Përmbysja
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Përmbysja

Fundi tragjik i Andronikut shënoi dështimin e përpjekjes restauruese të tij. Fisnikëria feudale doli fitimtare dhe nën dinastinë e re të Engjëllorëve arriti jo vetëm të ruajë fuqinë e vet por edhe ta rrisë atë. Pas vitesh lufte të dëshpëruar kundër absolutizmit intranzigjent të Komnenëve të fundit, forcat centrifugale gjetën fushë të lirë veprimi.

Engjëllorët nuk bënin pjesë në radhën e familjeve të vjetra aristokratike të perandorisë, por vinin nga një familje e padëgjuar nga Filadelfia, që ia detyronte ngjitjen e saj faktit që vajza e fundit e Aleksit I, Teodora u martua me dashun me bukuroshin Konstandin Engjëlli. Nga ajo kohë, duke qenë krushq të familjes perandorake, Engjëllorët mbuluan poste të larta, u afirmuan sidomos në kohën e Manuelit I dhe luftuan në vijë të parë kundër Andronikut I, në radhët e aristokracisë bizantine. Rasti e solli që fitorja e fisnikërisë të sillte në fronin perandorak një pinjoll të kësaj familjeje.

Isaku II (1185-1195) një nip i Konstandin Engjëllit dhe i porfyrogjenetës Teodora, ishte në çdo pikëpamje e kundërta e autokratit Andronik. Ai i la rrugë të lirë proceseve që Androniku ishte përpjekur t'i ndalte energjitikisht e përdhunisht plagët e vjetra, që në kohën e Komnenit të madh ishin mbuluar nga shkëlqimi i fuqisë së jashtme, dolën tani në dritë të diellit dhe kalbësira që kishte pushtuar gjithë organizimin shtetëror u shfaq me gjithë rrezikshmërinë e vet. Nuk u vë më asnjë përpjekje për t'i vënë prita abuzimeve të administratës qendrore dhe të asaj provinciale; shitblerja e posteve, korrupsioni i funksionarëve, arbitrariteti i tagrambledhësve morën format më të turp- shme. Për Isakun II thuhej se i shiste ofiqet si zarzavatet në treg. Me rastin e martesës së tij, që u festua me pompë të madhe, u vu një taksë e posaçme në provinca. Me sa dukej, Isaku e konsideronte perandorinë, që fati ia kishte bërë dhuratë, si një pronë të vetën, që ai e administronte ashtu si një latifondist patriarkal administron pronat e veta. Nën qeverisjen e vëllait të tij, Aleksi III (1195-1203), gjendja u rëndua më tej. Popullsia e provincave lëngonte nën peshën e rëndë të taksave, abuzimet e nëpunësve të fiskut u shtuan, ndërsa fryheshin detyrimet ndaj shtetit. Shuma gjigante u bënë rrush e kumbulla për të përballuar luksin e shfrenuar të oborrit dhe haraçet për popujt e huaj, me anë të të cilave qeveria e dobët bizantine përpiqej të mbrohej nga kundërshtarë më të fuqishëm. Megjithatë provincat sulmoheshin vazhdimisht nga armiqtë dhe zonat bregdetare nga inkursionet e piratëve. Kundrejt piraterisë, shteti në shpërbërje të plotë ishte krejt i pafuqishëm. Nuk solli ndonjë dobi as fakti që në provinca të veçanta taksat për ndërtimin dhe pajisjen e anijeve u mblodhën tre herë brenda të njëjtit vit. Ndërkohë që barra e taksave bëhej gjithnjë e më e padurueshme për popullsinë, latifondistët me pushtet i ruanin e i zgjeronin privilegjet e tyre. Të gjitha përpjekjet e organizmave shtetërore për t'i vënë fre rritjes së vazhdueshme të privilegjeve nuk dhanë rezultat, sepse qeveria e dobët perandorake nuk dëshironte të mbrohej nga kërkesat këmbëngulëse të të mëdhenjve dhe këta gjithmonë e fitonin davanë. Në të vërtetë nuk kishte mbetur asgjë nga sistemi i themave, që dikur kishte qenë baza e administratës dhe e sistemit ushtarak bizantin. Megjithëse territori i perandorisë qe rrudhur së tepërmi, në fund të shekullit Xll Bizanti kishte dyfishin e numrit të themave që kishte pasur në periudhën e dinastisë maqedone. Administrata provinciale bizantine ishte shpërbërë në copëza të vogla që veç emrit nuk kishin asgjë të përbashkët me themat e vjetra. Me rritjen e vazhdueshme të latifondeve private, organet administrative të provincave të vogla ranë gjithnjë e më shumë në varësi të latifondistëve vendas. Në kushtet e dobësisë së administratës qendrore, pushteti i qeveritarëve provincialë po rrezikonte të zëvendësohej nga pushteti i latifondistëve, duke i dhënë dorë krijimit të principatave të pavarura të latifondistëve.

Qe një fat i madh që frika nga rreziku norman që shkaktoi rënien e An- dronikut, doli se kishte qenë ekzagjeruar. Ushtria normane e dhënë pas pla- çkës e qejfeve, e kishte humbur dëshirën për luftë. Nga ana tjetër sëmundjet epidemike i rralluan radhët e saj. Kështu gjenerali trim Aleks Vrana arriti ta shpartallojë armikun në afërsi të Mozinopolit e pastaj, më 7 nëntor 1185, pranë Dimitrikës. Normanët u tërhoqën, zbrazën Selanikun e pastaj Durrësin e Korfuzin. Vetëm Qefalonia dhe Zaçinti mbetën në duart e perëndimorëve dhe u ndanë përfundimisht nga Bizanti. Me armikun tjetër që, në kohën e An- dronikut kishte kërcënuar perandorinë, d.m.th. me mbretin e Hungarisë Bela III, Isak Komneni lidhi aleancë duke marrë për grua vajzën e tij dhjetëvjeçare, Margaritën.

