Përpjekja për kundërveprim e Andronik Komnenit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Përpjekja për kundërveprim e Andronik Komnenit

Dobësitë e shtetit bizantin u slifaqën hapur pas vdekjes së Manuelit dhe ardhjes në fron të djalit të tij dymbëdhjetëvjeçar Aleks II, kur nëna perandoreshë Maria e Antiokesë u ngarkua me regjencën. Perandoresha i dha besim të plotë një nipi të perandorit të vdekur, protosebastit Aleks Komnen, që mori në dorë kontrollin e punëve politike. Por kjo nuk qe një zgjidhje e goditur dhe parapëlqimi i Marisë për këtë njeri të kotë e pa vlerë shkaktoi mërinë e anëtarëve të tjerë të dinastisë Komnene. Maria, me origjinën e saj perëndimore, dhe favoriti i saj ishin njëlloj të urryer nga populli. Ishte gjë e natyrshme që nën qeverisjen e tyre të forcohej theksi filolatin i politikës dhe në këtë fakt qytetarët bizantinë shihnin shkakun e keqësimit të shpejtë të gjendjes së brendshme dhe të jashtme. Armiqësia ndaj latinëve po thellohej dhe ajo drejtohej qoftë kundër tregtarëve italianë që po pasuroheshin në Bizant, qoftë kundër mercenarëve perëndimorë, që përbënin mbështetjen kryesore të regjencës. Disa herë eksponentët e dinastisë Komnene u përpoqën të përmbysin qeverinë me grusht shteti. Por të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan. Në Kostandinopojë opozitës i mungonte një udhëheqës. Rolin vendimtar e luajti Andronik Komneni, një kushëri i Manuelit, i cili atë kohë ishte qeveritar i krahinës së Pontit.

Andronik Komneni është njëra ndër figurat më interesante të historisë bizantine. Tashmë në prag të të gjashtëdhjetave, ai mbante mbi shpatulla përvojën e një jete të trazuar. Trimëritë dhe aventurat dashurore të tij ishin në Bizant objekt thashethemesh. Kishte një karakter tërheqës, një formim të shkëlqyer, ishte plot ide dhe orator i madh, guximtar në fushën e betejës dhe i prerë në punët e qeverisjes. Ishte i vetmi që guxonte ta kundërshtonte hapur perandorin Manuel. Androniku e Manueli kishin qenë gjithmonë rivalë dhe jo pa arsye Manueli kishte dyshuar se kushëriri i tij ambicioz synonte të rrëmbente kurorën perandorake. Androniku ishte i zoti për gjithçka, etja e tij për pushtet e lavdi nuk njihte kufi. Në funksion të tyre ishte gati të përdorte çdo mjet, pa pasur as më të voglën brejtje ndërgjegjeje. Çdo përpjekje për pajtim midis tyre përfundonte me shpërthimin e konflikteve të reja. Për t'i shpëtuar dyshimeve të perandorit Manuel, Aleksi bëri për vite me radhë një jetë aventurash e bredharake. Ai ishte një mik i mirëpritur si në oborrin e princit rus Galiç, ashtu edhe në oborret e sovranëve myslimanë të Azisë së Vogël. Ajo çka i ndante dy komnenët e mëdhenj nuk ishte vetëm rivaliteti personal por edhe kundërshtia politike. Androniku ishte një armik i aristokracisë feudale dhe një kundërshtar i vendosur i politikës filoperëndimore. Ndaj, tani që qe shtruar problemi i përmbysjes së regjencës filo-latine, të gjithë sytë u kthyen drejt tij.

Gjatë marshimit nëpër Azinë e Vogël, Androniku nuk ndeshi në asnjë qëndresë. Forcat ushtarake të tij, që fillimisht qenë modeste, u shtuan në rrugë e sipër: të gjithë të pakënaqurit bashkoheshin me të. Në pranverë të vitit 1182 ai mbërriti në Kalcedoni, ku ngriti kampin. Protosebasti Aleks u përpoq të bllokonte Bosforin me anë të flotës, personeli i të cilës përbëhej në pjesën më të madhe nga perëndimorë. Por komandanti i marinës, duka i madh Andronik Kontostefani u bashkua me uzurpuesin: me këtë, kauza e regjencës humbi. Në kryeqytet shpërtheu një kryengritje, protosebasti Aleks u verbua dhe u mbyll në burg. Urrejtja e bizantinëve u shpraz mbi latinët nëpërmjet një kërdie të vërtetë (maj 1182). Turma e verbuar nga tërbimi, u lëshua kundër shtëpive të perëndimorëve që jetonin në Kostandinopojë, duke plaçkitur pasuritë e tyre e duke vrarë barbarisht gjithsa s'kishin mundur të largohen në kohë. Ky ishte preludi i sundimit të Andronik Komnenit. Hyrja e tij solemne në Kostandinopojë u prit me brohoritje entuziaste të popullit.

