Lidhur me këtë aspekt, vështrimi ynë duhet hedhur përtej kohërave, kujtimin e të cilave historia ka ruajtur, dhe të shohim drejt atyre shekujve të largët gjatë të cilëve do të ngriheshin institucionet shtëpiake dhe do të niste përgatitja e institucioneve shoqërore. Nga kjo epokë nuk mbetet dhe nuk mund të mbetet kurrfarë vepre e shkruar. Por ligjet që drejtonin atëherë njerëzit, kanë lënë disa gjurmë në të drejtën e epokave të mëvonshme.
Në ato kohëra të largëta dallohet një institucion, i cili, me sa duket, ka mbretëruar gjatë dhe ka pasur një ndikim të konsiderueshëm mbi ndërtimin e ardhshëm të shoqërive, institucion pa të cilin ky ndërtim nuk mund të shpjegohej. Ky institucion është pandashmëria e pasurisë si rrjedhojë e së drejtës të djalit të madh.
Feja e lashtë kishte vendosur një dallim midis djalit të madh dhe djalit më të vogël: "Djali i madh, thoshin Ariat e lashtë, ka lindur për të përmbushur detyrimin ndaj të parëve, të tjerët kanë lindur nga dashuria." Mbi bazën e kësaj epërsie fillestare, djali i madh kishte privilegjin, që pas vdekjes së të atit, të kryesonte të gjitha ceremonitë e kultit shtëpiak; ishte ai që ofronte ushqimin mortor dhe shqiptonte formulat e lutjes; "sepse e drejta për të shqiptuar lutjet i përket vetëm atij që në botë ka ardhur i pari." Pra, djali i madh ishte trashëgimtar i himneve, vazhdues i kultit, prijës i fesë së familjes. Nga ky besim rridhte një rregull i së drejtës: pasurinë e trashëgonte vetëm i madhi. Kështu thuhej në tekstin e lashtë, që përpiluesi i fundit i ligjeve Manu vijonte ende ta përfshinte në kodin e tij: "Djali i madh merr në zotërim të gjithë pasurinë dhe vëllezërit e tjerë jetojnë nën autoritetin e tij, njëlloj si të ishin nën autoritetin e të atit të tyre. Djali i madh shlyen borxhin ndaj stërgjyshërve, pra atij i takon gjithçka.
E drejta greke ka rrjedhur nga të njëjtat besime fetare sikurse edhe e drejta hindu; pra nuk duhet të habitemi aspak, kur në zanafillë të saj gjejmë gjithashtu të drejtën e djalit të madh. Sparta e ruajti atë shumë më gjatë sesa qytezat e tjera greke, pasi ajo u qëndroi besnike për një kohë më të gjatë institucioneve të lashta; në Spartë, pjesët e pasurisë së përcaktuar ishin të pandashme dhe djalit më të vogël nuk i takonte asnjë pjesë prej saj. E njëjta gjë ndodhte edhe në shumë legjislacione të lashta, që Aristoteli pat studiuar; sipas tij, legjislacioni i Tebës urdhëronte prerazi që numri i ngastrave të tokës të mbetej i pandryshuar, gjë që, sigurisht, përjashtonte ndarjen e pasurisë mes vëllezërve. Gjithashtu, një ligj i lashtë i Korintit kërkonte që numri i familjeve të mos ndryshontë, gjë që hamendëson, në një tjetër formë, të drejtën e djalit të madh, e cila pengon copëzimin e familjeve sipas brezave.
Tek athinasit, nuk mund të shpresojmë që këtë institucion të lashtë ta gjejmë ende në kohën e Demostenit; por në kohën e tij vijonte të ruhej ende ajo që njihej si privilegji i djalit të madh. Ky privilegj konsistonte në ruajtjen, veç përjashtimit të ndarjes së pasurisë midis vëllezërve, edhe të shtëpisë prindërore. Avantazh materialisht i konsiderueshëm dhe akoma më i konsiderueshëm nga pikëpamja e besimit; kjo për faktin se, në vetvete, shtëpia atërore ngërthente vatrën e lashtë të familjes. Ndërkohë që, në kohën e Demostenit, vëllai më i vogël mund të largohej dhe mund të ndizte një vatër të re, vëllai i madh, i vetmi trashëgimtar i vërtetë, mbetej zotërues i vatrës atërore dhe i varrit të të parëve; gjithashtu, ai ishte i vetmi që ruante edhe emrin e familjes. Këto ishin mbetje të një kohe, kur vetëm ai kishte të drejtën për të zotëruar krejt pasurinë.
Këtu mund të vëmë re se, te njerëzit e lashtësisë, padrejtësia e madhe e së drejtës së vëllait të madh, ndonëse nuk e godiste aspak mendjen njerëzore, mbi të cilën besimi ishte i plotfuqishëm, ishte ndrequr nëpërmjet shumë zakonesh të tjera. Djali i vogël, herë-herë birësohej nga një familje tjetër dhe kështu kishte mundësinë të trashëgonte; herë-herë ai martohej me ndonjë vajzë të vetme dhe herë-herë përftonte ngastrën e tokës të ndonjë familjeje, tashmë të shuar. Kur asnjë nga këto mundësi nuk ekzistonte, djemtë e vegjël dërgoheshin si kolonë në ngulime të tjera.
Për sa i përket Romës, nuk kemi arritur ende të gjejmë një ligj që i referohet të drejtës së vëllait të madh. Por nga ky fakt, nuk duhet mbërritur në përfundimin se për Italinë e lashtë, ai ka qenë i panjohur. Mundet, që ai të jetë zhdukur dhe prej tij të mos ketë mbetur as edhe një kujtim; por ai ka ekzistuar përtej kohërave të njohura prej nesh, sepse ekzistenca e gens-it romak dhe atij sabin, nuk mund të shpjegohet dot pa të. Vallë, si do të ishte e mundur që një familje të arrinte të numëronte në radhët e saj disa mijëra njerëz të lirë, si për shembull familja Klaudia, apo disa qindra luftëtarë, të gjithë patricë, si familja Fabia, nëse e drejta e vëllait të madh nuk do të kishte ekzistuar, për të ruajtur bashkësinë dhe për të shtuar numrin e njerëzve nga shekulli në shekull, duke penguar kësisoj çdo lloj copëzimi? Kjo e drejtë e lashtë e vëllait të madh provohet nga rrjedhojat e saj ose thënë ndryshe, nga veprat e saj.
Ndër të tjera, duhet kuptuar qartë se e drejta e vëllait të madh nuk do të thoshte lënien pa gjë të vëllezërve të vegjël, vetëm në përfitim të tij. Kodi Manu shpjegon kuptimin, kur ai thotë: "I madhi duhet të ketë për vëllezërit e tij më të vegjël dashurinë që babai ka për djemtë e tij, dhe këta të fundit duhet ta respektojnë atë si atin e tyre." Në mendimin e epokave të lashtësisë, e drejta e vëllait të madh nënkuptonte gjithnjë jetën e përbashkët. Në thelb, ajo nuk ishte veç gëzim i të drejtave materiale nga të gjithë vëllezërit nën parësinë e të madhit. Ajo përfaqësonte si pandashmërinë e pasurisë, ashtu edhe të familjes. Në këtë kuptim, mund të besojmë se ajo ka vepruar edhe në të drejtën më të lashtë të Romës, ose më së paku, në zakonet e saj dhe se ajo ka qenë burim i gens-it romak.