Rregullimi i problemit norman dhe i atij hungarez qe me rëndësi të madhe, aq më tepër që në fund të vitit 1185 në Bullgan shpërtheu një kryengritje. E drejtuar nga vëllezërit Pjetër (Teodor) dhe Asen, ajo tregoi se lid- hjet e territoreve bullgare me autoritetin perandorak qenë dobësuar. Si kudo në perandori, një prirje e tillë konkretizohej në etjen për tokë të manjatëve vendas. Fillimisht Pjetri dhe Aseni kërkuan që t'u jepeshin në pronjë disa ter- ritore të caktuara. Arroganca me të cilën qeveria bizantine e hodhi poshtë këtë kërkesë, që qe parashtruar gjithashtu në mënyrë jo shumë elegante, bëri që të precipitojë ngjarjet. Pjetri dhe Aseni organizuan kryengritjen që gjeti përkrahjen e popullsisë së dërmuar nga barra e taksave dhe që pati si rezultat të fundit shkëputjen e plotë të Bullgarisë nga Bizanti dhe krijimin e peran- dorisë së dytë bullgare.

Dy shekuj të sundimit bizantin e kishin dobësuar elementin sllav si në Bullgari ashtu dhe në Maqedoni. Në këto vende ndodhi jo vetëm një proces helenizimi, por edhe një fuqizim i elementeve të tjerë etnikë në dëm të sllavëve. Në zonën e Selanikut gjendeshin shumë hebrenj dhe armenë, në viset e Danubit qenë vendosur mjaft kumanë. Vllahët, paraardhësit e Rumunëve të sotëm, banonin në territorin danubian, ashtu si dhe në Maqedoni e Thesali, që asokohe quhej Vllahia e Madhe. Kumanët e sidomos vllahët luajtën një rol të rëndësishëm në kryengritjen e Pjetrit dhe të Asenit.

Vështirësi të brendshme e rënduan më shumë gjendjen e brendshme të perandorisë. Mundësi i normanëve, Aleks Vrana, që ishte dërguar kundër kryengritësve, veshi në Adrianopojë purpurën dhe u nis për të përmbysur qeverinë e Isakut . Por në afërsi të Kostandinopojës ai ra në betejë dhe në verën e vitit 1186 perandori drejtoi një ekspeditë në Bullgari. Me siguri nuk mund tëkritikohej Isaku Ilpërpaaftësipërluftënkundërkryengritjesbullgare. Isaku nuk dallohej si burrë shteti, megjithatë nuk ishte as edhe një sovran i dobët e i ngathët, siç pohohet ndonjëherë. Qeverisja e tij nuk shkëlqeu, por me gjithë situatën ekstreme, rrjedha e luftës normane dhe bullgare tregon se në kohën e tij perandoria nuk ishte aq e pafuqishme në pikëpamjen ushtarake sa ç'kishte qenë nën regjimin despotik të Andronikut.

Kryengritësit u shpartalluan dhe Pjetri e Aseni ikën përtej Danubit. Por pa kaluar shumë kohë ata u kthyen përsëri me trupa ndihmëse kumane dhe lufta u ndez përsëri. Në tetor 1186 Isaku nxitoi t'i dalë përpara armikut, por tani gjendja kishte ndryshuar për keq dhe ai mundi t'i zmbrapsi hordhitë bullgaro-kumane me humbje tepër të rënda. Në pranverë të vitit 1187 perandori ndërmori një fushatë të re dhe nëpërmjet një manovre, nëpërmjet territorit të Sërdikës, u përpoq t'i marrë krahët kryengritësve, që ishin fshehur nëpër male. Por as kësaj radhe nuk u arrit fitorja vendimtare dhe Bizanti nuk ishte në gjendje ta vazhdonte më tej luftën. Vështirësitë shumoheshin nga të gjitha anët, Zhupani i madh i Serbisë, Stefan Nemanja, mbështeti kry- engritësitbullgarë dhe e shfrytëzoi luftën bullgaro-bizantine për ta shtrirë më tej sundimin e vet në dëm të Perandorisë Bizantine. Në Azinë e Vogël kishte shpërthyer ndërkohë një tjetër kryengritje. Isaku II u detyrua të ndërpresë luftën bullgare dhe ra në ujdi me kryengritësit, të cilët i dorëzuan peng Kalojanin, vëlla i vogël i Pjetrit dhe Asenit.

Traktati i paqes përfaqësonte një njohje të heshtur të situatës së re që ishte krijuar. Bizanti i braktisi viset midis maleve Ballkan dhe Danubit, ku formohej një perandori e re bullgare e pavarur. Atë kohë u krijua dhe kry- epeshkopata e Tërnovës dhe Aseni e mori kurorën e carit nga duart e kry- epeshkopit të ri bullgar në kishën e Shën Dhimitrit. Thuhej se pas pushtimit të Selanikut nga normanët, Shën Dhimitri kishte braktisur qytetin grek dhe u vendos në Tërnovë, kryeqytetin e perandorisë së dytë bullgare. Kohës së hegjemonisë bizantine në Gadishullin Ballkanik po i vinte fundi. Pas serbëve, edhe bullgarët u shkëputën nga sfera e ndikimit të perandorisë, që po gërryhej nga luftërat e brendshme. Mjaftoi afrimi i një kryqëzate të re për të treguar rreziqet që përmbante një gjendje e tillë.