Në fillim ai u hoq si shpëtimtar dhe mbrojtës iu perandorit të ri Aleks II. Kundërshtarët e tij u akuzuan për tradhti ndaj shtetit dhe perandorit të ligjshëm dhe u dënuan me vdekje. Midis të tjerëve u ngjit në trekëmbësh edhe nëna-perandoreshë, Maria, dënimin me vdekje të së cilës u shtrëngua ta nënshkruajë vetë biri i saj, Aleksi. Vetëm pasi e përgatiti terrenin dhe pas lutjesh, sigurisht të sajuara, të oborrit dhe të klerit, Androniku vendosi ta pranojë purpurën dhe në shtator 1182 u kurorëzua bashkëperandor i djaloshit Aleks. Por dy muaj më vonë ky u mbyt nga adjutantët e Andronikut dhe ku- foma e tij u flak në det. Për të mos krijuar problem me parimin e legjitimitetit, Androniku, tashmë burrë i moshuar, u martua me Anjezë-Anën, vajzë e Luigjit VII, e veja trembëdhjetëvjeçare e nipit të vrarë.

Ashtu siç qe dhe vetë karakteri i tij, veprimtaria politike e Andronikut qe e mbushur me kontradikta të mëdha. Ai shpresonte në një ringjallje të perandorisë, ndaj u pozicionua prerë kundër të këqijave ndaj të cilave paraardhësit e tij kishin ndenjur pasivë. Donte të shkulte me rrënjë prepotencën e fisnikërisë. Por meqë nuk njihte metoda të tjera qeverisjeje përveçse përdorimit të paskrupullt të dhunës, qeverisja e tij u kthye në një vazhdë terrori, komplotesh e mizorish. Nuk vihet në dyshim, as edhe nga vetë armiqtë e tij, se masat e marra prej tij sollën në provincat e perandorisë një përmirësim të shpejtë e të ndjeshëm të gjendjes. Me një rreptësi të hekurt arriti të zhdukë disa të këqija që për bashkëkohësit dukeshin të pashërueshme. Shitblerja e ofliqeve zyrtare pushoi.

U zgjodhën njerëzit më të aftë dhe për funksionarët u caktuan paga të përshtatshme për t'i bërë sa më pak të prekshëm nga korrupsioni. Korrupsioni u luftua ashpër në të gjitha format e tij. perandori i vuri vartësit e tij përpara alternativës: "ose të pushonin së bëri padrejtësira ose të pushonin së jetuari." Mbi bazën e parimeve të tilla ai mundi të mbajë nën kontroll të keqen më të madhe, parregullsitë në vjeljen e taksave. Në mënyrë të veçantë ky fakt i fundit shpjegon përmirësimin e kushteve në provincat e perandorisë gjatë sundimit të Andronikut. Në fakt nuk ishin vetëm kërkesat e shtetit, por sidomos edhe presionet e funksionarëve që e bënin të padurueshme bar- rën e detyrimeve të popullsisë. Mjaftoi një luftë e vendosur kundër këtyre abuzimeve, që tashmë konsideroheshin të pashmangshme, për ta bërë më të mirë gjendjen e popullsisë: ajo i dha popullsisë së stërmunduar fshatare një ndjenjë sigurie, që më parë nuk njihte "Nëse dikush i kishte dhënë Cezarit atë që është e Cezarit, askush nuk kërkonte më prej tij tjetër gjë. Askush nuk i hiqte këmishën nga trupi, si dikur, askush nuk e torturonte për vdekje. Në fakt, si një fjalë magjike, emri i Andronikut i kishte zhdukur tagrambledhësit e pangopur." Përshtypje të madhe bëri tek bashkëkohësit edhe praktika mjaft e përhapur e plaçkitjes së anijeve të dëmtuara. Androniku i dha fund kësaj praktike imorale, kundër së cilës kishin luftuar pa sukses paraardhësit e tij, duke urdhëruar që fajtorët të vareshin në direkun kryesor të anijes së pla- çkitur. Ai ishte plotësisht i bindur se "nuk ka asgjë që perandori s'mund ta ndreqë dhe asnjë padrejtësi që ai nuk mund ta eliminojë me forcën e tij".

