Me pushtimin e Italisë krejt brigjet e të gjitha ujërat e Adriatikut kalojnë për herë të parë nën sundimin e Konstantinopojës, sikundër ndodh edhe për pjesën më të madhe të Mesdheut, me përjashtim të Galisë dhe të gadishullit Iberik. Megjithatë, nuancat e mëparshme mbijetojnë, pavarësisht nga fillimi i një reforme administrore dhe ushtarake që do të përfundojë veç në shekujt VII-IX26: ndërkohë që jugu i bregut lindor administrohet drejtpërdrejt nga Konstantinopoja, Dalmacia, ashtu si dhe Istria, mbeten të lidhura me Ravenën, ku, pa e marrë ende këtë emër, kishte zënë të mugullonte Ekzarkati i ardhshëm, për arsye se ky qytet luante rolin e kryeqytetit të vërtetë perandorak të Italisë; për ta përfytyruar këtë lidhje të ngushtë të Istries me bregun tjetër mjafton të soditen monumentet e saj, të cilat, veçanërisht në Parenzo (Porea), me bazilikën e saj eufraziane tejet ravenase, aty nga viti 550, nxjerrin në pah një bashkësi të thellë kulturore, prej arkitekturës e deri te mozaikët27. Në të njëjtën kohë Pola, kryeqendra e Istries, zbukurohej gjithashtu nga një bazilikë madhështore ravenase, Santa Maria Formosa, e ngritur nga kryepeshkopi i Ravenës Maximiani, një istrian i lindur në Rovigno (Rovinj)28 *. Por tipari i spikatur, me shkëputje të qarta kronologjike, është një evoluim drejt formash autonomie që hasen në të gjitha zonat anësore të Perandorisë, siç ndodh gjithashtu në Krime.
Pa e vënë në diskutim përkatësinë latine të Dalmacisë, roli ndërmjetës i Ravenës dhe vijimësia territoriale me Italinë e Veriut favorizojnë në të vërtetë në të dyja brigjet lulëzimin e një autonomizmi i cili, në mes të sistemit teokratik të epokës, është njëherëshi politik dhe fetar: këtë tërësi të Adriatikut verior e ndajnë si nga Konstantinopoja ashtu dhe nga Roma largësi të konsiderueshme. Gjatë sundimit të Justinianit, ky e shpuri Venetinë lindore, Istrien, Dalmacinë dhe Ilirinë në një skizëm të vërtetë kundrejt dy pushteteve, që do ta kishte epiqendrën te kisha e Aquileas, por që ithtarin më të flaktë kishte kryepeshkopin e Salonës, Frontinianusin: aty u kundërshtua dënimi i tre etërve të kishës që dyshoheshin për nestorianizëm, diçka që e dëshironte perandori, e kishte pranuar papa dhe e kishte miratuar edhe koncili ekumenik i Konstantinopojës më 553, në të cilë peshkopët e Istries, Dalmacisë dhe Ilirisë nuk pranuan të shkonin, e kështu kjo skizëm e “frontinianasve” do të zgjaste deri në vitet 630, megjithë përpjekjet e Gregorit të Madh dhe të perandorit Mauric, të cilët skizmatikët u orvatën më kot që t’i hidhnin njërin kundër tjetrit30. Nga kjo skizëm lokale rrodhi një pasojë e rëndësishme, sepse me pushtimin lombard të dyja këto fraksione morën trajtat e një konfigurimi politik: më 607 ekzarku i Ravenës, Smaragdosi, përdori forcën për të vendosur medoemos në Grado një kandidat që pëlqehej prej Romës dhe perandorisë, ndërkohë që skizmatikët i kundërvunë këtij një kandidat tjetër që e mbështeste mbreti Agilulf dhe duka lombard i Friulit; këtu janë dhe rrënjët e dy patriarkateve, vazhdimisht në kundërshtim njëri me tjetrin, të Grados, e cila mblidhte rreth vetes zonat më “bizantine”, nga Istria tek lagunat, dhe Aquileas, që u printe krahinave të sunduara prej lombardëve e që hahej me Gradon për titullin, pavarësisht nga dëshira e Romës, edhe kur skizma ishte shuar.