Varri i shenjtë kishte rënë përsëri në duart e të pafeve. Salahdini, i cili nga Egjipti e kishte shtrirë sundimin e tij edhe mbi Sirinë, sulmoi më 1187 Palestinën dhe më 4 korrik i shkaktoi një humbje të rëndë ushtrisë latine pranë Hattinit, zuri rob mbretin Gui dë Lyzinjan dhe më 2 tetor hyri në Jerusalem. Sovranët më të shquar të perëndimit, Frederiku I Barbarosa, Filipi II August dhe Rikard Zemërluani, u bënë kryqtarë. Në verën e vitit 1189 Frederiku I, që kishte zgjedhur rrugën nëpër Hungari, hyri në Ballkan. Ai kishte bërë një përpjekje për të arritur një marrëveshje me perandorin bizantin dhe në vjeshtën e vitit 1188 kishte qenë nënshkruar një traktat në Nuremberg mbi kalimin e ushtrisë së kryqtarëve gjermanë. Por kjo nuk i zhduku dyshimet e bizantinëve. Në fakt, Barbarosa filloi tratativa jo vetëm me Bizantin, por edhe me armiqtë e Perandorisë Bizantine që ndeshi gjatë rrugës për në Tokën e Shenjtë, d.m.th. me serbët dhe me sulltanin e Ikonit. Aq sa e parapëlqyer ishte për bizantinët ardhja e Frederikut, po aq e mirëpritur ishte ajo për sllavët e jugut. Tensioni i pashmangshëm midis Bizantit dhe perandorit gjerman nuk mund të mos favorizonte mbretëritë sllave. Aleanca me Hungarinë, që për dhjetëvjeçarë të tërë kishte qenë një ndër konstantet e politikës serbe, nuk ishte më e mundur pasi Hungaria kishte tashmë marrëdhënie miqësore me Bizantin, të cilit s'kishte pse t'i trembej më. Ndaj Stefan Nemanja kërkoi tani mbështetje tek perandori i fuqishëm gjerman dhe shembullin e tij e ndoqi dhe Bullgaria. Në Nish Barabarosa u prit me nderime nga Nemanja dhe filloi tratativa si me zhupanin e madh të Serbisë ashtu dhe me të dërguarin bullgar. Serbia dhe Bullgaria iu betuan për besnikëri dhe nënshkruan një aleancë kundër Bizantit.

Natyrisht këto tratativa shkaktuan në Kostandinopojë një pështjellim të madh. Qeveria bizantine u hodh në krahët e Salahdinit, armikut të betuar të kryqtarëve: ai rinovoi traktatin e aleancës së arritur në kohën e Andronikut I, që synonte të pengonte kalimin e ushtrisë së kryqtarëve gjermanë. Marrëdhëniet midis Bizantit dhe perandorit gjerman, arritën kulmin e tendosjes. Frederiku e pushtoi Filipopolin sikur të ishte një qytet armik. Kjo ngjarje u pasua nga një shkëmbim letrash të ashpra që nuk kursenin fyerjet dhe aku- zat. Puna arriti deri aty sa Barbarosa vendosi ta mposhte Bizantin me forcën e armëve dhe të pushtojë Kostandinopojën. Pas marrjes së Adrianopojës, ku perandori gjerman takoi sërishmi të ciërguarit serbë e bullgarë, ushtria e tij marshoi mbi Kostandinopojë, ndërsa i biri i tij, Henriku, u dërgua të bllokojë me flotë nga ana e detit kryeqytetin bizantin. Isaku II u dorëzua: në shkurt 1190 u nënshkrua në Adnanopojë një traktat me të cilin perandorit gjerman iu premtuan anije për të kaluar trupat në Azi të Vogël si dhe ushqime me çmim të ulët. Si garanci iu dhanë pengje të rangut të lartë. Në këtë mënyrë të gjitha kërkesat e Barbarosës u plotësuan dhe Bizanti u detyrua të përkulej para fuqisë së perandorit gjerman. Në pranverë Frederiku sëbashku me ushtrinë e vet kaloi në Azinë e Vogël dhe iu drejtua menjëherë Tokës së Shenjtë, të cilën nuk arriti ta shohë, pasi vdiq duke u larë në lumin Oront në Kiliki.

Ekspedita e mbretërve të Anglisë e të Francës, që ndoqi rrugën detare për në Palestinë, nuk i krijoi ndonjë shqetësim Perandorisë Bizantine, e cila nuk kishte interesa në vende kaq të largëta. Por edhe ndërmarrja e tyre dështoi. Me paqen e vitit 1192 Salahdini mbajti Jerusalemin, ndërsa zotërimet latine u kufizuan në një brez të ngushtë tokash midis Jafës dhe Tirit. Më shumë se vetë kryqëzata, ishte një aksion anësor i saj ai që e preku drejtpërsëdrejti Bizantin: Rikard Zemërluani pushtoi Qipron, zuri rob sovranin e saj Isak Komnenin dhe ia dorëzoi ishullin në fillim urdhrit të templarëve dhe pastaj (1192) ish mbretit të Jerusalemit, Guidit të Luzinjanit. Nga ajo kohë Qiproja mbeti në zotërim të perëndimorëve.