Megjithatë besimi i tepruar në forcat e veta fshihte një rrezik të madh. Mbretërimi i Andronikut u kthye në një regjim terrori. Lufta kundër fisnikërisë degjeneroi në një kërdi të tmerrshme. Mjetet mizore te luftës, gjithmonë të dhunshme e shpesh herë të ulëta që ai përdorte e diskreditonin aspiratën e tij për drejtësi. Dhuna ndeshi në dhunë. Revoltat dhe komplotet ndoqën pa fund njëra-tjetrën. 1 egërsuar nga këto kundërshti, me mosbesimin dhe shpërthimet e tij që me kalimin e kohës po merrnin forma patetike, perandori përdori ashpërsi gjithnjë e më të madhe. Por kështu krijoi armiq të rinj. Atëherë u bë e qartë se kishte gjëra ndaj të cilave perandori ishte i pafuqishëm. Androniku u përpoq më kot të kthente mbrapa rrotën e historisë. Fisnikëria e tokës prej kohësh ishte bërë mbështetja e vërtetë e shtetit dhe e fuqisë së tij ushtarake. Ajo nuk pranonte të hiqej mënjanë dhe shkatërrimi i saj nëpërmjet vrasjeve në masë trondiste vetë themelet e forcës ushtarake bizantine.

Egërsia e pamëshirshme me të cilën Androniku luftoi korrupsionin pati efekt, siç e pranojnë edhe kundërshtarët e tij Niketa Koniati dhe Eustathi i Selanikut. Por programi i tij për një reaksion radikal dështoi. Politika antilatine e thelloi armiqësive e fuqive perëndimore ndaj Bizantit, politika kundër aris- tokratike e dobësoi më tej shtetin bizantin: kur erdhi çasti i pashmangshëm i provës vendimtare, forca ushtarake e perandorisë tregoi se nuk qëndronte aspak në lartësinë e detyrave të saj dhe atëherë u pa se politika e Andronikut ishte e dënuar të dështonte.

Shkëlqimi verbues i fuqisë së krijuar nga Manueli u zbeh shumë shpejt dhe retë e para u shfaqën pikërisht aty ku qe dukur se politika e tij ishte më tepër fatlume d.m.th. në viset hungaro-serbe. Falë autoritetet personal të Manuelit, mbreti hungarez Bela III u detyrua të pranojë paqen dhe zhupani i madh Stefan Nemanja të plotësojë angazhimet e tij. Pas vdekjes së Manuelit këto lidhje personale u këputën dhe dobësia e perandorisë, që nën regjencën e pa vlerë të nënës perandoreshë Maria dhe sundimin brutal të Andronikut nuk po shpëtonte dot nga luftërat e brendshme dukej se i premtonte një fitore të lehtë armiqve të Bizantit. Më 1181 Bela u bë zot i Dalmacisë, Kroacisë dhe i territorit të Sirmit: u humbën kështu pushtimet e bëra nga Manueli gjatë luftës së madhe e të kushtueshme me Hungarinë. Po aq shpejt u humbën territoret që ishin fituar gjatë luftërave të gjata e të vështira me Serbinë. Stefan Nemanja fitoi me lehtësi pavarësinë nga Bizanti. Me vrasjen e perandoreshës Maria Androniku i kishte dhënë një armë mbretit të Hungarisë. Në fakt Bela III pretendoi të merrte hakun e së vesë së Manuelit. Më 1183 hungarezët e serbët u derdhën së bashku në territorin e perandorisë. Beogradfi, Braniçevo, Nishi dhe Sofja u shkatërruan: gjashtë vjet më vonë kryqtarët i gjetën këto qytete të braktisura dhe pjesërisht të rrënuara. Me luftën kundër Bizantit Nemanja arriti t'i sigurojë vendit të tij pavarësinë dhe t'i shtrijë kufijtë e tij mjaft thellë në drejtim të jugut e të lindjes në dëm të Perandorisë Bizantine. Në të njëjtën kohë e shtnu sundimin e vet edhe mbi Zetën që u bashkua me Rashën në një principatë të vetme nën hegjemoninë e tij.

