi Roma i pushtoi viset ilire, më së miri na është bërë e njohur në bazë të shënimeve të autorëve antikë dhe prej mbishkrimeve që kanë të bëjnë me fisin e dalmatëve. Sipas Plinit Plak, dahnatët ishin të ndarë në 342 dekurie, ndërsa sipas P. Vatinit i cili nga Narona zhvilloi operacionet ofensive kundër këtij fisi, ata kishin tetëdhjetë qytete (oppida). Ky numër i “qyteteve” dalmate, kryesisht pajtohet me atë që e shënoi Straboni - se dalmatët kanë nja pesëdhjetë vendbanime “që vlejnë të përmenden” (katoikiai). Për përmbajtjen e saktë sociale të emrave është shkaktuar një ngatërresë mjaft e madhe te autorët .bashkëkohorë. Kështu Brainimir Gabricevic, i cili kohëve të fundit është marrë më së tepërmi me çështjen e strukturës shoqërorc të dalmatëve, mendon se dekuritë e Plinit duhet t’u përgjigjeshin “vëllazërive mëtë vogla” dhe se pesë —gjashtë dekuri kanë bërë një “katoikie” të Strabonit. Karl Patschi duke studiuar strukturën shoqërore të fisit mezej përfundoi se dukuria i përgjigjet fisit te shqiptarët dhe më shumë dekurie kanë bërë një bashkësi fisnore (civitas). Na duket se dekuria nuk është asgjë tjetër pos gjinia (gjegjësisht gens) dhe se civitas i përgjigjet vëllazërisë (fratria).
Monumentet epigrafike në të cilat përmenden kufijt midis vëllazërive të ndryshme japin, në disa raste, elemente të sigurta për të caktuar shtrirjen e territoreve të tyre. Kështu në bazë të dy mbishkrimeve kufitarc që u zbuluan në Police, e dimë se vëllazëria e narestinëve (banorët e vendbanimit Narste, që gjendej në vendin ku sot gjendet katundi Jesenice midis Splitit dhe Omishit), jetonte midis Pituntinit dhe Onastinit dhe zinte sipërfaqen prej rreth 15 km2. Në mënyrë të ngjashme mund të përcaktohet edhe territori i dy vëllezërive (Barizaniates dhe Lizaviates) në rrethinën e Vërlikës.
Një organizim të ngjashëm shoqëror, si e kishin dalmatët, e kanë pasur edhe fiset e tjera ilire. Vetë Plini përmend dekuritë edhe te shumë fise të tjera, ndërsa mbishkrimet kufitare na bëjnë të mundshme të mësojmë madhësinë e territoreve të disa vëllazërive.
Gjinitë (decuria), të cilat, sipas B. Gabricevic-it kanë mundur të kenë përafërsisht 150-200 frymë, kanë pasur nganjëherë edhe arkën e tyre. Këtë e dimë në bazë të një mbishkrimi që është gjetur në Split. Nëse pjesëtarët e gjinisë e kanë pasur edhe tokën të përbashkët, nuk është plotësisht e qartë. Straboni, në të vërtetë, thotë e përbashkët, nuk është plotësisht e qartë. Straboni, në të vërtetë, thotë se dalmatët e kanë tokën të përbashkët, dhe se atë e ndajnë çdo të tetin vit.81 Simbas të gjitha gjasave toka nuk ka qenë pronë e gjinisë, por e vëllazërisë dhe ajo nuk u është ndarë individëve, gjegjësisht familjeve të ndryshme, por gjinive.
Lidhja e vëllazërive përbënte fisin. Numri i vëllazërive ndryshonte sipas madhësisë së territorit dhe sipas numrit të banorëve të fisit, ose numri mund të ishte i caktuar edhe me strukturën organizmave të fiseve, si ishte te liburnët dhe si duket te fqinjët e tyre hythmitët. Për liburnët kemi një shënim shumë të rëndësishëm te Plini,82 ku flitet për “iburnorum civitates XIII”, dhe në këtë numër nuk është vështirë të vërtetohet numri pak i modifikuar dymbëdhjetë, gjegjësisht trembëdhjetë, sa vëllazëri ishin te fiset e vjetra nga periudha paraindoevropiane në shumë vise të Mesdheut. Lidhja e dymbëdhjetë vëllazërive (e cila te autorët e vjetër paraqitet herë si “populus” e herë si “civitas”) është organizimi i njohur politik edhe te disa fise në Italinë e jugut, ku elementi ilir ballkanik ishte mjaft i pranishëm. Një lajm te Plini që ka të bëjë me peucetët është veçanërisht interesant për ne, sepse në të përmenden dymbëdhjetë fise ilire (“ad Illyriis XII populos”). Megjithatë, emri i fisit të përmendur hythmit, sipas mendimit të filologëve, përmban vlerën numerike “katër” (fjala “huth”, ka pasur, si duket, në gjuhën etruske domethënien e numrit katër), gjë që përsëri gjithsesi ka lidhje me tetrapolitinë (lidhjen e katër fiseve), gjegjësisht me dodekapolitinë (lidhjen tri herë nga katër fise).
Dodekapolitia te liburnët është mbeturinë e organizimit të vjetër shoqëror që u ruajt si relikt mediterane së bashku me një varg elementesh të tjera nga kohë të stërlashta. Me një përjashtim të mundshëm te hythmitët, nuk është e njohur se ilirët e tjerë e kanë njohur ndonjëherë këtë formë të organizimit shoqëror.