Pas nisjes dhe vdekjes tragjike të Barbarosës, Bizanti mundi t'i kushtohej përsëri çështjeve të Ballkanit. Pa humbur kohë, Isaku II u nis kundër bullgarëve që ishin derdhur në Trakë dhe kundër serbëve, të cilët kishin përfituar nga lufta midis dy perandorëve për të pushtuar toka të reja dhe për të shkatërruar qytetet e rëndësishme të Sofies, Shkupit e Prizrenit. Stefan Nemanja u mund buzë Moravës në vjeshtë të vitit 1190, dhe u detyrua të nënshkruajë një traktat paqeje, ku premtonte të kthente viset e pushtuara në vitet e fundit, ndërkohë që i mbeteshin pushtimet e mëparshme. Por nuk duhej që fitorja e perandorit të ketë qenë aq vendimtare sa ç'thonë burimet bizantine. Nga ana tjetër, përfundimi i një traktati formal paqeje do të thoshte njohje e hapur e pavarësisë shtetërore të Serbisë, dhe ky akt u vulos me lidhjen martesore që u vendos midis dy familjeve mbretërore: Stefani, djali i dytë i Nemanjës, u martua me mbesën e perandorit, Evdokinë dhe mori titullin e lartë të sebastokratit. Martesa me një princeshë perandorake dhe dhënia e titullit sebastokrator ishte një vlerësim i lartë, por në të njëjtën kohë hyqa e trashëgimtarit të fronit serb në hierarkinë fisnikërore bizantine shprehte epërsinë ideale të perandorit bizantin që ishte basileus dhe autokrator.

Më pak i suksesshëm qe Bizanti në luftën kundër bullgarëve. Fushata e madhe e vitit 1190 përfundoi me një humbje të rëndë. Bizantinët arritën t'i afrohen mureve të Tërnovos, por rrethimi i kryeqytetit bullgar nuk pati sukses dhe gjatë kthimit ushtria bizantine u shpartallua në ngushticat e maleve Ballkan. Vetë perandori arriti të shpëtojë me vështirësi. As përpjekjet e mëvonshme për t'u çliruar nga presioni i Bullgarisë nuk patën ndonjë rezultat dhe më 1194 bizantinët pësuan një disfatë të re pranë Arkadiopolit. Por perandori nuk hoqi dorë nga lufta. Ai përtëriu marrëdhëniet miqësore me oborrin hungarez, që qenë zbehur për shkak të një sulmi hungarez mbi Serbinë166 dhe ndërmori së bashku me hungarezët një ekspeditë të re kundër Bullgarisë. Por nuk pati kohë as të dalë në fushën e betejës, pasi më 8 prill

Aleksi III (1195-1203), një njeri i dobët i etur për pushtet ishte produkt tipik i periudhës së rënies. Si të donte të kthente në karikaturë sovranin e madh Komnen, ai u quajt Komnen, pasi emri Engjëll nuk i dukej mjaft fisnik. Sado e kalbur dhe e drobitur që ishte, nën Isakun II perandoria mundi të mbijetonte, ndërsa tani ajo humbi dhe aftësitë e fundit për të rezistuar. Çdo vit që kalonte nxirrte gjithmonë e më në pah dobësinë e brendshme ndërkohë që edhe në politikën e jashtme grushti i shtetit i vitit 1195 pati rrjedhoja të shumta e të thella.

Ato që pësuan më shumë nga grushti i shtetit në fjalë, qenë marrëdhëniet midis perandorisë e Serbisë. I ati i Eudokisë, princeshës bizantine që ishte martuar me një anëtar të familjes sunduese serbe, ishte bërë perandor dhe ky fakt pa dyshim nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë në Serbi, ku pas pak kohësh dhëndri i perandorit, sebastokratori Stefan, erdhi në fuqi. Në fakt, më 25 mars 1196108 plaku Nemanja hoqi dorë nga froni në favor të Stefanit, u bë murg dhe u mbyll së pari në manastirin studit serb dhe pastaj në malin Athos, ku djali i tij i vogël Saba çonte prej vitesh një jetë prej murgu asketik. U duk se ngjitja në fron e Stefanit do të hapte një periudhë të re ndikimi të fuqishëm të Bizantit mbi Serbinë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi qeveria e pafuqishme bizantine nuk mundi të nxjerrë fitim nga zgjidhja që ajo vetë kishte dëshiruar prej kohësh. Në vend të vjehrrit bizantin, qenë kisha e fuqishme romane dhe aleatja e saj Hungaria ato që fituan një ndikim përcaktues mbi sovranin serb si në Rashë ashtu edhe në Bosnjë. Djah i madh i Nemanjës, Vukani, të cilit i ishte lënë terntori i Zetës dhe për këtë ndihej i pakënaqur, i shpalli luftë vëllait të tij, duke shpresuar në mbështetjen e Hungarisë dhe të kurisë romane. Nga ana e tij edhe Stefani, i lënë pas dore nga Bizanti, u përpoq ta shpëtonte situatën duke u lidhur me Romën. Ai i kishte humbur aq shumë shpresat te Kostandinopoja, saqë përzuri edhe gruan e tij bizantine. Por Vukani u tregua më i shpejtë. Me ndihmën e hungarezëve ai e dëboi të vëllanë dhe pasi njohu supremacinë e papës dhe sovranitetin hungarez në vitin 1202 hipi në pushtet. Gjendja ishte e ngjashme edhe në Bosnjën fqinje, ku bani Kulin arriti ta ruajë pushtetin vetëm pasi hoqi dorë nga doktrina bogomile, pasi u kthye në fenë katoliko-romane dhe pranoi tutelën hungareze (1203). Por shumë shpejt Stefani mundi të vijë përsëri në pushtet, porse jo me ndihmë të bizantinëve por atë të bullgarëve. Qëndrimi i qeverisë bizantine ndaj çështjes serbe është treguesi më i mirë i rënies vertikale të fuqisë bizantine. Më 1196 ndërhyrja e Bizantit kishte qenë vendimtare për çështjen trashëgimtare të fronit serb, kurse pak vjet më vonë faktori bizantin u zhduk plotësisht nga skena duke i lënë vendin ndikimit romano-hungarez.