Në Azi, tensionet e brendshme shpërthyen në një varg revoltash. Familjet e mëdha, me në krye vetë Komnenët, i bënë një qëndresë të dëshpëruar qeverisë së Andronikut. Isak Komneni, një stërnip i Manuelit, shkoi deri aty sa të vendosë një regjim tiranik në Qipro dhe ta shpallë ishullin të pavarur nga perandoria. Ai mori titullin e perandorit dhe preu monedha me emrin e vet. Gjithsesi, pushteti qendror nuk qe në gjendje ta ndëshkojë atë vetë por u kufizua vetëm me zhdukjen e miqve të tij që ndodheshin në Kostandonipojë. Por Bizanti e humbi ishullin me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme. Në këtë mënyrë filloi shpërbërja e Perandorisë Bizantine.

Por goditja më e rëndë erdhi nga Perëndimi, ku normanët e Sicilisë ndërmorën edhe njëherë një fushatë të madhe pushtuese kundër Bizantit.

Më kot Androniku lidhi një aleancë me të fuqishmin Salahdin, që sundonte në Egjipt prej vitit 1171, pas rënies së kalifatit Fatimid, dhe që kishte shtënë në dorë dhe Sirinë pas vdekjes së sovranit të saj të madh, sirianit Nuredin (H74).

Më kot u përpoq të forcojë pozitat bizantine në Perëndim duke filluar edhe marrëdhëniet me Venedikun, të ndërprera më (1171). Duke ndjekur të njëjtin itinerar si në kohën e Robert Guiskardit, normanët sulmuan fillimisht Durrësin (1185). Qyteti ra menjëherë dhe ushtria normane mori drejtimin për Selanik. Edhe flota lundroi drejt atij objektivi, duke pushtuar rrugës ishujt e Korfuzit, Qefalonisë e Zaçintit. U pa qartë se tani, pak vjet pas sundimit të lavdishëm të Manuelit, Bizanti ishte shumë herë më i dobët se në kohët e paharruara kur Aleksi I, pas një tërheqjeje të dëshpëruar të fillimit, ishte hedhur në mësymje kundër Robert Guiskardit. Në fakt atë kohë Aleks Komneni mundi t'i bëjë një qëndresë të ashpër agresorit në afërsi të Durrësit dhe pas rënies së qytetit, e vazhdoi atë në thellësi të vendit. Atëherë normanët nuk arritën t'i afrohen Selanikut. Përkundrazi, tani pushtuesit nuk ndeshën në asnjë qëndresë gjatë marshimit të tyre dhe më 6 gusht kishin mbërritur në objektiv. Më 15 gusht edhe flota normane hyri në portin e Selanikut duke bërë të mundur rrethimin nga toka e nga deti të qytetit. Mbrojtja e Selanikut ishte mjaft e dobët, furnizimet krejt të pamjaftueshme, komandanti David Komneni u tregua i paaftë dhe trupat ndihmëse të dërguar nga Kostandinopoja nuk mbërritën në kohë: kështu, më 24 gusht qyteti i dytë i perandorisë binte në duart e normanëve. Lakmia dhe urrejtja e fitimtarëve nuk njohu kufi. Në qytetin e pushtuar u panë skena të llahtarshme. Nëse tre vjet më parë në Kostandinopojë latinët u masakruan nga bizantinët, tani ishin banorët e Selanikut që u fyen, u torturuan dhe u vranë barbarisht nga normanët.

Nga Selaniku një pjesë e ushtrisë normane iu drejtua Serres, kurse pjesa më e madhe marshoi mbi Kostandinopojë. Në kryeqytetin bizantm atmosfera po bëhej gjithnjë e më mbytëse. Terrori u bë më i egër dhe po rritej frika e një pushtimi armik i cili pas rënies së Selanikut po dukej fare i afërt. Stuhia e pritur shpërtheu më 12 shtator 1185. Sovrani i fundit i dinastisë së Komnenëve pati një fund të tmerrshëm. Ai që pak vjet më parë qe përshëndetur si shpëtimtar i perandorisë, tani u bë shtazërisht copë e çikë nga turma e zemëruar në rrugët e Kostandinopojës.

info@balkancultureheritage.com