Më anë tjetër të gjitha këto kisha ishin të pasura, sidomos kisha dalmate, e cila ishte pasuruar edhe më shumë nën regjimin gotik, duke pasur rreth vetes një numër arkipeshkvish me moral të dyshimtë, krejt sikundër në Istrie. Këtu ndihmoi edhe një masë që u jepte atyre pushtet më të madh mbi qytetet, ku ata përfaqësonin tashmë klasën drejtuese: më 569 Justini II i kishte shtrirë në gjithë perandorinë dispozitat e Sanksionit Pragmatik të Justinianit, që ishte ndërmarrë në 554 në favor të Italisë së ripushtuar. Ky tekst që u jepte peshkopëve dhe manjatëve lokalë të drejtën e zgjedhjes së guvernatorëve provincialë, i përqendronte edhe më shumë pushtetet administrative në gji të qyteteve, duke rritur kësisoj autonominë e tyre si brenda mureve të secilit, ashtu dhe mbi ato çka u mbeteshin nga territoret ngjitur, çka do të tkurrej së tepërmi mbas pushtimit sllav. Papa Gregori i Madh, të cilit, sado që më një anë e luftonte skizmën, i pëlqente të nxirrte përfitimet e tij nga kjo trashëgimi e pasur dhe e shkapërderdhur, nuk priste veç se rastin për të rimarrë përsëri kontrollin: më 592, duke përfituar nga vdekja e arkipeshkvit Natali, një prelat jo fort shembullor, Gregori i Madh vuri veton e tij në zgjedhjen e pasardhësit Maximos, ç’është e vërteta me të drejtë, pasi kjo zgjedhje me sa dukej ishte bërë në kushte dhune dhe nën presionin e ushtrisë dhe të manjatëve lokalë, të gjithë të mbështetur nga ekzarku Romanos33; mirëpo të gjithë së bashku, kleri, administrata lokale e popullata iu kundërvunë me forcë, pa marrë parasysh këtë herë Konstantinopojën, e cila e dinte se këto pasuri shërbenin në një masë të madhe për mbulimin e nevojave lokale. Prej kësaj rrodhi një krizë gjashtëvjeçare, në fund të të cilës papa u detyrua të nënshkruante dështimin: me ndërmjetësinë e ekzarkut Romanos, Maximosi mori nga duart e arkipeshkvit të Ravenës shlyeijen e mëkateve dhe konfirmimin; madje Gregori u detyrua të hiqte dorë dhe nga shugurimi i tij në Romë duke ia dërguar palliumin në Salonë.
Këto fakte ilustrojnë se si përtej detit po ndodhnin zhvillime të tjera “autonomiste”, bartës të të cilave ishin Ekzarkati i Ravenës me territoret e varura prej tij që në kohën e ripushtimit justinian, si Istria ose dukati i Romës. I parë për një kohë të gjatë si truall sprove, në Itali, për sistemin e ardhshëm administrativ bizantin, që paskëshin kopjuar institucionet e saj, sot është prirja që, në të kundërt, të këmbëngulet mbi këto prirje të qarta krahinoriste, madje edhe autonomiste, që ndeshen gjithashtu në një numër provincash ballkanike dhe të Azisë së Vogël të perandorisë, siç është rasti i Dalmacisë: duhet thënë këtu, kuptohet, që këto prirje nuk nënkuptojnë asnjëlloj shkëputjeje nga autoriteti perandorak, që mbetet guri i themelit, por vetëm se u hapin fushë veprimi një numri qëndrimesh kulturore, fetare e deri dhe politike, të cilat përbëjnë origjinalitetin e këtij “Bizanti Adriatik” që e ka boshtin pikërisht te ky det e që pas Ravenës do të ketë tek Venediku shembullin e vet më të spikatur. Siç është nënvizuar me të drejtë, ky Bizant Adriatik është pa asnjë dyshim latin duke mos qenë kurrë ndonjëherë grek, as në Dalmaci e as në Ravenë, ku helenizimi ka qenë tepër i sipërfaqshëm dhe pa asnjë dyshim me burim politik dhe elitar: edhe kokat më të kultivuara, që i kryenin studimet e tyre në Ravenën bizantine të shekullit VI, siç ishin Venance Fortunat ose Flavius Rusticus Domnulus, nuk e kanë braktisur asnjëherë shprehjen e tyre latine e, me sa duket, shumë pak janë interesuar për kulturën helenike.
Këto marrëdhënie komplekse midis dy brigjeve nuk mund të kuptohen po s’u mbajtën parasysh çrregullimet e shkaktuara nga dyndjet dhe migrimet që do të preknin krejt pellgun Adriatik midis shekujve IV e VII.