Aleksi III fillimisht u përpoq të shmangte luftën kundër Bullgarisë me anë tratativash paqeje. Por kërkesat bullgare qenë aq të rënda, saqë tratativat u ndërprenë. Lufta shpërtheu përsëri, duke marrë një rrjedhë negative për Bizantin. Më 1195 e 1196 territori i Seres u shkretua nga bullgarët, armata bizantine u thye dhe komandanti i saj, sebastokratori Isak Komnen u zu rob.169 Bizanti ishte tepër krenar për të pranuar kompromis dhe tepër i dobët për të vazhduar luftën. Mbetej akoma një rrugëdalje e tretë: mbështetja në forcat opozitare brenda përbrenda vendit armik. Më 1196 Aseni ra viktimë e një komploti të kurdisur nga bojarët e tij. Por vrasësi i tij, bojari Ivanko nuk arriti të qëndrojë gjatë në Tërnovo, pasi për shkak të një rebelimi të ushtrisë, ndihma e premtuar nga Bizanti nuk erdhi. Ai u detyrua t'ia lërë vendin Pjetrit dhe t'ia mbathë në Kostandinopojë. Por edhe Pjetri, që vuri kurorën e carit në vend të Asenit, më 1197 ra viktimë e një atentati.

Ivankua u prit në Kostandinopojë me të gjitha nderet dhe u emërua qeveritar i Filipopolit, madje më vonë edhe kryekomandant i ushtrisë perandorake të dërguar të luftojë kundër Bullgarisë. Por shumë shpejt bojari dinak bullgar, të cilit Aleksi III i kishte besuar fatet e luftës bizantino-bullgare, i braktisi forcat perandorake dhe krijoi një principatë të vetën në zonën e Rodopeve. Një principatë akoma më e rëndësishme ishte krijuar në Maqedoni, ku vojvoda Dobromir Kërs ishte bërë i pavarur në trevën e Strimonit dhe pastaj e kishte shtrirë sundimin e tij duke e vendosur selinë e vet në Prosek, mbi Vardar, ku vështirë të mund të afroheshin ushtritë armike. Ai u njoh nga qeveria bizantine dhe mori për grua një të afërme të perandorit. Pasi u lidh me perandorinë e Tërnovos, filloi veprimet luftarake kundër Perandorisë Bizantine, pushtoi një pjesë të madhe të Maqedonisë perëndimore me Perlepin dhe Bitolën (Manastirin) dhe depërtoi deri në Greqinë e mesme. Më në fund bizantinët arritën të zënë me dredhi ish-mikun e tij Ivanko dhe principata e tij u bashkua përsëri me perandorinë. Lufta e vështirë kundër Dobromir Kërsit, me të cilin ishin bashkuar disa komandantë të lartë bizantinë, u mbyll me pushtimin e territorit të tij nga car Kalojani dhe me aneksimin e një pjese të madhe të Maqedonisë nga Perandoria bullgare.

Kalojani (1197-1207) vëlla i Pjetrit dhe Asenit, i cili dikur ishte çuar në Kostandinopojë si peng, ishte një armik i rrezikshëm për perandorin bizan- tin. Nën qeverisjen e tij të vendosur, perandoria e dytë bullgare përjetoi peri- udhën e saj të parë të një zhvillimi të vrullshëm, ajo u bë njëra ndër fuqitë më të rëndësishme ballkanike dhe shpesh veproi si një faktor vendimtar në politikën e Europës jugore.

Perandoria e tij doli fituese nga lufta me Bizantin, Kalojani arriti të sigurojë edhe njohjen e Romës. Kurorëzimi i Asenit nga ana e kryepeshkopit të Tërnovës, që ishte vetëshpallur i tillë, nuk mjaftonte për të siguruar legjitim- itetin e perandorisë së re. Vetëm dy qendrat e botës, Roma e Kostandinopoja, kishin të drejtën e kurorëzimit dhe kurora ishte e ligjshme vetëm nëse jepej nga njëri ose tjetri monopol. Nuk është çudi përse Kalojani i drejtohej Romës dhe jo Perandorisë Bizantine, e cila ishte në shpërbërje e sipër e, veç të tjer- ash, ishte armike e bullgarëve. Kështu, në prag, të rënies së Kostandinopojës, Roma kishte shtruar nën hegjemoninë e vet shpirtërore jo vetëm Serbinë, por edhe Bullgarinë dhe e kishte shtrirë sferën e vet të ndikimit në një pjesë të mirë të Gadishullit Ballkanik. Pas tratativash të gjata Kalojani e pranoi su- premacinë e papës. Akti përfundimtar u bë kur Kostandinopoja kishte rënë: më 7 nëntor 1204 një kardinal i dërguar në Tërnovo nga Inocenti III shuguroi kryepeshkopin bullgar Bazil si primat i Bullgarisë, dhe një ditë më pas i vuri kurorën mbretërore Kalojanit.