Në monumente të periudhës romake hasen mjaft shpesh persona të cilët mbanin funksionet e praepositusit dhe të princepsit. Nga një mbishkrim i cili u gjet në Danillo afër Shibenikut (ant. Rider), dimë që njëri ishte “princeps Dalmatarum” dhe për një tjetër që ishte “princeps (kastelli) Salthua” (nga rijeçani te Nikshiqi) edhe për një tjetër“princeps muncipi Riditarum” nga Danillo dhe mandej për “praepositus et prin- ceps Japodum” me mbishkrimin e gjetur në burimin e Privilicës te Bihaqi, si dhe për shumë të tjerë. Domethënia e vërtetë e atyre funksioneve në kohën romake nuk është plotësisht e qartë. Romakët me ata emra karakterizonin funksionet të cilat ekzistonin edhe më parë te ilirët, të cilat i toleruan, por edhe i shfrytëzuan, në mënyrë që sa më lehtë të vendosnin bashkëpunimin me vendasit. Megjithatë disa nga prerogativat e tyre të vjetra, qartas u bënë të papërshtatshëm me situatën e re, në të cilën u gjetën ilirët pas okupimit romak, ndërsa të tjerat, megjithatë i fituan, si ishte pozita e përfaqësuesve të aristokracisë së vjetër fisnore në kushte të reja. Megjithatë, mbishkrimet epigrafike si dhe burimet e shkruara bënë të mundur që të përfundohet se princepsët në periudhën romake kanë qenë kryetarë të bashkësive më të vogla shoqërore - politike, dhe se në mesin e atyre, kanë zgjedhur kryetarin e fisit i cili në terminologjinë e administratës romake quhej praepositus. Prandaj, mund të supozohet se princepsët kanë qenë në krye të vëllazërive dhe se si të tillë ishin edhe anëtarë të këshillit fisnor në krye të të cilit gjendej praepositus. Nga një lajm që na ka lënë Livi, aty kur përshkruan luftën e romakëve kundër istrëve, është e qartë se autori romak kryetarin e fisit e quan mbret, krahas të cilit gjendet këshilli i princepsit. Natyrisht, “mbreti” i istrëve, Epulo nuk ishte mbret në atë kuptim si e mendonte Livi, por prijës fisi, i zgjedhur në mesin e anëtarëve të këshillit fisnor. Duket se praepositi i periudhës romake nuk ishte gjë tjetër vetëm trashëgimtar i “mbretit” nga periudha parahistorike.
Është shumë interesante çështja se ilirët, ose disa prej tyre, në periudhën pararomake e kanë njohur institucionin e robërisë. Autorët antikë theksojnë ekskluzivisht se disa fise ilire kanë pasur robër. Kështu Theopompi thekson se ardiejt kishin nja 300 000 robër, ndërsa Agatarhidi nga Knidi pohon se disa nga dardanët, kishin njëmijë e më shumë robër, të cilët gjatë paqes punonin tokën, ndërsa gjatë luftërave shkonin në luftë nën urdhërin e të zotit.86 87 Disa autorë të tjerë pohojnë se ilirët në viset jugore e njihnin robërinë. Mirëpo, të gjitha këto shënime të autorëve antikë nuk duhet, të merren si të sakta, sepse është shumë vështirë të supozohet — duke njohur shkallën e zhvillimit shoqëror në të cilën arritën fiset ilire- që fjala është me të vërtetë për robërit në kuptimin e plotë të kësaj fjale, gjegjësisht për robërit si në Greqi dhe në Romë. Është e mundshme që ilirët, disa nga robërit e zënë të luftës t’i kenë detyruar që të punojnë për ta si bujq të cilët ishin në pozitë të nënshtruar shoqërore në krahasim me shtresën e aristokracisë fisnore, të ushtarëve profesionalë, të tregtarëve dhe të zejtarëve.
Disa autorë antikë flasin për pozitën e posaçme të gruas në disa nga fiset ilire, ndërsa Pseudo-Skilaksi në “Periplin” e vet (mesi i shek. IV para e.r.), duke folur për liburnët, ekskluzivishtthekson se te ata sundojnë gratë dhe se ato mund t’u dorëzohen skllevërve dhe të huajve; edhe Varoni gjithashtu thotë se gratë ilire para martese mund t’u dorëzohen kujtdo që dëshirojnë. Në bazë të këtyre njoftimeve dhe të lajmeve të ngjashme, studiuesit bashkëkohorë flasin për matriarkatin te liburnët. Megjithatë, në kohët e fundit, Mate Suic në punimet e tij shpjegoi se këtyre lajmeve nuk u duhet dhënë patjetër shpjegim të cilat flasin në dobi të ekzistencës së matriarkatit të vërtetë te ky fis ilir. Kështu në lajmet se gratë e liburnëve u janë dhënë të huajve sheh shfaqjen e hierodulisë me momentin e theksuar eksogamik”. Pa marrë parasysh se si do të shpjegohen disa nga lajmet e autorëve antikë për pozitën e gruas te ilirët, nuk ka dyshim se kurrsesi nukështë fjala për matriarkatin, në kuptimin e vërtetë të fjalës, me të gjitha konsekuencat përcjellëse të cilat një rregullim i tillë shoqëror i nënkupton domosdo, por vetëm për mbeturinat e një institucioni të stërlashtë, rrënjët e të cilit duhen kërkuar në periudhën paraindoevropiane. Nga këto mbeturina kishte më tepër në të vërtetë te liburnët ndërsa për këtë fis ekzistojnë edhe shumë indikacione të tjera për origjinën e tyre paraindoevropiane, mediterane. Gruaja, megjithatë edhe te ilirët e tjerë, kishte pozitë të privilegjuar (ose të tillë e konsideronin autorët grekë dhe romakë), kështu që në shtetin ilir, qysh në shekullin II para e.re. një grua (Teuta) mundi të zërë pozitën e mbretëreshës.