Dobësia e politikës bizantine në Ballkan i detyrohej kryesisht faktit se rreziqet më të mëdha që e kërcënonin perandorinë vitin nga Perëndimi. Prej vitesh shqetësimi i saj kryesor ishin marrëdhëniet me perandorin Henrik VI. Meqenëse ishte martuar me trashëgimtaren e fronit roman, Kostancën, pas vdekjes së Barbarosës, Henrikut i takoi të ishte trashëgimtar jo vetëm i fronit atëror, por edhe i atij të Guljelmit II, që kishte vdekur më 1189. Opozita siciliane, që ishte shtrënguar përreth Tankredit, nipit të Guljelmit II dhe që mbështetej sa nga papati aq edhe nga Bizanti, e humbi betejën me vdekjen e Trankredit dhe nëkrishtlindjet e vitit 1194 Henriku u kurorëzua në Palermo mbret i Sicilisë. Për Bizantin bashkimi i dy fuqive armike përfaqësonte një kërcënim vdekjeprurës. Përfshirja e Sicilisë në perandorinë gjermane i jepte një bazë të fortë planeve sunduese universaie të Henrikut dhe pika e parë dhe më e rëndësishme e këtij plani ishte pushtimi i Perandorisë Bizantine. Si trashëgimtar i Guljelmit II, Henriku ngriti para së gjithash pretendime mbi viset e Durrësit e Selanikut, që kishin qenë pushtuar nga normanët më 1185 dhe që më vonë u humbën prej tyre. Veç kësaj ai kërkoi haraç të rëndë dhe pjesëmarrjen e Perandorisë Bizantine me një flotë luftarake në kryqëzatën e re që po përgatitej. Pas ndryshimeve që ndodhën në fronin bizantin më 1195, gjendja u bë akoma më e rëndë. Filipi, vëlla i Henrikut, u martua me Irenën, vajzë e Isakut II, dhe në këtë mënyrë perandori gjerman siguroi një shkas për të ngritur pretendime mbi fronin bizantin nën petkun e mbrojtësit të të drejtave të familjes së perandorit, i cili ishte rrëzuar dhe verbuar, kundër uzurpatorit Aleks, duke i dhënë planeve të tij pushtuese ngjyrën e një lufte për vënien në vend të drejtësisë. Qeveria e Aleksit III, e trembur nga kërcënimet e Henrikut, bëri të gjitha përpjekjet për ta qetësuar duke ia plotësuar kërkesat në lidhje me haraçin dhe duke premtuar fi jepte çdo vit një shumë të madhe prej 1600 librash ari. Në të gjitha provincat e perandorisë u vu një taksë e re e posaçme e mbiquajtur "gjermane" (alantanikori). Por popullsia e perandorisë ishte edhe ashtu tepër e rënduar nga taksat, burimet e saj ishin shterur dhe sado ajo u shtrydh deri në gradën e fundit, prapëseprapë ishte e pamundur të grumbullohej shuma e kërkuar. Bizanti kishte rënë aq poshtë saqë nga varret e perandorëve në kishën e apostujve të shenjtë u morën zbukurimet e kushtueshme për të mbledhur shumën e nevojshme dhe për të fituar kështu simpatinë e kundërshtarit të rrezikshëm. Henriku u bind të fillojë tratativa me Bizantin dhe të kënaqej si fillim vetëm me haraçin dhe me poshtërimin e kundërshtarit falë ndërhyrjes së papës, i cili këmbënguli që perandori gjerman të mos i drejtohej Kostandinopojës, por si kryqtar të merrte rrugën e Jerusalemit. Në fakt, nëse nga njëra anë realizimi i planit gjerman i sundimit universal kërcënonte me shkatërrim Perandorinë Bizantine, nga ana tjetër ai kërcënonte edhe papatin me humbjen e pashmangshme të pozitave dhe të autoritetit të tij. Ishte ky arsyetim që e shtyu papën të marrë në mbrojtje perandorinë skizmatike të Kostandinopojës. Në fund të fundit nuk ishte fjala vetëm për një braktisje por vetëm për një shtyrje të planit për pushtimin e Bizantit. Dara përreth këtij të fundit po shtrëngohej gjithnjë e më shumë. Mbreti Amalrik i Qipros dhe Leoni i Armenisë së Vogël ishin bërë vasalë të perandorit gjerman. Por ndërsa bëhej gati të jepte goditjen vendimtare, Henriku VI vdiq papritur (shtator 1197).

Heqja e taksës "gjermane" solli shpërthimin e një entuziazmi të madh në Bizant dhe perandori pa dinjitet Aleks Engjëll Komneni, që pak kohë më parë i kishte paguar haraçin perandorisë gjermane dhe që, mbërthyer nga frika, kishte hequr zbukurimet nga varret e paraardhësve të tij, mendoi se kishte ardhur çasti i duhur për të shpalosur pretendimet e tij për sundim universal dhe për t'i propozuar papës, siç kishinbërë Komnenët e mëdhenj, një aleancë midis Kishës unike dhe Perandorisë unike. Por vdekja e Henrikut VI nuk solli veçse një shtyrje të vogël të sulmit të Perëndimit kundër Bizantit, pafuqia e të cilit i joshte armiqtë e tij të tentonin pushtimin. Përplasja fatale ngjau vetëm pas pak vjetësh dhe kësaj radhe sulmi erdhi nga një drejtim tjetër.

Perandoria e Perëndimit ishte shpërbërë, Italia i kishte shpëtuar sundimit gjerman dhe në Gjermani kishte shpërthyer një konflikt i ashpër për fronin midis Filipit të Shvabisë, vëlla i Henrikut, dhe Otonit të Brunsvikut. Në këtë mënyrë, vendin e hegjemonisë së perandorit gjerman e zuri hegjemonia e papës së madh Inocent III. Falë këtij fakti në poiitikën lindore të Perëndimit doli përsëri në rend të ditës ideja e kryqëzatës. Sipas planit të papës, Bizanti nuk duhej përmbysur me forcën e armëve por duhej t'i nënshtrohej selisë së Shën Pjetrit nëpërmjet bashkimit të kishave dhe të merrte pjesë së bashku me krishterimin perëndimor në kryqëzatë.

Por krahas Inocentit III, që ishte shpirti kishtar i kryqëzatës, në qendër të lëvizjes së re kryqtare ishte edhe personaliteti i fuqishëm i dogjit plak të Venedikut, Henrik Dandalit, i cili kontrollonte të gjitha përgatitjet e kësaj ndërmarrjeje dhe i cili synonte të drejtonte forcat perëndimore kundër Bizantit. Si burrë i madh shteti, i aftë të merrte vendime të mëdha, krejt indiferent ndaj idesë së kryqëzatës, Dandali e konsideronte shkatërrimin e Perandorisë Bizantine premisë të domosdoshme për të siguruar në mënyrë të qëndrueshme hegjemoninë venedikase në Lindje. Qysh në kohët e Aleksit I, Venediku gëzonte privilegje të mëdha në tokën dhe në ujërat bizantine: as Johani II e as Manueli I nuk arritën të çlirohen nga këto detyrime të rënda dhe dy perandorët e fundit të dinastisë së Engjëllorëve i kishin konfirmuar ato në mënyrë të qartë. Por përpjekjet e vazhdueshme të perandorisë për t'u çliruar nga presioni venedikas, që ishte e detyruar ta duronte duke shtrënguar dhëmbët, si dhe manifestimet e vetvetishme të popullsisë bizantine më 1171 e 1182, kishin krijuar një atmosferë pasigurie të përhershme. Republika detare duhej të qëndronte vazhdimisht me sy hapur dhe sa herë që vinte një perandor i ri duhej t'i zhvaste njohjen e privilegjeve të vjetra dhe shpesh herë të përdorte edhe forcën për të shmangur mosnjohjen e tyre. Nga ana tjetër, Gjenova dhe Piza ishin bërë për Venedikun konkurrentë të rrezikshëm, ngaqë Bizanti, i mbytur nga vështirësitë i kishte akorduar privilegje të gjera edhe këtyre dy republikave detare për t'i krijuar një kundërpeshë hegjemonisë venedikase. Për sa kohë që në Kostandinopojë sundonte një perandor bizantin, Venediku nuk mund të ishte plotësisht i sigurt për të drejtat e monopolit që gëzonte në territoret e perandorisë. Ndaj zgjidhja e fundit dukej se ishte përmbysja e Perandorisë Bizantine. Rastin më të mirë për realizimin e këtij qëllimi po e ofronte pjesëmarrja në kryqëzatë, që duhej shndërruar në një fushatë pushtimi kundër Bizantit. Bizantinët e kishin lënë Venedikun t'u rrëmbente hegjemoninë në det, që dikur kishte qenë e tyre. Tani rrezikonin të humbitnin edhe vetë perandorinë.

Janë hedhur shumë teza për të shpjeguar devijimin për Kostandinopojë të kryqëzatës së katërt. Por në të vërtetë shpjegimi i tyre është i thjeshtë: devijimi qe rezultat i pashmangshëm i ngjarjeve të mëparshme. Duke filluar nga skizma kishtare sidomos pas fillimit të kryqëzatave, në Perëndim po rritej vazhdimisht mëria ndaj Bizantit. Politika agresive e Manuelit ndaj Perëndimit dhe qëndrimi provokues antilatin i Andronikut bënë që kjo mëri të kthehej në armiqësi të hapur. Në kushtet e një dobësie dhe të një pafuqie të pashembullt të Perandorisë Bizantine nën sundimin e Engjëllorëve, në Perëndim ashpërsia ndaj Bizantit mori trajtat e një plani pushtues. Ideja e pushtimit të Kostandinopojës ishte një trashëgim i vjetër norman, dhe qysh në kohën e kryqëzatës së dytë ajo diskutohej në rrethin e Luigjit VII. Gjatë kryqëzatës së Frederik Barbarosës realizimi i saj u duk punë ditësh; trashëgimtari i Barbarodës dhe i mbretit norman Henrik VI, e vuri atë në qendër të politikës së vet. Dhe tani që Venediku vinte në kandar interesat e veta tregtare e politike, ideja u bë realitet. Laicizimi progresiv i idesë së kryqëzatës mbërriti në përfundimin e vet logjik: kryqëzata u kthye në një mjet pushtimi dhe u drejtua kundër perandorisë së krishterë të Lindjes. Një plekse rrethanash e lehtësoi këtë proces dhe ndihmoi që kryqtarët të viheshin në shërbim të interesave venedikase.

Kryqtarët u grumbulluan në Venedik, nga ku do të barteshin në Egjipt me anije venedikase. Por meqenëse nuk ishin në gjendje të paguanin çmimin e transportit, pranuan propozimin e dogjit që në vend të parave që mungonin të ofronin ndihmë ushtarake d.m.th. të ndihmonin Venedikun të pushtonte Zarën që kishte fituar pavarësinë nga Hungaria. Që këtu filloi devijimi nga objektivi i kryqëzatës. Duke u vënë në shërbim të Venedikut, kryqtarët luftuan kundër Hungarisë së krishterë, megjithëse mbreti hungarez ishte vetë pjesëmarrës në kryqëzatë. Në nëntor 1202 Zara u pushtua, sado popullsia e qytetit kishte vendosur figurën e Krishtit të kryqëzuar mbi mure. Ky episod ishte preludi simbolik i kësaj kryqëzate.

Ky devijim i parë u pasua nga një i dytë, ku u imphkua personi princit Aleks Engjëlli, djalë i Isakut II. Aleksi i ri kishte mundur të arratisej nga burgu ku ishte përplasur së bashku me të atin e tij të verbuar. Pasi kaloi në perëndim për të kërkiiar ndihmë dhe pas një takimi pa rezultat me Inocentin III, ai kishte mbërritur në oborrin e Filipit të Shvabisë. Filipi, i cili aq sa mundej po përpiqej të çonte përpara politikën e Henrikut VI, i mbështeti menjëherë pretendimet e kunatit të tij për fronin bizantin. Por duke mos qenë në gjendje të merrte pjesë drejtpërsëdrejti për shkak të vështirësive të brendshme, hyri në tratativa me kryqtarët dhe venedikasit dhe u përpoq t'i bindte që të rivendosnin në fron Isakun II dhe të birin.

Ky propozim s'kishte si të mos i pëlqente dogjit, por edhe prijësi i kryqëzatës, Bonifaci i Monferratos, familja e të cilit kishte lidhje të ngushta me Lindjen, e kapi me kënaqësi rastin për të futur hundët në çështjet bizantine. Ndërsa kryqtarët po kalonin dimrin në Zarë, mbërritën përfaqësuesit e mbretit gjerman dhe të klientit të tij, dhe kështu u arrit aleanca e dëshiruar nga të dyja palët. Me zemërgjerësinë e një pretendenti të fronit, Aleksi i premtoi kryqtarëve dhe venedikasve shuma përrallore të hollash, la të kuptojë se do të mbështeste ribashkimin e Kishës për të fituar përkrahjen e papës dhe mori përsipër të mbështeste konkretisht kryqëzatën pasi të ishte vendosur në fron. Shumica dërmuese e kalorësve kryqtarë i pranoi argumentet bindëse të Dandalos e të Bonifacit: tundimi qe i fortë dhe ndërgjegjja mbetej përsëri e qetë pasi me të mbaruar ekspedita kundër Kostandinopojës, kryqëzata do të vazhdonte rrugën e fuqizuar me mjetet që do t'i siguronte pretendenti i fronit bizantin. Në Zarë me kryqtarët u bashkua edhe Aleksi, në maj 1203 në Korfuz u nënshkrua marrëveshja mbi devijimin e ekspeditës dhe më 24 qershor flota kryqtare u shfaq përpara kryeqytetit bizantin, "mbretëreshës së të gjithë qyteteve".

Me pushtimin e Galatës u thye zinxhiri që pengonte hyrjen në Bririn e artë, anijet kryqtare hynë në port dhe po në atë kohë filloi rrethimi i mureve të qytetit nga toka. Me gjithë qëndresën e ashpër të garnizonit bizantin e sidomos të gardës variage, më 17 korrik 1203 Kostandinopoja ra në duart e kryqtarëve. Perandori burracak Aleks III ia mbathi duke marrë me vete thesarin dhe gurët e çmuar të kurorës. I verbri Isak II u vu përsëri në fron ndërsa i biri i tij, Aleksi IV që ishte marrë në mbrojtje nga kryqtarët, u emërua bashkëperandor.

Në Kostandinopojë ekzistonte një qeveri bizantine, por vetëm në saje të kryqtarëve që kishin ngritur flamurin nën muret e qytetit. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë sepse u pa qartë që Aleksi IV nuk ishte në gjendje të mbante premtimet e bëra në Zarë dhe në Korfuz. Aleksi u ndodh sakaq midis dy zjarresh: nga njëra anë kryqtarët dhe venedikasit kërkonin të paguheshin menjëherë dhe hodhën poshtë me kërcënim lutjet e tij për shtyrje të afatit, kurse nga ana tjetër popullsia bizantine protestonte kundër këtij perandori që kishte sjellë kryqtarët në tokat bizantine dhe që e kishte kthyer veten dhe popullin e tij në skJlav të latinëve. Në fund të janarit 1204 në Kostandinopojë shpërtheu një kryengritje dhe Aleksi IV humbi jo vetëm kurorën që e kishte fituar me aq përpjekje, por edhe jetën; pak më vonë vdiq në burg edhe babai i tij. Froni u zu nga Aleksi V Duka Murzufli, dhëndër i Aleksit III e burrë i Evdoklisë, gruas së dikurshme të sovranit serb Stefan.

Në Bizant fituan edhe një herë prirjet antilatine. Por kjo s'bëri gjë tjetër veçse e përshpejtoi aktin final të tragjedisë. Kryqtarët rrëmbyen përsëri armët kundër kryeqytetit bizantin. Kësaj radhe Kostandinopoja u rrethua jo për të vendosur aty një qeveri bizantine, por për të krijuar një perandori latine mbi rrënojat e asaj bizantine. Në muajin mars, nën muret e kryeqytetit bizantin, kryqtarët dhe venedikasit nënshkruan një traktat. Ky traktat përcaktohet në detajet më të vogla mënyrën sesi do të ndahej Perandoria Bizantine pas pushtimit dhe si do të krijohej një perandori e re latine në Kostandinopojë. Paskëtaj u dha sinjali sulmit dhe ndodhi ajo që pritej të ndodhte: më 13 prill 1204 kryeqyteti bizantin u dorëzua përballë epërsisë së kundërshtarit. Pushtuesit u derdhën në Kostandinopojë. Në këtë mënyrë qyteti që nuk kishte njohur pushtim të huaj që nga koha e Konstandinit të Madh, që i kishte bërë ballë sulmeve të rrepta të persianëve e të arabëve, të avarëve e të bullgarëve, ra në dorë të kryqtarëve e të venedikasve. Për tre ditë me radhë plaçkitjet dhe kërdia mbretëruan në Kostandinopojë. Thesaret më të çmuara të qendrës më të madhe kulturore të botës të asaj kohe u ndanë midis pushtuesve e pjesërisht u shkatërruan barbarisht. "Që nga koha e krijimit të botës nuk ka ndodhur të bëhet plaçkë aq e madhe në një qytet," shkruan historiani i kryqtarëve. Deri edhe myslimanët janë "njerëzorë e të mirësjellshëm" në krahasim me këta njerëz "që mbajnë kryqin e Krishtit në krahë", vërente një kronist bizantin. Pas ndarjes së plaçkës erdhi radha e ndarjes së Perandorisë Bizantine, që vulosi fundin e saj dhe që për më shumë se gjysmë shekulli i detyroi forcat restauruese të Bizantit të mërgojnë nga qendra drejt provincave periferike.

info@balkancultureheritage.com